E hene, 09.12.2024, 06:59 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Moda sipas Kengetareve Jonida, Adelina, Elvana, Soni, Orinda …

E merkure, 26.12.2007, 04:57 PM


I kemi parë duke kënduar. Por ja që ato kanë synuar përtej kësaj. Të bëhen edhe modele. Sepse janë të gjitha vajza që dinë të vishen bukur, kanë shije të holla dhe fizik elegant.Ç’duhet më shumë për përshkuar një pasarelë apo reklamuar veshje para një aparati fotografi ?Është loja e tyre e preferuar.Që ndonjëherë të kapërcejnë kornizat e këngëtares dhe të shfaqen si modele të njëmendta, duke pozuar ose duke sfiluar. E fundit që e bëri ishte Jonida Maliqi. E para saj edhe Adelina Ismaili, Soni Malaj, Orinda Huta dhe Elvana Gjata.

Elvana Gjata mund të quhet imazhi i Taxi Mapo. Sepse përveç fotografive që t’i kap syri anë e kënd dyqanit, edhe një reklamë televizive ka për imazh pikërisht këngëtaren Elvana Gjata. Në ekran dalin një nga një fotot ku ajo ka pozuar me veshjet e këtij dyqani dhe zëri është sigurisht i saji.

Duket se bashkëpunimi i saj disavjeçar me Florian Mumajesin nuk ka ngelur vetëm në këngët që ai krijon për të e që pastaj kthehen sa hap e mbyll sytë në hite.Sepse së fundmi vajza sportive ka pranuar edhe rolin e modeles. Disa foto që sjellim një look 100 për qind ndryshe nga stili i saj i zakonshëm që përmblidhet në bluza të pambukta, xhinse, atlete e grim i lehtë. Ndërkaq që në këto foto pamja e saj duket e kuruar: grim profesional, krehje fashion dhe s’do mend edhe qëndrim prej profesionisteje. Me pak fjalë asnjë detaj që të mund të bëjë ndryshimin mes një modeleje prej vërteti. Janë të rralla rastet kur e kemi parë të vishet klasike me veshje elegante. E një ndër to është edhe rasti i pozave prej modeleje, që na e sollën këngëtaren në një tjetër prizëm.

Adelina Ismajli
Adelina Ismaili këngëtaren kosovare e kemi parë jo pak herë teksa pozon para aparatit fotografik, më së shumti të Fadil Berishës. Për çdo album të ri, sezon koncertesh, shndërrime në look apo qoftë edhe për qejfin e saj, nuk ka vonuar të realizojë setin fotografik të radhës. E pastaj ato foto i sheh të publikuara faqeve të revistave,internetit e jo pak herë edhe në ekran sa herë që flitet për Adelina Ismailin. E meqë kjo ndodh vërtet shpesh, tashmë jemi bërë të gjithë dëshmitarë se rolit të modeles para bliceve ajo ia ka marrë dorën mirë. Por ndoshta jo të gjithë e dinë, se Adelina ka shkuar edhe përtej kësaj. Të pozojë për qëllime të pastra modelingu. Jo në ndonjë pasarelë (edhe pse këtë me siguri nuk do ta kishte të vështirë ta bënte) por për reklamimin e veshjeve të dyqanit Taxi Mapo. Kjo është strategjia që Flor Mumajesi ka zgjedhur për marketingun e biznesit të tij. Reklamim të veshjeve nëpërmjet ikonave të njohura. Adelina i ka munguar vërtet prej shumë vitesh skenës shqiptare. Nuk e shohim më në asnjë festival e as në ndonjë koncert. Prej një kohe të gjatë e ka izoluar aktivitetin e saj vetëm në Kosovë. Ama për
të pozuar në dyqanin Taxi Mapo veshur me rrobat që tregtohen aty, nuk ka pasur kurfarë ngurrimi.

Soni Malaj edhe sikur të mos kishte një histori dashurie me Florian Mumajesin, me siguri do të ishte përzgjedhur gjithsesi për të pozuar me veshjet e Taxi Mapo. Sepse Flori do ta kishte slektuar jo vetëm për faktin se është këngëtarja e njohur që do të tërhiqte vëmendjen më së pari sapo dikush vë këmbën në dyqan. Por edhe sepse në trupin e Sonit veshjet do të reklamoheshin më bukur se në çdo manekin të ngurtë që vendoset pas vitrinave të xhamta. Linja elegante, imazh i kuruar dhe ja ku edhe Soni u bë modele. Fotot e saj janë më të dukshmet në dyqanin e veshjeve. Ajo nuk ka provuar kurrë të jetë pjesë e ndonjë sfilate mode. Ndoshta me siguri edhe për faktin se në Tiranë evente të tilla nuk është se janë edhe aq të shpeshta. Por midis një ecjeje alla Gisele Bundchen e një pozimi para aparatit, Soni me siguri do të kishte zgjedhur këtë të dytin. Dhe nuk e ka pasur aspak të vështirë të përvidhet nga kornizat e saj prej këngëtareje e të mbërthehet në një fotografi duke reklamuar veshje. Soni duhet joshur vërtet shumë nga eksperienca e re që i është ofruar, ndaj pa e bërë të gjatë, ka pozuar si një modele e vërtetë kopertinash.

Orinda Hutën, ata që kanë sy të mprehtë e kanë vënë re me siguri se ka një stil që është një dhe vetëm një ekstravagant. Në të gjitha daljet e saj në skenën e festivaleve dhe jo vetëm, ka treguar se nuk i pëlqejnë veshjet e thjeshta.Përkundrazi luan me teprimet, me detajet super të dukshme dhe është ekzibicioniste e thekur. E duke pasur parasysh këtë, vajza me sy bojë qielli nuk mund të mos joshej edhe nga një fustani bardhë e nga një tapet i kuq. Sepse eksperienca të tilla ekstravagante e tërheqin Orindën si me magnet. Ndaj edhe pa e bërë të gjatë u shfaq veshur me të bardha si një nga modelet e përzgjedhura nga Geraldina Sposa. Një vajzë që gjithmonë e kishim parë me mikrofon në dorë në skenat e festivaleve, që krejt papritur sfilon mbi një pasarelë e veshur si nuse,sigurisht që nuk mund të të linte indiferent.E me siguri që Orinda e ka ditur që në fillim këtë. Ndoshta nuk do të ngelet ekseprienca e parë dhe e fundit. Sepse askush nuk mund të thotë se Orinda nuk ia doli mbanë të ishte edhe modele.

Jonida Maliqi
Jonida Maliqi të jetë personazhi i radhës në një revistë apo gazetë, kjo tashmë është gjëja më normale që mund të ndodhë. Pas kaq shumë vitesh në skenë,ajo është kthyer në të preferuarën e mediave, madje ka pushtuar sa e sa herë kopertinat e revistave. Sepse përherë të rejat që ndodhin në jetën e saj profesionale
dhe private kanë ngacmuar keqazi kërshërinë e gazetarëve. Por ja që në numrin e radhës të revistës Jeta, Jonida Maliqi nuk ka dhënë kurrfarë interviste. E as ndonjë shkrim nuk është shkruar për të. E megjithatë, fotot e saj të bëjnë të ndalosh gjatë në ato faqe: Jonida teksa pozon si modele. Stilisti Ardi Asllani ka zgjedhur pikërisht atë për të publikuar koleksionin e tij të radhës. Ndoshta sepse e ka parashikuar se kështu do të tërhiqte më shumë vëmendjen. Sigurisht një këngëtare që pozon si modele të kuriozon shumë herë më tepër sesa një vajzë e panjohur. Ose ndoshta Ardi e ka ditur se tendencat e reja të modës veshur në trupin e Jonidës janë guri që qëllon në shenjë. Kush më mirë se ajo, që tashmë është cilësuar kaq e kaq herë si këngëtarja që vishet më bukur, që luan me imazhin e nuk bëhet kurrë e mërzitshme, do të ishte e përshtatshme për të pozuar me veshjet e krijuari së fundmi mbi trup? E po ta shohësh, Jonida ia ka dalë vërtet mbanë. Qëndrim prej modeleje, lëvizje, ajër, klas dhe linja elegante. Një modele e vërtetë. Kjo për Jonidën mund të quhet eksperienca e dytë, pas asaj të pasarelës me fustane nusërie organizuar nga Geraldina Sposa. Në sfilatën e përvitshme të tendencave më të reja të veshjeve të bardha, ajo ishte zgjedhur si nusja e nderit. Një fustan i bardhë pas trupit, një vello e stërgjatë, me të cilën luajti bukur, dhe një performancë që Jonida e dhuronte për herë të parë. Por që sigurisht nuk do të ngelej e fundit. E këtë sapo na i ka provuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora