E marte, 30.04.2024, 09:10 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Një studim parathotë mundësinë e zgjatjes së jetës deri në 800 vjet

E shtune, 26.01.2008, 03:24 PM


Deri tani rezultati është i vlefshëm vetëm për kërpudhat, por shkencëtarët janë optimistë

Doni të jeni të përjetshëm?

Një organizëm gjenetikisht i modifikuar, që jeton 10 herë më shumë se një organizëm i zakonshëm, është krijuar nga shkencëtarët e Kalifornisë. Bëhet fjalë për zbulimin më të madh dhe më të rëndësishëm për zgjatjen e jetës, të arritur deri më tani nga shkencëtarët që merren me fenomenin e plakjes. Nëse mënyra e përdorur do të mund të adoptohej dhe zhvendosej me të njëjtin sukses edhe te njerëzit, me pak fjalë jeta do të mund të zgjatej deri në 800 vjet. Por a ka mundësi që kjo të shndërrohet në një realitet? Valter Longo është një shkencëtar amerikan, pjesëtar i njërit prej grupeve të vegjël, por me influencë të specialistëve, të cilët besojnë në mundësinë e zgjatjes së jetës njerëzore deri në disa shekuj, madje, sipas tyre, kjo jo vetëm që është e mundur, por është e pashmangshme. Pikërisht puna e tij në Universitetin e Kalifornisë së Jugut çoi në krijimin e një specieje qelizash kërpudhore, që në vend të tharjes në fund të javës së parë të jetës mundën të jetonin për 10 javë të tjera, madje edhe për më shumë. Me pak fjalë, ai mundi të eliminonte dy gjene, të cilat i zëvendësoi me një tjetër gjen dhe më pas "krijesën" e vendosi në kushtet e një diete me kalori minimale. Në këtë mënyrë, ai dhjetëfishoi kohën e ekzistencës së kërpudhës së majasë, e cila përdoret dendur nga bukëpjekësit. Rezultatet e këtij studimi u botuan këtë javë në revistën "Libraria Publike e Shkencës së Gjenetikës". Por, sigurisht që ekziston një dallim shumë i madh mes qelizave të kërpudhës së majasë dhe atyre njerëzore. Megjithatë, kjo nuk e ndalon shkencëtarin në fjalë që të besojë se e njëjta metodë mund të përdoret e përshtatur edhe te qeniet njerëzore për të zgjatur jetën e species sonë. "Kemi hedhur themelet e riprogramimit të një jete të shëndetshme. Nëse do të arrijmë të mësojmë funksionimin e mekanizmit të jetëgjatësisë, atëherë do të mund ta aplikonim atë në të gjitha qelizat e organizmit", thotë shkencëtari. Sipas tij, sigurisht që zbulimi i mekanizmit që do të shtojë jetëgjatësinë në 800 vjeç është ende shumë, shumë larg, por nuk është shumë e ndërlikuar arritja e moshës 120-vjeçare, shoqëruar me një shëndet dhe formë të mirë fizike e mendore. Ai nuk mendon se ka një limit që mund të caktojë kufirin maksimal të jetëgjatësisë te njerëzit. Por, për një numër të madh shkencëtarësh, deklaratat e kolegëve të tyre, që merren me studimin e zgjatjes së moshës së njeriut, janë thuajse deklarata heretike. Në fushën e disiplinës shkencore, që merret me jetëgjatësinë e species sonë, ekziston një pikëpamje, sipas së cilës një njeri maksimalisht mund të jetojë deri në 125 vjet. Zhan Kalment, personi që deri tani, sipas dokumentacionit rezulton të ketë qenë më jetëgjati, jetoi plot 122 vjet e 164 ditë. Sipas pjesës më të madhe të shkencëtarëve, gruaja super e moçme ishte thjeshtë një krijesë me fat, që për shkak të një kombinimi të çuditshëm të kushteve të jetesës dhe gjenit arriti të kapë "tavanin" e jetëgjatësisë së një qenieje njerëzore. Grupi i shkencëtarëve që e shohin me një skepticizëm absurd idenë se jeta njerëzore mund të zgjatet deri në 800 vjet, përfaqësohet nga gerontologu (gerontologjia është shkenca që studion plakjen e organizmit të qenieve njerëzore) i famshëm britanik, Robin Hollidej. Në librin e tij të fundit "Plakja: Paradoksi i jetës", ai bën këtë argumentim në lidhje me pretendimin e grupit të vogël të shkencëtarëve të pasionuar pas jetës shekullore: "Si është e mundur që të bëhen deklarata e të kihen pretendime të tilla? Së pari, ato injorojnë plotësisht literaturën e deritanishme në lidhje me plakjen e organizmit njerëzor, injorojnë të gjitha materialet shkencore të mirargumentuara në lidhje me patologjinë njerëzore. Por, ajo çka është më e frikshme, është se rekomandohet përdorimi i teknologjive që ndërhyjnë në qeliza dhe në vetë ADN-në njerëzore për të krijuar njeriun e ri bionik, që do të arrijë t‘i shmanget plakjes përmes zëvendësimit e këmbimit të pjesëve të trupit që dalin jashtë përdorimit". Si edhe shumë shkencëtarë të tjerë, Hollidej është shumë skeptik në lidhje me idenë se jetëgjatësia e species njerëzore është një çështje e manipulueshme shkencërisht, mjafton të gjesh mjetet e duhura. "E gjithë rryma që përfaqësohet nga shkencëtarët që janë pro zgjatjes së jetës në kufij jashtë normales biologjike e me mënyra artificiale është më pranë fantashkencës se sa realitetit. E gjithë literatura e deritanishme sugjeron mbështetur në eksperimente dhe studime të mirëfillta, se maksimumi i jetës për qeniet njerëzore është mosha 125 vjeç dhe kjo është e pashmangshme dhe e pakorrigjueshme", thotë Hollidej. Nga ana e tij, Valter Longo, përmes eksperimentit të tij, sugjeron se është e mundur zgjatja e ekzistencës, të paktën në rastin e kërpudhës së majasë, në dhjetëfishin e asaj që konsiderohet si jetëgjatësia normale, pra nga një javë dhe 10 të tilla. "Ajo çka unë mund të vërtetoj, ndryshe nga sa pretendohet nga shkencëtarët tradicionalë, është se kam përftuar një shtim të jetëgjatësisë dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë", thotë shkencëtari kalifornian. Sipas tij, duke hequr dy gjene të njohura ndryshe si RAS2 dhe SCH9 që shkaktojnë plakjen te qelizat e kërpudhës së majasë dhe kancerin te qelizat njerëzore dhe më pas vendosja e qelizave të kërpudhës në një dietë me kalori të pakta, mundësoi rezultatin e mësipërm, i cili teorikisht konsiderohet i pamundur, por që praktikisht është arritur me sukses. Frenimi i kalorive është shpallur tashmë një mënyrë efikase në përpjekjet për rritjen e jetëgjatësisë te shumë organizma, duke filluar nga kërpudhat e majasë apo nematodat (krijesat më të shpeshta shumëqelizore, njëherazi edhe më të voglat në formë krimbash) e deri te mizat e frutave e te minjtë. Megjithatë, opinionet e shkencëtarëve janë të ndryshme për sa i përket kufizimit të kalorive në këmbim të jetëgjatësisë në rastin e species njerëzore. Por, ama, dihet se një dietë e pasur me kalori, yndyra dhe karbohidrate çon në obezitet, diabet dhe simptoma të tjera të dëmshme, që e dëmtojnë organizmin dhe shkurtojnë ekzistencën e tij. Biologët mendojnë se kufizimi i kalorive shkakton te shumë kafshë një gjendje më pranë urisë. Në vend që të shpenzojnë rezervat e tyre të energjisë për riprodhim, në organizmin e tyre gjithçka frenohet, përveç nevojave dhe funksioneve jetike të trupit. Ndërkohë që riprodhimi lihet për një periudhë kur kushtet të jenë më të mira. Kjo taktikë përkon fare mirë me idenë e përgjithshme që ekziston për kafshët, të cilat zgjedhin gjithmonë njërën nga të dy strategjitë e të jetuarit: ose fekondimin e shpejtë dhe shkurtimin e jetëgjatësisë, ose uljen e kapacitetit riprodhues dhe zgjatjen e jetës. Minjtë, për shembull, e transferojnë pjesën më të madhe të energjisë së tyre për riprodhim, duke sjellë në dritë çdo vit disa pasardhës, por në këmbim të kësaj, ekzistenca e tyre është e shkurtër, vetëm dy ose maksimumi tre vjet. Ndërsa lakuriqët e natës, të cilët kanë thuajse të njëjtën përmasë dhe masë trupore si minjtë, kanë maksimumi 2 pasardhës në vit dhe mund të jetojnë deri në 30 vjet. Po përse një specie kafshësh jeton më gjatë e një tjetër ka një jetëgjatësi më të shkurtër? Kjo ka qenë objekt studimi për shkencëtarët, që prej dhjetëvjeçarësh. Sikurse tregojnë minjtë dhe lakuriqët e natës, ekziston mundësia që gjenet të ndikojnë në shtimin e jetës, ndaj pyetja është: përse nuk e bëjnë këtë në mënyrë të vazhdueshme dhe të gjithë krijesat? Ndërsa pyetja që do ndopak? Përse nuk mund të jemi të pavdekshëm? Një nga përgjigjet më bindëse njihet ndryshe edhe si: "teoria e disponueshmërisë". Shkurtimisht bëhet fjalë për idenë që gjenet mund të zgjasin jetën e një organizmi, por kjo mund të ndodhë vetëm si një shkëmbim mes kostos dhe përfitimit të një veprimi të tillë. Mendohet se riparimi i "makinerisë" me emrin trupi i njeriut është i mundur, pas goditjeve që ai merr ditë pas dite nga gjithë vështirësitë me të cilat e përball jeta. Por vjen një moment kur nuk ia vlen më një gjë e tillë dhe kostoja rritet në mënyrë të jashtëzakonshme. Në këtë pikë trupi bëhet "i disponueshëm". Që nga ai moment, nga pikëpamja e gjeneve, nëse ato do të rimerreshin për të riprodhuar vetveten nuk do të ishte ndonjë mëkat i madh. Pikërisht duke u nisur nga kjo teori, shkencëtari Longo është i mendimit, madje ushqen bindje të plotë në lidhje me atë, se plakja jo vetëm që është një efekt anësor i jetës, por është e mundur që të programohet gjenetikisht. Duket një ide shumë ndjellëse për kë e ëndërron pavdekësinë, megjithatë mes shkencëtarëve të ndryshëm ekziston bindja se qëllimi dhe shkaku kryesor i plakjes dhe vdekjes është hapja e rrugës që natyra u bën brezave të ardhshëm. Pra, duhet të ikë njëri që t‘i vijë radha një tjetri. Në njëfarë mënyre është një akt altruizmi i njërës gjeneratë në favor të ardhmërisë së gjeneratës tjetër. Dhe kjo, përmes mekanizmit të plakjes dhe vdekjes. Programimi i plakjes njerëzore është një mundësi, por ende nuk dihet nëse kjo është saktësisht kështu apo jo, por nëse plakja mund të programohet te kërpudhat, atëherë kjo ndoshta mund të ndodhë edhe te qeniet njerëzore, çka do të thotë që njerëzit mund të jetojnë më gjatë dhe nëse kjo është e mundur, atëherë përse duhet të kemi frikë nga një gjë e tillë?

Përrallat e "përjetësisë": Njerëzit më të moçëm në botë

Zhan Kalment

Nëna dhe babai i saj jetuan deri në 90 vjeç, por asnjëri nuk mundi ta eklipsonte rekordin e Zhanës, e cila vdiq në vitin 1997 në moshën 122-vjeçare. Lindi në vitin 1875. Gjatë jetës së saj u takua edhe me Van Gogun, si dhe mori pjesë në funeralin e Viktor Hygosë në vitin 1885.

Shigechiyo Izumi

Mban titullin e mashkullit me jetëgjatësinë më të madhe dhe vjen nga një ishull i largët japonez. Ishte fermer dhe punën e nisi që në moshë të njomë, për ta lënë në moshën 105-vjeçare. Pra punoi për 98 vjet rresht. Kishte dobësi uiskin dhe pinte duhan deri në moshën 70-vjeçare. Jetoi plot 120 vjet dhe vdiq në vitin 1986.

Edna Parker

Lindi në Indi dhe jetoi aq gjatë sa "përcolli" për në varr të gjithë fëmijët e saj. Është ende gjallë në moshën 114-vjeçare. U lind dhe u rrit në një fermë dhe ende është në gjendje të ecë, të lexojë poezi dhe të recitojë.

Edna Parker

Lindi në Indi dhe jetoi aq gjatë sa "përcolli" për në varr të gjithë fëmijët e saj. Eshtë ende gjallë në moshën 114 vjeçare. U lind dhe u rrit në një fermë dhe ende është në gjendje të ecë, të lexojë poezi dhe të recitojë.

Florrie Balduin

Balduin,lindi në vitin 1896 dhe jetoi në Leeds në një azil për disa dhjetëvjeçarë. Ajo thoshte se kishte takuar Mbretëreshën Viktoria në një vizitë mbretërore. Jetoi 113 vjet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora