E enjte, 01.05.2025, 10:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Kërkimi i identitetit fëmijëror

E premte, 08.04.2011, 08:55 PM


KËRKIMI I IDENTITETIT FËMIJËROR

 

Ridvan Dibra: “Në kërkim të fëmijës së humbur” (roman), botoi “Onufri”, Tiranë, 2010

 

Shkruan: Ahmet Selmani

 

a)         Tematika personale

 

Vepra më e re e autorit Ridvan Dibra, që titullohet “Në kërkim të fëmijës së humbur”, teorikisht e cilësuar si një roman, por që praktikisht lexohet si një përmbledhje me tregime, vetvetiu na shpie në rrafshin e një tematike personale, nëse na lejohet ta quajmë kështu, për arsye se me anë të saj ai na sjell kryekëput një varg kujtimesh të cilat kanë të bëjnë me fëmijërinë e tij më të hershme. Të gjitha ngjarjet që i rrëfen aty, brenda vetes ngërthejnë një botë të lidhur ngusht me përjetime të vërteta; ato i gjejmë të ngulitura thellë në mbamendjen e tij, e kuptojmë se i ka bartur për vite të tëra për t’i çndryrë tevona në një moshë madhore, përkatësisht atëherë kur ndryshon thelbësisht edhe vetë botëkuptimi ndaj jetës, si dhe gjykimi për çështjet e shumta që lidhen me të.

Nga kjo pikëpamje dialektike, aq më e kapshme bëhet çështja e trajtimit të tyre në suaza të veprës në fjalë; fëmijëria përshkruhet në mënyrë shumë besnike e të plotë, me të gjitha hollësitë e nevojshme të saj, gjithsesi duke na e krijuar një ndjesi tipike për një kohë të caktuar, siç është ajo që i përket fazës nistore të zhvillimit të njeriut.

Nga kjo pozitë duket qartazi se elementi real është ruajtur i paprekur brenda kujtesës, si një përvojë jetësore shumë e shtrenjtë, me një fuqi tepër mbresëlënëse, me vlime nga më trazueset, me veprime jashtëzakonisht intriguese, për ta dëftuar në një kohë më fatlume, vetëmse tani e këndej, jo thjesht si një njeri i zakonshëm, por si një shkrimtar i konsoliduar. Kjo do të thotë se, gjatë këtij zhdrivillimi të vazhdueshëm, sakaq elementi faktik bëhet një element fantastik; kujtimi që është rrënjosur dikur, në kontekstin e tanishëm bëhet letërsi e mirëfilltë; ndodhia reale e periudhës së kaluar, këndejza transformohet në ndodhi artistike të shkruar. Sipas Bergsonit, e gjithë kjo do të ishte një mbamendje-kujtim, që autori duket se e sistemon në mënyrë empirike dhe letrare njëkohësisht.

Me vetë thjeshtësinë e dallueshme që kanë për nga paraqitja e tyre, rrëfimet e Ridrvan Dibrës arrijnë pikën më mahnitëse të rrokshmërisë. Pikërisht kjo trajtë që manifestohet në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm, e përbën magjinë e letërsisë; domethënë realja vetvetishëm të synojë nga trillesa, të shembëllejë si ars memorativa dhe, mbi të gjitha, të kundrohet vazhdimisht si strukturë e organizuar poetike.

 

b)         Autori ose personazhi

 

Në romanin “Në kërkim të fëmijës së humbur” të R. Dibrës mund të pikasim me lehtësi se, në kontekstin e ndërthurjes rrëfimore, autori në fjalë, nga një përjetues i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, nga një dëshmitar i gjallë, fare natyrshëm shndërrohet në një personazh kryesor të romanit. Dhe, ky jetëshkrim të cilin e sjell me përqëndrim të veçantë, meqë së këndejmi e merr formën e letërsisë në kuptimin e plotë të fjalës, është krejt afër mendsh që edhe autori të shndërrohet në figurë qendrore, ku do të flasë shtruar dhe lirshëm, sikur ngjarjet e shpalosura aty të ishin krejtësisht të stisura e të fytyruara.

Për shkak të kësaj, po ta shikojmë nga rrafshi i ndërtimit kohor, gjithnjë del qartë se midis tyre aty pikëtakohen perspektiva me retrospektivën; mbase autori i tanishëm, pra me një moshë pesëdhjetëvjeçare, nëpërmjet krijimtarisë letrare rikthehet mbrapa, domethënë në atë të fëmijërisë së vet, kur ishte vetëm gjashtëvjeçar. Dhe, s’do mend, e gjithë kjo zhvendosje që ndodh me anë të aktivizimit dhe shkarkimit të kujtesës, patjetër që duhet ta ketë edhe një shtysë të fuqishme, një reagim të domosdoshëm, madje ndoshta edhe si një lloj hakërrimi për ta nxjerrë në sipërfaqe atë që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në qenien e tij të brishtë.

Siç e thamë edhe në fillim, meqë kjo vepër në radhë të parë pandehet si një përmbledhje tregimesh, atëherë është e natyrshme të shtojmë edhe faktin se, duke filluar që nga tregimi i titulluar “Manastiri i Parmës”, “Dervishi dhe gjarpri”, “Vajzat”, “Tre të marrët”, “Lakuriqët e natës”, e deri te “Shpia e shtrigave”, “Arrat e Fanit”, “Lojna me akrep” etj., gjithkund tregohet një përvojë fëmijërore sa interesante e tërheqëse, po aq edhe e palumtur dhe dramatike, jo për fajin e fëmijës që s’ka qenë i prirur ta jetojë atë si duhet, por kryekëput për shkak të rrethanave dhe marrëdhënieve që kanë mbizotëruar brenda familjes, por njëherazi edhe brenda shoqërisë në përgjithësi.

Vërehet dukshëm se autori zbulon me një sinqeritet të skajshëm gjithë ashpërsinë e zbatuar nga babai në emër të edukatës, i shpalos të gjitha rrokmet e shumta fëmijërore që ka bërë me të vetmin synim për ta zbuluar botën dhe për t’i thyer fshehurazi rregullat e ngurta e kokëforta etj.

Andaj, sikur vetëkuptohet se nga këndvështrimi i tashëm kohor ky fëmijë del i humbur, i shtypur, i palumtur, i shfrytëzuar, i shpërdorur. Sot thuajse ai përpiqet ta bëjë bilancin jetësor, ta gjejë shkakun dhe pasojën e asaj jete aq të çrregulluar, ose ta rindërtojë fëmijërinë e tij me të mirat dhe të këqijat e veta.

Nga këto rrëfime kaq të ndërlidhura mësojmë se ecja e tij përmes atyre viteve ka qenë një rritë e panatyrshme; rrjedhimisht, ai ka kaluar nëpër shumë faza të dhimbshme e të ankthshme; gjërat janë çrrënjosur nga shtrati i tyre i rëndomtë dhe normal; fëmija në vend se të jetë rritur me përrallat e gjyshes, ai është rritur me obligimet e përditshme për të pastruar shtëpinë; në vend që të ketë lexuar përrallën e Kësulkuqes apo atë të Hirushes, ai e ka lexuar fshehtazi veprën voluminoze për të rritur “Manastiri i Parmës” të Stendalit. Realisht del se kjo është një pjekje e parakoshme, një zhvendosje nga bota përkatëse, një zhvillim gati i mbrapshtë i personalitetit të fëmijës.

Qëndrimi i tanishëm ndaj realitetit e bën atë që të kthehet mbrapa dhe ta kujtojë të shkuarën e tij. Pra, ndodh një përplasje midis dy kohëve të largëta, një reminishencë interesante midis asaj sesi e kishte zbuluar të vërtetën atëherë dhe sesi e zbulon atë tani. Kështu ia del ta bëjë autopsinë artistike të fëmijërisë së tij, duke e vënë në një peshore të kohës për ta gjykuar me një ndjenjë të hollë. Nëpërmjet kësaj filozofie kërkimore autori përpiqet ta vendosë komunikimin e tij me lexuesin.

 

c)         Dysia e gjuhës

 

Përgjatë rrëfimit të kësaj historie jetësore shihet qartë se R. Dibra vazhdimisht përdor një gjuhë të dyzuar; në shikim të parë ajo ngjason si një materie e dyfishtë, por në thelbin e saj real shfaqet si një tërësi shumë e ngjeshur. Teksa ndodhet në pozicionin e rrëfimtarit të tanishëm, ai shërbehet me gjuhën standarde, ose thënë më saktësisht, me toskërishten, si një trashëgimi e domosdoshme me të cilën është rritur e formuar, por në pozicionin e kujtimit të fëmijërisë, të ndërfutjes së drejtpëdrejtë të situatave gjegjëse, pra kur ai flet me shokun e tij Ilin, ose me babain etj., atëherë e përdor gegërishten, përkatësisht të folmen shkodrane, duke e tipizuar atë në mënyrë shumë autentike, pra si një lëndë burimore.

Në të vërtetë, kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një identitet gjuhësor; në njërën anë shfaqet ajo situatë reale që ka qenë dikur dhe, në anën tjetër, po ashtu edhe ajo që është sot. Kjo nuk bëhet për ta relativizuar apo për ta trazuar trashëgiminë e krijuar gjuhësore, por thjesht vetëm për ta paraqitur realitetin e plotë ekzistues në aspektin historik dhe aktual. Në fakt, kjo dysi që e shohim, është një laryshi funksionale dhe konkrete, një sendërtim i gjallë dhe i përpiktë, që aq më tepër e pasuron strukturën e përgjithshme gjuhësore të kësaj vepre si një plotni eristike dhe harmonike.

Kështu R. Dibra shpalos portretin dhe identitetin fëmijëror brenda kohës dhe hapësirës ekzistenciale, duke e ngritur aq më lart edhe identitetin e tij artistik përpara lexuesit. Kërkimi i fëmijës së humbur, s’është utopi, por plotësim i mungesës, realitet antropologjik, mallkim postum. Duke e kërkuar atë, ai e kërkon vetveten; nëpërmjet tekstit (rrëfimit) që na e ofron, e shohim atë që ka ndodhur konkretisht, por njëherësh gjithashtu e ndiejmë edhe nëntekstin e romanit, pra atë që është dashur të ndodhë normalisht. Kjo paraqet një requiem për identitetin normal të qenies fëmijërore dhe njerëzore, gjithsesi për atë identitet të humbur e të papranishëm në kohën e duhur, të cilin tani përpiqet ta riparojë me anë të gjuhës artistike, të paktën për ta krijuar një vizion të shëndoshë para lexuesit dhe për të ngjallur një përfytyrim të arsyeshëm.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx