E shtune, 27.04.2024, 03:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Din Mehmeti: Vajet e shiut (V)

E marte, 12.04.2011, 07:30 PM


DIN MEHMETI

 

VAJET E SHIUT

 

 

ORA E VDEKJES

 

 

ORA E VDEKJES

(Elegji me rastin e vdekjes së vëllait

tim Halit Gjocit)

 

1.

 

Ora tetë e mëngjesit Liti vdiq

Shkoi buzagaz në krahët e një përralle

Të pafund ishte vapë dielli shkrumbonte

Klithmat dhe gjëmat rreth tij e pastaj

Më bëhej shkretëtirë në dhomë shpirti

Sa digjej sa bëhej akull ora në mur

Sy i verbuar akrepat pikonin ngjyrë

Të zezë askush s’dinte ç’kohë ishte

Koha kishte dalë jashtë vetes jashtë

Njerëzve askush s’i përngjante vetes

Dhoma i fshinte lotët merrte frymë

Me vështirësi ndërronte ngjyrat herë

Të kuqen mbi të zezën herë të zezën mbi

Të kuqen mbi të verdhën të lulesën

Drita villte pikëllimin e pikëllimi

Bëhej akullnajë ishte ora tetë e

Mëngjesit Liti vdiq

 

2.

 

Kush të stërkeqi kështu Lit

S’jam mësuar të të shoh gojëmbyllur

Syngrirë ti më thoshe: plumbi i pushkës

Nuk më shpon s’ka zjarr që më djeg

S’ka lumë që më mbyt njeriu s’duhet

Të vdes për së gjalli pa i zbrazë të

Gjitha fjalët pa kënduar një këngë

Pa shkrepur asnjë pushkë pa e bërë për

Kosovën asnjë luftë na thoshe se

Jetën duhet ta fitosh duke ecur

Përpara për ta bërë shpirtin

Shesh të dritës dhe dashurisë

Vëllathi im i mirë më thuaj kush

T’i shkuli rrënjët që i kishe të

Përlidhura për eshtrat e trollit

T’i heshtë hidhëruar rreth teje

Edhe lotët e ajrit po ngrijnë

 

3.

 

 

Mos vajtoni për të lëreni të fle

Si shqiponja në çerdhen e vet

Është duke fluturuar në krahët

E ëndrrave përtej dritës territ

Për ta gjetur një tjetër jetë

Shikojeni sytë i ka drejtuar

Nga qielli për ta gjetur yllin

E vet që do ti prijë rrugës së

Pafund nëpër natë mos klithni

Për të mos thoni kulla mbeti

Shkret shikojani ballin e ka log

Betejash sytë plot fitore duke

Luftuar kundër korbave që krrokatnin rreth

Djepave mos gjëmë se do tia

Merrni pahin do t’ia zverdhni

Burrërinë trimërinë është kalorës

I paepur furtunave lëreni të hyjë

Në përjetësinë e vet të papërlotur

 

4.

 

Pres të më flasësh ti heshtë ti ke

Çka të thuash pastroje shpirtin nga

Fjalët e liga o sot o kurrë bëhu

Ai që ishe. Mos jeta është sot

Në të sotmen shihet e shkuara dhe e

Ardhmja. Na jetojmë në të gjitha kohërat

Dhe me të gjitha vdesim nuk shkohet pa

U dëlirë nga myshqet e fjalëve pa lënë

Gjurmë nuk shkohet nuk vdiset për së gjalli

Kurrë s’të kam parë kështu vëllathi im

Të përmbytur me ngjyrë të zbehtë si tash

Me sy të ëndërrt të drejtuar kah retë

Kurrë s’të kam parë kaq të tretur kaq

Tjetër afër teje rri si një cung i zi

Po pres të më flasësh kot heshtja i jep

Heshtjes heshtje mbjellin gjëmë bluajnë

Jetën derdhin lot mbi gjithçkafën që

Shihet e s’shihet se jeta është pjesë

E dhimbjes buzëqeshje e mashtruar

 

5.

 

Mjegull e zezë mbi kokën tënde Lit

I verbon sytë fjalët mendimet ëndrrat

Zhgjëndrrat rrugët sheshet thyejnë qafën

Shtyhen e pështyhen shtrydhen e ndrydhen

Jeta bartë ngjyrën e vdekjes vdekja atë

Të jetës asnjë fjalë s’i jep shpresë

Fjalës asnjë këngë nuk zbret në shpirt

Mjegull e futuar mbi kokën tënde Lit

Afër teje jam e nuk po më sheh nuk e

Meritoj hidhërimin tënd unë të doja shumë

Ti e di këtë e tash je bërë tufan e

Më bëre të huaj jo jo i yti jam në

Gjinjtë e një nëne kemi thithë puthjet

E saj na kanë rritur mjegull e zezë

Mbi kokën tënde ka rënë Lit ke rënë

Pas shtatë kodrave të zeza në orbitën

E territ në atë botë të përjetshme

Ku vdesin edhe ëndrrat ku hi bëhet jeta

 

 

VAJET E SHIUT

 

 

DRUNJËZIMI I SHPIRTIT

 

 

Kur lufta e shkretoi fshatin tim

E njerëzit ikën e s’u kthyen më

Ndodhi një hata më tha miku im

Pylli i rrëqethur si një bishë e uritur

Iu vërsul fshatit dhe pasi e kafshoi

Egërsisht atje ku kishte mbetur

Gjurmë njeriu e futi nën Perandorinë

E vet të verdhë e fshati dhe shpirt

Tash sa herë shkoi atje për t’u çmallë

Shoh hije njerëzish nëpër drurë

Nuk dëgjoj as këngë as vaje

Vetëm varrezat atje në breg

Më flasin me duar të ngritura:

Na jemi këtu më thonë të lidhur

Për damarët e tokës sonë

S’kemi ku të shkojmë

Më vjen të qajë por të ngrirë i kam lotët

Ndjej se si pylli ma ngjyros

Shpirtin me trunjëzon ma lidhë

Për rrënjët e veta të mos i largohem më kurrë

 

Gjakovë, 2001

 

 

PËRJETËSI

 

Kur shkoj në fshatin e lindjes

Gjithçka zgjohet

 

Gjethet duke u rënë defeve

Përqafohen

 

Bari tregon ëndrrat e rritës së vet

Lumi i këndon burimit nën shkëmb

 

Njerëzit dalin të më përshëndesin

Nga zjarrishtat e këngëve të gjata

Që e lidhin jetën me vdekjen

 

Shkëmbinjtë flasin shkëmbese

Si njerëzit

 

Retë e futuara çmendurisht ikin qiellit

Zogjtë shfaqin koncert festiv

 

Toka m’i tregon bredhjet lojërat

Dashuritë zënkat e bëra

 

Ma kthen tërë jetën

Më bën të përjetshëm

 

 

SHKRONJAT

 

Një shkronjë e bardhë

Në letrën e zezë ngrirët

 

Një shkronjë e zezë

Në letrën e bardhë shkrihet

 

Si dy perandori armike

I shkëmbejnë vetëtimat

 

Në fund të ëndrrave të thara

Ku fillon hiri i jetës

 

E bardha e ngjyros të zezën

E zeza të bardhën

 

E shpirtëzojnë njëra- tjetrën

Para se të vdesin

 

2008

 

 

EC E DIJE KUJT I TAKON

JETA IME

 

Ec e dije kujt i takon jeta ime

Ndoshta zogut të agullimës

 

Që u dogj në pyllin e zi –

Zogut të shenjtë që la hirin

 

E krahëve të bardhë

Për kaltri e diell

 

Apo vajeve të shiut

Që shkruan simfoninë e pikëllimit

 

Për ditën e thithur

Nga terri i pafund

 

Ec e dije kujt i takon jeta ime

 

Ndoshta fërfëllizave dimërore

Që bartin hirin e oxhakut tim

Të vrarë nga rrufetë

 

Apo shkëmbit të çmendur mbi fshat

Që pëlcet përbrenda e nuk flet ...

 

MENDIM KRAHËTHYER

 

Ku po më çon

Mendimi im krahëthyer

 

Më tërheq zvarrë

Si bisha sakrificën

E vet në pyll

 

E s më lë të klith

E të lutem s më lë

 

Ku po ma thyen qafën

Mendimi im krahëthyer

 

Më tërheq dhunshëm

Sikur mos të kisha shpirt

 

E s’ m’i lë sytë të rigojnë shi

Kur shikojnë të largëtat brigje

 

Të bardhat

Të nxirat ...

 

Gjakovë, maj, 2009.

 

 

THIRRJET E NËNËS

 

Rri mendueshëm si një bust

Në kodër të fshatit

Shikon diku në thellësi

Të më shoh

Ku jam e ku s’jam

Të më thotë diçka të shtrenjtë

Që e ruan vetëm për mua

Diçka që ia zë frymën

Që ia zbardhë flokun

Që ia futon jetën

Për ta shpallur zemrën nga e keqja

Për t’i shkundur lotët

Degëzuar fytyrës së zverdhur

 

 

ZËRI I NËNËS

 

Këtu nuk të ka kush mërzi

Të duan guri e druri

Gjethet bari bjeshka verriri

Të duan rrugët shtigjet

Lumenjtë gurgullues urat

Zogjtë cicërojnë për ty

Degëve të pemëve

Të duan ajri shiu dielli

Edhe çiftelia edhe fyelli të duan

Të do vendi e kuvendi

Të duan gurët e murit të shtëpisë

Trarët kulmi me strofuj lejlekësh

Eja birë të m’i bësh shpirtit dritë

Se jeta është sa çel e mbyll sytë

E nata është e pafund

 

 

ËNDËRR E TRISHTË

 

Mesnatë

Kërcëllitje të egra dhëmbësh

Në shtratin tim

 

Në çarçafët e bardhë

Ujq të kërleshur

 

Shkoqnin nga një copë mish

Në trupin time ulërinin

 

I rrudhja këmbët

E fshehja kokën nën jastëk

Të mos më gjejnë

 

Bëhesha gjithnjë më hiç

Lutesha për ndihmë

Zoti ishte larg për mua ...

 

 

O INAT O INAT

 

O inat o inat

Farë e zezë

E mbjellë

Në gjakun tonë

 

Shtiresh se fle

E syrin e ndezur

Si të gjarprit në pusi

Duke e pritur gjahun

Për të zgrapua

 

Pikë e pesë na bëre

S’ke besë fe atdhe

Ngjyrë në fytyrë s’na le

Na nxive skuqe zverdhe

Tokë të djegur na bëre

 

Je shtrëngatë e zezë e shpirtit

Të përlyer nga urrejtja

Dhëmb i mprehtë bishe

Që kullon gjak mbi dhe

 

Gjakovë, 20.02.2010.

 

 

ZOG MENDIMI

 

Duke shprushur mendimin

Lindi një zog i bardhë

 

Shumë kohë me këngën e vet

Mbolli lule në rrudhat e mia

 

Shumë kohë syve m’u dha dritë

Rrugë hapave

 

Sa herë këndonte për mua

Mblidheshin rreth tij

Shpendët gjakatarë për ta ngrënë

Por zogu fshihej në honin

E thellë të Unit tim

 

Nuk këndonte duke ikur

Me frikë në palcë nuk jetohet

M’i lëshoi në veshë këto fjalë

Me një cicërimë

 

Dua të fluturoj lart në qiell

Të ndërroj formë

Këngë shiu të bëhem

E të bie mbi tokë

 

03.05.2010.

 

          SHËNIME PËR AUTORIN

                            

 

Din Mehmeti lindi në fshatin Gjocaj afër Junikut më 7 maj 1929. Shkollën fillore e kreu në Junik, kurse të mesmen (normalen në Gjakovë). Studioi gjuhën e letërsinë shqipe në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në vitin 1959. Po aty regjistroi edhe studimet pasuniversitare dhe i dha të gjitha provimet, kurse punimin e magjistraturës me titull: “Nëna në strukturën e poezisë lirike familjare shqiptare” e mbrojti në Universitetin e Prishtinës në vitin 1976.

Din Mehmeti ka punuar si inspektor i shkollave në Lipjan në vitet 1952-1954, si gazetar i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja” në vitin 1959-1962, si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në normalen dhe gjimnazin e Gjakovës në vitet 1962-1967, kurse nga ky vit deri në pension punoi si profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë si dhe në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë. Me shkrime letrare, me poezi është marrë qysh herët. “Të resë s’anë”, është poezia e tij e parë e botuar në revistën letrare “Jeta e Re” nr. 2, 1949.

 

Veprat e botuara në Prishtinë:

 

“Në krahët e shkrepave”, Prishtinë, 1961

“Rini diellore”, Jeta e re, Prishtinë, 1961

“Dridhjet e dritës”, Prishtinë, 1969

“Heshtja e kallur”, Prishtinë, 1972

“Ora”, Prishtinë, 1974

“Ikje nga vdekja”, Prishtinë, 1978

“Fanar në furtuna”, Prishtinë, 1981

“Zogu i diellit”, poezi të zgjedhura, Prishtinë, 1982

“Fatin tim nuk e nënshkruaj”, Prishtinë, 1984

“As në tokë as në qiell”, Prishtinë, 1988

“Gjaku që këndon”, Prishtinë, 1993

“Prapë fillimi”, Prishtinë, 1996

“Lumturia është mashtrim”, Prishtinë, 1999

“Mos vdis kur vdiset”, Prishtinë, 2001

“Verbim i bardhë”, Prishtinë, 2004

“Agu” (dramë), Prishtinë, 1982

 

Vitin e kaluar (2009) iu botua vepra Kompleti i veprave në pese (5) vëllime.

 

Veprat e botuara në Tiranë:

 

“Mallkim gjaku”, “8 Nëntor”, 1973.

“Poezi”, (Përzgjedhje) nga Fatos Arapi, “Naim Frashëri” Tiranë, 1985.

“Klithmë është emri im” , Përzgjedhje e poezive nga vet autori Din Mehmeti, botoi,  “Ora”, Tiranë, 2004.

“Zjarri i këngës”, poezi, botoi, Botimet  “Onufri”, Tiranë, 2007.

“Vaji  i shiut” “Jeta e re” Prishtinë  2010

Në gjuhën serbokroate i janë botuar:

 

Pesme” (përzgjedhje) e të përkthyera nga Mirko Gashi, “Narodna Knjiga”, Beograd, 1976

“Vreme” (Koha), “Jedinstvo”, Prishtinë, 1982

 

Në gjuhën frënge i është botuar:

“Erdhi koha” (“Il est temps”) antologji përkthyer nga Elisabeth Chabuel, në botim të shtëpisë botuese “META-EDITIONS”, Paris, 2006

 

Din Mehmeti është autori edhe i shumë panoramave e antologjive në gjuhë të tjera:

“Dega e pikëlluar” (me Sabri Hamitin), Rilindja, Prishtinë, 1979 në gjuhën gjermane, frënge, angleze dhe arabishte (Kuvajt)

“Poeti albanesi in Jugoslavia”, La Battana, Rijeka, 1979

La parole rinato” - (“Fjalë të rilindura”), (me Giasomo Sekoti), Rilindja, Prishtinë, 1970
Din Mehmeti është prezantuar në shumë panorama e antologji shqiptare në gjuhë të huaja:

“Shtigjet e qëndresës” - “Stazama otpora” (grup përpiluesish) Klubi i punëtorëve letrarë të Kosovës, Prishtinë, 1961

“Panorama e letërsisë shqipe në Jugosllavi” (grup përpiluesish) Enti i Teksteve, Prishtinë, 1964

“Për ty”, Poezi nga Kosova, Naim Frashëri, Tiranë, 1969

“Antologjia e lirikës shqipe” (akad. Rexhep Qosja, Rilindja, 1970 dhe Enti i Teksteve 1985)

“E di një fjalë prej guri”, Antologji e poezisë së Kosovës, Naim Frashëri, Tiranë

“Antologji e poezisë së sotme shqipe në Jugosllavi”, Jehona, Shkup, 1977

“Iz savremene albanske poezije” (Dr. Agim Vinca, Sarajevski Dani Poezije, Sarajevë, 1985)

“Antologjia e përshpirtshme shqipe” (Zgjodhi Anton Nikë Berisha), Prishtinë, 1999

“Poesia del Kosovo” (përgatitur Daniele Gianeane) italisht, 1999

“Antologjia e poezisë shqipe e shek.XX” (zgjodhi dhe përktheu: Kun Stasjens) flamange, Amsterdam, 2000.

“Antologji e poezisë shqipe” (Dr. Ali Aliu) Tetovë, 2000

Katër poetë (zgjodhi e përgatiti Xhevahir Spahiu), Tiranë, 2000

Antologji e poezisë shqipe: “Shqipet dhe malet”, në suedisht

“Sytë që shkrepin dashni” (Poezi të nëntëve), Jeta e re, Prishtinë, 1959

Aiers voix Albaneses dons La Niut chox de txtes presentes et traduits par Alexander Zotos, Paris

“Një gur i çarë”, antologji për Kosovën (përgatitur nga Ali Podrimja) Prishtinë, 2005

“A split stone” (Antologji e përgatitur nga Ali Podrimja) Translated from Albanian Avni Spahiu, Prishtinë, 2006

“Antologia poeziji albanskiej XX Ëieku” (Përgatitur dhe përkthyer në polonisht nga Mazllum Saneja), 2005

 

Din Mehmeti është prezantuar me panorama të veçanta dhe të përbashkëta në shumë gjuhë të botës të përkthyera nga Robert Elsie dhe Hans-Joachim Lankosh në gjuhën angleze dhe gjermane nëpër revista dhe gazeta.

 

Shpërblimet e fituara:

1972 - Shpërblimi i Dhjetorit për librin “Heshtja e kallur

1978 - Shpërblimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Ikje nga vetja

1984 - Shpërblimi i “Rilindjes” dhe Mitingut të poezisë për librin “Fatin tim nuk e nënshkruaj

2005 - Shpërblimi Kombëtar “Azem Shkreli” për vepër jetësore në krijimtarinë artistike iu nda nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

 

Për krijitarinë poetike të Din Mehmetit kanë shkruar:

Hasan Mekuli, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Fatos Arapi, Ali Jasiqi, Adriatik Kallulli, Mensur Raifi, Robert Elsie, Hans-Joachim Lankosh, Ferkli Jorgoni, Drashko Rexhep, Emin Kabashi, Ibrahim Rugova, Agim Vinca, Elisabeth Chabuell, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Halil Haxhosaj, Hasan Hasani, Jonuz Fetahaj, Besim Muhadri, Pjetër Geci, Fatmir Terziu dhe shumë kritikë të tjerë shqiptarë dhe të huaj.

 

Din Mehmeti ishte anëtar i kryesisë dhe themelues i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës, anëtar i PEN Qendrës së Kosovës nga viti 2004.

Vdiq në Gjakovë më 12 nëntor 2010.

 

 

PËRMBAJTJA

 

Në vend të in memorialit 7

 

ISHTE KOHË E RRUFEVE 9

Jeta, 11

Art i bardhë, 13

Këndojmë e lutemi, 14

Njeriu numër, 15

E bardha në të zezën, 16

Më e shtrenjta është ngrënë, 17

Njeriu i bardhë, (Mikut tim Dr. Rifat Lilës), 18

Herë në të majtë herë në të djathtë, 19

Kur të vish tek unë, 20

Njerëz të plakur nga rëniet,21

Pëlcitje, 22

Gjithnjë më larg vetes,23

Arti i ri i vdekjes, 24

Vetmia ime e shkalluar, 25

Gjaku i dritës, 26

Jeta jonë kollitje, 27

Unë dhe fjalët, 28

Pamje e trishtë, 29

Emra pa ngjyrë, 30

Kur vetëm isha, 31

Ikje nga vetja, 32

Askush sdi cili është, 33

Meditim i verdhë, 34

 

TË GJITHË E KËRKOJNË VDEKJEN PËRAPARA          35

 

Askush s’ndalet, 37

Vetmia, 38

E kisha një shpresë – jetë, 39

Rrugët e mërzitura, 41

Fjala jote i jep shpirt fjalës, 42

Jeton në mua një njeri, 43

E karrigia mbi karrige, 44,

Fshati i vdekur, 45

Lojës i ramë në fund, 46

Recital dashurie, 47

Në prag të dimrit, 48

Si të iku nga ti, 49

Unë e poezia, 51

Arti i rënien solemne, 52

 

TERRI MBRETËRIA E PËRJETSHME

E NJERIUT 53

Karnavalet e hijshme, 55

Kjo kafshë e zezë, 56

Lule drite (Zeqë Shehut), 57

Lëvron kokën letrës së bardhë (Ali D. Jasiqit), 58

Kosova ime e vogël (Mbesës sime Donikës), 59

Uni im, 60

E vërteta, 61

Dimri në dhomën time, 62

Sonte jam i pafat, 63

E shi bie, 64

ORA E VDEKJES 65

 

Ora e vdekjes (Elegji për vdekjen e vëllait tim, Halit Gjocit), 67

1., 68

2., 69

3., 70

4., 71

5., 72

 

VAJET E SHIUT 73

 

Drunjëzimi i shpirtit, 75

Përjetësi, 76

Shkronjat, 77

Ec e dije kujt i takon jeta ime, 78

Mendim krahëthyer, 79

Thirrjet e nënës, 80

Zëri i nënës, 81

Ëndërr e trishtë, 82

O inat o inat, 83

Zog mendimi, 84

Shënime për autorin, 83

 

DIN MEHMETI

VAJET E SHIUT

Realizimi kompjuterik
“Litografia”,Gjakovë

Tirazhi
500 copë

U shtyp në shtypshkronjën
“Litografia”,Gjakovë,2010

Katalogimi në botim – ( CIP )
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës

821-18-1

Mehmeti, Din

Vaji i shiut:poezi:Din Mehmeti –Prishtinë

“Jeta e re”  2010-94 f:21cm –(Biblioteka  Poezi)

Shënime për:f85-90 autorin

ISBN_978-9951-598-01-9

Botimin e librit i financoi Ministria për kulturë, rini dhe sporte e Kosovës.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora