Kulturë
Vangjush Saro: Prurje të reja në letërsinë për fëmijë
E hene, 11.04.2011, 07:57 PM
Prurje të reja në letërsinë për fëmijë
Shënime për romanin “Djali i pëllumbave” të shkrimtarit Riza Braholli
Nga Vangjush SARO
Romani “Djali pëllumbave” i shkrimtarit Riza Braholli pasqyron me realizëm një nga periudhat më të vështira në jetën e qytetarëve, pra edhe të fëmijëve shqiptarë, atë të viteve të para pas zhvillimeve demokratike dhe largimit nga hapësirat e një shoqërie me parime të ngurta. Në faqet e këtij romani, autori e mbështjell lëndën rreth një subjekti interesant, që me pak fjalë na tregon për jetën plot trazira të një fëmije i cili do të piqet para kohe. Mandi, djali i pëllumbave, është fëmija që rritet mes ëndrrash, burri i vogël që e përjeton vdekjen e të atit me dinjitet dhe që bën të pamundurën të shpëtojë nënën e tij nga një histori banale, tepër e sofistikuar në Shqipëri përgjatë viteve të para të tranzicionit. Kujtimet e fëminisë, bota e trazuar e adoleshencës, që janë përherë burim temash dhe frymëzimi për çdo krijues, vijnë e ndërtojnë një rrëfim realist, prekës, në një kuptim edhe mjaft filmik.
Romani i Brahollit
Nuk themi ndonjë gjë të re nëse kujtojmë që letërsia e mirë lyp frymëzim dhe profesionalizëm; letërsia e mirë arrin t’i përcjellë përjetimet individuale të autorit. Këtë e prekim edhe në romanin “Djali i pëllumbave”. Libri i Riza Brahollit është një punë e rëndë, por në përgjithësi e suksesshme. Nga zhurmat e jetës së përditshme, ngrihen dhe grishin lexuesin për më shumë, përjetimet e ndjera, kërkimet poetike. Për të ndërtuar artistikisht fabulën e vet, autorit i vjen në ndihmë simbolika e pëllumbave, si shpesë të bukurisë e të paqes, por edhe të klithmave për miqësi e solidaritet. Këtë botë duket se Braholli e njeh mirë. Në faqet e romanit ndjehet shkrimtari që lodhet jo pak për të vizatuar me përkushtim artistik çdo episod të rrëfimit të tij. (“Lotët po i shkonin rrëke, por kujen e tij mund ta pinte vetëm kupa e qiellit...” Etj.
Në mënyrë të veçantë, autori është përpjekur të bëjë më të mirën për heroin e romanit, Mandin; dhe ka krijuar një figurë mjaft komplekse: një fëmijë i butë, ëndërrimtar, i ndjeshëm (episodi kur do të vrasë pëllumbat me llastikë); por edhe një djalë i ashpër e (deri diku) tepër ballkanas (aksioni për goditjen e keqbërësve, etj.). Me interes janë edhe figurat e fëmijëve të tjerë, miqve të Mandit: Lizka, (fytyrën e zbehtë ia qarkonin dy thurima të holla gërsheti), Sançoja, Boçi, Romi, etj. Një vend të veçantë zënë në roman prindërit e Mandit; por veçmas, gjyshja e tij vizatohet me realizëm dhe sidomos, me shumë dashuri. Në durimin e vet, në qëndresën e vet, ajo grua i jep prozës së Brahollit njëlloj epizmi, ndërkohë që e gjithë linja e tekstit është tejet lirike. Fjalët më të mira duhen thënë edhe për paraqitjen teknike të librit, një botim dinjitoz.
Me dashamirësi, do të doja të vë në dukje ndërkaq edhe disa anë (sipas meje) të brishta të romanit. Në thurrjen e kësaj proze të gjatë, autori mund të ishte më i kujdeshëm për sa i takon kompozimit të së tërës; shpeshherë, episodet janë të stërgjatura (ditëlindja e Mandit, etj.); pjesa e parë e librit, rreth 80 faqe, janë shumë për të prezantuar personazhet, heroin qendror, pasionin për pëllumbat, etj. Dhe pas faqes 80, kemi një intensitet ngjarjesh që kontraston me “qetësinë” dhe “rrëfimin e ngathët” që vërehen gjer më tani. Gjithashtu, disa teprime gjuhësore nuk mbeten jashtë vëmendjes së një lexuesi të kujdesshëm. Aty-këtu përdoren barbarizma të panevojshme, si folja sehiros, por edhe trajta dialektore, si “këta tëndit” (është fjala për pëllumbat); në ndonjë frazë, ka edhe pasiguri sintaksore. (“Më ka thënë babai që, ata gënjejnë pëllumbat e tjerë...” Siç shihet, presja është pa vend.) Disa luhatje këso, assesi nuk e cënojnë të tërën e romanit, që është një prurje me vlerë dhe me interes, dhe që e sjell në një kuotë të re krijimtarinë e Riza Brahollit.
Më në fund, romani “Djali i pëllumbave” na tregon edhe njëherë se letërsia për fëmijë e të rinj po mbijeton dhe po zhvillohet, edhe pse në një klimë jo fort të favorshme për të. Libri, në veçanti ai për fëmijë e të rinj, nuk e ka humbur terenin; pavarësisht mangësive të mëdha në promovimin e tij dhe të letërsisë për fëmijë e të rinj në tërësi. Botimi i këtij romani, krahas shumë librave të tjerë me vlerë, mendojmë, e shuan disi rezonancën e klithmave që dëgjohen heraherës për mungesën e prurjeve dhe për nivelin modest të kësaj letërsie; (që janë të tilla vetëm për snobët dhe narcistët).