E enjte, 01.05.2025, 07:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Vaso Papaj: Letër nga larg

E shtune, 09.04.2011, 07:17 PM


Vaso Papaj

 

 

Letër nga larg

 

Nga kontinenti i ri, ku jam duke jetuar

Përshëndetje të dërgojë, të lagura me det

Po dhe ca perëndime me diell të shkrumbuar

Një foto timen. Shikomë, s’po fluturoj mbi ret.’

Ja, tej horizontit, ngulur i kam sytë

Ca rrokaqiej kristali më paskan zënë në fyt.

 

Jam si urithi në metro, me trenin, që mëngjes

Mes turmës që s’e njoh e nuk më flet me gojë

Tërë ditën Makdonaldit laj pjata i pa shpresë

Aromë e trupit tim, erë gjelle që thartoi.

Imazhin tënd në mendje kam, ball erës në Milot

Po edhe këtu, ta dish’, nuk ësht’ se nuk bën ftohtë.

 

Të nisesh për t’u kthyer, nuk do të thot’ u ktheve

Po nëse thua: “Ktheu”, unë më nuk do t’ lëndoj

Do të vi të fshihem dimrave aty nën trikon tënde

Të ngrohem ca, po dhe të t’përkëdhel, të t’fërgëlloj.

Ti ndoshta mbi divan me Migjenin bisedon me orë

Ç’i the,… ç’ të tha?... Do t’ kthehem në Dhjetor.

 

Imazhi  yt  më ndjek  ngado që shkoj

Si një pulëbardh’ çukit në mendjen time

Por dhe në gjum kur mijëra pjata numëroj

Më futesh me ëndje në skutat më intime.

E sa më tepër kohë kalon, më shumë të ndjej

E më shumë të dua, edhe këtu, oqeanit, përtej…

 

 

“Ej,plako!...”

 

Të shoh çdo ditë te muri i kalasë, domino tek loz

Çdo gur që shtron, më duket sikur të shton ca rrudha

Ndonëse mendimi të udhëheq, shpesh bëhesh nervoz

Dreq frike, se mos mbetesh një agim vetëm, te udha.

 

Sigurisht, kurba e ditëve të tua nuk është në ngjitje

Zbret ngadalë mes kujtimesh në një tatëpjet’ pakthim

Hapat do të len’një ditë pakuptuar, s’do të kesh ritme

Dëshpërimisht jeton kufirin e kohës – përjetim.

 

“Ej,plako”, të thërrasin shpesh , po a je vërtet plakush

Gjithë atë forcë të shoh ta mbartësh përmbi supe

Mbahu, ti s’ ke mbaruar, në jetë akoma je dikush

Se shpirti të thërret,… atë që ke përbrenda, ngute 

 

Ty s’ të pëlqen,”ej plako”,po as dikush që thotë plakush

Sa herë kështu, zemërimi ngjitet lart e të mbërthen

Hidhe tej, pa hidhe, rrotull po të vjen një vogëlush

Atë që don ta bësh, bëje pra, shiko si të vëren?!...

 

Çdo dhimbje që vjen, e di? S’do të thotë të keqen ndjell

Ndaj, ç’ ke në mendje, bëje, me ëndrrën tënde ngopu

Dita e re që kape, fytyrë gjithnjë të lodhur do të sjell

Që mpihet pa mëshirë pas çdo fije të bardhë floku

 

E nëse zemra të pëlcet, ah, merre si di ti, me ngè

Në shpirt ke dashuri pafund, s’mbaron këtu beteja

Megjithëse s’ të pranojnë askund, dëshirat mos i zbeh

Idetë e tuat s’jan’ flakë kashte, nga ato lindin të reja.

 

 

Parajsë dhe qeli

 

Tek ajo më çuan këmbët

Portën në mesnatë trokita

Erdhi me një frymë, ma hapi

Dashurinë në krahë e ngrita

Më ka lënë pa gojë gjithnji

Është parajsë  por dhe qeli

 

E më mbajti me pahir

Gjumi na kish arratisur

Dashuria ish delir

Dashurinë ma kish kopsisur

Më ka lënë pa gojë gjithnji

Është parajsë por dhe qeli.

 

Nuk ka emër, s’ka mbiemër

Eshtë makinë në të përpjet’

Nuk ësht’ dobësi në thembër

Është si zemra, shpirti vet

Më ka lënë pa gojë gjithnji

Është parajsë por dhe qeli



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx