Kulturë
Dy poezi nga Hamit Taka
E premte, 31.12.2010, 08:05 PM
Hamit Taka
Nënës
Oh, nënë!
Dua të bie një çast në prehrin tënd,
Të mbaj një çast frymën
Të ndjej atë që s’e sjell dot ndërmënd;
Dua të qesh e të qaj
Si atëherë
Kur më hidhje hopa
Të më tregoje mua
Sa e bukur ishte jeta,
Sa e madhe ishte bota
Që më priste atje
Tej duarve të tua;
O nënë e dhëmbshur,
Sa i pastër,
Sa i brishtë
Ndihem përherë para teje;
Dashuria jote
Dhimbja jote
Më djegin në damarë
Me zjarr e dritë rrufeje;
Oh, nënë. më trego,
Më trego si grua,
Më trego dlirësisht
Si ishte rinia jote?
Dhe mos harro
Të më tregosh për babanë
Si të ka dashur
Dhe a i ngjaje atij si toka?
Oh, më trego mirënjohjen
Që i dhatë njëri-tjetrit
Përkëdhelje të reja,
Një shok për udhë;
A u deshët më shumë
Kur i dhatë njëri-tjetrit
Të tjerë sy,
Të tjera buzë?
Oh, më trego akoma
Për njohjen tuaj,
Për arratinë
E për puthjen e parë
Më trego për ngjizjen time,
Për goditjet që të jepja,
Për verën e jetës
Që të vlonte në damarë;
Më trego për të dy
Si grua, si vajzë
Për zënkat, xhelozitë
Vetëm thjesht e pa bujë,
Më trego çfarë ndiet
Kur nga thellësia e qënies
Më nxorrët mua
Si zambakun mbi ujë?
Më trego si ta shprehu
Xhelozinë toka
Pas lindjes së parë Që u bëre pjellore
Pjellore si Demetra
Si plisi, si brazda
Si shiu e si pema
Pas puthjes diellore?...
Oh, më ler, nënë,
Vetëm një çast
Atje, në prehrin tënd
Ku dhimbjet i harroja!
Më trego, të lutem,
Për drithëriamt që ndjeje
Kur gjoksin e zbuluar
Me hovje ta lehtësoja?
Më trego, nënë, si di ti
Kuptimin anësor të sendeve
Si është mjegulla,
Petlat e trëndafilit?
A s’është e ëmbël
Përkëdhelja e fëmijës Si rrezja e diellit
Mëngjeseve të prillit?
Oh, nënë, më thuaj Më thuaj dhe këtë
Pas puthjes së parë
A je lutur për përjetësi?
A është burri thellësia e natës,
A është gruaja drita e ditës
A janë njësh si ditënata
Në brengë e lumturi?
Bisedë me gjyshin
O gjyshi im
I urtë, i sertë,
Sa të pakta i ke harxhet,
Sa të pakta fjalët!
Të të nxjerr nga zemra Një dert të fshehtë
Më mirë të t'i shkul
Të gjitha dhëmballët;
Po unë ta di
Ty pikën e dobët
Unë ta di
Si të pastrohet ty zëri:
Të jap dy gota
Nga ajo ballë kazani
Dhe ti zbërthehesh
Në çast i tëri;
Po hë të shkretën,
Prapë ti nguron
Ta nisësh bisedën
Gjuhën pa gdhendur?
Mos do të më thuash
Se ne brezi i sotëm
Jemi sojsëzë
E jemi të çmendur?
Se ne dimë vetëm
Të prishim para
Me vajza bishtdredhura
Nëpër PABE
Dhe s'dimë të këndojmë
Një këngë lahute
A një polifoni
Me iso labe?
Ti je pus
Po ke gjyshen spiune:
Pse, o shpirt,
Më tretej në mendime
Se mos unë
Dëndem me drogë
Dhe mbetem prapa
Në mësime?
S'e besoj të kesh thënë
Se jam bukëshkalë,
Dredharak idesh
E djallë me brirë
Vetëm se braktisa
Idealin tënd
Dhe me ty nuk ruajta
Të njëjtën ngjyrë;
Më thuaj atëherë
Ç'bëje ti,
O gjysh i bukur Në moshën time?
A s'më ke thënë vetë
Se qeveria
Drogonte skllevërit
Me argëtime?
O gjysh i ëmbël,
Je shumë inatçor,
Kur ishe i qetë
Ke qënë racional
Hë mo, thoshje,
Se horra janë,
Borgjezë të fëlliqur,
Për ideal!
Po kur të zë
Me këta të sotmit
Me fjalë harbutshe
Gjuhën bën pis;
Po qenin e keq
Që i leh të zotit
Jashtë e nxjerrin
Prej shtëpisë;
O gjyshi im naiv,
Kthehu pak prapa,
Kujto sa breza
Ti ke braktisur:
Kalanë e Rozafës
Jo djalli vetë
Të mënçurit natën
E kanë përmbysur;
Sa keni murosur ju
Në "kështjellën" tuaj,
Sa nëna latë pa bij,
Sa bij latë pa nëna?
Atje ku sundonte
Zjarri dhe ngrica
Të vetmuar ndiheshin
Dhe dielli dhe hëna;
Ta di merakun
Që shpirtin ta bren,
Ke frikë se shokët
Të quajnë besëprerë;
Po ti hapur dil,
Zbuloi të vërtetat
Dhe lerua atyre
Dobiçin në derë;
Luftën që bëre
Në emër të idealit
S'ta përflet askush,
Askush s'ta mohon;
Po ti e di
Pelën e kuqe
Të sëmurë, gërdallë
Asnjë arixhi sot nuk e pranon;
Avash, mos nxito!
Mos më quaj gjakshprishur!
As mos kërko
Të ndjek rrugën tënde!
Unë të thash:
Stop, ndalo!
Me kocka kundërshtarësh
Nuk shtroj dot kalldrëme!
Dhe s'je penduar ende,
Për frikën që pate
Mos përsëritej për mua
Sërish historia?
Mos më linte pa shkollë
Pa të ardhme, pa ëndërra
Ajo palo
Biografia?...
Po nejse, gjysh,
T'i lëmë këto,
Me helm s'na e ngjyejnë
Sot rrugën mes nesh;
Së shpejti, shpirtëngjëll,
Nipçen tënd
Doktor të shtruar
Ti do ta kesh!
Dhe mos kërko përherë
Ilaçe, valiume
Se të prishet gjumi
Tej natës ibret?
Kot po tretesh,
Pëllumbi im,
Pas një pasioni
Të zvjerdhur krejt;
Pa lëre merakun,
S'të kam braktisur
Dhe ilaçe të mira
Do të bie plot;
Veç të mos thuash
"Këtë palo Amerikën,
As në etiketa ilaçesh
S'e duroj dot".
Mjaft me pasione,
Me besimin e verbër!
E ke parë gjyshen?
E tjerr gjalmin hollë.
Ajo më ka dhënë
Shpesh leksione
Kur më merrte për dore
Në bahçen me mollë.
Më jepte mësime
Të thjeshta për jetën
Dhe feta buke
Me gjalp morali;
Dashuria, më thoshte
Eshtë frut i vështirë
Dhe s'është hoshaf
Që e ha nga malli.
O gjyshi im zezvek,
S'ta mbaj dot fshehur:
Ca bij armiqsh
Sot janë shokët e mi.
Ka mes tyre
Bij baballarësh
Që në jetë s'kanë njohur
Kurrë lumturi;
Dhe një vajzë për vete,
Të bukur si ylli,
Të pastër si drita
Mes tyre kam zgjedhur,
Kur ta sjell, zemëflori,
Plot gojën do thuash:
"Ymër, o Zot,
Sa ende s'kam rrjedhur!"
Dhe do të pendohesh
Për mëkatet makabër
S'u kërkuat akoma
Burrërisht një ndjesë?
Kështu çdo nismë
Për kallaisje shpirti,
Do të duket thjesht
Një moral pervers;
Oh, mos m'u dëshpëro,
Gjyshi im bujar!
Dhe mos derdh akoma
Lot hakërrimi!
Shëndeti mendor,
Vetë dashuria
Thonë se janë
Si është ushqimi;
Lavazh truri
S'na bëjnë dot më
Dhe riniçapkënen
S'na e qeth dot kush;
Me ujë të bollshëm,
Me sapun pranvere
Shpirtit ç'do ditë
I bëjmë sot dush.