E merkure, 11.12.2024, 03:50 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Martesa “fluturon” shpejt, ndarja e pasurisë “ta nxin jetën”

E marte, 04.12.2007, 10:36 PM


Kur çekiçi i gjyqtarit godet tavolinën, zhurma e tij nuk lajmëron vetëm se ti tashmë do t’i kthehesh jetës tënde beqare, por edhe se telashet nuk kanë të sosur. Nëse martesa ju ka kushtuar 1 milion lekë, dhe nga miqtë apo familjarët keni arritur të mbyllni ca “gropa” të buxhetit tuaj,  kur do të gjendeni përballë divorcit të njëjtën shumë duhet ta përballoni ju vetë.

Nuk mbaron këtu, por kostos së shpenzimeve gjyqësore zyrtare i shtohet edhe shuma që ju duhet të paguani, nëse keni kërkuar ndihmën e një studioje ligjore, ndërsa pasuria, në mos do t’ju përgjysmohet, me pak fat mund edhe ta shpëtoni pjesërisht. Nuk është aspak e çuditshme që çiftet, kur ndahen me vendim gjykate, të grinden për pasurinë.

Raste të tilla nuk janë aspak të rralla dhe kjo ndodh sepse ish-bashkëshortët nuk janë të kënaqur nga copëzimi i pasurisë. Burrat pretendojnë se pasurinë e kanë vënë vetë dhe se gratë e tyre nuk kanë dhënë kontribut, pasi shumica e tyre janë pa punë ose shtëpiake. “Fshehjet” e pasurisë bëhen kryesisht nga bashkëshortët, i cili, pa nisur procedimi e kalon pasurinë në ndonjë nga të afërmit e tij apo nuk e deklaron fare atë, si pronë të familjes.

Që të bësh një jetë individuale dhe kolektive tepër cilësore ndikojnë shumë faktorë. Faktori më i rëndësishëm, që nuk mund të zëvendësohet me asnjë faktor tjetër, është familja. Deklarata Universale e Të drejtave të Njeriut përcakton se “Familja është njësia themelore dhe natyrore e shoqërisë.” Në kushtet e një ekonomie tepër të vështirë tregu, që sundon në vendin tonë, egërsia e së cilës bëhet më e dukshme nga dita në ditë, familja vazhdon të mbetet një prej gjërave më të përsosura, më afinitive, më të sinqerta, më të sigurta, më mbrojtëse, më gjithëpërfshirëse për gjithë pjesëtarët e saj. Këto janë arsyet që, kur i vjen fundi një martese, dhe fundi i saj vjen për shkaqe natyrore ose të veprimeve të ndërgjegjësime të njerëzve, kjo konsiderohet me të drejtë si një prej dramave më të mëdha në jetën e një njeriu.

Për shkak se divorci sjell shumë pasoja, shumë nga vendet perëndimore e kanë njohur vonë të drejtën e tij. Italia fqinje e ka pranuar ligjërisht divorcin në vitin 1970, ndërsa Spanja e ka njohur me ligj të drejtën e divorcit në vitin 1982. Kurse Irlanda, një vend i rëndësishëm, ndër të parat vende që ka hyrë në BE, nuk e njeh ende institutin e divorcit në legjislacionin e vet.
Martesa është dukuri njerëzore. Si e tillë, ka fillimin dhe mbarimin e vet. Vdekja e njërit bashkëshort ose deklarimi i tij si i vdekur, nga njëra anë, dhe divorci nga ana tjetër, janë ato që i japin fund martesës.

Me mbarimin e martesës lindin një sërë problemesh, zgjidhja e të cilave lë plagë të pashërueshme, krijon një sërë vështirësish që bëhen “ferra” penguese e që të marrin një pjesë të madhe të kohës, shkaktojnë një stres të madh dhe të krijojnë çoroditje që e vuan gjithë jetën.
Avokati Idajet Beqiri, i cili e ushtron profesionin e tij në një nga zyrat e avokatisë në kryeqytet, ka shpjeguar për revistën “Spektër” të gjitha hapat që duhet të ndjekë një çift për të paraprirë problemet që mund të vijnë, në rast se ata divorcohen, në mënyrë që pasuria e të dyve të mbetet e paprekur. 

Ai shpjegon se legjislacioni ynë familjar, më konkretisht Kodi i Familjes i vitit 2003, e “ka thjeshtësuar” aq tepër problemin e divorcit sa mjaftojnë tri rreshta shkrim kompjuterik ose shkrim dore dhe, pasi ta kalosh “provën” e sorollatjes burokratike e të papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve që i shtyjnë gjyqet deri dhe për “hobi”, e shikon veten të divorcuar. Mirëpo “dardha e ka bishtin prapa”!
Martesa vërtet mbaron me divorc, por nuk mbarojnë aq lehtë një sërë institutesh të tjera juridike, të lidhura me lindjen dhe mbarimin e martesës, sikurse janë amësia dhe atësia, përgjegjësia prindërore, detyrimi për ushqim, birësimi, kujdestaria.

Mbi të gjitha, nuk përfundon lehtë zgjidhja e marrëdhënieve pasurore të bashkëshortëve pas divorcit, e cila, për hir të së vërtetës, në kushtet e ekonomisë së tregut është nga më problematiket, më të rëndat dhe që lë pasoja për të gjithë ish-pjesëtarët e familjes së divorcuar, madje edhe për trashëgimtarët e tyre. Në këtë aspekt, avokat Beqiri shpjegon se dukuria më negative në shoqërinë tonë është mungesa e edukatës juridike, ashtu si edhe për mjaft aspekte të tjera të jetës. Në gjykatat e vendit tonë ka një “bum” çështjesh për zgjidhje martese.

Që nga fillimi i vitit 2007 e deri tani në Gjykatën e Faktit në Tiranë janë regjistruar 1 084 padi për zgjidhje martese, nga të cilat 776 janë përfunduar, shumica me divorc, ndërsa pjesa tjetër është ende në proces. Duke parë statistikat e nxjerra nga kjo gjykatë, vit pas viti shihet qartë se numri i divorceve është duke u rritur me hapa galoponte. Madje, për nga numri i divorceve po ua kalojmë edhe vendeve më problematike të botës perëndimore. Avokati thotë se, në mënyrë paradoksale, numri i gjyqeve për ndarjen e pasurisë bashkëshortore nuk i përgjigjet, madje as i afrohet fare numrit të gjyqeve që bëhen për divorc. Këto gjykime janë të pakta në numër. Kjo ka arsyet e veta.

Në radhë të parë, trajtimi i tyre juridik, së bashku me divorcin, paraqet vështirësi të mëdha. Për këtë shkak, gjykatat e trajtojnë divorcin me shumë lehtësi dhe, gjithkush që e ka kërkuar divorcin i ka dhënë fund martesës pa asnjë problem. Ndërsa në çështjet për ndarjen e pasurive bashkëshortore gjykatat i veçojnë ose i orientojnë palët që të bëjnë një padi tjetër, për ta trajtuar në një gjykim të veçantë, gjë të cilën e parashikon legjislacioni familjar i vendit tonë. Këto gjyqe për ndarje pasurie nisin, por nuk “bitisen” deri me vite të tëra. Shkaqet se përse ndodh një fenomen i tillë janë të shumta. Kryesore mbetet mosnjohja e ligjit. Madje, subjekte të kësaj të keqeje nuk janë vetëm qytetarët, por dhe një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh. Mosnjohja e ligjit, nga njëra anë, dhe mungesa e edukatës juridike, nga ana tjetër, i kanë çuar shpesh bashkëshortë të ndryshëm t’i bëjnë veprimet para dhe pas martesore jo në rrugë ligjore, por me mendësinë “e muajit të mjaltit”. Por jeta ka të papriturat e saj, të cilat duhen parashikuar, sepse, duke i zëvendësuar aktet që duhet të bësh, bazuar në ligj, me “besimin e tepruar” te bashkëshorti apo bashkëshortja, një ditë ndodhesh në pozitë të disfavorshme për vete, për familjarët e tjerë, për personat e tretë, të cilëve familja u ka detyrime etj. 

Ndarja e pasurisë para viteve 90

Legjislacioni ynë për familjen, martesën, divorcin, përgjegjësinë prindërore, detyrimin për ushqim, për ndarjen e pasurisë bashkëshortore etj., ka evoluar dhe ka pësuar ndryshime të rëndësishme. Ata që i kanë lidhur martesat e tyre pas çlirimit të vendit, nuk e “kanë vrarë” shumë mendjen për të menduar më të keqen, divorcin dhe pasojat e tij. Kjo, për faktin se edhe po të vinte kjo “e keqe”, përsëri problemet e ndarjes së pasurisë bashkëshortore ishin të pakta. Mungonte në një shkallë të konsiderueshme pasuria e paluajtshme. Mungonte plotësisht veprimtaria private e bizneseve të ndryshme. Për rrjedhojë, kishte shumë pak gjëra për të ndarë, kishte pak raste huamarrje, huapërdorje, kredimarrje etj. 

Kontrata martesore, domosdoshmëri

Kompleksiteti i familjes së sotme ka karakteristikat e një minishteti, ku gjithçka duhet të rregullohet në bazë te sistemit të kontratave. Nëse para se të lidhësh martesën, në kohën e lidhjes së saj dhe gjatë gjithë kohës së bashkëjetesës, si burrë e grua në familje dhe në raport me fëmijët nuk i bën të gjitha veprimet në bazë të legjislacionit në fuqi, nesër e kërkon të drejtën tënde me “këmbë” dhe nuk mund ta zgjidhësh dot.

Madje, veç dëmeve që i sjell vetes,  mund t’u krijosh të tretëve probleme serioze.
Avokat Beqiri konsiston në faktin se bashkëshortët, para se të lidhin martesën, duhet patjetër të bëjnë kontratën e martesës, të cilën e parashikon edhe legjislacioni shqiptar. Përmes kësaj kontrate përcaktojnë statusin pasuror të familjes së tyre të ardhshme, kush do merret me administrimin e pasurisë, si do t’i ndërtojnë marrëdhëniet me personat e tretë, si do i trajtojnë dhuratat e ndryshme që do t’u vijnë në jetë, do të jenë ato të familjes apo individuale, si do të trajtohen pasuritë që u vijnë nga trashëgimia, nga krijimtaria e secilit etj. Kjo kontratë duhet të bëhet domosdoshmërish para martesës dhe efektet e saj ligjore fillojnë ditën që bëhet celebrimi i martesës.

Në rast se nuk bëhet një kontratë e tillë para martesës dhe para noterit publik, i cili ka detyrimin ligjor që ta çojë këtë kontratë në Zyrën e Gjendjes Civile, duke e bërë pjesë përbërëse të aktit që lidh martesën, bashkëshortët presupozohet se kanë zgjedhur regjimin e bashkësisë ligjore, lidhur me pasurinë bashkëshortore. Ky prezumim do të thotë se, në rast se burri ka marrë një hua apo ka një detyrim ndaj të tretëve, ky detyrim ndaj të tretëve është i përbashkët me bashkëshorten e tij.

Kodi ynë i Familjes, i ndërtuar prej modelit francez, ka të parashikuara në disa nene të tij, si konkretisht hartohet një kontratë martese, si mund të ndryshohet ajo dhe kur e si mund të ndërhyjnë personat e tretë që kanë interesa, për të mos lejuar spostimin nga detyrimet e ndryshme të njërit apo tjetrit bashkëshort, duke fiksuar në kontratë pika të tilla që i bëjnë të paekzekutushme detyrimet pasurore që kanë ndaj tyre njëri apo tjetri bashkëshort etj.Në kushtet e ekzistencës së kontratës se martesës, kur bashkëshortët divorcohen dhe kërkojnë pjesëtimin e pasurisë së tyre bashkëshortore, gjithçka është e lehtë për t’u zgjidhur, sepse në kontratë janë parashikuar me hollësi gjithçka nevojitet për një ndarje të butë e pa probleme. 

Zbatimi i ligjit të shpëton, e drejta zakonore shkakton drama

Pjesa më e madhe e bashkëshortëve e kanë fituar pasurinë e tyre me anë të trashëgimisë, si trashëgimtarë ligjorë të prindërve apo gjyshërve të tyre. Pas divorcit, me rastin e pjesëtimit të pasurisë, i kërkojnë si të vetat këto pasuri që i kanë fituar me trashëgimi. Para hyrjes në fuqi të Kodit të Familjes, në vitin 2003, pronat e fituara me trashëgimi prej njërit bashkëshort quhen pasuri e përbashkët bashkëshortore, dhe ajo ndahet në mes midis të dy bashkëshortëve. Kështu ishte parashikuar në legjislacionin familjar në fuqi para viteve 2003.

Ndërsa, pas hyrjes në fuqi të Kodit të Familjes, më 23 dhjetor 2003, çdo pronë e fituar me trashëgimi nga njëri bashkëshort konsiderohet individuale e tij dhe, në rast divorci, bashkëshorti tjetër nuk ka të drejtë të kërkojë pjesë nga ajo pasuri, me rastin e pjesëtimit gjyqësor.
Avokati tregon se ka shumë raste kur bashkëshortët tregohen neglizhentë gjatë “muajit të mjaltit” edhe me dhuratat e ndryshme që marrin. Mund të ndodhë që njërit prej bashkëshortëve t’i dhurojnë një shumë të konsiderueshme parash.

Ai i kthen ato në mall, duke blerë sende ose pasuri të patundshme për familjen. Paratë e dhuruara janë personale të bashkëshortit që i janë dhuruar. Po kështu, logjikisht dhe ligjërisht, edhe sendet apo pasuria e patundshme, që ai ka blerë me këto para të dhuruara, janë individuale të tij, pavarësisht se u futën në familje dhe shërbejnë si pasuri bashkëshortore. Mirëpo, që këto sende të konsiderohen individuale të bashkëshortit që i ka fituar me anën e shndërrimit të dhurimit të parave, në mall, duhet domosdoshmërish të pasqyrohet kjo gjë me shkrim në aktin e blerjes, duke e përjashtuar nga bashkësia ligjore. Ndryshe, pas divorcit, nëse një gjë e tillë nuk është bërë, sendet konsiderohen pasuri bashkëshortore dhe i nënshtrohen pjesëtimit midis dy palëve.

Me rëndësi për bashkëshortët, por, mbi të gjitha për personat e tretë, është respektimi rigorozisht i parimit që në kushtet e bashkësisë ligjore, domethënë në mungesën e kontratës mes bashkëshortëve për regjimin pasuror të familjes së tyre, çdo lloj kontrate që lidhet, çdo lloj marrëveshje që bëhet, për çdo akt-shitje, apo akt-marrje huaje, për çdo kredi që mund të merret në bankë etj., domosdoshmërish duhet të jenë palë të dy bashkëshortët dhe t’i nënshkruajnë të dy këto akte. Në të kundërtën, akti konsiderohet i pavlefshëm dhe bashkëshorti që nuk e ka firmosur kontratën, apo nuk ka dhënë pëlqimin me shkrim për bërjen e aktit, nuk ka asnjë detyrim as ndaj të tretëve, as ndaj bashkëshortit të tyre.

Në praktikën gjyqësore, në bashkësinë ligjore midis dy bashkëshortëve, ka lindur problemi se si duhet të veprohet kur njëri prej bashkëshortëve nuk e jep pëlqimin e tij për kryerjen e një veprimi të caktuar juridik, lidhur me pasurinë bashkëshortore që kanë. Për shembull, njëri bashkëshort nuk dëshiron, qoftë dhe për kapriço, të nënshkruajë një kontratë me një firmë ndërtimi lidhur me truallin që disponon, duke mos qenë dakord me bashkëshortin tjetër për shitjen e tij, ndonëse leverdia për bashkësinë ligjore është e madhe. Në këtë rast, bashkëshorti i interesuar për shitjen e kësaj pasurie të përbashkët bashkëshortore ka të drejtë t’i drejtohet me padi gjykatës kundër bashkëshortit tjetër dhe, në këtë rast është gjykata ajo që vlerëson se kush ka të drejtë, duke e gjykuar çështjen me objektivitet, me drejtësi dhe në bazë të provave e fakteve që afrojnë palët. Vendimi i formës së prerë i gjykatës është detyrues për bashkëshortin që e humbet këtë gjyq.

Bashkëshortët, me rastin e lidhjes së martesës, mund të mos kenë bërë kontratë për ta trajtuar regjimin pasuror të veçuar nga njëri-tjetri. Nëse kanë dëshirë, që këtë gjë ta bëjnë më vonë, domethënë pas disa vitesh të lidhjes së martesës dhe të bashkëjetesës si burrë e grua, legjislacioni ynë e lejon këtë gjë. Ata mund të shkojnë para një noteri dhe ta bëjnë kontratën. Noteri e depoziton menjëherë në Zyrën e Gjendjes Civile, ku ndodhet akti i martesës. Për palët e treta, që mund të kenë interesa ose mund të jenë kreditorë ndaj njërit bashkëshort, efektet e kësaj kontrate janë pas tre muajve nga regjistrimi i saj në Zyrën e Gjendjes Civile. Personat e tretë kanë të drejtën që këtë kontratë ta kundërshtojnë në gjykatë, në rast se vërejnë që ajo është bërë me qëllimin e vetëm që njëri nga bashkëshortët t’u shmanget detyrimeve që ka ndaj këtij kreditori.

Ndërkohë, avokat Idajet Beqiri shpjegon se për ato vajza që ende nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe martohen me leje të gjykatës, nuk mund të bëhet një kontratë e tillë, pasi legjislacioni ynë familjar nuk lejon një person që ende nuk ka mbushur 18 vjeç të bëjë kontrata, sepse ai ose ajo nuk e kanë zotësinë e plotë për të vepruar. Në këtë rast, regjimi i pasurisë së këtyre bashkëshortëve të martuar do të trajtohet si regjim pasuror i bashkësisë ligjore, çka do të thotë që çdo pasuri e blerë ose e vënë pas lidhjes së martesës është e përbashkët. Kur vajza të mbushi moshën 18 vjeçe ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e regjimit martesor, duke e zëvendësuar bashkësinë ligjore të pasurisë me kontratën e martesës për një regjim pasuror të ndarë. 

Ndarja e pasurisë në vendet perëndimore

Në botë, posaçërisht në vendet perëndimore, mbizotëron regjimi i pasurive të ndara bashkëshortore. Secili bashkëshort e ka pasurinë e tij të ndarë, dhe e shton ose e pakëson atë. Nisur nga parimi “secili për vete”, cilido bashkëshort përgjigjet me pasurinë e tij për detyrimet individuale që ka, për borxhet që marr, për kreditë e ndryshme etj. Një regjim i tillë bën të mundur ndarjen e pasurisë midis bashkëshortëve edhe kur ata janë ende të martuar me njëri-tjetrin.

Ndërsa, kur nuk ekziston një kontratë e tillë, pa u shpallur më parë divorci mes bashkëshortëve, nuk mund të pjesëtohet kurrsesi pasuria e tyre bashkëshortore.
Me rastin e divorcit, nuk u nënshtrohen pjesëtimit të pasurisë bashkëshortore sendet personale të bashkëshortëve. Në sendet personale futen sende të tilla, si bizhuteri, syze, libra, koleksione të ndryshme, veshjet etj.

Pasuri vetjake është edhe ajo që është vënë ose është sjellë nga bashkëshorti me vete, para martesës. Pasuri vetjake janë edhe mjetet e punës për ushtrimin e profesionit të njërit prej bashkëshortëve. Pasuri vetjake është edhe ajo e fituar nga njëri bashkëshort, nga një shpërblim për një dëm vetjak që atij i është shkaktuar. Këto nuk i nënshtrohen pjesëtimit gjyqësor të pasurisë pas divorcit. 

Divorci në SHBA

Të paktën, gjysma e të gjitha martesave në Shtetet e Bashkuara nuk mbijetojnë, duke lënë 18 milionë fëmijë me prindër të divorcuar. Kishat konservatore të Amerikës e kanë shpallur ditën e diel si Ditën e Mbrojtjes së Martesës pasi, sipas tyre, divorcet po e shkatërrojnë familjen amerikane. Divorci është një prej arsyeve që, adoleshentët amerikanë sot kanë prirjen të jetojnë të ndarë nga prindërit e tyre biologjikë.

Konservatorët janë shprehur gjithashtu me forcë kundër martesave midis njerëzve të të njëjtit seks. Ka edhe disa elemente të tjera që flasin për ndryshimin që ka pësuar familja amerikane në ditët tona. Sot, një në çdo tre fëmijë ka si nënë një grua të pamartuar, ndërkohë që edhe para se çiftet homoseksuale të lidhnin kurorë në mënyrë të ligjshme, shumë fëmijë rriteshin në familje ku prindërit i përkisnin të njëjtit seks. Shpesh, shoqëria i konsideron këta fëmijë si viktima të marrëdhënieve të dështuara të prindërve, të paaftë për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme.

Megjithatë, studime të ndryshme kanë vërtetuar se pjesa më e madhe e këtyre familjeve e ruajnë strukturën e familjes. Këto janë struktura më komplekse, por, megjithatë, janë familje. Fëmijët rriten mirë. 78 për qind e tyre janë dakord me vendimin e prindërve për divorc. Madje, edhe baballarët angazhohen më tepër në jetën e fëmijëve, pasi kanë mundësi të krijojnë një marrëdhënie të re e të pavarur.

Rezultatet e studimeve tregojnë se fëmijët mund të krijojnë marrëdhënie të mira me bashkëshortin e prindit të tyre, por kjo nuk ndodh menjëherë. Pa dyshim që ka edhe probleme, si për shembull fëmijët nga martesat e mëparshme, dhe marrëdhëniet mes tyre shpeshherë janë të ndërlikuara e të pasuksesshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora