E enjte, 01.05.2025, 09:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: Ilaqin s'ma gjetën mjekët, ma gjeti një plakë tek po kthehesha nga spitali!

E enjte, 07.04.2011, 07:58 PM


Sami ISLAMI

 

ILAQIN QË S’MA GJETËN  MJEKËT, MA GJETI NJË PLAKË TEK PO KTHEHESHA NGA SPITALI!

 

(Tregim)

 

Kujdesi për fëmijët nuk qe i vetmi hall i nanës, ngase me fillimin e dimrit ajo  u sëmu nga  një sëmundje misterioze.  “Ngërç” i thoshin.  Miri dhe Luli, si fëmijët ma të rritur, kur e panë, për herë të parë  nanën në këtë gjendje,  u shqetësuan shumë për te. Në javën e parë dhe të dytë të gjithë mendonin se kjo sëmundje  ishte diçka momentale dhe se, sigurisht,  shpejt do t’i largohej! Mirëpo llogaria nuk doli ashtu!  Ngërçi filloi t’i  paraqitej edhe në ditët dhe javët në vazhdim,  bile me një intensitet edhe ma të madh. Duke e pa se gjendja po i keqësohej dita-ditës, baba  vendosi ta çonte nanën te mjeku. Po  në atë kohë edhe për të shku te  mjeku ishte problem. Mjekun ma të afërt e kishin hiç ma pak se  katër-pesë kilometra larg. Dhe  për fat të keq kjo sëmundje iu paraqit mu në dimër, atëherë, kur për ta  mundësitë për të lëvizë ishin shumë ma të kufizuara. As mjet transporti s’kishte! Po s’kishte as rrugë të hajrit, si thonë. Meqë koha s’priste të nesërmen  në mëngjes u nisën për te mjeku, në kambë! Merre me mend, e sëmurë  dhe me ecë kaq kilkometra rrugë e pa rrugë, duke e ça borën, baba përpara e nana pas tij! ‘E po i fortë asht njeriu!’- mendonte e shkreta, e cila vende-vende mezi i nxjirrte kambët nga orteqet e borës!

Nejse.  Ata shkuan, si munden dhe, kah mesdita,  u kthyen nga mjeku. Mjeku  e kishte vizitu nanën, por  për çudi, sipas tij,  nana  ishte krejt në rregull! S’kishte asnjë “problem” të madh shëndetësor!  Zemra:  mirë,  tensioni gjakut:  mirë. Edhe analizat  e tjera, poashu, i kishin dalë  mirë!..

 

-Po zotni doktor - i kishte thanë baba,  po kjo po ka ngërçe! -Çka asht kjo?

- Kjo asht një sëmundje që vjen nga nervoza, u kishte thanë mjeku. Nuk mendoj se asht diçka serioze! Kësaj i nevojitet qetësi! Megjithatë po ia  përshkruaj  disa  injeksione. Duhet me i marrë një në ditë dhe besoj se do t’i bajnë mirë! Ju jeni nga Lugaja, apo jo?

-Po!- i kishte thanë baba.

-Atëherë, nëse s’keni ku t’i merrni diku tjetër  injeksionet,  duhet të vini përditë këtu derisa gruja t’i merr të gjitha!

-?!

  Baba nuk  e kishte zgjatë  ma shumë  me mjekun. Pas kësaj ata kishin  marrë rrugën e kthimit për në shtëpi…

 

Edhe përkundër faktit se nana po i merrte vazhdimisht injeksionet, gjendja shëndetësore e saj edhe në muajt në vazhdim, mbeti  pothuaj pa ndyshime. Sëmundja e nanës tani u ba, të themi,  si gja e rëndomtë. Nuk kalonte ditë pa e kapë së paku një herë ngërçi! Po fëmijët u mësuan ma  se ç’duhej ba në rast se e sulmonte sëmundja. Në ato raste, puna e parë që duhej të bahej ishte që,  kush qëllonte afër t’i ndihmonte asaj me masazh, pastaj, sipas nevojës,  ndërroheshin njani pas tjetrit, deri sa ajo bante ma mirë.

 Kah fundi i dimrit dhe fillimi i pranverës sëmundja  kishte arrijtë në pikën ma kritike. Përveç duarve,  asaj filluan me i ra ngërç dhe kambët, nganjëherë edhe krejt trupi. Ndihma mjekësore kishte ngelë vetëm te gjylpanat, të cilat, siç u pa nuk banin zgjidhje  afatgjate…

Një ditë erdhi një kusheri i tyre nga qyteti për vizitë. Ai kur e pa në atë gjendje nanën menjëherë e kishte porositë  babën që nesër ta sillte në spital. Nana e dinte fort mirë se pa shku te mjeku kjo sëmundje nuk do të sherohej, megjithatë kur baba i tha se nesër kishte për të shku në spital, asaj iu duk, tamam,  si me i ra një bombë!  E shkreta  mendonte se po të shkonte atje jeta  e saj kishte  “mbaru” përfundimisht! Bile, në këto çaste e “harroi”  edhe sëmundjen e vet! Mendjen tani e kishte se si do t’i lente fëmijët në qoftë se ajo të të mbetej në spital!?  Edhe Miri e Luli e kishin  vërejtë se nana  e tyre po  mërzitej sa s’ka, po s’kishin se ç’të banin.  Atë mbamje, pra një   natë para se të nisej për në spital,  ishte  çu, me  “shpirt nën dhambë”, si thonë  me u  përgatit darkën e fundit, siç mendonte ajo, fëmijëve të saj! E përgatiti si mundi. Dhe, kur erdhi koha për të ngranë, të gjithë u ulën pranë sofrës, përveç saj. 

-Pse nanë nuk po ha edhe ti?- e pyeti Miri.

- Nuk po mund të ha sonte! –  tha ajo. Sonte du vetëm t’ju shikoj se si po hani ju! Se, ndoshta,  kjo asht  darka e fundit që po ju ban nana!- tha dhe e ktheu kryet në drejtim të kundërt, sigurisht për të mos e pa fëmijët kur sytë iu mbushën me lotë. Baba e shikoj atë me një shikim qortues, sikur donte t’i thoshte “Si  po flet ashtu, moj gru? A s’e di se po hyn në gjynah? Me këto fjalë mundesh m’i  lanë fëmijët edhe pa darkë!”, po nuk foli gja. Pas darkës fëmijët  shkuan me fjetë, kurse prindët mbetën edhe për një kohë të gjatë duke bisedu nën dritën e zbehtë të kandilit.

 

*

Të nesërmen, ashtu siç ishin marrë vesh me kusherinin, nana dhe baba  ishin nisë heret për në spital, për t’u vizitu te mjeku specialist. Mjeku specialist e kishte vizitu nanën, po nuk e kishte ndalë për mjekim të matutjeshëm, për çfarë merakosej shumë ajo! Ai i kishte thanë të shkonte në shtëpi dhe të vazhdonte mjekimin si ma parë. Me të arritë në shtëpi, ende pa pushu mirë,  Miri e pyti:

-Çka të tha mjeku i spitalit , nanë? 

-As mjeku i spitalit , s’më tha gja!- u tha nana.-Edhe ai më tha se “s’kisha” kurgja, si ky mjeku i pare!  Për ndryshim nga mjeku i parë, ky i spitalit më këshilloi me pi cigare! ”Pi cigare se të kalon!”- tha.  As ilaqe nuk më dha! Më tha: “Vazhdo e merri ato që t’i ka përshkru mjeku yt!” Kaq! Dolëm prej  spitalit  dhe u nisëm drejt  në stacion të trenit.

-Dhe?

-Dhe  morëm biletat për m’u kthy në shtëpi. Po në tren ndodhi ajo që kurrë s’e kisha mendu, bijt e mi! Aty në tren  takova një plakë, e cila kur më pa kështu, më pyeti se ç’kisha. I tregova historinë e sëmundjes teme. I thashë se kam qenë te një mjek  dhe te një tjetër nuk më gjetën ilaq! Çka me të thanë moj loke? I kam lanë pesë fëmijë të vegjël në shtëpi, ma i madhi asht  11-vjeç, të tjerët  prush! U myta tu nga nga një mjek në tjetrin dhe kurgja po më duket!

-Eu, moj bija jeme!- më tha  plaka.  Edhe unë e kam pasë një re me ketë sëmundje qe e paske edhe ti! As ajo  s’ka lanë doktor pa shku dhe asgja s’i kanë ndihmu. Vetëm kur ia ka nisë me pi vaj peshku i pat kalu!

-Vaj peshku!? – e pyta e habitur.

-Po valla moj bijë, nisja edhe ti me  vaj peshku dhe  ke me u bindë! Pije tri herë në ditë nga një lugë ushqimi dhe ke me e pa qe përnjëherë ka me të kalu!

-Të lumtë goja, moj loke!- i thashë. Edhe pse ky ilaq që ajo po ma propozonte nuk ma merrte mendja  të ishte ashtu siç po më thoshte plaka, se po të ishte ashtu, mjeket sigurisht se do të duhej ta dinin!  Megjithate,  duke u kthy udhës në shtëpi, e blemë këtë ilaq një barnatore. Thashë ta provoj! Ma keq s’bahet!

 

Atë  mbramje nana e piu një lugë -tregon Miri- pastaj një lugë tjetër të nesërmen në mëngjes, pastaj  një në drekë dhe një  darkë … Çuditërisht  menjëherë ajo vërejti se po e ndiente veten shumë ma mirë se kur përdorte injeksione! Dhe vazhdoi kështu me mjekim edhe ditën tjetër. U habit kur pa se  vërtetë “ngërçi” nuk po i paraqitej  ma!  Ditën e dytë të përdorimit të këtij ilaqi, si me shkop magjik sëmundja u largu. Vaji i peshkut kishte qenë  ilaqi që ajo  po e kërkonte me muaj!

 

*

Dhe nana iu kthy prapë  binarëve të jetës! Ishte ditë pranvere!  Për herë të parë, pas gjashtë muajsh lëngim, ajo kishte dalë te bunari me la rroba! Rastisi , që po atë mëngjes të vinte edhe daja për vizitë! Ai  kishte hy në oborr  dhe po qëndronte si i shtangur mu te qoshi i odës së burrave nga  ku dukej krejt oborri. U befasu kur e pa   motrën duke la rroba! Ai e dinte se motra e tij ishte shumë keq e sëmurë dhe priste që ajo të ishte e shtrirë në shtrat, apo ndoshta edhe  në spital. Po kur e pa motrën te bunari, ai  nuk po u besonte ma as  syve të vet! Qëndroi pakëz ashtu, si në andërr,  dhe, kur erdhi në vete, nga gëzimi thirri:

-Oj motër, a edhe tesha paske nisë me la, a?

-Po besa or vëlla, tesha po laj se unë s’kam la zoti e di se kur!  Po ti  mirëserdhe! Hajde hyjmë mbrenda!

 Daja nuk kundërshtoi. U morën ngryk dhe nga gëzimi të dyve iu mbushën sytë me lotë. Dhe derisa po hynin bashkë mbrenda  daja tha:

 -Se si ishte e di, po çka të mirën ndodhi kështu? Si je tash?

-Vëlla unë tash jam mirë. Kot kisha shku te mjekët!  Ilaqin që s’ma gjetën ata, ma gjeti një plakë, tek po kthehesha nga spitali, he Zoti e çliroftë ku asht ma së ngushti! –uroi.

Kjo ishte historia e nanës së Mirit, e cila, edhe pse sot asht mjaft e moshuar, jeton dhe kurrë s’ka pasë problem ma me këtë sëmundje!



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx