Mendime
Sejdi Peka: Dik Marti, si mercenar i mëkuar në stepat e Uraleve
E hene, 28.03.2011, 06:58 PM
Dik Marti, si mercenar i mëkuar në stepat e Uraleve
Nga Sejdi PEKA
Mbarë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar këto ditë u bë dëshmitar i një tjetër orvatje të turpshme të makinerisë propagandistike tipike sllavo-komuniste të qarqeve serbe, që këtë rradhë depërtuan edhe në mekanizmat e Asamblesë Parlamentare të KE.
Politika zyrtare e Beogradit akoma nuk është shkëputur nga ideologjia komuniste e parimit se “duke shpifur diçka do të mbetet”. Ky fakt nuk mundet më të çuditë askënd. Por është me të vërtetë shumë për t’u çuditur se si është e mundur që të përdoret një eurodeputet ose raportues për të drejtat e njeriut si Dik Marti, në mënyrën më të papërgjegjshme, të godasë mu në thelbin e zemrës një popull në mes të Europës që sapo ka hedhur tej shtypjen dhe terrorin më barbar serb, eksodin “biblik” pa shembull tjetër në botë, që me gjakun e qindra mijra martirëve të lirisë dhe ndihmën e Aleancës Atlantikut të Veriut dhe mbarë qeverive demokratike të botës ka fituar lirinë dhe pavarësinë. Të hedhë vrerin kundër popullit të Kosovës, me qëllim të përcaktuar që sa të jetë e mundur të pengohet integrimi i Kosovës në familjen europiane dhe nga ana tjetër duke shpifur të pengohen njohjet e reja për shtetin e ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Duke dëgjuar konferencën për shtyp që Dik Marti, raportuesi për të drejtat e njeriut në KE që po mbante në Paris me datë16 dhjetor, lidhur me raportin në fjalë, që akuzonte UÇK dhe udhëheqësit e saj kryesorë të kësaj lufte, me pafytyrësinë më të madhe “për krime kundër njerëzimit, vrasje masive të serbëve për trafik organesh etj.”, edhe njeriu më i painformuar mundet të bindet se këto janë shpifjet më të ndyra që mendjet e sëmura trashëgimtare të Millosheviçit, Sheshelit, Qosiqit dhe kompani mundet të fabrikojnë. Me këtë rast, Dik Marti në përgjigjet e tij konfuze përpara gazetarëve, përpiqet të “lajë duart” se “kjo na qenka detyra e tij, të bëjë raportin dhe kjo detyrë mbaron këtu”. Dhe më tej se “tani duhen bërë hetimet”. Por ky raportues dhe mashtrues njëkohësisht nuk tha asnjë fjalë për përgjegjësinë e tij si eurodeputet kur këto akuza kur do të konsiderohen gënjeshtra, përpara popullit shqiptar të Kosovës dhe atij europian, për goditjen që i ka bërë në tërësi kombit shqiptar, duke i akuzuar lavdinë dhe historinë e një populli të tërë. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe formacioni luftarak i UÇK, nuk ka asnjë dyshim se do të mbeten njëri ndër kapitujt më të lavdishëm në historinë e kombit shqiptar. Fitorja në ballin e luftës kundër agresorit serb me ndihmën e Amerikës, NATO- dhe Europës demokratike ia shton shumë më tepër vlerën kësaj lufte në shkallë ndërkombëtare. Pikërisht këtu synojnë çarqet e Beogradit, të ulin me të gjitha mënyrat e mundshme dhe të pandershme vlerat e kësaj lufte për liri dhe dinjitet kombëtar në përgjithësi kundër popullit shqiptar. Në të gjithë historinë e tij plot vuajtje dhe sakrifica për liri dhe identitet kombëtar, kurrë nuk ka qenë në traditën e shqiptarëve krimi monstruoz kundër armiqve të tij. Shqiptarët kurrë nuk kanë vrarë njerëz të pambrojtur, gra, pleq, fëmijë, njerëz që janë dorëzuar si robër lufte. Në të gjithë historinë e tyre shqiptarët kurrë nuk kanë sulmuar kombet e tjerë për t’i pushtuar. Historia e tyre plot vuajtje dhe sakrifica ka qenë mbrojtja e trojeve të tyre amtare. Përkundrazi, kjo ka qenë vija politike konstante e qeverive shovene të Beogradit, që kanë urdhëruar formacionet e tyre ushtarake dhe paraushtarake, gjatë gjithë historisë tonë kombëtare, për të shfarosur me të gjitha mënyrat e mundshme popullin shqiptar të Kosovës. Shqiptarët asnjëherë në histori, nuk kanë hartuar strategji të posaçme për shfarosjen e kombeve të tjera si Memorandumi i Akademisë së shkencave të Serbisë i hartuar nga Dobrica Qosiq në vitin 1985. Në vitin 1998, qeveria e Millosheviçit publikisht po përkrahte politikën e Vojisllav Sheshelit që në atë kohë ishte antar i qeverisë “që të gjithë shqiptarët të infektoheshin me virusin e AIDS-it” (shih Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, fq.26). Ata nuk kanë kursyer vrasjet masive të pleqve, fëmijëve, burrave dhe grave, pa përjashtim kundër njerëzve të pambrojtur, në historinë afro të një shekulli që e kanë mbajtur Kosovën të pushtuar. Me pafytyrësinë më të madhe, Marti do të deklaronte me këtë rast se “qeveria serbe u tregua humane pasi tregoi varrezat masive të shqiptarëve në Serbi”. Një hipokrizi e tillë nuk është parë dhe as dëgjuar qoftë edhe në gojën e një gazetari më të rëndomtë i indoktrinuar me ideologji fashisto-komuniste. Një tentativë të tillë për të përdhosur sa të ishte e mundur luftën e popullit shqiptar dhe të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, është bërë më parë edhe nga Karla Del Ponte, në fundin e karrierës së saj pa lavdi. Gënjeshtra e saj e publikuar nëpërmjet një libri me alibinë e ndodhjes së një “shtëpie të verdhë” në Shqipërinë veriore, degjeneroi të ishte një gënjeshtër nga më absurdet. Këtë fat do të ketë edhe Marti. Janë sot qindra e mijra shqiptarë të Kosovës të zhdukur nga masakrat serbe të Millosheviçit. Janë qindra e mijra nëna kosovare të veshura me të zeza që kërkojnë eshtrat e bijve të tyre. Është një popull që ka të hapura shumë plagë që dhëmbin fort. Është një popull që aspiron për një jetë më të mirë në kuadrin e Europës Demokratike. Bash në këtë moment, sapo përfunduan me sukses zgjedhjet parlamentare në Kosovë, këlyshi i paguar i Beogradit, i mëkuar në stepat e Uraleve, hodhi helmin e tij kundër lavdisë dhe krenarisë së një kombi, me qëllim për të mjegulluar sa të jetë e mundur suksesin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Menjëherë si në një akord të neveritshëm, ministri i jashtëm serb Jeremiç, foli si në jerm menjëherë pas deklaratës së agjentit të Beogradit se “kjo është një fitore e madhe e Serbisë”. Por më kot lëpihen çakejtë e Serbisë. Kosova njëherë e përgjithmonë ka shkallmuar robërinë serbe së bashku me ëndrrat e tyre si të gomarit që e kishte ngrënë ujku dhe po shpresonte se ishte në ëndërr. Padia ndërkombëtare për shpifje e ngritur kundër këtij famëkeqi raportues i KE, nga njëri nga udhëheqësit e asaj kohe të UÇK. Hashim Thaçi, shumë shpejt do të provojë edhe njëherë tjetër, se propaganda sllavo bolshevike e Beogradit është e dështuar por njëkohësisht edhe një qeveri e turpëruar, në vazhdën e të gjitha qeverive që kanë udhëhequr popullin serb. Nga ana tjetër nuk i nderon por përkundrazi i poshtëron deri në nivelin e një tradhtie kombëtare orvatjet tinzare të disa TV që dihen publikisht se janë të Edi Ramës, gjoja se nëpërmjet një lajmi, po bëjnë në të vërtetë propagandën e Beogradit, lidhur me shpifjet e Dik Marti. Por edhe ky fakt nuk është i rastësishëm. Akoma ekzistojnë lidhjet shpirtërore “bazuar në internacionalizmin proletar” të partive socialiste këtu në Shqipëri dhe në Serbi, si trashëgimtare të drejtpërdrejta të partive komuniste. Duke bërë fjalë për luftën e popullit të Kosovës në vitet 1998-99, Profesori Malcolm shkruan: “Çdo lloj qeverie pas Berishës kishte të ngjarë që të kishte më pak gatishmëri për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës.” (Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, fq. 370).