E premte, 02.05.2025, 11:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Rushit Ramabaja: Liria ka marrë mësysh nga tregtarët e flamujve

E diele, 03.04.2011, 07:29 PM


RECENSION

 

Liria ka marrë mësysh nga tregtarët e flamujve

 

Nga Rushit RAMABAJA

 

Në romanin më të ri të Reshat Sahitajt “DIKUR E DIKU”, me një ngjyrim të theksuar të realizmit magjik dhe me një gjuhë krejt të mëvetësishme, ironizohet fati i njeriut dhe i etnisë në këtë pjesë të dheut të shqiptarëve. Fabula e romanit pleks dy shtresime historike (të kaluarën e hidhur të shqiptarëve, kur ishin nën okupimimin klasik të serbëve dhe të sotmen, lirinë ironike të pasluftës, kur vazhdojnë të jenë të nëpërkëmbur e të përbuzur nga bandat e atdhengrënësve vendorë) dhe dy botë që shkrihen në të njëjtin univers (botën reale dhe botën fiktive, që aq natyrshëm këmbejnë pamjet, heronjtë, bëmat dhe fatet). Gjithashtu, personazhet e këtij romani mund të ndahen në tri kategori: heronj të gjallë, heronj të vdekur dhe personalitete të vërteta të jetës kulturore, politike e publike. Kjo gjetje artistike, sigurisht e re dhe ndër më modernet, i ka mundësuar Reshatit që t’i zbërthejë me një artizëm plot sqimë dy faqet historike të etnisë, që lidhen në një rrëfanë dhe bëhen identifikuese të fatit dhe të etnopsikologjisë së shqiptarëve.

 Romani “DIKUR E DIKU”, mbi të gjitha, është një prozë autobiografike, jo vetëm pse kryeheroi pothuaj në të gjitha ngjyrimet identifikohet me autorin. Por po kaq kjo vepër mund të quhet edhe satirë psikologjike, një që e përdorë gjuhën e ironisë për të rrëmuar rrënjët e konfliktit të jashtëm e të brendshëm. Por, derisa konfkikti i jashtëm më leht përkufizohet, konflikti i brendshëm vlon nga enigmat. Është ajo lufta më e kobshme dhe më e vështirë e etnive për ta zhdukur të keqen nga vetvetja.

Në këtë roman mbarësinë, rebelimin dhe luftën e vazhdueshme kundër pushtuesit e personifikon kryeheroi, ndërsa të keqen, servilizmin dhe plangprishësinë – i vëllai. Prandaj kallëzimtari zbulon që në nismë gjenezën e konfliktit me të vëllanë, diçka që të kujton rrëfimet biblike të urrejtjes së vëllezërve: “...Ai me shtetin, unë, për inat të tij, kundër sistemit. Ai në Bregun e Taslixhes e unë në Bregun e Diellit; Ai me Titon e unë me Enver Hoxhën, ai me Ibrahim Rugovën, unë me Adem Demaçin, me Rexhep Qosen. Ai punonte me dredhi, e unë, si budallai, me drejtësi. Ai me politikë e me qeveri, e unë kundër politikës dhe kundër qeverisë...” Sigurisht kjo i ka rrënjët në kohën e stërzgjatur të robërisë, gjatë së cilës një pjesë e kolektivitetit ishte shpërfytyruar duke u bërë bisht në sëpatën e huaj.

Me këtë hapje intrigohet thurja e konfliktit. Pastaj, në botën reale, në hotelin “Grand” të kryeqytetit, me heronj realë, nisë thurja fabulative, për t’u shtrirë gati menjëherë në pjesën fiktive të universit romansor, ku kryepersonazhi papritur e pa kujtuar takohet me heronjtë e vdekur – Partizanin e Vogël dhe Rojtarin. Ata, si përfaqësues të dy epokave historike (Partizani i Vogël i kohës së komunizmit dhe Rojtari i epokës së UÇK-së), janë bartës të papajtueshëm të kontraditës dhe të konfliktit ideologjik.

   Atje, në pjesën përrallore, shkojnë edhe lexuesit e romanit, gjithëkahnaja e të cilit është në krijim e sipër. Ata (Agroni, Blerta, Flaka, Frikacaku, Vetoni etj.) , ndonëse lëvizin si meteorët në kozmosin fiktiv të veprës, orbitë e kanë botën reale, tek e cila më në fund kthehen bashkë me kryepersonazhin. Por, ç’kërkuan dhe ç’gjetën heronjtë në këtë pjesë të përrallëzuar të universit, ku bashkëjetojnë të gjallët me të vdekur? Kodin e mbijetesë? Përmbysjen e fatit? Identitetin e shkruar në librat e vjetër? Rrënjët e vërteta të konfliktit të brenshëm? Të gjitha nga pak dhe asnjërën deri në fund.

Atje, kërkimi i enigmave të mëdha historike që bëhet nga kryepersonazhi (që ka edhe rolin e kallëzimtarit), zbutet me kujtimet nga bota e të gjallëve, që plotësojnë mozaikun fabulativ dhe në të njëjtën kohë i njëjtësojnë natyrshëm të dy botët e romanit, aq sa ke përshtypjen se edhe përralla s’është veçse një trill i botës së të gjallëve. Kjo, po kështu, ka ndihmuar autorin që të bëjë një shthurje moderne dhe të natyrshme kompozicionale.

Vetëm ata që e njohin mirë Reshat Sahitajn, mund ta kuptojnë sinqeritetin e rrëfimit të tij si dhe kapërcimin krejt spontan, pra, pa shtirje e sforcime, të klisheve anakronike. Kjo ngasje prej kryengritësi dhe humbësi të gjithmonshëm të kryepersonazhit, ndoshta më së miri është metaforizuar në fillim dhe në fund të romanit (konflikti mbi urrejtjen përrallore të vëllezërve dhe konflikti mbi prirjen e gjithmonshme të asaj pjese të etnisë që kapardiset se me ta fillon historia).

Prandaj, ky roman do të mbetet më shumë se shenjim i të ligës së kësaj kohe dhe më tepër se një baladë për lirinë që ka marrë mësysh nga tregtarët e flamujve.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx