| E enjte, 07.04.2011, 07:58 PM |
MOS E PËRZIENI – JEPNI SHPRESË
Nga DRILON KOMONACI
Kur është për të ngul këmbë në dobi të vendit, më duket se nuk ka vullnet të duhur, por kur duhet të mbrohesh në mënyrë individuale reagimet janë më të theksuara. Gabimet e të kaluarës, tashmë të gjithë i kanë të qarta, pra mendoni se si duhet të veprohet e të mos gabohet njësoj. Gabimet janë parë edhe nga të huajt dhe janë përsëritur në shumë fusha. Kështu ndodh që të huajt t’i akuzojnë shqiptarët edhe për qeverisje të keqe e sundim ligji.
Një intervistë nga një gazetë ditore e shoh se si J. S. Petersen, zyrtar i dikurshëm i UBNIK-ut në Kosovë, në një pyetje e jep këtë përgjigje: “Vendorët nuk lejuan të bëhen hetimet...” demek, njerëzit tanë që udhëheqin këtë vend nuk kanë lejuar që të shikohet se kush çka është duke vepruar. Se kush po merret me korrupsion.
Fjalët e tyre maska
Pasqyre e botës, apo jo. Jo prej meje e teje i nderuari lexues, prej këtyre që i kemi votuar dhe u kemi besuar të na udhëheqin. Ashtu si thonë me normat disiplinore demokratike. Demek, me mësimet që i kanë marrë nga vendet perëndimore. Atje, ku ka lulëzuar rendi demokratik. Atje, ku kapitali është në qendër të vëmendjes. Atje, ku tregu i punës kapërdinë çdo ditë me mijëra punëtorë të profileve të ndryshme. Atje, ku mund të shmanget edhe diçka nga ndonjë pjesë e shtetit prej ndonjë zyrtari, por që nuk merret vesh. E nëse shquhet ndonjë aferë, në momentin që dihet se kush çka ka vepruar me mjetet shoqërore, të popullit, me padrejtësi të punëtorëve e qytetarëve, atëherë ai person ulet para ligjit e gjyqit. Dhe sipas peshës përgjigjet e i kthen të mirat materiale e financiare atje kujt ia ka marrë, atyre që u ka borxh. Këto janë vendet perëndimore, po te ne? Në një vend kur ende nuk është bërë shteti as ligji. Dhe nëse është bërë ndonjë ligj çka ka lidhje. Ai vlen për qytetarët e rëndomtë dhe klasën e ultë në administratë. Ligji nuk vlen për “heronjtë” e popullit. Çdo gjë vlen për këta “heronjtë” e gjallë që tash një pjesë e tyre po shihet se nuk e kanë pasur qëllimin e mirë sa i përket vlerës atdhetare dhe qytetare.
Politikanë apo piratë të Kosovës
Tash kemi ardhur në zgrip. Secili prej tyre thotë se jam më i merituari. Secili e lavdëron vetën. Lehtë u vjen këtyre trimave ta lavdërojnë vetën.
I kanë shtrirë degët e degëzat nëpër terrene që të mos lejojnë kënd që nuk janë të “përshtatshëm ideo-politikisht” të hyjnë në orbitën e tyre. T’i largojnë, nëse ata janë në ndonjë punë “shteti”, t’i largojnë të gjithë të padëgjueshmit. Ta pastrojnë terrenin për të ardhmen. “Jemi partia më e madhe”, thojnë, “s’ka kush na
Konsolidimi i institucioneve – jashtë çdo logjike
Të gjithë në televizione hapen e bëhen si diçka të jashtëzakonshëm. Nuk u ngutet fare, ata qëndrojnë mirë me të ardhura e me pasuri. Tash si të rebeluar nuk pajtohen se kush mund ta udhëheq këtë vend. Njëri thotë të vë kushte për këtë e atë edhe tjetri thotë, i kam kushtet që i kam përcaktuar me kohë. “Nuk lëshojmë pe për asnjë cm, nuk duam ta koritim anën tonë”! populli ne na do, ju jo. Na kemi luftuar dhe na bëjmë krejt çka duamë. Ndonjë lexues thotë, ‘mos i ngucni luftëtarët tanë’. Luftëtarët nuk kanë luftuar që të bëjnë “zullum”, por që të lirohet ky popull nga e keqja. Ky tjetri i cili nuk di mirë shqip thotë unë e njoh botën, kam kapital. Dua të bëhem kryetar i Kosovës. Këtë “profesion” thotë, nuk e kam provuar ende. Populli nuk e do. Ky ngul këmbë si “pa tjetër” duhet të jetë në maje. U zgjodh dhunshëm nga përkrahësit e tij. Nga ata që kanë leverdinë, po ai s’di çka duhet të bëj. Shkon në vendet fqinje e flet në emër të Kosovës sikur të bënte pazar ditor a si të bënte goditje me një tender. Gazetat shkruajnë edhe editoriale: “Rrugë pa krye”.
Pak sakrificë për qytetarët e juaj
Nëse doni të bëni mirë, duhet të lëshohet udhë për tjetrin. Edhe qytetarët duhet ta kenë të qartë se, duhet të bëhet diçka qoftë edhe në dëm të njërës palë, në mënyrë që të ecim para. Krejt është e qartë se çka është dashur të jetë më mirë. Kjo është gabuar në fillim me një koalicion që s’është i meritueshëm, aq më pak është për kryetar Bexhet Pacolli, por, nuk bën të mbetemi në rrugë. Të gjitha partitë parlamentare, por edhe shoqëria civile duhet të ndihmojnë që të dilet nga kjo rrugë e pa krye. Vullneti për të bërë mirë duhet ta mbuloj edhe të keqën më të madhe.