Kulturë » Berisha
Poezi nga Sejdi Berisha
E merkure, 06.04.2011, 07:56 PM
Sejdi Berisha
MË KUJTOHET BEKIMI I NËNËS
Dikur nëna ime
Ma ledhatonte flokun
Shëndet më uronte
Të bëhem kryeneç
Në të gjitha kohërat për tu flijuar
Për ta peshuar dritën
Lumturinë për ta kërkuar
Për të bërë mrekulli me te
Iletin për t’ia shëruar njeriut
Edhe tash më kujtohet bekimi i nënës
Kot
Si në litar luhatet mendja
Moj nëna ime
Edhe tash jam kryeneç
Por, s’kam ç’të bëj
Me fal
DRITARËN E PËRPLASI FURTUNA
Në një kuti bakfoni
Duhan shafran plot
Edhe disa letra të trasha
Në cigare për ta mbështjellë jetën
Në te
Babain sikur e pashë
Ishte në dritare duke pritur
Mos ma humb kutinë e bakfonit
Është kujtim nga stërgjyshi
Kur ngrita kokën
Ëndrra më iku
Dritaren e përplasi furtuna
Si kujtim apo amanet
Në duar më kishte ngelur
Kutia e bakfonit
Nuk e di
QYTETI IM...
Punishte qyteti im
Ndërron pamjen duke shtuar dhembjen
Për humbjen e panoramës
Për zvetënimin e rrugëtimit të historisë
Qyteti im...
Edhe po ndërtohet
Edhe po rrënohet
Stinët dikush i ka ngatërruar
Në qytetin tim...
Vjeshtë në pranverë
Dimër në verë
Pranverë në vjeshtë
Verë në dimër
Në qytetin tim...
Gjithçka po ecën
Pa e diktuar dhembjen
Pa e peshuar lotin
Gjeth i vjeshtës
Që gjithnjë më shoqëron
Të lutëm mos vajto
Se stinët do t’i gjejnë binarët
As mos u plak, të lutëm
Mos e harro rrëfimin e lisit
Punishte qyteti im