Shtesë » Shoqëria
Ana, modelja Jeta Modeling e fushatës publicitare, Vodafone
E diele, 16.12.2007, 12:03 AM
Ana Shtrepi |
Modele: Ana Shtrepi
Ditëlindja: 10 Maj 1988
Pesha: 56 kg
Gjatësia: 1.68 cm
Shenja e horoskopit: Demi
Studime: Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Dega Gjermanisht, Viti II
Nga Edmond PRIFTI
Agjencia Jeta Modeling dhe fotot ONE
“Jeta Modeling” është pjesë e Jeta Media Company, e themeluar në qershor 2001. Si pjesë e aktivitetit kryesor të saj, agjencia u përqendrua kryesisht në fushatat e ndryshme promocionale, si dhe në organizime të tjera me karakter promovues në fushën e biznesit, modës dhe argëtimit. Për Anën, kjo ishte një eksperiencë krejt e re. “Erdhën dhe dy vajza të tjera njëkohësisht. U njohëm me asistent-regjisorin (dhe gjithë grupin e xhirimit), i cili na shpjegoi se çfarë duhet të bënim përgjatë xhirimeve, që u realizuan në qendër të Tiranës, pikërisht atje ku vite më parë qëndronte busti i Enver Hoxhës”. Po çfarë ishte kjo reklamë?! Ajo bënte pjesë në fushatën publicitare më të fundit të kompanisë Vodafone. Ana mori një MMS dhe qeshi... Nejse, të tjerat shihini në reklamën që do transmetohet së shpejti. Pas xhirimeve, pranoi ofertën për të realizuar një set fotografik ekskluziv për revistën ONE. “E fillova thjesht idenë për të bërë një set fotografik. Fillimisht, meqenëse fotografi ishte disi i panjohur për mua, isha paksa e ngurtë, por shumë shpejt mendova se ka me qindra femra që pozojnë disi “pa rroba” para një fotografi. Dhe ato pak mendime konfuze më ikën...”, thotë Ana. A do ta bëjnë Anën këto foto të famshme brenda një dite?! “ONE, jo për t´ju bërë qejfin, por është një revistë që ka ecur së tepërmi, pasi po lexohet edhe nga femrat. Po komentohet dhe kjo ka shumë rëndësi. Uaaa... Ana! kanë për të thënë me siguri, të gjithë ata që më njohin. Por nejse, njihja dikë me të cilin ndihem rehat që ndodhet përballë meje. Dhe jo së fundmi, do mbahem në arkiva si modelja e muajit nëntor 2007. Ndihem krenare që do jem ONE e faqeve të mesit…”, thotë ndërsa fillon të buzëqeshë Ana.
Lidhja shpirtërore: Gothic Fashion…
“Për një kohë të gjatë mbeta pa emër. Im atë ka dashur emrin Flavia, por ime motër Iva, meqenëse i pëlqente një emër i shkurtër - siç e ka dhe vetë, - i vuri prindërit e mi për ca kohë në hezitim. Sërish, ishte po ajo që kishte një shoqe me emrin Ani…dhe që e vuri tim atë përpara një dileme në gjendjen civile”. Shkurt. I ngeli emri Ana, ndonëse ajo dëshironte ta thërriste veten kur ishte më e vogël, Ana Maria. Përgjatë adoleshencës, Ana kaloi në ato që mund të quhen “Gothic Fashion” (Veshjet Gotika apo ngjyra e zezë dominuese). “Gothic të fut në mendime. Ndihem mirë. Hap dollapin e shtëpisë dhe gati të gjitha aty janë me ngjyrë të zezë. I vetmi problem? Kur më shikojnë, më thërrasin metalare, ndonëse nuk është muzika ajo që ka ndikuar te unë më shumë se sa ngjyra mistike që përcjell ajo”, thotë Ana. Dhe në fakt, e vërteta gjendet në një prej faqeve zyrtare gothic: “veshjet heavy metal fashion janë krejt të ndryshme, pasi ato janë vetëm zyrtarisht në skena si të tilla; mushama të zeza apo me “vizatime kufomash”. Gothic i përket një grupi njerëzish me një kulturë të caktuar urbane, që dallohen për veprimet e tyre, për stilin e përditshëm të jetës”. Moda Gothic është një stereotip i errësirës, shpeshherë ngjethës, stil mode erotik apo mënyrë veshjeje. Këto shoqërohen me flokët të gjata dhe të lyera me ngjyrë të zezë, make-up i zi i syve, manikyr i errët, rroba të zeza dhe piercing. Stilet u morën nga Elisabethians dhe Victorians në shekullin XIX. Këta persona janë autentikë, sa që edhe njihen dhe identifikohen si të tillë, ashtu si edhe në eventin më të madh Wave-Gotik-Treffen që organizohet në Leipzig apo Whitby Gothic Weekend, që mbahet në veri të Jorkshirit (Angli). Një prej femrave të para që luajti rolin e modeles ishte Theda Bara, në vitin 1910, e quajtur Femra Fatale Vampire.
