E merkure, 22.05.2024, 11:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Drilon Komonaci: Mos e përzieni - jepni shpresë

E enjte, 07.04.2011, 07:58 PM


MOS E PËRZIENI – JEPNI SHPRESË

 

Nga DRILON KOMONACI

 

Kur është për të ngul këmbë në dobi të vendit, më duket se nuk ka vullnet të duhur, por kur duhet të mbrohesh në mënyrë individuale reagimet janë më të theksuara. Gabimet e të kaluarës, tashmë të gjithë i kanë të qarta, pra mendoni se si duhet të veprohet e të mos gabohet njësoj. Gabimet janë parë edhe nga të huajt dhe janë përsëritur në shumë fusha. Kështu ndodh që të huajt t’i akuzojnë shqiptarët edhe për qeverisje të keqe e sundim ligji.

Një intervistë nga një gazetë ditore e shoh se si J. S. Petersen, zyrtar i dikurshëm i UBNIK-ut në Kosovë, në një pyetje e jep këtë përgjigje: “Vendorët nuk lejuan të bëhen hetimet...” demek, njerëzit tanë që udhëheqin këtë vend nuk kanë lejuar që të shikohet se kush çka është duke vepruar. Se kush po merret me korrupsion. Kush me krim të organizuar, me trafikim qeniesh...Natyrisht, që vendorët nuk lejojnë të bëhen hetimet, sepse, ata vetë janë marrë me të gjitha më parë, pastaj edhe të tjerët, kush ka dashur prej të huajve ndoshta. Kush guxon t’i kontrolloj!? Një kthim tjetër duhet të bëhet nga institucionet, jo në kurriz të tjerëve, po duke filluar nga vetja më parë...maskarallëqet dalin në fushë herët a vonë.

 

Fjalët e tyre maska

 

Pasqyre e botës, apo jo. Jo prej meje e teje i nderuari lexues, prej këtyre që i kemi votuar dhe u kemi besuar të na udhëheqin. Ashtu si thonë me normat disiplinore demokratike. Demek, me mësimet që i kanë marrë nga vendet perëndimore. Atje, ku ka lulëzuar rendi demokratik. Atje, ku kapitali është në qendër të vëmendjes. Atje, ku tregu i punës kapërdinë çdo ditë me mijëra punëtorë të profileve të ndryshme. Atje, ku mund të shmanget edhe diçka nga ndonjë pjesë e shtetit prej ndonjë zyrtari, por që nuk merret vesh. E nëse shquhet ndonjë aferë, në momentin që dihet se kush çka ka vepruar me mjetet shoqërore, të popullit, me padrejtësi të punëtorëve e qytetarëve, atëherë ai person ulet para ligjit e gjyqit. Dhe sipas peshës  përgjigjet e i kthen të mirat materiale e financiare atje kujt ia ka marrë, atyre që u ka borxh. Këto janë vendet perëndimore, po te ne? Në një vend kur ende nuk është bërë shteti as ligji. Dhe nëse është bërë ndonjë ligj çka ka lidhje. Ai vlen për qytetarët e rëndomtë dhe klasën e ultë në administratë. Ligji nuk vlen për “heronjtë” e popullit. Çdo gjë vlen për këta “heronjtë” e gjallë që tash një pjesë e tyre po shihet se nuk e kanë pasur qëllimin e mirë sa i përket vlerës atdhetare dhe qytetare.

 

Politikanë apo piratë të Kosovës

 

Tash kemi ardhur në zgrip. Secili prej tyre thotë se jam më i merituari. Secili e lavdëron vetën. Lehtë u vjen këtyre trimave ta lavdërojnë vetën. Po nuk ka vend as sektor shoqërorë si dhe atë privat që e kanë nisur mbarë. Apo, kanë nisur diçka diku e e kanë lënë si “qenin në tërshërë”. Kështu bëri edhe ai i privatizimit me AKM. Kështu bëri edhe ai/ajo e energjetikës. Kështu bëri edhe ai i arsimit që tash ka marrë detyrë të re, sikur që e pat e e në ar shkriu, e shndriti krejt këtë vend, bile edhe Evropën e botën. Mori disa tenderë (me të tjerët) të mirë me fitime për vete. I la shkollat parauniversitare si mos ma keq. Nuk di kush ha e kush pi. Përditë çojnë raporte të rreme për gjendjen e shkëlqyeshme. I sakatuan rininë. Ai krekoset se është njeri i madh. I la universitetet private të lulëzojnë ashtu si dëshiron dikush për fitime të ditës. E nguliti edhe UP me një rektor shumë të dëgjueshëm, në rast nevoje për t’u shërbye “heronjve” tanë, që të bëhen gati dhe të doktorojnë sa më shumë, se ata mund të mos kenë as shkollim të mesëm, tash janë bërë ministra, z/ministra e të tjerë zyrtarë. Kështu e dinë këta se demokracia i lejon të bëjnë çka dëshirojnë e çka u do shpirti. Si në një shkretëtirë, Afrika më mirë qëndron prej nesh. Sikur duan çdo gjë të prishin dhe jo të rregullohet çdo ditë kjo gjendje.

I kanë shtrirë degët e degëzat nëpër terrene që të mos lejojnë kënd që nuk janë të “përshtatshëm ideo-politikisht” të hyjnë në orbitën e tyre. T’i largojnë, nëse ata janë në ndonjë punë “shteti”, t’i largojnë të gjithë të padëgjueshmit. Ta pastrojnë terrenin për të ardhmen. “Jemi partia më e madhe”, thojnë, “s’ka kush na del para”.Sërish duhet ta fitojnë votën nga populli. Se vetëm kur janë në pushtet (çfarëdo qoftë ai) për ata “bie shi në kallamboq”. Të lashtat e tyre janë të gatshme nga këta lëkurërrjepcat që u japin vota e u duartrokasin. Qytetarët sillen e pështillen dhe nuk dinë kah t’ia mbajnë. Kanë shpikë “vizat” dhe ato kur do t’ua lejoj Evropa do të shkojnë qytetarët e Kosovës ku të donë. Një parullë shumë demagogjike. etj. etj gomari.

 

Konsolidimi i institucioneve – jashtë çdo logjike

 

Të gjithë në televizione hapen e bëhen si diçka të jashtëzakonshëm. Nuk u ngutet fare, ata qëndrojnë mirë me të ardhura e me pasuri. Tash si të rebeluar nuk pajtohen se kush mund ta udhëheq këtë vend. Njëri thotë të vë kushte për këtë e atë edhe tjetri thotë, i kam kushtet që i kam përcaktuar me kohë. “Nuk lëshojmë pe për asnjë cm, nuk duam ta koritim anën tonë”! populli ne na do, ju jo. Na kemi luftuar dhe na bëjmë krejt çka duamë. Ndonjë lexues thotë, ‘mos i ngucni luftëtarët tanë’. Luftëtarët nuk kanë luftuar që të bëjnë “zullum”, por që të lirohet ky popull nga e keqja. Ky tjetri i cili nuk di mirë shqip thotë unë e njoh botën, kam kapital. Dua të bëhem kryetar i Kosovës. Këtë “profesion” thotë, nuk e kam provuar ende. Populli nuk e do. Ky ngul këmbë si “pa tjetër” duhet të jetë në maje. U zgjodh dhunshëm nga përkrahësit e tij. Nga ata që kanë leverdinë, po ai s’di çka duhet të bëj. Shkon në vendet fqinje e flet në emër të Kosovës sikur të bënte pazar ditor a si të bënte goditje me një tender. Gazetat shkruajnë edhe editoriale: “Rrugë pa krye”. Po, çfarë krye ka rruga jonë, kur kryet është i humbur pas pasurisë për vete, për rrethin familjar dhe për servilët ndonjë kockë. Qytetarët krejt këto maskarallëqe i dëgjojnë e i përjetojnë nga këta udhëheqës të mjerë. Qytetarët, pjesa më e madhe janë në stom të vetëvrasjes. Nuk kanë as për ushqim ditor e lëre më të punojnë për më tutje diçka për të ardhmen e tyre. 

 

Pak sakrificë për qytetarët e juaj

 

Nëse doni të bëni mirë, duhet të lëshohet udhë për tjetrin. Edhe qytetarët duhet ta kenë të qartë se, duhet të bëhet diçka qoftë edhe në dëm të njërës palë, në mënyrë që të ecim para. Krejt është e qartë se çka është dashur të jetë më mirë. Kjo është gabuar në fillim me një koalicion që s’është i meritueshëm, aq më pak është për kryetar Bexhet Pacolli, por, nuk bën të mbetemi në rrugë. Të gjitha partitë parlamentare, por edhe shoqëria civile duhet të ndihmojnë që të dilet nga kjo rrugë e pa krye. Vullneti për të bërë mirë duhet ta mbuloj edhe të keqën më të madhe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora