E shtune, 26.07.2025, 05:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali R. Berisha: Të dhëna nga leksiku stilistik

E premte, 31.12.2010, 08:39 PM


Të dhëna nga leksiku stilistik

 

DISA ÇËSHTJE DHE SHEMBUJ TË SIMBOLIZMIT TINGULLOR NË LETËRSINË TONË

 

Për zërat që lëshojnë lumenjt Naimi përdor këto shprehje:

Si lumi që këlthet / me shumë oshëtimë … Ligjëron edhe lumi / që oshëtin duke shkuar … Lumi që bubullin nëpër male / dhe ikën me fishkëllim … Lumi me një psherëtim / ikën edhe vete në det, Lumi më vete mes perms duke buçitur… (Naim Frashëri, sipas Gëzim Llojdia, “Nacional”, 25.7.10 /16)

 

Kafsha e shtasa e sejcilli shpenn n’giuhe t’vet e lumnon t’Madhin Zot, e merren vesht nnermjet vedi. Senne, frymore e t’pafrymore flasin n’giuhë qi i ka msue i Gjithdijshmi Perenni, si me thane; … Buçilla tuj BUNUE / Gurra GURGULLUE, / Prroska RRMYE, /Prroni VRENGLLUE,  Gjethi tuj ZHABLLUE, Mali tuj SHUNGLLUE, Bleta tuj ZUKATË, / Pllumi tuj GUNGUTË, / Korbi tuj u KRROKË, Pula tuj KOKORIZË, /Zogu tuj CINGRRUE, / Cerloj tuj CIJASUN, / Falkoni tuj FJAFUE, / Maca tuj MJAUKATË, / Gjarpni tuj FISHKLLUE, / Lepri tuj XINGLLUE, Dhija tuj VEKRUE, / Skilja tuj u KIZË, / Ujku tue LURUE, / Derri tuj HUNGRRUE, / Kau tuj BERLYKË – BULURITË. (Shtjefën Gjeçovi: Agimi i gjytetnis – Vepra 2 / 112)

 

Nga Ali R. BERISHA

 

Zëri, tingulli, zhurma,  tringëllima që lëshon diçkaja, nga ana gjuhësore quhet onomatope.  Fjala onomatope në gjuhën tonë quhet edhe tingullimitim.  Këtë term fjalorët tanë e shpjegojnë kështu: Imitimi i tingujve dhe i zërave për qëllime të caktuara. Fjalë e krijuar nga bashkimi i tingujve të të folurit, që jep afërsisht zërin e zhurmën e një qenieje, të një sendi etj. (FGJSSH) Në letërsi tingullimitimi lot një rol të rëndësishëm për ta treguar, imituar, apo përgjasuar ndonjë onomatope. Këtë e hasim edhe në letërsinë tonë. Që nga Tregimi i parë “Gjahu i malësorëve” i Kristoforidhit e tutje poetët dhe shkrimtarët kanë vërejtur se tingullimitimi ka një ndikim të madh në fuqizimin estetik e stilistik dhe figurativ të vargut, shprehjes, a fjalisë. Sipas Xhevat Lloshit fenomeni i shfrytëzimit të efekteve tingullore shoqëruese të kuptimit në stilistikë quhet simbolizëm tingullor. (Xhevat Lloshi; Stilistika dhe Pragmatika, “Onufri’, Tir. 1999, fq. 59). “Si sajesa të dala nga kërkesat fonologjike të gjuhës, ato përplotësojnë një anë të rëndësishme të gjuhës dhe të jetës. Njësitë onomatopeike … dalin me shumë ndërthurje estetike… Ato i japin karakter të veçantë organizimit gjuhësor të veprës …sit ë tilla janë të lidhura me karakterin esencial të krijimit artistik; ato krijojnë një botë, një botë që shkrimtari e detyron të jetojë edhe përmes shenjave të veçanta gjuhësore që nuk kanë fare kuptimi të mirëfilltë leksikor… një botë shumë evokuese. (Shefkije Islamaj:Gjuha e Jakov Xoxës, /357, 358) Këto njësi gjuhësore kontekstualizohen si onomatope të mirëfillta, kontekstuale, fjalë paraqitjesh tingullore, tinguj, zëra, zhurmë, klithma, britma të njerëzve, shpendëve, kafshëve, të gjësendeve a fenomeneve natyrore. Në këtë fushë pastaj hasim krijime a burime dytësore a sinonimike të vetë këtyre fjalëve; emra, folje, mbiemra, emërzime fjalëformuese të ndërthurura me figura gjuhësore, poetike, stilistike, madhe edhe në variacione e gërshetime  të ndryshme, sepse në rrafshin stilistik ofrojnë ngjyrime akustike nga më të llojllojshmet.

Nuk është vetëm të folurit (dialogjet e monologjet) e personazheve por edhe zërat, tingujt  a klithmat që lëshojnë ata në raste të gëzimit, të hidhërimit, në rast fatkeqësie – pjesë e shkrimit letrar, që i duhet  autorit për t’i dhënë ngjyrime dhe fuqizime të ndryshme stilit të vet. Edhe zënxjerrja e gjallesave - kafshëve a shpendve, në veprat letrare ngjyros njërën anë të stilit në krijimet letrare. Përveç kësaj  është edhe tingulllëshuarja e objekteve, përshkrimi i së cilës shton llojshmërinë e nuancave të tërë asaj zëshmërie që përdorin letrarët në veprat e tyre. Zëri i personazheve - njerez, zënxjerrja e gjallesave - kafshëve a shpendve, tingulllëshuarjet e ndryshme kanë poaq efekt në krijimet letrare sa edhe përshkrimet, figuracioni, forma jashtësore e brendësore madje-madje gati sa edhe subjekti dhe anët e tjera të gjuhës letrare. Nëse në një vepër letrare fundekrye nuk gjejmë asnjë dialog, apo nuk fitojmë përshtypjen se jemi duke dëgjuar dike a diçka, vallë a do ta përjetojmë të njejtën përshtypje sa kur e lexojmë një “Lumi i vdekur”, për shembull. Ana e veçantë e vlefshme e stilit xoxjanë e përdorur në këtë vepër, pikërisht kur na duket se dëgjojmë sa e sa zëra, tinguj, klithma, krisma, e tinguj  nga natyra - na krijonë përshtypjen se vërtete jemi në një hapësirë plot gjallëri, jetë, lëvizje – pra, një orkestër i tërë i një bote ku gjendemi e nga e cila rrethohemi. Ose t’a përkujtojmë tregimin e parë të letërsisë sonë “Gjahu i malësorëve” të Kristoforidhit, ku përveç simbolikës tejet të qëlluar qe ka, duke lexuar atë ndjejmë dhe ndjehemi sikur edhe ne gjallerisht gjendemi në një aktivitet gjuetie. Sa me kënaqësi e kemi lexuar atë tregim para mësuesit dhe shokëve duke u përpjekur ta imitojmë çdo tingull e çdo thirrje sa më natyrshem e sa me fuqishëm. Pse? Transponimi i zëshmërisë i paraprinë gjalljes ne nje veper letrare, andaj ndjejmë kënaqësi kur ate e lexojmë. Na duket se jemi edhe ne pjesë përbërëse dhe dëgjojmë dhe na dëgjojnë. Vepra të tilla ka plot në letërsinë tonë dhe në atë botërore.Rrëfimi, subjekti a ngjarja ose-ose tema e veprës letrare, padyshim se është strumbullari i saj, por anët tjera teknike të përdorura aty me mjeshtri e shpirtëzojnë atë artistikisht dhe ia ngrisin vlerën edhe më tepër. Këtu bën pjesë edhe simbolizmi tingullor.

 

Edhe këto … e bëjnë të përdalluar stilin e akcilit shkrimtar. Të sjellim ndër mend tregimin Floçka të Anton Pashkut, i cili në saje të përdorimit të këtyre fjalëve reflekton si perlë në prozën tone tregimtare. Me të tilla vlera ka edhe shumë krijime.

 

Kur përcjellim një shfaqje teatrore përjetojmë ndjesi të veçanta, madje akoma më shumë kur regjisori e brumos tërësinë e deklamimit të aktorëve edhe me zëra e tinguj të tjerë; atë të xinxrrit - kur flihet, të bubullimës - kur prishet moti, të bretkosës - kur vije nata, krismën në derë – kur vjen miku a kur sulmon dhuntari etj. Krijimet letrare duke e përdorur me vend këta përbërës të stilit letrar sjellin para nesh botën e tërë të zërave e  tingujve, që krijon përshtypjen se  aty, jo vetëm që flitet por edhe jetohet brenda një jete të natyrshme me tërë gjallërinë e saj. Duke përcjellur me kujdes rrjedhën e ngjarjes, të folurit e personazheve, lëvizjet në një hapësirë – autori ndalet për të paraqitur aty edhe ndonjë zë a tingull që lëshon dera, dritarja, gjësendet e kuzhinës gjatë përdorimit, dyshemeja, shkallët a diçka tjetër – kur ajo zhvillohet në shtëpi. Nëse ajo zhvillohet në oborr: fëshfërima e pemëve, pulat, qeni, kafsha nga ahuri, kova e bunarit, dera e oborrit etj. Ndërkaq, nëse zhvillohet në natyrë të hapur lexojmë se si dhjetra fenomene nxjerrin tinguj të ndryshëm; fusha, mali, bjeshka, gryka, lumi, liqeni, deti, shiu, era, furtuna, vërshimet e të mos përmendim makineritë e ndryshme, mjetet e komunikacionit, , mjetet e punës, të luftës, të shkatërrimit, pastaj fatkeqësitë, siç janë zjarret, thyerjet, goditjet, termetet. E të tjera e të tjera. Me rastin e emërtimit figurativ të zërave a tingujve apo të asaj që ata lëshojnë, në letërsinë tonë hasim laramani të madhe, qoftë me qëllim, për shkaqe stilistike, ose pa qellim, për shkak të mospërcaktimit se cilin term a cilën fjalë duhet përdorur. Më pak laramani dhe më shumë saktësi  hasim tek emërtimi i tingujve që lëshojnë instrumentët muzikorë. Edhe lexuesi me përvojen më të vogël e di se krrokama e korbit ka tjetër domethënie nga kukama e qyqes, nga kënga e bilbilit në pranverë, nga kuakama e bretkosës, nga krrokama e korbit etj. Që nga lashtësia njeriu ka qenë i vetëdijshëm se ka rëndësi të madhe përmendja e zëbërjes a tingullkrijimit në krijimet gojore. Edhe në të kaluarën krijuesi popullor ka ditur të shfrytëzojë efektet tingullore shoqëruese të kuptimit. Kjo është përcjellur edhe në letërsinë artistike veç me një sofistikim më të lartë.

 

Duke e trajtuar këtë temë  Xhevat Lloshi në vijim shkruan: “Madje edhe disa fjalë, të cilave nuk ua dimë kuptimin, na ngjallin një përshtypje ose ndjenjë me tingllimin e tyre. Tingujt ndikojnë për të krijuar një atmosfere rreth kuptimit, anasjelltas, edhe kuptimi ndikon për mënyrën e përceptimit të tingujve. Shoqërimet tingull-kuptim quhen simbolizëm tingullor, kur vendosen qëllimisht për të arritur efekte të ndryshme… Simbolizmi tingullor pranohet edhe si cilësi estetike e tingujve.” … pra edhe e fjalëve që emërtojnë zëra që krijohen prej dikujt (njeriut, gjallesave, instrumenteve muzikore) apo tinguj që lëshojnë gjësendet , mjetet a objektet e ndryshme.

 

Mirëpo a ka apo nuk ka ndopak unifikim në fushën e simbolizmit tingullor në letërsinë tonë, kjo është çështje për të cilën meriton të diskutohet. A ka mundësi dhe a është e thënë që këtu të ketë unifikim gjithmonë edhe kur ta marrin parasysh fenomenin e sinonimisë? Fundi i fundit a e kemi ne fjalën përkatëse dhe adekuate për secilin zë a tingull? A i konsultojnë letrarët fjalorët për këtë problem, apo i japin vetes liri të plotë? Janë këto disa nga pyetjet, të cilat para se të marrin përgjigje duhet të shqyrtohen, analizohen dhe të unifikohen, sa më shumë që të jetë e mundur. Ndonjë qasje lidhur me këto pyetje do të duhej të bëhej, sepse tek autorët e krijimeve letrare ka paqartësi, dallime  madje edhe gabime në këtë aspekt. Secili vepron sipas mendimit dhe dëshirës së vet, prandaj edhe ka laramani të madhe. Shumica e autorëve nisen nga i vetmi aspekt – nga ai letrar e stilistik. Kjo në njëfarë mënyre, ka arsyetimin e vet. Përndryshe, tjetërqyshë ka mundësi të quhet zëri që lëshon dera në rastin kur e hapim në rrethanat e përditshme, ndryshe kur atë e hap hajni, ndryshe kur e hap dhunuesi e krejt ndryshe kur e hap era - po e zëmë. dallimet gjatë emërtimeve në raste të ngjashme janë të arsyeshme dhe autorët, mund të veprojnë nga këndkuptimet e veta për t’ia përcjell lexuesit ngjyrimin letrar të atij zëri a tingulli me emocione të veçanta, ama edhe këtu autorët do të duhej “ta vjedhin” njëri tjetrin, për t’iu afruar sa më shumë një baze unifikuese. Pozita e të ndjerit shumë i lirë në rastet e tilla, sipas mendimit tim nuk është bash aq e lavdërueshme.

 

Në fjalorët tanë gjuhësorë e përkthimorë shumë rrallë hasim fjalë a emërtime të kësaj natyre, sepse siç duket e pranojnë tej mase sinoniminë e tyre e kësi soji ia lënë për detyrë fjalorëve sinonimikë. Mirëpo edhe në rastet kur ata i shënojnë, varësisht nga autori (apo autorët), vërejmë dallime. Te ngjashme e kemi gjendjen edhe te perkthyesit e veprave letrare nga gjuhet e huaja.

 

Në tërë këtë ravë të përdorjes dhe të krijimit më të madhe të këtyre fjalëve është e natyrshme që fjalëformimi ka gjetur një fushë të përshtatshme të zhvillimit. Prirja e disa autorëve për fjalëformim ka bërë që fenomeni ne shqyrtim në letërsinë tonë të marrë llojshmëri të madhe.

Disa shkrimtarë e poetë janë interesuar të emërtojnë sa më adekuatisht e sa më me vend secilën nga këto zëra e tinguj, për t’i dhënë një veshje tingullore sa më të qëlluar ama edhe sa me unike fjalës. Por një liri në këtë drejtim vërehet fare lehtë madje edhe brenda veprave të të njejtit shkrimtar a poet.

 

Këtu më poshtë pa japim disa nga shembujt e emertimit te tingulllëshuarjes a onomatopesë (tingullimitimet) që kriojohen nga rënia e shiut, fryrja e erës dhe hapjembyllja e derës, të nxjerrë nga veprat e ndryshme të disa prej autorëve tanë, me rastin e formimeve onomatopeike.

 

SHIU

 

-“ …dëgjonte CËRRLEKUN e pikave të shiut …” (Azem Shkreli: Sytë e Evës, / 101)

-“ … Dëgjo se si CINKRON shiu …” (Abdylaziz Islami:, “Jeh.”, Shkup, 2,3 – 91 / 42)

_”… CIRKONTE fije-fije shiu…” (Murat Isaku: Dielli …, / 67) 65

-“ Bie shi ÇURGA – ÇURGA …” (Qamil Batalli; Abetare / 61)

-“ … ndodhej midis një ÇURGU të shiut …” (Jusuf Buxhovi: Prapë vdekja, 3 / 44)

-“Vazhdonte të ÇURISTE shi …” (Ismail Kadare; Prilli…, / 30)

-“… vinte GUMËZHITJA trallisëse e shiut…” (Ismail Kadare: Pashallëqet …, / 15)

-“Siluetat … përplasen GURGULLIMAVE të shiut.’ (Zeqir Fazliu: …, Rev. Let. ADMET / I. net.)

-“ Liqeni u mbush me LLOKOQITJET e shiut”. (Zija Çela; Eklips, / 305)

-“ …duke dëgjuar MURMURIMËN  e shiut”. (Zija Çela: Eklips, / 205) 87

-“ … në errësirë, dëgjohej PËRPËRRIMA e shiut…” (Anton Pashku: Një kallëzim …, “Rewv. Letr.” 4-96/34)

-“Në heshtje ndiejshin PIPRRIMËN  e shiut…”  (Anton Pashku:… J. e re  3 – 58 / 318)

-“Dëgjohej … streha përjashtë duke pikur PLIK, PLIK, PLIK…” (Teki Dërvishi: Herezia…, / 11)

-“Binte shi. Çatia pikonte “PLIK PLOK”. (Diana Baça;prk. Bukovski; Zonja vdekje,/ 8

-“… kputej kohë pas kohe nga një pikë mbi llamarinë … TANG!, një pushim, TANG! edhe një pushim…” (Naum Prifti: E pabesueshmja, J. e re 6 – 67 / 1147)

-“… RRAPËLLIMA e shiut …” (Jusuf Buxhovi: Prapë vdekja, 3 / 28)

-“… TRIKITJA e shiut…” (Amik Kasoruho: Harry Potter…, 4 / 143)

-“ Dhe shiu TROKISTE në tjegulla” (Dritëro Agolli” Shtigje…, / 133)

-“… shiu kurr nuk do të ndalej … ngopej nga UTURIMA e piklave …” (Sali Bashota: Ëndrra …, / 35)

-“…VU shiu…” (Vedat Kokona: Komedia…, / 33)

-“…derdhej si me rrëshekë XHUVAMA e shiut…” (Teki Dërvishi: Megjithatë…, Jehona, Shkup, IV – 72 / 130)

 “…ZHAURIMA e shiut. (Esad Mekuli;prk. Q. Sijariq: Bihorasit, J. e re 6 – 55 / 529)

--“ … mbante vesh zhumhurinë e qytetit … që ngrihej … mbi ZHAURIMËN  e shiut.. (Zija Çela: Las Varrezas, / 56)

(Shembujt e nënvizuar gjenden në Fjalorin e Shqipes së Sotme dhe i referohen rënies së  shiut.)

 

Nga këta shembuj mund të dallohen veçoritë e fjalës së emërtuar: fjala plik, plik, plik – emërton tingullin e pikave të rralla të një shiu, duke rënë njëra pas tjetrës në një vend; plik-plok emërton poashtu pikat e shiut, por duke rënë në dy vende; njëra prej tyre në një gropëz a enë me ujë e që të dyjat mund të emërtohen me fjalën cerlek; edhe fjala tang-tang tregon rënien e pikave të shiut, por kësaj radhe mbi llamarinë; (në këto raste nuk është vetëm rënia e pikës së shiut që lëshon zë, por edhe vendi ku ajo bie); fjalët çurga-çurga,  rrapëllimë etj. tregojnë shiun që bie furishëm dhe me rrëmbim. Disa nga këto fjale si emertime na duken paksa jo të qëlluara si p.sh. cinkron, murmurimë, xhuvamë, zhaurimë.

 

ERA

-“… tue ndije CIJATJEN  e erës…” (Anton Pashku: Vertikale, J. e re 3 – 58 / 319)

-‘ …FËRFËLLIMA e erës …” (Sami Repishti: Nën hijen…, / 176)

-“ … qiparisat e lartë, që FËSHFËRININ ngaera.” (Ismail Kadare: Gjenerali …, 120)

-“…FËRSHËLLON…” (Adem Zejnullahu: …, Shkrimt. e Kos., / 309)

-“Një FËSHFËRIMË ere…”. (Perikli Jorgoni;prk Dan Brown: Kodi …, / 354) 04

-“… era FËSHKËLLENTE nëpër pisha.” (Betim Muço:prk. Mishima: Kinkakuxhi, / 113)

-“…FISHKËLLENTE era. (FSHS / 337)

-“ … lutju erës të FISHKËLLOJË edhe ma …’ (Ali Musaj; Vegime, J. e re 1 - 78 / 191)

-“Jonet … përqafoheshin me FISHKËLLIMËN e erës…” (Rifat Kukaj: Dita…, / 15)

-“Kur fryn erë … / “FIU-FII” ndjen fishkëllima.” (Artur Shkurti; Abetare, / 1640

-“… FRUSHULLIMË ishte era apo fryma e asaj bote…” (Zija Çela; Eklips, / 100) 87

-“Britmat e dëshpërimit humbisnin në KRAKËRIMËN e erës”. (Perikli Jorgoni;prk. Dan Brown; Kodi…, /51)

“…S’ishte as SHAKULLIMË ere …” (Ismail Kadare: Lulet …, / 85) /Në Fjalor – shakullinë./

-“…me SHUNGULLIMËN e erës dhe të fortunës në veshë”. (Martin Camaj; Rrathë, 80)

-“…ku ULUROJNË erërat e ujërat vorbullojnë.” (Mehmet Elezi: Të gjallët …, 24. 8. 01/21)

-“… filloi të UTËRINTE era dhe shiu…” (Amik Kasoruho; prk. Rowling: Harry Potter dhe i burgosuri…/ 129 … UTURIMA e erës…/ 143)

-“Dritëro Agolli: ZHURMA e erërave të dikurshme, “Onufri”, Tir. 2006.

 

Tek këta shembuj fjalët me f dhe sh, dalin shumë të qëlluara, kurse më pak e qëlluar – fjala ulurojnë.

 

DERA

 

-“BRAM … BRAM … BRAM… u hapen tejendanë portat e korridorit…” ( Amik Kasoruho; prk. Rowling: Harry…, 2 / 165) / Brram -Mjaft e përdorur në të folmën e përditshme ./

-“…dera CIJATI përvajshëm…” (Teki Dërvishi: Herezia…, / 57)

-“…CKËRRIU dera…” (Jusuf Salihu: Stivensi, “Ril”, 17. 6. 2000 / 5

-“DRËNG derën dhe hopa brenda. (Dritëro Agolli: Komisari…, / 13)

-“…GËRVËLIMËN e mënteshave të portës…” (Arian Leka: Gjarpëri i shtëpisë, / 259)

-“Dera u hap me një GËRVIMË të mbytur.” (Helena Kadare: Bashkëshortët, / 135) 02

-“… KËRCËLLIMA e derës…” (Fatos Kongoli: Kufoma, / 322)

-“… angrat e derës u KËRCËLLUAN …” (S. Dedaj;per. Molnar: Djelmt …/ 73.)

-“ … dëgjoi KËRKËLLIMËN e një porte që u hap…’ ( Amik Kasoruho;prk. Rowling: Harry…, 2 / 199),

“…KËRKËLLIMA e flegrave të portës…” (Ismailk Kadare: Darka…, / 173)

-“…Porta me grile … KËRKËLLITËN           çivitë …” (Zija Çela: Eklips, / 404) 87

-“Dëgjonte … KËRRIUN e derës…” (N. Duraku: Shtrojera, /84) 70

-“KRAK u dëgjua kërcitja e derës që u mbyll’. (Albert Zholi: Hiret e një gruaje…, Let. Shqipt. – zemrashqipt. 22.2.08/I.net.)

-“…KRIKËLLIMAT e portave…” (Ali Abdihoxha: Një vjeshtë…, / 239)

-“… KRIKËLLIMA e derës …” (Ramadan Haziri: Imazhi…, / 37)

-“… çivitet e ndryshkura të derës KRIKËLLINË…” (Ali Abdihoxha: Një vjeshtë…, / 111)

_”…KROKËLLIMA portangash e lloze dyersh…” (Visar Zhiti; Librat e burgut, M. Licht1 30 – 07)

-“Heshtjen … e theu KRRIATJA  dhe RRAPËLLIMA e derës…” (Arsim Kajtazi: Shakullina/ 29)

-“…KUIS dera…” (Dh. Shuteriqi:…, në Nëntori, 9 – 90/ 90)

_”…u ndie KUISJA e derës së jashtme…” (Fatos Kongoli: Kufoma, / 125)

-“Dera u hap duke KUISUR”. (Amik Kasoruho;prk. Rowling: Harry Potter …, 5, / 56)

-“ …u hap dera me një KUITJE të hekurt…” (Visar Zhiti: Shekull …, / 188)

-‘… dera u hap duke KUIJITUR”. (Perikli Jorgoni;prk. Dan Brown: Kodi…, /60) 04

-“Dyert përplasen, RRAPTIMA ndihet larg…” (Halil Jupa: Rranzë katundit …, J. e re 2 – 57 / 233)

-“…u hap dera e oborrit me RRAMBULLIMË”. (Vehbi Kikaj: Sarajet…, / 102)

-“Dera mbyllet me RRAPLLAMË” (Kosovë Rexha-Bala: Përpjekje …, / 44)

-“… RRAPTIMA e derës… Hivzi Sulejmani …”

-“…dera RRAPTON…” M. Isaku:…

-“…papritmas, me SHUNGULLIMË të madhe u hap dera e shkallmuar e oborrit…” (Adem Demaçi: Dashuria kuantike, Kos. sot, 25. 4. 2007/23)

-“… Dera … duke lëshuar do TRINGËLLIMA lozonjare”. (Amik Kasoruho;prk. Rowling; Harri Potter …, 5 / 467)

-“Atë cast TROKËLLIU dera.” (Virgjil Muçi;prk. A. Lindgren: Pipi …, / 147)

-“TROKËLLIU tri herë / në derë/…” (Qamil Batalli: Agimet…, / 101)

-“ Dikush TROKLLOJ ngadalë, (Anton Pashku; J. e re 2 – 59 / 11)

-“…dera hapet me VRUNDULLIMË …” (Ismail Kadare; Lulet …, / 64)

- “… shoh babanë e mamanë ZDRUQ-ZDRUQ të trokasin në derë…” (Skifter Këlliçi: Nën harqet e zjarrta, Tir. 1978 / 69)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx