E premte, 02.05.2025, 12:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Idili i rikthimit

E merkure, 06.04.2011, 07:57 PM


IDILI I RIKTHIMIT

 

Milianov Kallupi: “Lyhnid” (haiku), botoi “Vllamasi”, Tiranë, 2010

 

Shkruan: Ahmet Selmani

 

a) Natyralizimi i haikut

 

Tendenca për ta zhbllokuar monopolin që e kishte krijuar i ashtuquajturi socrealizëm shqiptar, në mbyllje të qindjvetshit të kaluar u kurorëzua edhe me futjen e trajtave të reja letrare të cilat patën munguar, siç ishte poezia trevargëshe e quajtur haik, e cila prejardhjen e saj e ka nga tradita letrare japoneze. Pa dyshim, bartësi më i denjë i haikut te shqiptarët është Milianov Kallupi, i cili përgjatë dy dhjetëvjeçarëve me radhë e ka dëshmuar veten si një krijues i vendosur në këtë drejtim, duke arritur të botojë disa libra pikërisht me këtë lloj të ngjeshur të poezisë ekzotike. Gjithsesi, këtu e gjejmë edhe librin më të ri me titull “Lyhnid”, që vjen si një topos klithës e që buron nga qenia e trazuar e këtij poeti, me ç’rast duket se shqipton në mënyrë lirike një preokupim të vazhdueshëm të tij, një botë ku përthyhen apo gërshetohen një varg ndjenjash dhe mendimesh që kanë të bëjnë me fenomenet njerëzore e jetësore. E gjithë kjo sferë plekset brenda tri vargjeve të quajtura haik, kur poeti shprehet edhe në mënyrë programatike:

Dritare liqeni.

Mbi xhamin blu të ujërave,

shkruaj një haik.

Prandaj, duke i lexuar edhe këto poezi trevargëshe të tij, ne gjithnjë e më tepër arrijmë të bindemi se me M. Kallupin vazhdon edhe më tej të rrënjoset epoka e haikut shqiptar, mbase si një frymë freskuese dhe si një formë e natyralizuar brenda letërsisë sonë bashkëkohore, duke u shndërruar në një gjedhe klasike edhe për shumë krijues të tjerë të cilët qysh në fillim e patën përqafuar pa ndonjë ngurrim dhe që vijojnë pa reshtur edhe më tej ta krijojnë me zell të veçantë.

 

b) Përmasat e kryemotivit

 

Vëllimi poetik “Lyhnid” i M. Kallupit është një libër i përqëndruar kryekreje vetëm brenda një kryemotivi të caktuar, atij që bëhet shtyllë kryesore për gjithë lëndën poetike të cilën e brendashtrin. Pra, në fakt kemi të bëjmë, siç e thamë më përpara, me toposin lirik të quajtur Lyhnid, përkatësisht me emrin antik të Liqenit të Ohrit, rretherrethas të cilit sillet poeti, ku ia del të gjejë një mori frymëzimesh për ta bërë atë si një mikromotiv dhe makromotiv njëherësh. Sikundër mund të zbërthehet, aty gjithë kohën e lume Lyhnida shndërrohet në një referencë të pashtershme artistike; shpërthen nga thellësia e qenies krijuese sa herë që bie në kontakt me realitetin që shtrihet përpara tij, qoftë me natyrën mahnitëse që ka, me visoret e bukura që e përshkojnë gjithandej, me ujërat e qetë të saj, qoftë edhe me nositët, mjellmat, rosat ose varkat që e përshkojnë mespërmes liqenin e kthjellët. Teksa ndodhet kundruall kësaj gjithnaje kaq tërheqëse, ai përnjëherazi ia del që ta ndezë tërë përfytyrimin e vet imagjinativ, duke krijuar kështu metaforën përkufizuese lidhur me toposin lirik në fjalë:

Ujë i pikëlluar, i bekuar,

frymë e kaltër, gërshetëz e dashuruar.

Lyhnida.

S’do mend, sipas kësaj mënyre vazhdon rendjen e tij me ngulmim anembanë këtij mjedisi të zgjedhur e të shenjtëruar brendapërbrenda shpirtit të tij. Atë e përshkon horizontalisht dhe vertikalisht; ai aq sa duket natyror e tokësor, po aq duket edhe shpirtëror dhe i perëndishëm.

 

Rrjedhimisht, këtu poeti e ndërton mrekullinë e kësaj natyre të rrallë, duke mos lejuar asnjë cenim të vogël, qoftë edhe si një dëshirë e brendshme. Andaj atë e

gjejmë heraherazi duke thënë:

Aq të bardha, aq të hajthme

mjellmat e Drilonit!

Mos ua dëgjofsha këgën e fundit...

Në gjithë këtë shtegtim rrethor e ciklik që e bën në suazat e kësaj hapësire, ai arrin të identifikojë ekzistencën fizike dhe shpirtërore të liqenit, sigurisht në formën e dëshmisë dhe të trashëgimisë, për t’u bërë edhe vetë si pjesë e pandashme ose si bashkudhëtar i kohës më të re. Vetë kjo natyrë e ngjeshur shfaqet si një dhuratë poetike, ndaj edhe poetët janë shumë të prirur të ndodhen në gjirin e saj. E dimë se i tillë ishte edhe Lasgush Poradeci që i këndoi me aq zjarr e dashuri dhe që nuk e la asnjëherë të harrohej. Prandaj edhe M. Kallupi nuk e harron këtë gjë, vetvetiu ndërlidhet me anë të një kujtimi të veçantë:

Ditën që iku Lasgushi

loti i madh i liqenit

ngriu te dhimbja...

Kjo do të thotë se ky poet rikthehet si një vazhdues i L. Poradecit pranë liqenit magjepsës për t’ia hequr pikëllimin dhe dhimbjen që ndien vazhdimisht, për t’i falur pakëz ngrohtësi e dashuri atij, si dhe për ta bërë të gjallë e gazmor me qeniet që jetojnë brenda tij. Të gjitha poezitë që i sjell në këtë vazhdë, përpiqen të ringjallin dromca të shumta që kanë rënë në gjumë ose që përpëliten në ndonjë cep të natyrës. E ky është një univers i tërë poetik që quhet Lyhnid, teksa transformohet në një metaforë të përhershme. Dhe vetvetiu ndjesia e këtillë hap vizionin e qartë artistik, krijon rrafshin perceptues brenda të cilit ecet lirshëm.

 

c) Ligjërimi i përqëndruar

 

Patjetër duhet të themi edhe një gjë dalluese: materia poetike që e shqipton Milianov Kallupi rrjedh si një ligjërim tepër i përqëndruar figurativ. Meqenëse vetë forma e haikut është maksimalisht e dendur, autori bën çmos që gjërat t’i thotë sa më figurshëm dhe sa më thuktas. Kështu edhe gjuha e poezisë së tij ndërtohet brenda disa suazave të përcaktuara figurative, më saktësisht, në kontekstin e një serie metaforash të cilat shfaqen krejt beftazi, kryesisht si dromca poetike të çastit për të shpalosur një gjendje konkrete ose për të përkufizuar një realitet objektiv. Thënë më thjesht, në këtë rrafsh të sendërtimit thuajse çdo gjë është përqëndruar në konceptin e figurës si strukturë gjuhësore dhe si kontekst semantik, për t’i dhënë më tepër shpirt kësaj poezie, si dhe për ta vënë në lëvizje imagjinatën e lexuesit. Kjo nënkupton faktin se kemi të bëjmë me një pah të gjallë, i cili vetvetiu na e krijon ndjesinë dhe idenë për gjësendet ekzistenciale. Bie fjala, kjo mund të shihet edhe në vargjet siç vijojnë:

Gërshetës liqeni,

me shtatin prej vale

me vellon prej shkume.

Pra, çdo gjë është maksimalisht e përqëndruar, si një përshkrim i çastshëm, i stisur thellë brenda figurës; aty metafora shkrep si një tabllo personifikuese, ku shpirtëzohet me të gjitha atributet e nevojshme për t’u rrokur gjithnjë si e tillë. Komunikimi që zhvillohet me natyrën dhe liqenin është mjaft intensiv, sepse përherë krijon situata të befasishme dhe ringjall hollësitë që e prekin qenien tonë.

E gjithë kjo dëshmon qartazi se Milianov Kallupi nëpërmjet haikëve të tij ia del ta ndërtojë një botë jashtëzakonisht të pasur; aty ngre lart frymën poetike që nxitet nga natyra e bukur, qetësinë aq të nevojshme për njeriun e mbytyr nga rrëmuja moderne, konceptin e identifikimit romantik të poetit me natyrën, që në këtë rast e bën si një koncept të ri. Në fakt, ky është një rikthim poetik në gjirin e përhershëm të natyrës, një rikthim përmes idilit poetik aq të pëlqyer, një braktisje e drejtpërdrejtë e zhurmës së qyteteve kaotike, një injorim i skajshëm i betonizimit të vendbanimeve tona, atij mjedisi ku ndodhin gjëra të shëmtuara e të llahtarshme etj. Kështu, nëpërmjet kësaj poezie që e krijon, M. Kallupi arrin ta proklamojë vizionin e qetësisë dhe të paqes, në kushtet e sotme jetësore që janë tepër marramendëse e tronditëse.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx