E enjte, 12.12.2024, 11:06 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Kalendari 2008: Miss-et veshin muret

E diele, 16.12.2007, 01:11 AM


Nga Neritana Kraja - Shqip

Nga studente të zellshme në vajza që pozojnë për kalendarët. Pothuajse të gjitha aspirojnë të bëhen ekonomiste, ndërsa sfilatat apo moda përbëjnë një hobi të jetës së tyre. Me shumë dëshirë kanë pozuar për kalendarin “Miss Shqipëria 2008”, si për të përmbushur një dëshirë të moshës dhe për t’u treguar të gjithëve se viti nis bukur, kur nis me ta. Vajzat e mbara të kalendarit 2008!  

Kalendarët e miseve: një burim estetik shumë i mirë për t’i kujtuar të gjitha femrave një mundësi të veshjes me shije, sipas muajve të caktuar. Objekte të një koleksioni ku koleksionohen jo thjesht datat, muajt apo vitet, por edhe emancipimi shoqëror, estetik, kulturor, përmes imazhit të vajzave të bukura dhe prezantimit të natyrës sonë.   
“Kalendari Miss Shqipëria 2008”, si për të përmbushur të parën traditë të kalendarëve krijuar nga “Deliart Association”, këtë vit sjell një ide krejt të re të prezantimit të misseve në kalendar.  

Kalendari është konceptuar i tëri në dinamikë dhe për të kanë pozuar 9 vajza, të përzgjedhura si më të bukurat e konkursit “Miss Shqipëria”, aktivitet i përvitshëm organizuar nga “Deliarti” dhe producenti i saj, Petri Bozo. “Po të vësh re fotografitë ka një lloj dinamizmi të cilin pak e kemi respektuar në vitet e mëparshme”, thotë producenti Bozo.

“Në kalendar ndihet fryma e lëvizjes brenda rastësisë. Vajzat janë shumë të lirshme, flokët u shpupurisen nga era, portretet e tyre nuk janë statike, por të ngjashme me reagimet reale të çdo vajze të thjeshtë. Në këto foto as natyra nuk vjen në mënyrë artificiale, por kemi shfrytëzuar atë që natyra ka dhënë për momentin. Janë foto origjinale dhe aspak të importuara në gjendje”.

Bozo shton nga viti në vit, në kalendar, përveç vajzave që pozojnë, ndryshon edhe diçka tjetër drejt përmirësimit.

“Nga vërejtjet e bëra nga profesionistë të kësaj fushe në vitet e mëparshme menduam që kalendari të kishte shumë ngjyra në kostumografi. U përpoqëm që për çdo tip vajze të përshtasnim veshjen klas, elegante dhe me ngyra. Të gjitha këto e zbukurojnë shumë foton”, shton ai duke, pohuar se kalendari i “Miss Shqipërisë” këtë vit do të ketë sigurisht bumin e vet.

Kalendari i 2008 ka si qëllim të prezantojë femrën në lidhje organike me natyrën, të prezantojë një femër afër së vërtetës, femrën e kohës, pa retushime dhe sforcime. Një femër origjinale dhe joshëse njëkohësisht.  

Në fletët e kalendarit vajzat janë shndërruar në femra të mrekullueshme, në modele që imponojnë bukurinë dhe që të bëjnë t’i admirosh. Janë nëntë vajza që përcjellin imazhin fetë pas flete. Duke filluar nga fituesja e Miss Shqipërisë Irsa Demneri, për të vijuar me Kristina Neranxi, Adela Zeza, Erisa Mançellari, Vjola Gaxhenji, Argjirula Shkëmbi, Dajana Ndreu, Elona Mulgeci dhe Klodiana Dyrmishi.  

Ndërsa shfleton faqet e kalendarit kupton se përngjason më shumë si fotoreportazh se sa një kalendar tipik. Çdo fletë e kalendarit ngjan si një ditë e shkëputur nga jeta e vajzave të bukura, si për të frymëzuar femrat shqiptare, se kjo ditë është edhe dita e tyre. 

Vajzat janë fotografuar në udhëtime, në det e mal dhe në secilën prej fotografive ambienti apo peizazhi shkrihen me miset.

Kalendari që ndryshon me vitet

Duke folur për ndryshimet konceptuale që kanë shoqëruar kalendarin në vite, Bozo mendon se është normale që edhe kalendarët e së ardhmes të vijnë në ndryshim. “Fotot e bujshme të Çiljetës në kalendarin e parë (Kalendari Miss Shqipëria 2003), patën një lloj kontestimi në vija të trasha, sepse është shumë  e vështirë që një shoqëri kaq e patriarkalizuar, siç është shoqëria shqiptare ta konceptojë një risi të kësaj forme. Si në çdo vend kur del diçka e re, ose mirëpritet, ose komentohet. Shqiptarët përgjithësisht janë mosbesues ndaj shumë fenomeneve që kanë të bëjnë me bukurinë”. Ndërkohë ai shton se ky kontestim fillestar ka ardhur duke u zbutur dhe mentaliteti po ndryshon. Sikurse nga viti në vit ndryshon edhe kalendari.  

“Nisur edhe nga eksperiencat që shohin nëpër botë shqiptarëve sot nuk u bëjnë më përshtypje fotot e zhveshura. Nga ana tjetër, është një tendencë bashkëkohore e fotove sot ku femrat nuk paraqiten edhe aq të zhveshura. Kështu që duke i qëndruar shumë besnik frymës bashkëkohore, duke filluar që nga viti i kaluar kalendari ka kaluar drejt përmirësimit, në tempin e raportit “veshje-zhveshje”. Mendoj që fotot janë në normalitetin e tyre gjë që nuk do të thotë se e kemi mbytur bukurinë e femrave duke i fotografuar të veshura. Në mënyrë absolute kjo nuk qëndron. Mendoj se jemi saktë dhe mirë deri këtu”.

Kalendari mashkullor?

Natyrshëm lind pyetja, nga kalendari i parë femëror, mos është koha të kalohet tek i pari kalendar mashkullor? Producenti i “Miss Shqipërisë” Petri Bozo, e ka një përgjigje mohuese për këtë pyetje, të paktën për “Deliartin” që ai drejton, duke shpjeguar edhe arsyet e tij. “Kalendari i Miss Shqipërisë” është një rrjedhë organike e evenimentit të konkursit në fjalë, i cili përqëndrohet vetëm te vajzat shqiptare. Prandaj nuk mund të ndodhë që kalendari ynë të ndërrojë destinacion, aq më tepër që kalendari ynë nuk është një qëllim në vetvete”.

Në morinë e kalendarëve që publikohen në Shqipëri, pa dyshim që Kalendari i Misseve është më i miri dhe i denjë për t’u mbajtur në çdo ambient, ku nevojitet një i tillë. 

“Kalendari ynë i viti 2003 ka qenë i pari, kështu që nuk përbën një start konkurrence. Në treg ka shumë kalendarë dhe një pjesë i bëjnë për hobi, ndërsa një pjesë për qëllime komerciale. Kush i bën për qëllime komerciale mendoj se është i gabuar, sepse në turmën e tmerrshme të kalendarëve të huazuar nga Kina, ose dhuratave që bëjnë shumë firma të ndryshme dhe që dhurohen, kalendari nuk është një mjet për të fituar. Ne e bëjmë se është një mjet për mirënjohje ndaj një grupi të caktuar vajzash që meritojnë për të qenë në faqet e tij, për të pasur më shumë vëmendje. E bëjmë gjithashtu për të kujtuar eventin që ndodhi gjatë verës në një periudhë dimri dhe ruajmë zinxhirin e aktiviteteve tona. Më mirë se një kalendar i misseve, çfarë mund të vendoset në mur?      

