Kerko: Remzi Salihu
Remzi Salihu: Fenomeni i fluturimit fiktiv në freskinë e fjalës së fshehtë
E enjte, 06.01.2011, 08:51 PM
FENOMENI I FLUTURRIMIT FIKTIV NË FRESKINË E FJALËS SË FSHEHTË
Flatra të fluturta fjalësh të poetit Balil Gjini, botoi “Toena”, Tiranë
Nga Remzi Salihu
Një klithmë që lidhet midis reales dhe vetmisë, midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, midis simbolit dhe thellësisë së mendimit, midis gjuhës dhe lojës së fjalëve, mu aty ku bulojnë në gjuhë zambakë të kthjelltë kuptimesh që shpërlajnë kujtesën e frikës nga ndotësitë e kohës, sjell në skenë vendosje pak sa për të shmangur nga vetja ankthin, trishtimin, për një çast, edhe marrëzinë, anomalinë, llavën e zjarrtë, që del nga thellësia e shpirtit bashkë me kraterin e fshehur në thellësitë e ndjenjave që shëmbëllejnë si formë tingujsh të renditura me delikatesë shkronjash e fjalësh të eksperimentuara mirë dhe me kujdesin më të madh tingëllor e gjuhësor.
Në krahun e poezive eksperimentale qëndron edhe poeti Balil Gjini me vëllimin poetik “Flatra të fluturta fjalësh”. Poeti me anë të këtij vëllimi fluturon me një shkathtësi shprehëse nga fjala në fjalë, nga vargu në varg, për të krijuar flatra kuptimi, për të hapur dritare metaforash të ?qelqta? nëpër shumësinë e gjuhës që del si klithmë shpirtërore nga shpella e jerevisë së thellë dhe reales së një populli. Midis tingullit e ritmit dhe midis fjalës dhe shprehjes shpalon psherëtimat e një thellësie të madhe të ëndrrave që fluturimi i imagjinuar i duket i fiksuar në stil, në maje më të larta të këtij lloji këngëtimi. Por ai me shkathtësi ndërton ironi spontane nëpër vargjet e tij, për të çjerr maskën e shëmtuar të atyre që sillen si engjëj nëpër gropën e hapur të varfërisë shpirtërore e gjuhësore. Ai kërkon një vend të caktuar për engjëjt e rrejshëm, një gropë të caktuar, ku do të kenë WC-në e tyre të përbashkët të së keqes, sepse ata, si të tillë që shtiren, lëndojnë shpirtin e qenies që “kuturbon” erë “si kandil i vjetër te koka e një varri”. Shqetësimet, dromcat poetike shëtitin si zinxhir kuptimi, mërzia dhe sakrifica për ëndrrat e ?zbërdhylta? e që në esencë qëllimi, ndërtojnë kullën e dhimbjes së përgjithshme. Para nesh kemi një hapësirë të gjerë. Kjo hapësirë është e përmbushur me fjalë më të qëndisura që qëndrojnë në largësitë më të fshehta të kuptimit të fjalës. Poeti me anë të retiçencave poetike si dhe me anë të performancave të heshtjes e lë kuptimin e shkëputur për një çast, për ta futur lexuesin në gjurmimin e kuptimit midis rreshtash e vargjesh. Gjini përdor një sintaksë të mëvetësishme për ta derdhur shprehjen dhe vëmendjen mbi fonemat e nënkuptuara, sepse edhe shenjat e pikësimit janë ?dele? që gjenden gjithkah e që sjellin ngritjen dhe heshtjen e vargjeve, pyetjet dhe habitë nëpër vargjet poetike e që në esencë sjellin tërësinë kuptimore të këngëtimit. Poeti për çdo shenjë dhe shkronjë jep kuptim interpretimi. Ai bëhet kërkues i domethënies dhe lëvrues i esencës së fjalës, që ngandonjëherë në mungesë të ndonjë tingulli fjala e ndryshon kuptimin e parë dhe merr krejtësisht një kuptim tjetër të ri dhe ky kuptim tjetër i fjalëve mëkon sintaksën stilistike të shprehjes. Mbiemrat në fjali kur shpërlahen nga zbokthi i cilësorit ato marrin trajtën e ndajfoljeve duke u ngjitur kuptimeve dhe hynë thellë në hapësirën e fshehtë, ku gurgullojnë ?zorrët e metaforave ?. Poeti me anë të gjuhës dhe shprehjes eksperimentale dhe simbolikës së Anton Pashkut jep imazhe të pafund me shembuj kuptimor të shprehjes dhe mendimit të shumëfishtë. Poeti duke i dhënë rëndësi kuptimi një shkronje, fjale, apo sintagme poetike, e vë në sprovë shqyrtimin dhe bindjen e kthen në metodën e tij për mbarështimin e zenitizmit, si drejtim avangardë i letërsisë.
Gëzimet, rënkimet e individit janë të ndryshme, andaj çdo njeri i ka edhe dhimbjet edhe gëzimet e veta autoktone. Afshi i derdhur nga thellësia e shpirtit renditet në shprehjen kuptimplote dhe aliteracionin e përdorur me kujdes, duke i përsëritur bashkëtingëlloret e rrokjeve të njëjta në vazhdim të çdo fjale të përdorur, gjithsesi në tekst, merr një rrjedhshmëri të brendshme të fuqisë së shprehjes të tingëllimit të tyre, si për shembull: “Flatra fluturash fanepseshin si fantazma, fshiknin e frushfullonin nëpër frëngji e fajanca”, ose “Flladi i freskët fashiste fllaknajën farfuritëse”. Ngase flladi artistik fërfëllon me një lehtësi që nga fillimi i fjalës së parë, që vë në letër një shkrimtar, një poet, apo një krijues i fjalëve të bukura. Ai dinë ato t’i skalitë, kur është artist i mirë me mjeshtëri në vend dhe kohë të caktuar, sepse fjalët janë lule të bukura me nektar, të shtrydhura mirë në mëndje dhe me kujdesin më të madh renditën në letër, për të marrë qëllimin dhe bukurinë e dëshiruar. Por këto lule, nëse nuk ujiten me kujdes në mendje, në luadhin e gjerë të kuptimeve të shumta, do të mbeten të zbehta. Loja e tyre nëpër vende e kohë të caktuara të shprehjes hapin kurthe e humnera grackash nëpër muret e zemrës së ndjeshme. Prandaj poeti Gjini kërkon qe fjalën ta bëjë rutinë dhe shkathtësi lëvizjesh për zanatin e vet, e cila do të dalë një ditë rrjedhshëm dhe kuptimplote në skenë, sepse shpresën, perspektivën e përgjithshme e lidh me ekzistencën e tij në zanat të “hises që i takon në detin e pafund” të qenësisë së letrës së bardhë të shkruar në duar, me qumështin e bardhë të mikes, që të sjell mjaltë edhe zeher në jetë.
Kur lexoj unë vargjet e Balil Gjinit, para sysh më shfaqet poeti austriak H.C.Artman, i cili kultivon me shkathtësi këtë lloj poezie, e cila ngërthen në vete këngëtimin avangardë në poezinë gjermane. Ai ka flijuar çdo gjë për art. I tillë më duket edhe poeti Gjini i cili kërkon të pamundurën e shprehjes në gjuhën poetike të tij. Kjo mënyrë e të shkruarit është poezi që kërkon njohje dhe dije të sigurt, ngase çdo fjalë, çdo varg bëhet qëllim në vete, vetëm e vetëm për të nxjerrë e aluduar në shesh diçka tjetër, si simbolikë e diçkaje tjetër, më simbolike, se gjykimi i parë. Apo duke aluduar nga realja në areale, nga ngjarja në jo ngjarje, nga servilizmi në mburrje, nga parazitizmi i njeriut të ngathtë në individin e shkathtë, dhe të gjitha këto mundësi poeti i arrin me anë të kopeve të vdekura e të gjalla të fjalëve që kalojnë buzë honesh të zbrazëta të leksikut. Dhe kjo tërësi kuptimesh arrihet te Gjini përmes fantazisë dhe imagjinatës së pashtershme dhe dëshirës së tij për të kaluar me kujdes nëpër pyllin e shpeshtë sintaksor e që është stil i veçantë i të të shprehurit figurativ të tij në poezi. Kjo mënyrë e qasjes dallohet shumë nga autorë tjerë të gjeneratës së tij. Fjalët sipas poetit janë mjete më të forta, më të fuqishme, për të ngritur, ose për të ulur, apo për të rrëzuar një ide, individ, apo poet, madje ato janë drom-ca kuptimesh që mund të të ngritin edhe në ?Mars?, ose mund të të rrëzojnë të të zhveshin në ?nudo?, në hiç gjë, ngase ato mund të jenë edhe ?vetëtima të arta? që ta ndezin shpirtin. Fjalët janë kandila ndriçues në kozmos, nëse janë të varura mirë dhe me mjeshtëri në thellësinë e kujtesës. Të shkëlqyerat e tyre mund të të ngritin lartë nëpër hapësirat e pafundme të rruzullit dhe si të tilla ato nuk durojnë përsëritje dhe monotoni të vrazhdët, sa për sy e faqe, për të dalë në skenë me bërryla, duke përsëritur veten dhe të tjerët. Edhe kur ironizon poeti Balil Gjini me anë të një spontaniteti të lojës së fjalëve shpalon shpresat e kalbura të individëve "sterilë të suksesit”, gjegjësisht, duke zukatur si bleta me polemin e skaduar, të dalë në skenë, por ajo mbetet edhe sterile e kohës, kur nuk jep kurrfarë fryti të ri.
Leximi i poezisë ?Flatra të fluturta fjalësh? duhet lexuar ndryshe nga leximi i rëndomtë i poezisë, mendoj kështu, ngase vetë poezia e Gjinit ta imponon këtë. Ai me anë të kërkimit poetik të ndërton veçantinë e vet, kundrejt poezisë tradicionale. Ai zgjedh fjalorin e këngëtimit lirik, që duket si flutur e rrallë, e bukurive të fjalëve në kopshtin e larmishëm të motiveve dhe frymëzimeve që kundërmojnë këndshëm me nektarin e mbledhur nëpër tërësinë e bujshme e mjaftë të pasur gjuhësore. Tërësia kuptimore e ciklit të dytë lidhet ngushtë me ndjenjat intime të tij, por, gjithsesi, vargjet e këtij cikli janë shprehje më të hapura të poetit, që i dedikohen të dashurës, duke shpaluar dorën e tij të ashpër, por të ngrohtë nga prekjet që në të mund të çerdhohen vetëm zogjtë e preferuar. Poeti në këtë cikël krijon ura afrie për lumin e madh të dashurisë që rrjedh në mes dy poleve, midis dy brigjeve, që janë të lidhura ngushtë me ndjenjën e madhe të afrisë e largësisë. Mungesën e dashurisë poeti e sheh vetëm si një trung i tharë, ku nëpër lëvozhgën e saj kalojnë vetëm mendime të mërzisë. Ky cikël përmban në vete elemente romantike, e që në vete krijojnë harmoni të përkryer të ndjenjës intime të poetit, i cili ngjitet me mall të thellë në shpatet e shpirtit të paprekshëm. Këto lartësi mbajnë në vete fjalët e dhimbjes dhe vuajtjes që vijnë si fije varri në harmoninë e përkryer të jetës. Poeti këtu jep një shikim që ka fund zhgënjimin, që është aq i afërt, sa që është edhe vetë dialogu intim i lirikës virtuoze që nuk ka kohë të fiksuar, por ditët i rrjedhin dhe ndriçojnë plot këndellje në këtë soditje imagjinare në arratisjen e tij me gjuhën e fjalorin poetik si ndonjë shpatë precize për të dalluar edhe imtësitë më të mëdha të shpresës nëpër situata të ndryshme të jetës. Si poet sensibil të hapësirës fragole midis mendimit dhe kërkimit, Balil Gjini, do të bëjë emrin e vet të njohur, gjegjësisht, me këtë vëllim poetik sjell një pipth të njohur, të ri dhe del nga druajtja e shprehjes me një vetëbesim të frytshëm leksikor. Të duket se kjo poezi ngërthen në vete një mjeshtëri të lartë të filozofimit të temave në tekstin lirik. Vulosja e çasteve të ikura vjen si ndjenjë e përmbushur me të kaluarën që e përcjell në vazhdimësi kujtesën, me një lajtmotiv subtil. Në fillim duke plotësuar ndjeshmërinë për të ardhmen, ai, noton në qenësinë e lashtë dhe thith vlerat e kuptimit nga koha e lënë pas vetes, për një kohë tjetër, duke u mbështetur në forcën e fjalës dhe dëshirës për të hapur gjurmë notimi nëpër detin kuptimor të së ardhmes. Shikimi i jetës nga ky kënd e bën Gjinin poet virtuoz, me një përsosje të mirë lirike. Poezia e Gjinit ia lë vetë përgjigjen lexuesit, që do të thotë se lexuesi duhet të ketë një shije të parapërgatitur për këtë lloj poezie. Në dialogun e tij lirik, poeti, merr inventarin gjuhësor të shprehjes dhe atë e kultivon me një domethënie të madhe. Duke i shndërruar ato në simbole, të cilat ngërthejnë në vete një eupati që na ndesh me shkollën avangarde zenitiste. Këto poezi sjellin fotografi kontemplative, mendime, që mbeten në kujtesë dhe nxisin pulsin e përkohshëm të sotmes dhe së ardhmes. Në këtë përmbledhje lexuesi takohet me një poezi ndryshe nga fryma e mësuar e leximit, të përsëritur, që na shfaqen te poetët tjerë të poezisë tradicionale. I takon grupit të poetëve që me lojën e fjalëve dhe gjuhës së zgjedhur eksperimentale të paraqesë fluturimin e tij nëpër vargje e strofa, këngëtimin surrealist. Në këtë shtegtim diabolik të vëllimit poetik ?Flatra të fluturta fjalësh?, poeti Gjini sjell kokëfortësinë gramatikore të tij. Vendi, koha, dhe marrëdhëniet me to janë të refuzuara nga loja e fjalëve, të cilat janë të lidhura ngushtë me shprehjen metaforike të fantazisë së tij. Ky poet sjell një mëvetësi karakteristike që i kundërvihet ligjërimit poetik tradicional. Me një leksik të zgjedhur dhe herë do kudo duke përdorur formë dialektore ose të folme rajonale, të një lugine të caktuar. Ndoshta poeti Gjini ngul këmbë për autoktoni gjuhe në ?rrugën e re? të këndimit eksperimental poetik. Shkrimi i saktë i tij me elemente të vendit ku jeton është tipik dhe i kundërvihet elementeve shabllonizuese në artin e poezisë. Për t’iu qasur kësaj mënyre të të shkruarit kemi nevojë për metodën diskurzive të ?tekstformës? letrare. Sepse interpretimi i këtillë i tekstit poetik të çon në statusin e metodave konvencionale, që sot e kësaj dite diskutohet shumë dhe ka zgjuar interesim të madh në shkencën e letërsisë. Për metodat diskurzive do të ishte e tepërt që ana e strukturës poetike të krahasohet me interpretimin filozofik, ngase raporti filozofik teknokratik ka forma tjera të procesit të racionalizmit të shoqërisë. Qëllimi racional i formave instrumentale të veprimit nuk tematizohet. Veprimet sociale dhe ekspresive bëhen sisteme afirmative dhe në koncepte janë të determinuara si qëllime racionale heterogjene.
Me anë të elegancës të stilit të tij, sjell një këngëtim të rrjedhshëm dhe tërhiqet me kujdes nga normat e format klasike, por duke ruajtur me shije një rritëm dhe muzikalitet të brendshëm. Ai triumfon kundrejt skeptikes dhe dështimit, madje ngushëllon shprehjen poetike me fjalë të reja, e cila në vete sjell nga ndonjëherë edhe vështirësi kuptimi për lexuesin e pa ushtruar dhe të pashkolluar. Por kjo nuk mbetet një barrikadë e skajshme e moskuptimit, e pakalueshme për kohën dhe lexuesit, për ta kuptuar tërësinë kuptimore të temave dhe motiveve që sjellin vargjet e latuara bukur me një kërshëri tërheqëse e gjuhësore.
Antitezat e përdorura në momente të caktuara për t’ju kundërvënë diçkaje të imagjinuar nga poeti, sjellin emocione të ndjeshme lirike, i japin shprehjes së tij forcë dhe kuptim të kundërt nga mendimi i parë dhe arrin efektin e vet të lartë e të kërkuar stilistikisht. Ai me anë të këtyre antitezave jep fuqinë e brendshme, të ndezur për diçka që ka pengesë të jashtme e që ndryshon nëpër kohë e çaste të caktuara të jetës.
Vëllimi poetik ?Flatra të fluturta fjalësh? është ndarë në tri cikle. Në fillim poeti e nis meditimin me anë të mbylljes së këngëtimit në kornizat e metaforave të qelqta, të cilat duken nga larg, por të paprekshme nga brendia e domethënies. Andaj jo rastësisht do t’i përfshijë në këtë cikël të gjitha poezitë që kanë ngjashmëri midis vetes, cikli i parë ?Drerë të qelqtë metaforash?, janë bulëza ëndrrash ku kacafyten realja me fiktiven, pastaj në ciklin e dytë ?Her?ë?bar i hershëm? pasojnë poezitë e shkruara brenda dhjetë vitesh. Në këtë hark poezish vjen aromë e njomë e dashurisë së poetit për personin, ose objektit që i drejtohet. Poeti në këtë cikël është më i drejtpërdrejtë. Ndjenja e tij në këtë tërësi ciklike përkufizohet, dhe ky përkufizim vjen i kushtëzuar nga detyrimet objektive e subjektive të rrethit ku vepron. Të tilla janë poezitë ?Vetëm për ty?, ?Të kam pritur?, ?Kur ti mungon?, ?Si s’je kujtuar?, ?Nga brenda zjarr?, etj. Aty shpalohet lirizmi i theksuar nga brendia e shpirtit djaloshare për të dashurën e tij, e cila vjen si harmoni e përkryer në kujtesën e vetë poetit. Pas kësaj dritare lirike fillon cikli i tretë ?Blana të bardha, blana të zeza?, këto njolla që kanë kuptimësi antonimesh në disponimin e përgjithshëm të poetit, hyjnë e dalin nëpër vargjet duke notuar me kufoma dëshirash nëpër ligjërimin ditor të gjuhës dhe rregullave të saj që të kushtëzojnë gjatë jetës. Pasthirrmat, antonimet, sinonimet, homonimet, sintagmat, aliteracioni, hiperbola, epiteti, antitezat, janë elementet kryesore që formojnë sintaksën poetike të poetit Balil Gjini. Me anë të këtyre mjeteve shprehëse ka zgjedhur fotografinë e rrethit koncentrik të lojës së fjalës, duke përfshirë në veprën e tij anën subjektive dhe idetë humaniste në tërësi. Gjini i sjell frymë të re jetës, me përzgjedhje fjalësh ai ndërton një kompozicion të mëvetësishëm të ndjeshëm metaforike e simbolike. Kundërthëniet e jetës në kontestin e vet vijnë si kuptim i detyrueshëm dhe ky detyrim ngjitet si koncept eksperimental i poezisë së re. Poezia e tij insiston të gjejë fondamentin bazë në shtratin e gjuhës. Në këtë hapësirë figurative, gjuhësore mbështjellët lirizmi i poezive të Gjinit dhe mund të themi me bindje të plotë se me këto variacione shëmbëllen edhe vetë titulli i vëllimit poetik ?Flatra të fluturta fjalësh?, njashtu si dhe domethënia gjuhësore e shumëfishtë vjen si mbrojtje në vete dhe kjo barrikadë strategjie, bëhet e mundshme atëherë kur poeti dinë ta përdorë dhe ta qëndisë me kujdes. Si duket këto vargje janë relikte kuptimore të Anteut provincial që shkel me delikatesë nëpër kullosën e larmishme dhe të pasur gjuhësore. Këto janë ëndrra që e përcjellin gjatë jetës poetin prej fëmijërisë e deri në ditët e sotme. Përmbledhja poetike ?Flatra të fluturta fjalësh? na futë në një botë tjetër të gjykimit dhe, kjo botë është gjuha simbolike e lirikës së brendshme të poezisë. Për ta ndier këtë duhet pasur shije dhe kultivim njohurish për këtë lloj këngëtimi. Një fjalë sjell fjalën tjetër dhe kuptimi deshifrohet, atëherë, kur njeriu lexon brenda reshtësh e fjalësh kuptimore.