E marte, 10.12.2024, 04:21 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Ëndrra italiane: Agusta

E diele, 16.12.2007, 12:20 AM


MV Agusta F4 1000 e të madhit inxhinier Tamburini është nga ata motorë që të gjithë ëndërrojnë ta ngasin të paktën një herë në jetë. Janë vetëm 300 ekzemplarë në gjithë botën që nga prodhimi i Serie ‘d Oro. Tani bëhuni gati, vishni dorezat, çizmet dhe kaskën, uluni, në pozicion dhe... nisemi për rrugë!

E pamundura është e mundur... për MV Augusta-n, që kanë ditur gjithmonë ta bëjnë. Mjafton të shohësh F4 1000 Tamburini-n, qoftë edhe për pak çaste. E nxjerrë në treg në vitin 2005, ky model, me vetëm 300 ekzemplarë të shpërndarë në të gjithë botën, ashtu si të gjithë variantet speciale të modeleve MV Augusta (si F4 Serie 'd Oro, F4-SENNA, F4-SPR dhe F4-AGO), F4 Tamburini është prodhuar vetëm një herë e nuk do të përsëritet më. Ky model me prodhim të kufizuar tashmë është shitur dhe nuk gjendet më në treg. Bëhet fjalë për një motor me të vërtetë të veçantë, kushtuar atij që i ngjizi format dhe të gjithë atyre motoristëve gjithnjë në kërkim - ashtu si Massimo Tamburini - të përsosmërisë maksimale të rrotave.

Ëndrra e një dizajneri

“Ëndrra e çdo inxhinier dizajneri është të dalë në dritë me motoçikletën më të bukur sportive në botë, duke e shndërruar pastaj në më të shpejtën, më ekskluziven, më të kërkuarën dhe më të shiturën në treg. Kjo ishte edhe ëndrra ime. Doja të ndieja reagimin e një motori garash që do të mund të shndërronte çdo gramë fuqie, përmes tokës poshtë meje, për t’u mbështetur dhe përqafuar kthesat. Doja të shihja përsosmërinë në çdo detaj të materialit, formës dhe efikasitetit. Një shembull i elegancës mekanike që do të ishte e pavdekshme. Doja një motoçikletë me përmasa jo të përgjysmuara, një motor që do të kombinonte të gjithë teknologjinë e provuar në vite të tëra kërkimi. Një motor kushtuar njohësve dhe adhuruesve të vërtetë të motorëve. E gjithë kjo ishte ëndrra ime. Sot është bërë e vërtetë”- shprehej Massimo Tamburini pas realizimit të kryeveprës së tij, të prezantuar në Sallonin Intermot në Mynih në vitin 2004. Të gdhendësh materialet dhe t’i shndërrosh në një punë artistike prej motori. Kjo është shpikja gjeniale e Massimo Tamburini-t dhe fjalët “dizajner” apo “inxhinier” zvogëlojnë madhështinë e punës së tij. Si krijuesi i disa prej motorëve më mbresëlënës në historinë e motoçiklizmit, Tamburini ka qenë forca, pas ngjarjes më domethënëse të motoçiklizmit në shekullin XX: MV Augusta F4. versioni F4 Tamburini është një përzierje e një legjendari me të gjithë shkëlqimin nga ka ardhur. Është një ikonë që demonstron teknologjitë inovative dhe zgjidhjet elegante, e destinuar për të hyrë në legjendën e shpejtësisë. “Motorët na bëjnë të ëndërrojmë. Ata kanë ngjyra të ndryshme, tinguj të ndryshëm. Ndonjëherë kanë forma që tregojnë se çfarë i ka frymëzuar krijuesit e tyre. Ndonjëherë këto krijesa janë vepra të vërteta, që e kthejnë dizajnerin në artist. Ky është rasti i Massimo Tamburini-t, një inxhinier dizajner që ka revolucionarizuar konceptin e motorëve sportivë duke i ngritur në kufij të rinj performance, duke i dhuruar bukuri të pakrahasueshme. Për t’i dhënë meritat këtij individi unik, dua që krijimi i tij i fundit të quhet si ai,  me prodhim të kufizuar e  me karakteristika të veçanta. Ky motor ka atë pamje që të gjithë motoristët e dashurojnë, me sofistikimin mekanik, për të cilin ata kanë ëndërruar përherë. Ka zemrën e një motori garash, si dhe të gjithë elegancën e një punë artistike individuale. Ka të gjithë historinë tonë dhe pasionin në shpirtin e tij”, shprehet Claudio Castiglioni, drejtori i përgjithshëm i MV Augusta-s. 

Piloti i performancës

MV Augusta F4 1000 Tamburini rillogarit skemën teknike origjinale të propozuar më parë për versionin 1000 kuaj fuqi. Tamburini ka katër cilindra në linjë dhe pirunët janë monokrahë. F4 Tamburini karakterizon teknikën më të besueshme dhe personale që mund të ofrohet në një prodhim motori. Pjesa fundore e parme është e dominuar nga piruni i Marzocchi-t, punuar me 50 mm nitrur titani, të futur në shufra me bazë alumini. Ndërsa rrota e prapme është e pajisur me një amortizator revolucionar, Sachs Racing, i cili i përket së njëjtës familje me ato të përdorura në garat Formula 1. Njësia është 1200 gramë më i lehtë, si pasojë e mungesës së rezervuarit të gazit dhe është i pajisur me përmirësime në: ngjeshjen e kthyeshme më të zbutur (shpejtësi e lartë/shpejtësi e ulët), elasticitet, si edhe kontroll hidraulik që e bën kalibrimin më të lehtë dhe më të saktë. Impianti frenues i parmë është i ndërtuar nga dy nofulla të reja “Nisin Sacing”, me kalibër 6 pistonash (me diametër të diferencuar), që veprojnë mbi disqet me diametër prej 310 mm, të realizuara me aliazh alumini në vend të çelikut. Të pandryshueshme frenat e pasme,  të pajisura me një nofull 4-pistonashe, që vepron mbi diskun me diametër 210 mm. Rrotat e tipit Marchesini janë frymëzuar nga i njëjti dizajn që përdoret në motorët e garave Grand Prix. Ata janë tepër të lehtë në peshë, më  të fortë dhe me inerci më të vogël xhiroskopike, që rrisin lehtësinë në manovrim dhe potencialin për sa i përket shpejtësisë.

998 cc për 173 kuaj fuqi dhe 307 km/h!

F4 1000 Tamburini evoluon më të mirën e parë deri më sot. Baza e bërthamës mekanike bashkëndan bazamentin, manovrimin dhe transmisionin me versionin F4 1000 S, veç sistemit të drejtimit të motorit dhe sistemit elektronik kundër goditjeve EBS. Zemra e performancës F4 1000 Tamburini është sistemi i revolucionarizuar TSS (Sistemi i Çiftit Rrotullues dhe Shkëputjes), bazuar në konceptin e gjeometrisë variabile të aspirimit. Kjo është e para absolute në historinë e motoçiklizmit dhe është hera e parë që një inovacion i tillë vjen për një motoçikletë në prodhim masiv. Rezultati është: një motor që ofron përgjigje të menjëhershme edhe nga xhiro më e ulët dhe pozicioni më i madh i rrotullimit (83.1 ft-lbs ndaj 9,200 rpm) që shkon në rreth 1.000 rpm më pak se sa modeli F4-1000-S. Pjesa termike i lejon motorit të Tamburinit të zhvillojë në kushte të mira dhe me ushqyerje statike të fuqisë mbresëlënëse prej 173 kuajsh fuqi, 11.850 rrotullime për minutë.  Kjo performancë e pabesueshme është veç përdorimit të profilit Cam, më e orientuar ndaj pistës se sa përdorimit të rrugës. Tubat e aspirimit dhe të shkarkimit i përngjajnë modelit F4 S, por në çdo pjesë të kësaj serie të kufizuar, tubat e aspirimit janë të ripërpunuara, të shkëlqyeshme dhe të bashkuara në mënyrë manuale me elasticitetin e duhur për të maksimizuar performancën. Kandelat me shkarkim sipërfaqësor (të prezantuara më parë te F4 750 SPR ) lejojnë një djegie të plotë dhe të sigurt edhe në përdorimin më të tërbuar të pistës dhe sigurojnë një rritje të mëtejshme të fuqisë maksimale. Motori është ndërtuar me profile aspirimi dhe shkarkimi me ngrehina të rritura në përkatësisht 10.3 dhe 9.0 mm. E gjitha kjo, për të zhvilluar performancat maksimale me regjimet më të larta dhe për të lejuar mundësi më të gjera zhvillimi në fushën e garave, duke qëndruar në sferën e rregulloreve të reja të super motorëve. Performanca? Për të kuptuar entitetin, mjafton të tregojmë shpejtësinë maksimale: 307 km/h!

Në ndryshim me sistemet e zakonshme me teleskop, sistemi TSS shfrytëzon një mbështetje të lehtë të aluminit në bazë të përmasave dhe regjimeve me anën e dy pozicioneve dhe katër gypave të shkarkimit me përmasa të ngushta – e realizuar posaçërisht për një performancë të lartë dhe shkëputje të menjëhershme. Në këto kushte, motori reagon në mënyrë dinamike. Një sistem special pneumatik me drejtim elektronik merret me furnizimin e energjisë së nevojshme për vënien në lëvizje të sistemit, duke shfrytëzuar vakumin e krijuar nga tubat e shkarkimit. Në këtë mënyrë, sistemi TSS është i aftë të mbajë në mënyrë konstante shpejtësinë e motorit të dhënë nga çifti rrotullues, ndonëse piloti i saj mund të ulë xhirot nga 10.000 rrotullime për minutë në 9.000 rrotullime.

Jo vetëm teknikisht...

Ndryshimet nuk janë vetëm estetike nga pamja e jashtme, por ka edhe modifikime thelbësore. Duke nisur nga grafikat  për të shkuar te materiali, tani i përzier. Nuk mungojnë as detajet si ndenjësja në lëkurë të kuqe me logon F4 të qëndisur mbi jastëk, mbështetësja e këmbëve e mbushur nga brenda dhe sidomos pjesa e lartë e timonit, ku është vendosur një pllakë ari 18-karatësh, që tregon emrin e modelit dhe numrin e serisë. Takometri ka sfond të bardhë dhe numra të zinj dhe qëndron pranë ekranit dixhital, i cili ka një funksion të shtuar në kronometër. Për t’i dhënë pilotit të saj agronomi më të mirë drejtimi, dorezat e realizuara me alumin të farkëtuar janë anuar me 5° horizontalisht dhe janë sjellë përpara me 5 mm. Është pajisur edhe me frena të reja, që përmirësojnë zbutjen e dridhjeve të rrugës së papërshtatshme. E gjithë karroceria e F4 Tamburini-t është bërë me fibra karboni, duke përfshirë edhe tubat e shkarkimit. Veshja speciale e brendshme e lë thurjen e fibrave të karbonit të dukshme për syrin, duke e theksuar edhe më tej përdorimin e këtij materiali. Disqet janë prej aliazh magnezi dhe i janë shtuar dizajnit të gdhendur në mënyrë elegante të krahut progresiv (pesha: 4.1 kg), që  theksojnë esencën e projektit Tamburini F4. Ky material që peshon pak është përdorur gjithashtu për strukturën e disqeve (pesha: 1.08 kg) dhe për piastrën më të ulët të pirunit. Mbështetëset e këmbëve janë të shndërrueshme dhe nuk janë të bëra vetëm nga një pjesë e ngurtë, por kanë edhe logon e F4 1000. Edhe parafangoja e pasme me fibra karboni është e re. Fibrat e karbonit janë përdorur edhe për ekranin mbrojtës nga nxehtësia e madhe.

Përgatiti: Suadela Balliu - Revista ONE



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora