Kulturë
Cikël poetik nga Vaso Papaj
E diele, 03.04.2011, 07:51 PM
Vaso Papaj
Shkule trenin tënd
Unë njoh poetë që edhe malet i lëvizin
Ndaj mbylli sytë dhe vetëm ëndërro
Dëshirat për të puthur hënën s’të habisin
Në sytë e tu ke botën, këtë mos e harro
Ndaj fort përpiqu ta mbrosh dashurinë
Dhe kurrë të mos ta lësh të t’ ik’ fitorja
Nën xhup fshihe si zog që po mërdhinë
Po kurrsesi ta bjerrësh nga memorja
E në çdo rast shtrëngoje grushtin fort
Me ëndrrën tënde përballu gjer në fund
Po kurrë at’ grusht mos e lësho më kot
Dhe s’do të ketë njeri në botë ty të të mund
Ëndërro një herë, dy, ëndërro pafund djalosh
E mos ndrysho një varg nga ç’ke kënduar
Nuk ta kam frikën, e keqja ty s’ të josh
Ndaj shkule trenin tënd, stacioneve ndaluar
E nëse vjen një ditë e ëndërrat nuk të dalin
Më rend te dashuria, krah hapur si avion
Përkëdheli ëmbël flokët, sytë si qielli, ballin
Dhe buzë qershitë pa frikë do të t’shërojnë
Më t’ madhe mbretëri bota s’ka pasur kurr’
se kjo vogëlushja jonë, që ne e quajmë jetë
E po kaplove muret, do t’marrësh tjetër nur
Do t’shohësh ti atëher ç’është jeta e vërtetë
Ëndërro djalosh, ëndërro kohëra magjike
Sa ditë do të kalojnë, do t’vijë dhe dashuria
Po netëve ndalu, urrejtjen për rreth fike
Atëher do t’ jesh i njejti në poezitë e mia
Ëndërro djalosh, ëndërro si një i ri
E di?.. Mbi skrivani kam lënë një letër
Mungon vetëm një varg në atë poezi
Vër zemrën tënde, mos pyet asnjë tjetër.
Përkëdhelje
Me një vështrim të vetëm
Ç’u mbush me yje nata
Dhe mori ngjyrë erresira
Pse përkëdhelje pata.
M’u ngjallën t’ gjitha shqisat
Te porta,… ti papritur
Qenë fjetur ndjenjat tona
Përkëdhelje duke pritur.
Ç’e ndeza brenda meje
Gëzimin porsi zjarri
Më fale ti pa leje
Përkëdhelje prej të marri.
Me një vështrim të vetëm
Si det u bën te gjitha
Dhe shtrati ynë si varka
Përkëdhela dhe vozita.
Tërë natën të pashkulur
Më munde dhe të munda
Me hënën gojëmbyllur
Në përkëdhelje humba.
Dashuria ime
Dashuria ime,
je si deti.
Në ujërat e tua udhëtoj.
Bëj të mbytem,
më merr,
s’më lë të zhytem.
Dërrasë shpëtimi je,
tjetër, s’kam nevojë.
Dashuria ime,
je e çmendur.
Më gërryen përbrenda
si një kafshë e trembur.
E unë s’u lodha.
Në shtratin tënd
kurrë s’u dorëzova,
prapë dua të notoj.
Sa shumë të dua,
sa shumë të dëshiroj,
s’ndalem, do t’ kërkoj.
Përpiqem,
bëj të iki
e rikthehem përsëri.
Ah, e di mirë se ç’dua,
detin që më ngjan si ti.
Sonte përsëri ç’e gdhiva
E nuk kisha ku të shkoja
Fatin tim sërisht e ngriva
Derisa për ty mendoja
Nuk më mbeti shok shkolle
As dhe një nga fisi im
Kur ike gjithçka e more
Deri edhe qiellin tim
Hënën time pesmbëdhjetshe
E zbraze, as atë s’ ma le
Të ndriçoje shtigjet boshe
Të mbushje vetminë me te
Sonte përsëri ç’e gdhiva
Fola gjatë me heshtjen time
Nuk e di sa gota piva
Rrokullisur në kujtime