Kulturë
Vangjush Ziko: Zoopoeteka
E marte, 05.04.2011, 07:18 PM
Vangjush Ziko
ZOOPOETEKA
BRESHKA
Breshka,breshkë.
Një copë mish.
E tëra eshtër.
Eshtër zgafellë,
Një ashkëti
Brenda në shpellë.
Lutet dhe falet
Duke zvarritur,
Heshtur,pa fjalë,
Zgjuar,dremitur.
Në zheg e shqotë
E mbart zgafellën.
Shtegton drejt zotit
Bashkë me shpellën.
PILIVESA
Lule pas lulesh.
Ngjyrë më ngjyrë.
Me krahët lyer
Me pluhur yjesh,
Vesë mëngjesi
dhe brymë nate.
Me prush të fshehtë
Imagjinate.
Vello e ëndrrës
Së pilivesës...
S' i shkon në mendje
Sa shpejt do vdesë.
BILBILI
Gush' e bilbilit di veç një notë.
Një këngë veç këndon në mote.
Nuk i mërzitet.S' i zvetënitet.
Gushën e tij e bën të dridhet.
Muzës sime i bënë pyetje
Se çfarë këngë këndon poeti.
U ktheu përgjigje muza vetë.
Vetëm një këngë këndon tër' jetën.
Vetëm një këngë këndon bilbili.
Këngën e mallit me afshn' e prillit.