Ylli i Betlehemit në shpatullën e majtë…
Kryqi, është ndoshta aksesori në mungesë i Anës. Thotë që besimi tek ajo është më shumë shpirtëror, ndoshta sepse është pjesë e kulturës Gothic. Por ylli tatuazh, që ndodhet në shpatullën e saj të majtë i përket një grupi simboli të njohur si Ylli i Betlehemit, i mbushur brenda dhe me pesë cepa. Ok, filatelistët e përdorin këtë simbol si “një pullë të papostuar ndonjëherë”. Njihet edhe si Venusi, simboli i femrës. Normale që mund të mendoni tani: po ai ka qenë dikur simboli ynë! Nejse. Ka mbi 20 shpjegime gjithsej! Për saktësim, Yllin e Betlehemit e panë tre njerëz të mençur dhe u tregoi atyre rrugën për në vendin ku u lind Jezusi. Në formën e një tatuazhi, ylli është simboli më i hasur. Si një ndriçues i errësirës, ylli shihet shpeshherë si simboli i së vërtetës, i shpirtit dhe i shpresës. Simboli mishëron konceptet hyjnore për çdokënd prej nesh. Natyra e tyre, i drejton forcat e errësirës drejt ndriçimit dhe hapjen e horizonteve të së panjohurës. Yjet me dizajn specifik ndahen në Pentagram (ylli me pesë cepa), Ylli i Detit (pesë-cepash), Heksagram Ylli i Davidit (ylli gjashtë-cepash) dhe Nonagrami (ylli nëntë-cepash). Por, ç´thotë Ana për të?! “Që kur isha në gjimnaz e kisha menduar që do të bëja një tatuazh dhe ky u bë në tetor 2006. Kisha menduar dy krahë engjëjsh por ishin tepër të mëdha, kështu që... Madje kam edhe adresën virtuale po ashtu…me yll dhe me emrin tim” (Ana, kjo pjesë u hoq!). Pastaj më shumë ma mbushi mendjen një serial televiziv, “Passo Adelante”, që transmetohej asokohe, ku një prej personazheve kishte një të ngjashëm. Shkurt, e bëra!”, shprehet ajo.
Ana në linja të holla!
Ana thotë se nuk është tejet ambicioze. “I lë të gjitha në dorën e fatit apo rastësisë”. Dhe ato gjëra që nuk i pëlqejnë, janë, për shembull... (mos e ka fjalën për ONE?! Mmm, ndoshta bëhet lidhja!) “...meshkujt shqiptarë shpeshherë bëjnë diçka jashtë asaj që duhet të jenë në të vërtetë. Krijojnë një kompleks, një mbështjellje përreth vetes dhe nuk të lejojnë t´i njohësh. Ana te vetja vlerëson faktin që “arrin thjesht ato që dëshiron, si dhe faktin që di gjuhë të huaja”. Për një gjë që do të ndryshojë nesër Ana mendon se “nuk beson shumë te ndryshimet. Ato ndodhin me kalimin e kohës, moshës…”. Megjithëse duket si e paterrorizuar nga e zeza dhe mistikja, filmat që e kanë bërë të mbyllë sytë kanë qenë “Pasioni i Krishtit” dhe “Stigmata”. Ndërsa për t’u rikthyer sërish te pyetja klasike: Po të ishit mashkull, ç´lloj femre do të kishe preferuar?, Ana përgjigjet se “do doja femrën e thjeshtë nga paraqitja. Ato që janë veçse vetvetja dhe tejet të pavarura”. Po kush është Ana?! “E sinqertë, por paksa naive dhe pa shumë besim te vetja. Një femër, e cila dhuron gjithë forcën e saj të pranohet nga të tjerët”. Kush janë femrat shqiptare sipas Anës? “Këtu shumë prej nesh kanë komplekse. Kanë komplekse, pasi dëgjojnë dhe veprojnë se çfarë mendojnë të tjerët dhe aspak ato… se kush janë në të vërtetë. Unë nuk mund të jem si to, duke paragjykuar vetveten dhe duke bërë një jetë rutinë. Unë kam miq dhe shok që i dua. Mua ndoshta më shohin ndryshe, por në momentin e parë që më njohin, ndryshojnë mendim”.
Pjesë e grupimit social, Hi5
“Kam takuar dikë që e njoha nga faqja Hi5 dhe që atëherë ka mbetur shoku im. Në qoftë se po mendoni për nënkuptime, nuk besoj në dating online (lidhjet përmes virtualit), ndonëse ato mund të jenë tejet normale dhe madje edhe të jenë martuar...”, thotë Ana, në lidhje me një faqe të sajën që ekziston në Hi5.com. Pra, nuk është përshëndetja midis miqve gango në Bronks, pjesë e serialit televiziv Hi5 apo e grupit muzikor amerikan për fëmijë. S’është as ajo vajza e vetme që këndon në skenat greke! Për ata që s’dinë internet apo s’kanë profil në këtë faqe, ajo përdoret si një profil virtual për postimin e fotove, komenteve, por edhe dëgjimin e muzikës në formë Mp3, si dhe shumimin e shokëve online. Me siguri, mjaftoni të dini një adresë virtuale të një individi të njohur nga ju në Shqipëri dhe futeni atë në search (kërkim)! Keni turp të propozoni dikë në jetën reale? Bëjeni aty! Madje kontaktoni edhe administratorin, Ramu Yalamanchi dhe çdokënd tjetër, më lirshëm përmes virtualit… “Njerëzit besojnë se do të bëhen shumë popullorë përmes kësaj faqeje. Ata që kanë rreth 500 miq virtualë, në jetën e përditshme kanë vetëm 4 prej tyre.” (Për Anën, me siguri dyfishin e 148, pas daljes në ONE). Një koment zyrtar për faqen Hi5 citon se përgjatë vitit 2006, ekzistonte një grafik që 99% e kosovarëve e përdorin këtë faqe dhe ata që nuk e përdorin Hi5, quhen zakonisht “tradhtarë të atdheut”. Një vit më parë, Hi5 mori titullin faqja më familjare virtuale kundrejt sex.com dhe google.de, apo të tjerave si: allah.com, hotmail.com, fuckserbia.com dhe tallava.net. Ndoshta pas daljes së revistës ONE, Ana duhet të ketë kujdes: Mos dil aq anash pishinës se bie dhe shto fotot profesionale!