Vajzat në objektivin e fotografit

Petrit Pema është fotografi i të gjitha vajzave në fletët e kalendarit, dhe për të arritur atë që ne shohim, ai ka bërë me qindra shkrepje të aparatit. “Vajzat që janë përzgjedhur për kalendarin dihet se janë të bukura, pasi vijnë nga një konkurs bukurie. Zakonisht ideja e një fotografie është që të nxjerrë bukurinë e trupit të vajzës, bukurinë e portetit të saj. Ndërkohë që në shumicën e fotove që kemi bërë për këtë kalendar, linja që ne ndoqëm doli jashtë kësaj natyre. Duke e marrë të mirëqenë bukurinë e tyre, kemi përdorur një kënd tjetër që deformon imazhin e vajzave, krijon raporte të zhdrejta. Por ruan një gjëndje emocionale domethënëse që ne e kemi kërkuar dhe gjetur te vajzat”, komenton fotografi Pema.

Irsa Demneri

Aspak emër i panjohur. Vajza 17 vjeçare, nxënëse e shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, e meriton, mbase më shumë se asnjë tjetër, të jetë në faqet e “Kalendarit Miss Shqipëria 2008”. E kurorëzuar me kurorën e vajzës më të bukur në “Miss Shqipëria” dhe njëkohësisht fituese e vendit të dytë në “Miss Globe International”, si dhe e çmimit “Miss Golden Girl”, në të njëjtin konkurs ndërkombëtar të bukurisë, Irsa e përmbyll këtë vit të suksesshëm, duke pozuar për faqet e kalendarit. Fotografitë e Irsës, hapin dhe mbyllin kalendarin, pasi si fituese e denjë e këtij konkursi, asaj i janë lënë dy muaj të vitit, janari, ku pozon e veshur si nuse trendy, dhe muaji dhjetor, ku pozon në breg të detit e veshur me një pallto dimërore, mbështetur pas një varke. Megjithë sukseset e njëpasnjëshme të Irsës në garën e imazhit, sikurse e ka deklaruar në një intervistë ekskluzive dhënë revistës Shqip, pak kohë më parë, të ardhmen ajo e sheh të lidhur me pasionin e saj, matematikën, ndërkohë që ushqen një “feeling”, për shkencat diplomatike. Kështu që e ardhmja e saj do të jetë diçka që ka të bëjë me shifrat dhe diplomacinë, pse jo edhe me politikën. Irsa mendon se një femër e bukur dhe e zgjuar është arma më e mirë për të ndryshuar Botën.

Prezantimi në faqet e të përditëshmeve shqiptare, fotografitë e publikuara gjithandej, intervistat dhe lajmet rreth saj, e kanë bërë Irsën të mësohet pak a shumë me zhurmën mediatike dhe të qenurit në qendër të vëmëndjes. Ky ishte viti i saj, viti i një suksesi të garantuar, ku nga një vajzë e zakonshme u shndërrua në një yll. Kalendari i 2008 është përmbyllja me angazhime e një viti të suksesshëm për të nisur, me një tjetër sprint, një vit të ri.

Argjirula Shkëmbi

Argjirula Shkëmbi, është vajza tjetër e përzgjedhur për Kalendarin e vitit 2008. Ftesa e producentit të kalendarit, ka qenë disi e papritur për Argjirulën e cila nuk ka ngurruar aspak t’i bashkohet grupit të vogël, në udhëtimin për të gjetur peizazhe dhe vende, ku vajzat të fotografoheshin për kalendarin.

Argjirula në kalendar ka pozuar për muajin mars, e veshur me një fustan të bardhë nusesh, ndërsa fotografitë e këtij seti janë realizuar në malin e Dajtit. Ajo e vlerëson jashtëzakonisht këtë ekpseriencë, pas eksperiencës së mirë që përjetoi në konkursin “Miss Shqipëria”, ku përjetoi ethet e garës së fortë.

Flokët ngjyrë gështenjë, sytë e errët, vështrimi joshës i saj dhe fustani i nusërisë, është imazhi që prezanton Argjirula për të gjithë njerëzit, sikur do t’i urojë: që marsi i tyre të jetë i gëzuar si një dasëm e madhe, dhe që jeta e tyre të jetë gjithashtu e bukur si një pranverë.

Prezantimi në kalendar është një ngjarje e bukur, të cilën pavarësisht rrugëve të jetës në të ardhmen, Argjirula nuk do ta harrojë asnjëherë, përkundrazi do ta ruajë si kujtim të ditëve të saj të rinisë.

Vjola Gaxhenja

Gjithmonë ka ndjerë mbi vete shijen që lë komenti i njerëzve: që Vjola është një vajzë shumë e bukur. Megjithatë u desh pjesmarrja në “Miss Shqipëria” dhe emocionet e mëdha që provoi atje që bukuroshja Vjola Gaxhenja, ta zgjonte brenda vetes dëshirën për të qenë protagoniste e spektakleve dhe aktiviteteve që lidhen me botën e imazhit, ku me të drejtë ishte ndjerë e vlerësuar. Prandaj, pavarësisht anagazhimeve të tjera të përditshme, si të gjithë bashkëmoshataret e saj, ajo nuk ka mundur ta refuzojë propozimin për të qenë në një kalendar, si imazh i tij për një muaj të vitit.

Vjola, ashtu si vajzat e tjera, ka kaluar një eksperiencë mjaft të bukur duke pozuar për Kalendarin e vitit 2008.

Në kalendar ajo prezanton muajin korrik, prandaj edhe fotografitë që vajza ka realizuar lidhen me këtë muaj. Ajo pozon pranë një motorçiklete në breg të detit, me flokët e verdhë të shpenguar nga era, vështrimin e shkujdesur,  këmbëzbathur nëpër rërë dhe një veshje të bukur, plot kolor, ku sportivja bashkohet me elegancën, duke krijuar imazhin e një femre që gjithkush do të dëshironte të ishte si ajo.  

Vjola dëshiron që kalendari t’u sjellë fat të gjithë njerëzve, sikurse dëshiron t’i sjellë fat edhe jetës së saj të ardhme, ku shumë ëndrra të tjera e presin të realizohen.    

Dajana Ndreu:

Dajana Ndreu është njëra nga vajzat e përzgjedhura për Kalendarin 2008. Sigurisht që si të gjitha vajzat e tjera, edhe ajo ka qenë protagoniste e spektaklit “Miss Shqipëria, një ngjarje që ka lënë mbresa në jetën e vajzës, mbresa që e kanë shoqëruar që nga dita kur vendosi të marrë pjesë në një konkurs të tillë bukurie, e që vazhdojnë akoma sot me imazhin e saj në kalendar. 18 vjeçarja e bukur, nxënëse e vitit të katërt të shkollës Ekonomike, tregon sesi e ka mposhtur ndrojtjen ndërsa pozonte përpara objektivit të fotografit për të realizuar fotot e kalendarit. “Për kalendarin kemi punuar shumë, tregon Dajana. Qëllimi ishte të realizonim foto artistike, shpirtërore, prandaj duhej kujdes dhe vëmendje. Vërtet jemi lodhur pak, por edhe jemi kënaqur nga udhëtimet nëpër lagunat e Shkodrës e Shëngjinit. Për mua ishte një eksperiencë e paprovuar, por shumë interesante”. Kalendari për Dajanën është një ngjarje që kurrsesi nuk do të ketë jetëgjatësinë e një viti. “Edhe pas shumë vitesh, do ia tregoj të tjerëve se si dikur dola në një kalendar, shton duke qeshur ajo”. Maturantja që vitin e ri shkollor do i drejtohet Fakultetit, thotë se e ka shumë të qartë se e ardhmja e saj do të jetë e lidhur me profesionin e ekonomistes, ndërsa bota e spektaklit, sfilatave, modës përbën pasionin e ditëve të rinisë së saj. 

Kristina Neranxi

Kristina Neranxi, vajza e bukur bionde, menjëherë ka vrapuar nga Greqia ku studion në vitin e dytë në degën e Marketingut dhe Menaxhim Biznesit, për të pozuar në Kalendarin e vitit 2008. Telefonata e ftesës ka qenë e papritur dhe ajo e gëzuar ka planifikuar ardhjen e saj në Tiranë, për t’iu bashkuar grupit të vogël prej 9 vajzash, që do të udhëtonin drejt veriperëndimit  për të realizuar fotot e kalendarit të vitit të ri. Katër ditët e qëndrimit në Shqipëri kanë qenë mjaft interesante për Kristinën. E mësuar me udhëtimet, ajo i ka shtuar eksperiencave të saj edhe diçka të re dhe interesante: Imazhin e saj në një kalendar. Kristina është një vajzë e bukur dhe e pavarur, që prej shumë vitesh jeton e vetme në perëndim. Tre vite të shkollës së mesme në Itali, dy vite të universitetit në Greqi dhe një planifikim për t’u shpërngulur vitin e ardhshëm në Londër ku do të kurorëzojë diplomën e saj e të merituar. Shkolla për të përbën impenjimin kryesor, gjithsesi thotë se është në pritje të fillimit të angazhimit në një agjenci mode, punë të cilën do e bëjë për hobi, sikurse ka bërë edhe kalendarin, apo pjesëmarrjen në “Miss Shqipëria”, ku fitoi çmimin “Miss Turizmi” dhe njëkohësisht arriti të dalë deri në dhjetëshen e vajzave më të bukura. Jeta e Kristinës në Greqi është jeta e një studenteje normale, ka mjaft miq grekë dhe shqiptarë, ndërkohë që shton se “personalisht nuk e ka ndjerë asnjëherë diskriminimin racist, ndonëse njeh raste të tilla ndër emigrantët atje. Kristina tregon se profesioni që do ketë në të ardhmen, është mjaft i rëndësishëm për të, ndërsa pjesëmarrja në botën e bukurisë dhe të imazhit është thjesht një hobi, një dëshirë për t’u shkëputur nga rutina, për të bërë gjëra të ndryshme dhe provuar eksperienca të reja. Të gjitha vajzat në kalendar i duken të bukura. Vlerëson cilësinë e fotografive, harmoninë, stilin e veshjes, ngjyrat, gjithçka që zë vend në këtë kalendar, ku mes të tjerash ndodhet edhe fotografia e saj. Festimet e vitit të ri do e rikthejnë përsëri në Tiranë. Kësaj radhe ka një motiv më shumë, jo vetëm të takojë të afërmit dhe miqtë, por të marrë edhe një kalendar.

Elona Mulgeci

Një tjetër vajzë e bukur në Kalendarin 2008. Ajo është Elona Mulgeci, vajza 18 vjeçare nga Tropoja, por që prej vitesh jeton në kryeqytet dhe bën jetën e të gjithë moshatarëve të saj. Me një ndryshim, se imazhi i Elonës do të shoqërojë për 2008 përgjatë një muaji ditët dhe mbrëmjet e shqiptarëve. “Mendoj se është interesante që njerëzit do të kenë kalendarin tim”, thotë ajo.

“Pjesëmarrja ime në kalendar është shumë e bukur, nuk kisha provuar asnjëherë si eksperiencë, prandaj jam ndjerë e vlerësuar dhe e lumtur njëkohësisht nga kjo gjë”, tregon Elona. Ndryshe nga vajzat e tjera, objektivi i aparatit fotografik duket se nuk e ka trembur, përkundrazi ajo duket e familjarizuar me të. “Para pak kohësh jam fotografuar nga mjeshtri Fadil Berisha. Kam pozuar për të si modele, meqënëse isha konkurrente në Super Model of the World, një eksperiencë shumë e mirë që erdhi menjëherë pas pjesëmarrjes në “Miss Shqipëria”. Ndërsa kësaj radhe kam pozuar për Kalendarin 2008, foto të cilat kanë dalë krejt natyrshëm. Më pëlqejnë sidomos fotografitë që kam bërë mbi motor, pasi jam një tip sportiv dhe jam ndjerë mjaft mirë duke pozuar pranë një motori”. Në kalendar Elona do të përfaqësojë muajin shkurt, ndërkohë që me të qeshur shton se kalendarin do e mbajë përgjithmonë te ky muaj, si kujtim i një ngjarjeje dhe eksperience që nuk harrohet lehtë.

Edhe Elona ëndërron të studiojë në fakultetin e Ekonomisë, gjë që të bën të mendosh se edhe një tjetër nga vajzat e bukurisë do i kushtojë jetën e saj shkencës së shifrave. Maturantja e shkollës Sinan Tafaj, nuk ngurron aspak të thurrë ëndrrat e saj për të ardhmen. E tillë është ëndrra për të hapur një agjenci mode, ku Elona jo vetëm do të sfilojë dhe do të ideojë vetë veshje, por edhe do menaxhojë aktivitetin e saj, firmuar nga “Elona”.      

Erisa Mançellari

Maturantja 18 vjeçare, Erisa Mançellari, ka gjetur një shprehje të bukur kur thotë se “ky kalendar është kujtim i moshës kur ishte 18 vjeç dhe se nuk do ta heq asnjëherë”. Realisht shumë vajza ëndërrojnë të kenë një eksperiencë të tillë, ndërsa Erisa dhe shoqet e saj, ishin me fat që u përzgjodhën për kalendarin e vitit 2008. Të paktën kështu komenton Erisa. Ajo thotë se rruga e saj e mbarë ka nisur që kur konkurroi te “Miss Shqipëria”, spektakël që i hapi mjaft dyer, të cilat ajo as që mund t’i imagjinonte se mund t’i shkelte ndonjëherë, megjithëse i kishte ëndërruar herë pas here. Në këtë spektakël Erisa arriti të përzgjidhej si “Miss Kinemaja”, çmim i cili e ka gëzuar, por edhe i ka përforcuar dëshirën për aktrimin, të cilin pranon se e ka hobi. Megjithatë, thotë se hobi ngelet i tillë, asgjë më shumë, pasi ajo e ka të përcaktuar drejtimin e jetës së saj. Nxënëse me rezultate shumë të mira në gjimnazin Sami Frashëri, Erisa dëshiron të vazhdojë studimet e larta për ekonomi dhe njëherësh të plotësojë dëshirën e saj, duke u marrë me sfilatat, modën, spektaklet, por jo si profesion i jetës, por pjesë e pasionit të saj, të cilin kërkon ta përmbushë. Në fakt ditët pas Miss Shqipërisë, nuk kanë qenë të zbrazura për të. Muaji Tetor e ka gjetur vajzën në Çeki, si pjesëmarrëse në “Miss Europë Junior”, nga ku ka rrëmbyer vendin e pestë të klasifikimit. Kjo ishte hera e parë që Erisa merrte pjesë në një konkurs ndërkombëtar bukurie, ndaj e vlerëson shumë si eksperiencë. “Ishte një konkurs ku krahas bukurisë vlerësohej edhe inteligjenca e vajzave, gjë të cilën organizatorët e testuan mjaft mirë dhe veç kësaj të gjitha vajzat jemi miqësuar shumë shpejt njëra me tjetrën”, tregon Erisa. Dhe pa kaluar shumë kohë, ajo impenjohet në Kalendarin e 2008, si për të përmbyllur një vit kalendarik që ka nisur mbarë për të.

Adela Zeza

Të njëjtin entuziazëm me vajzat e tjera, reflekton edhe Adela Zeza, vajza brune e kalendarit 2008, ndonëse ajo ka një histori personale disi të ndryshme për të treguar. Kështu, Adela në të ardhmen, ndryshe nga vajzat e tjera mendon të bëhet politikane. Ajo është 20 vjeç dhe studion për shkencat politike, por mendon se askush më shumë se një politikane e zgjuar dhe e bukur, nuk mund të shërbejë në dobi të komunitetit. Prandaj ka vendosur të bëjë të njëjtën gjë. Me të mbaruar studimet do t’i hyjë politikës. “Mua më pëlqen arti, më pëlqen çdo gjë që lidhet me të dhe besoj se edhe politika është art, prandaj më pëlqen të merrem me politikë”, komenton Adela. Ndërkohë që ashtu si edhe vajzat e tjera tregon se konkurset e bukurisë dhe sfilatat janë një hobi për jetën e saj. Sapo është kthyer nga një kompeticion i rëndësishëm në Kore dhe Kinë, ku konkurrohej për modele dhe miss, mes 60 vajzave pjesëmarrëse nga e gjithë bota. “Përveç rrugës shumë të largët dhe ushqimit të ndryshëm nga ç’jemi mësuar, gjithçka te ky konkurs ishte fantastike. Bukuria aziatike ishte interesante. Eksplorimi i vendeve të panjohura, është një eksperiencë që nuk do ta harroj asnjëherë”, tregon Adela për pjesëmarrjen e saj të parë në një konkurs të përmasave të tilla, jashtë atdheut.  

Gjithsesi eksperiencën e kalendarit ajo e veçon mes aktiviteteve të tjera, duke shtuar se “angazhimi në Deliart Association, është angazhimi më i madh i saj, përveç shkollës, ku ajo vazhdon studimet në vitin e dytë. “Me ndihmën e Petrit asgjë nuk është e pamundur. Ne vajza të pamësuara me objektivin ia dolëm të pozojmë si profesioniste dhe të realizojmë fotografi mjaft të mira, të cilët shqiptarët do të mund t’i shohin në çdo muaj të vitit”, përfundon Adela.   

Klodjana Dyrmishi

Edhe për Klodiana Dyrmishin kalendari i vitit 2008 përbën një kujtim që nuk mund të harrohet lehtë. Të paktën për një vit, derisa kalendari i 2008 të jetë në jetë. Klodiana ka pozuar pikërisht për këtë kalendar, hipur mbi një biçikletë të vogël, duke i dhënë përndezjen e ngjyrave muajit tetor. Klodiana ndjehet tepër e lumtur kur mendon se fytyra e saj do të jetë përshëndetje dhe motiv i mbarë për të nisur ditën dhe uron që ajo t’u sjellë fat dhe gëzime njerëzve në familjet e tyre. “Është një eksperiencë shumë e bukur, nuk e prisja të më thërrisnin për kalendarin, prandaj nga kjo ftesë e ndiej veten mjaft të vlerësuar dhe të përkrahur. Edhe pse ishte pak e vështirë për ne, pasi asnjëra prej nesh nuk është profesioniste e fotografisë, dhe na duhej të provonim shumë. Unë nuk do ta harroj asnjëherë. Them kështu edhe për faktin sepse e di se një gjë e tillë nuk ka për të më ndodhur më, prandaj po i gëzohem arritjes sime”. Klodiana tregon se me të njëjtin gëzim e kanë përcjellë këtë ngjarje edhe familjarët e saj, të cilët e kanë përkrahur vazhdimisht Klodin në të gjitha zgjedhjet që ka bërë. Që nga përzgjedhja për të studiuar në degën e Infermierisë, ku ajo vazhdon studimet në vitin e dytë, deri te pjesëmarrja në Miss Shqipëria. “E di fare mirë që profesioni që kam zgjedhur nuk ka lidhje me sfilatat apo modën, rrugë që unë e kam nisur tashmë, por nga ana tjetër di që kam zgjedhur një profesion human dhe gjithë ajo që unë provoj, është thjesht një hobi. Ka qenë gjithmonë një dëshirë e imja dhe kam kërkuar gjithmonë të provoj eksperienca të tilla. Me këtë rast u them të gjitha vajzave që ëndërrojnë të bëjnë një gëj të tillë, që të mos heqin dorë, mjafton të këmbëngulin ta provojnë këtë gjë kaq të mrekullueshme, pavarësisht çfarë drejtimi merr jeta e tyre. Njeriu duhet të provojë në jetë”, shprehet Klodiana.   

Ndërkaq që ajo flet edhe për një pasion tjetër që nuk e lë pas dore. “Krahas botës së modës dhe sfilatave, më pëlqen jashtë mase edhe piktura. Gjithmonë kam vizatuar, e bëj vetëm për qejfin tim, ndërsa më thonë se jam e talentuar dhe mund të vazhdoja edhe më tej. Por unë e kam zgjedhur tashmë profesionin tim”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora