E premte, 25.07.2025, 10:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Ringjallja e lashtësisë

E shtune, 09.04.2011, 07:00 PM


Piktori Emrush Xhemajli
Piktori Emrush Xhemajli
Të mërkurën në Novobërdë hapet ekspozita e piktorit Emrush Xhemajli

 

Ringjallja e lashtësisë

 

Nga Dr. Ilir Muharremi

 

Piktori Emrush Xhemajli në artin e tij individual nuk sjell vetëm parajsën ose ferrin, shpirti i tij është i prekur nga lashtësia e cila dikur kishte ndriçuar dhe ishte tejet funksionale. Kullat, infrastrukturën mesjetare të Novobërdës, funksionin e saj ideal, artisti Xhemajli e ringjalli në peizazhet e tij të cilët posedojnë ritëm, perspektivë, kompozicion dhe formë më trajta të ndryshme. Koloriti dhe hulumtimi i tingujve të ngjyrave të ndezura, demaskojnë psikologjinë postmoderne, edhe pse e kaluara përvishet si një valë e dhunshme  dhe shenjat na tregojnë që e kaluara ekziston ajo nuk është pjesë e hiçit, por ndihma për tu ngjitur në shkallët e së ardhmes, dhe këtë të kaluar të fuqishme me një bazë të qëndrueshme, piktori Xhemajli e paraqet përmes kullave, të cilat po të vështrohen mirë nuk janë statike, por lëvizëse dhe të puqura mirë me horizontin i cili pushtohet nga nuanca blu e ftohët dhe të njëjtën kohë krijon lojë me të bardhën, e cila simbolizon plisin, pastërtinë, qefinin e Rugovasëve etj. Dikur në mesjetë, në këto kulla zhvillohej një jetë përplot dinamizëm, kuptim, tregtia ishte në nivel, bashkëjetesa ishte e fuqishme, dhe kjo dëshmohet me renditjen e infrastrukturës së objekteve të cilat janë afër njëra me tjetrën. Madje, Xhemajli, me mjeshtrin e artit të tij arrin të tregoj edhe raportin e shtresës së ulët e cila vendoset në fushë, me shtëpi të ndërtuara prej balte të kombinuara me gur dhe kulm nga bari i thatë. Ato në vete ngërthejnë estetikë, qëllim, mesazh dhe motiv, i cili na paralajmëron se e kaluara jonë ishte shumë e populluar, e zhvilluar, e koordinuar, dhe e pjekur për të dëshmuar vlerë botërore. Përmes kolorit të tij të pastër fovist, Xhemajli krijon formën me një ritëm të qartë, dhe thellësisht na jap perspektivën dhe ritmin. Mirëpo, heshtja e kullave thyhet nga ngjyra e kuqe e cila simbolizon nxehtësinë, vullkanin, gjakun, historinë, betejat më të ashpra, flamurin kombëtar etj. Ai futet në psikologjinë e ngjyrave, mjeshtërisht përmes penelit dekodon esencën dhe krijon lojën përmes lashtësisë, qëndrueshmërisë dhe natyrës si pushtuese e pa mposhtur. Vullkani në punimet e Xhemajlit krijon konfliktin me ujin, kaosi ngrohja globale, gërshetohen dhe ngritën si një betejë me një rezultat qetësues, duke na paralajmëruar se finalja është fillimi, dhe fundi nuk ekziston. Peizazhin, krijuesi Xhemajli e trajton si plan tematik dhe kreativ, në fakt është peizazh i shpirtit të tij estetik, është për më tepër gjithësi, ku puqet ideja me materien, imagjinata me realitetin, shqetësimi estetik me refleksionet e mendjes. Duke u ngacmuar nga ngjyra blu , e kuqja dhe  gri, Xhemjali kompozon jo melodinë e nëntë të Bethovenit, por shpejtësinë, konfliktin e natyrës dhe historisë. Ana ekspresive, e këtij krijuesi rrëmbehet nga një tonalitet i mugët që krijon një strukturë koloristike tërheqëse dhe dominuese për spektatorin. Edhe pse peizazhet dominohen nga nuancat e natyrës dhe arkitektura e mesjetës, shtrëngata shpirtërore e artistit godet si rrufeja drunjtë e pafajshëm në pëlhurë.

 

Sido që të jetë, trajtimit të peizazhit i qaset me bindje se nëpërmjet të tij mund t’i shpreh ndjenjat e veta vizionin e hapësirës të pa fund e cila nuk na paralajmëron për ndonjë pikënisje.

 

Shkëputur nga katalogu i ekspozitës



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx