Kulturë
Ali Sh. Berisha: Heroinat në Shtriga e bardhë
E marte, 28.12.2010, 08:26 PM
HEROINAT NË SHTRIGA
Nga Ali Sh. Berisha
Hamit (Feriz) Gurguri u lind më 1.11.1949 në Godanc të Drenicës. Është pasardhës i muhaxhirëve nga Krahina e Toplicës dhe Nishit, të ndjekur në vitet 1876-1878. Me profesion është jurist. Në vitet e ?90 të shekullit të kaluar mori rrugën e arratisë i ndjekur nga regjimi serb dhe u vendos në Suedi. Që nga atëherë akumuloi në vete projekte të shumta, të cilat filloi t?i konkretizojë tek në vitin 2004. Deri më tani ka botuar këta tituj: Kah Guri i Plakës, Kalaja e Pakryer, Flatrat e lirisë, Burrëreshat, Miroshi, Mësuesja ime, Himni i Shotës, 99 vjet rrugëtim, Kur takohen flamujt, Zëra në Vukovar, Ah, Tolpicë, Dorë e motrës, Shtriga e bardhë, Brezi i djallit, Klithja nga Baltiku dhe dy tituj të tjerë në gjuhën suedeze, në këtë mënyrë duke u bërë edhe një ambasador i atdheut të tij.
Krijimtaria e Hamitit në prozë (roman dhe tregime) kap dy shtylla dhe atë në rrafshin historik që nga heroi i tij, Miroshi nga Beteja e Kasovës e deri në fund të shekullit XX dhe gjeografik duke prekur gjithë trojet shqiptare, tragjeditë individuale e kombëtare, rrudhjen e tokave shqiptare. Personazhet e tij janë njerëz të thjeshtë, të tokës, por aktiv në çështjen kombëtare, të mëveshur me traditën popullore në kontekst të kohës.
Ngritjen e veprave të tij në aspektin artistik e nxjerr nga jeta e thjeshtë lidhur për bujqësi dhe zanate, ndërsa në gojën e personazheve jetëson një fjalor komunikativ të pasuruar me visaret e trashëguara popullore si në gëzime ashtu edhe në hidhërime, si në lindje edhe në vdekje. Qëndresa e personazheve të tij para furtunave të ndryshme bëhet me një stoicizëm të rrallë përcjellë me lidhjen që krijon bujaria, burrëria si dhe e kundërta e kësaj ligësia dhe interesi, që nuk pasqyrohet vetëm te bota mashkullore, porse te edhe ajo femërore. Heroinat që ndërton shkrimtari, romansieri, Hamit F. Gurguri janë nëna të përkushtuara për fëmijët e tyre, për burrat e tyre, të buta e skofiare, burrërore në fjalën dhe veprën e tyre, të heshtura e punëtore, të pazëshme nga kërkesat e burrave të tyre por edhe këshillëdhënëse e vepruese. Shkrimtari Hamit, gruan e konsideron shtyllë shtëpie dhe mu për këtë vdekja e burrave krijon gra të veja e fëmijë jetim. Në këtë aspekt të vetmen zgjidhje që bën, është mbajtja e gruas në shtëpi dhe rimartesën e saj me kunatin etj. Dhembja kulmon e pastaj si pasojë e kohës fashitet. Këto heroina i gjejmë edhe në romanin Shtriga e bardhë, roman, i cili brenda 172 faqesh ka shtyllë kryesore dy familje njërën nga fshati Drapër dhe tjetrën nga Prishtina, të cilat njihen dhe ndihmojnë njëra-tjetrën në rrethana të jashtëzakoshme. Në këto dy familje në të njejtën ditë lindin dy vajza, fatin e të cilave, por edhe të tjerëve që kanë të bëjnë me lidhjet familjare etj. i ndjek autori. Gjatë shtjellimit të romanit në aspektin kohor fakton rekuizimin e prodhimeve bujqësore, të pasurisë, bastisjet e përditshme, pushkatimin e Adilit, një zejtari që kombëtarisht kishte ndihmuar liridashësit, torturës çnjerëzore të Murtës, por edhe vdekjen aksidentale të Remit. Vajza e mbetur jetime e të parit nuk ka problem regjistrimin në shkollë të mesme, ndërsa Hana nga fshati Drapër po, sepse ka kundërshtime të mëdha nga familja e gjerë. Leja e nënës, përkrahja e vëllezërve të saj bëjnë qe edhe ajo ta regjistrojë mjekësinë, por me një kusht, që ta ruante veten, sepse me ruajtjen e vetes, do t?ua hapte rrugën edhe vajzave tjera për shkollim. Hana këtë e ka çështje parësore, por te Lana ndodhë tragjika, sepse ajo dhunohet nga daja (sipas zakoneve turke në Turqi) si kusht për ta martuar. Kjo traumë e pësuar pati rrjedhojë çoroditjen e saj në aspektin moral. Ajo humb ndjenjen e dashurisë, ndërsa reflektohet në kënaqësinë e çastit. Martesa e saj me Isën, i cili e shpëton nga rrotat e trenit, i shërben si mbulesë në aktet jashtë kunorës. Mirëpo, Lana, me vdekjen e djalit të saj, Cenit, e bën ta shohë realitetin që kishte krijuar, andaj këtë e shpreh edhe në aktivitetet e saj kundër pushtetit represiv, porosinë e fëmijëve të varret, aktiviteti në kuadër në Shoqatës bëmirëse ?Nëna Terezë?, megjithë këtë vuajtjet pasojnë për të, por edhe për gjithë popullatën në luftën çlirimtare. Ajo më e rënda ishte përdhunimi nga barbarët serb në oborrin e shtëpisë, djegien e shtëpisë etj. Gjithë këtë e merr si dënim, andaj për të bëmat e quan veten shtrigë. Mirëpo vetëm ajo si shtrigë nuk pëson nga barbarët serbë, por pësojnë të gjithë, pra edhe Tafa i Hanës, të cilin sërbët i marrin gjakun për të plagosurit e tyre në luftë dhe si pasojë e kësaj Tafa vdes. Jeta dhe vdekja për autorin janë ato segmente që njëra bën në ndërtim e tjetra në shkatërrim të vetë qenies.
Ndërtimi i kësaj ngrehine mbështetet tërësisht në realitet, por u muar vesh duke përdorur emra të tjerë. Për të pasqyruar jetën brenda thuajse një pesëdhjetëvjeçari, autori gjurmoi, intervistoi dhe sistematizoi materialin ngadalë e me përkushtim, sepse për ta njohur realitetin e një tregimi, për t?i qenë sa më besnik të të kaluarës dhe sa më autentik në pasqyrimin e atij realiteti ai me durim kërkoi të dhëna në fshat e në qytet, vazhdoi të shohë përmes llupës së kohës dhembjen dhe lumturinë edhe gjatë kohës sa banorët e vendit të tij kishin vetëm gjysmë dielli, edhe kur dielli ngrohu më mirë me rënien nga skena politike të gjakatarit Rankoviq, kur pasoi një hapërim i përgjithshëm drejt shkollës për disa që të zihen me punë sa më shpejt, për disa për të vazhduar studimet, në këtë duke shënuar edhe suksese qenësore për prosperim, sidomis për emancipimin e femrës duke nisur nga heqja e ferexhës, shkollimi i saj, punësimi etj. sepse, në veprën e Hamitit femrën tashmë e shohim nxënëse, administratore, mësuese, drejtore, mjeke etj.
Autori Hamit F. Gurguri e vazhdon rrugëtimin e krijimtarisë së tij me një prozë të kapshme, të lehtë, aso që të mban kërshëritar pa mundur t?i shqitesh deri në fund. Autori i ikë qëllimisht voluminozitetit dhe teprimeve që lexuesi të mos mërzitet, por të mbahet pezull, në dihamë. Përfundimi i romanit nuk të ngulfatë me situata të pazgjidhëshme, por të lë shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe se për vuajtjet e sakrificat do të pasonte domosdo shpërblimi, që mund të mirret edhe si porosi e librit.