E hene, 29.04.2024, 01:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Malli për atdheun dhe dashuria si inspirim

E hene, 27.12.2010, 07:43 PM


MALLI PËR ATDHEUN DHE DASHURIA  SI INSPIRIM

 

Ardita Jatru: “Alter - Ego”, poezi,botoi “Dora d’ Istria” – Tiranë, 2007

 

Nga XHELADIN MJEKU

 

Në një sprovë eseu për njohjen fillestare me poezinë e Ardita Jatrusë në disa faqe interneti, aq sa ishin mundësitë e kontaktimit me këtë krijimtari prej një krijueseje në mërgatë  me personifikimin  me zogun dhe verën nuk ishin të rastësishme, meqë për një kohë të gjatë kemi vrojtuar kahet e rrugëtimit të këtyre krijimeve që shquheshin  me pedantërinë e vargut dhe mesazhin kuptimplotë.

           Pas kësaj njohje me poezinë e saj, mësojmë se autorja kishte publikuar edhe  përmbledhjen e saj të parë të poezive „Jetës i falem“, që do ta konsideroja edhe  një obligim më shumë ndaj kësaj krijimtarie të përkushtuar, që nuk ka se si të mos i provokoj ndjenjat shpirtërore dhe interesimet për të njohur këtë krijimtari të publikuar edhe përmes librit.

        Tashmë kur  kemi edhe librin e dytë të Ardita Jatrusë “Alter-Ego”, me një titull simbolik në kuptimin e zbërthimit poetik dhe letrarisht të kapshëm si shprehje figurativisht mirë, interesimit për t’u njohur edhe më gjërësisht me këtë potencial krijues-poetik të saj po i qasemi në prizmin e rileximit të vëmendshëm, me qëllimin që të shkoqisim disa aspekte të dalluara dhe mbresëlënëse të kësaj lënde poetike të prezantuar këtu.

 

Komunikimi përmes vargut emocional

 

         Shfletimi me kujdes dhe kurioz për të bashkëjetuar çastet e poezisë së Ardita Jatrusë, në masë të mjaftueshme më mundësuan përcaktimin e drejtimit se nga duhet të udhëhiqet vështrimi, përkatësisht ku mund të gjejmë pikëtakimet me poezinë e saj.

           Që në nismë  duhet të dalloj një element që e karakterizon organizimin e këtij libri me poezi. Një ndarje në dy pjesë, dy cikleve të vetme, që përkujtojnë dy botëra të një krijimtarie, ku në mesin e tyre qëndron autorja, duke kundruar dy kahet e zhvillimit të botës së saj imagjinativo-poetike, të lidhura ngusht me unin e saj krijues dhe mallin e jetës, si qëllim i shprehur në brendësinë e asaj materie poetike. Ciklet “Ringjallja e shpirtit femëror” dhe “Përhumbje poetike”, sikur paralajmërojnë diçka që do të bën kurreshtar të hetohet se cili ishte  qëllimi i kësaj ndarjeje në dy pjesë. Në fakt kjo ndarje aludon në kujtesën e së djeshmes, me të gjitha peripetitë jetësore, me jetën e mërgimtarit, mallin për atdheun, me pjesën e kuptimit të jetës së rinisë së hershme, dashurinë, kujtimet, çastet e mira dhe pjesën e jetës së hidhur, që e përcjellin autoren, duke kaluar në pjesën e dytë, ku pritja dhe shpresa sikur kanë bërë folenë në vargun e ngjeshur dhe të mprehtë të saj, ku gjejmë guximin e autores për të ngritur qështje jetike në planin jetësor dhe poetikisht të realizuara mirë.

           Nuk është thënë kot se fjala e popullit jeton gjatë, madje edhe pesha e saj matet me peshën e gurit. Kurse kënga që nuk vdes kurrë lirisht mund të konsiderohet kënga e mallit të rapsodit popullor, e cila rrënjët i ka në thellësinë e zemrës. Poezia në këtë rast qëndron në mes këtyre dy fakteve, sidomos kur edhe ky varg në masë të konsiderueshme e ka për burim mallin për atdheun dhe brengën e madhe për vetminë mallëngjyese që i ka degëdisur tejet larg nëpër botë. Një mallëngjim të këtillë e takojmë edhe në vargjet e poezisë së Ardita Jatrusë, që e kemi për objektiv shqyrtimi:

 

                                   “Nëse më lexon dikur, ti malli im i largët

                                   Vargjet e mia rebele nën një rimë

                                   Mëso se rrija nën dritën e pakët

                                   Kërrusur mbi letër gërvishja vetminë“

                                   („Kërkomë tek ndonjë varg“, fq. 9)

 

            Është mbase i arsyeshëm një mallëngjim i këtillë gjithnjë duke „gërvishur“ nëpër kohërat që po ikën. Duke u përpëlitur me zezonën shekullore të popullit tonë, të cilët u bënë pjesë e çdo kontinenti, pjesë e vuajtjeve dhe mallit që djeg si prush në dhera të huaja. Një fatkeqësi e këtillë, si duket do të na përcjellë edhe më. Këtë çështje tejet të ndieshme e ka pikasur në poezinë e saj mbase një  herë e mirë edhe autorja. E nisëm me këto vlerësime nga fakti se gjithë poezia e saj sikur ka një pretendim: daljen nga vetmia, kthimin e një lumturie të ikur se „Na u rritën fëmijët Rita/Nuk t’i njoh e nuk m’i njeh/Nuk njohim gjurmët e kohës në fytyrat tona“ që do të vazhdoi të shpreh shqetësimet e saj Ardita në poezinë  „Rita“, fq. 60.

             Emocionet poetike pothuajse e përshkojnë gjithë poezinë e Arditës, duke përshkuar tej e tej ngjarje e situata të ndryshme, shqetësime, dhimbje, mall, ëndrra dhe shpresa për atë që e preokupon në vazhdimësinë e jetës. Nga numri i madh i poezive, do të veçonim: „Sonte do fle me derën hapur“, „Në të sjelltë udha për tek unë“, „Është stinë pranvere dashuria i dashur“, „Zambakët e bardhë“, Adagio“, „Më duhen dy zemra të të dua“ e shumë të tjera, që shquhen për arritjen artistiko-letrare dhe për shprehjet emocionale të autores.

 

Nostalgjia për atdheun, dashuria dhe vetmia si sprovë

 

           Te krijimtaria poetike e Arditës gjejmë edhe poezi me motive të tjera, por edhe më tutje është dominuese poezia e vetmisë, e dashurisë për atdheun, për miqtë e vjetër, për gjithçka që do ta gëzonte në jetë, sepse monotonia tashmë sikur ia ka thyer shpresat e jetës dhe vazhdon ta mbajë nën ethe të ankthshme duke mos iu gëzuar një „fati“ që mendohej se do të ishte zgjidhja e problemit. Ikjet masive të të rinjëve një kohë sikur e kishin një arsye: daljen nga një rreth totalitar i izolimit, por me ikjen e kohës kjo çështje vjen e kuptohet krejt ndryshe. Tashmë, kur problemet po rishikohen me një sy kritik të një pasoje afatgjatë, duke e ndier në palcë mungesën e dashurisë prindore, të farefisit, të miqëve, duke e ndier poashtu edhe rrezikun e një asimilimi të gjeneratave që pasojnë, e deri edhe mundësinë e humbjes së ndjenjës së të qenunit pjesë e një kombi historikisht më të lashtë në Ballkan, sikur hetohet një ndjenjë tepër e ndieshme edhe në vargun e Arditës, e cila ndonëse asnjëherë nuk pushon së shpjeguari këtë fenomen të ndjenjës së një vetmie në dhe të huaj, ku prezencën e të huajit „e ndiejnë së tepërmi’’:

  

                                       „Eh nuk ëshë vetëm fat të jetosh pranë detit,

                                        Mike, atje rrëzë Olimpit ku jeton ti, bëj kujdes

                                        Kam dëgjuar se Perënditë ngjallen

                                        Nën Hënën e plotë të Gushtit,

                                        E mishin e huaj e ndiejnë së tepërmi,

                                        Megjithatë mike

                                        Nuk qenka vetëm fat të jetosh në Greqi”.

                                       ( “Është  fat të jetosh në Greqi”, fq. 64)

 

          Nuk do të mjaftonte edhe shumë hapësirë për të paraqitur një mendim  të vëmendshëm për një prezantim të portretit krijues të autores që e  kemi për objektiv vështrimi. Para vetes kemi përmbledhjen e dytë të poezive “Alter-Ego”, prej të cilës edhe po nisemi këtij rrugëtimi,  me sigurinë se ajo që prezantojmë do të konsiderohet një material bindës për një definim përmbyllës rreth kësaj krijimtarie, që krijon një bazë të mirë për të llogaritur në një pretendente të ardhshme të letrave shqipe, me një maturi dhe përkushtim. E motivuar nga peripetitë jetësore, nga e kaluara, nga varfëria: “Se nuk e ngope kurrë barkun me bukë/E nëna të jepte akoma sisën e shteruar/Veç të prekje dashurinë e saj me buzë/E gjumi trokiste ëmbël, zemrës së drithëruarë”, sikur gjen forcë që  prapëseprap t’i gëzohet të ardhmës, përkundër gjithë atij përshkrimi rrënqethës.

 

                                       „Se u rrite engjëllushi im me halle e derte

                                        Dhe mallëngjehem tek burrë të shoh sot“

                                        („Elvis“, fq. 7)

 

          Mjaftojnë këta pak shembuj që të paraqesim vizionin krijues të Arditës, ndonëse në opusin e saj krijues takojmë edhe shumëçka, që si duket ende vazhdon të jetë preokupim i tematikës që do ta shtjelloi edhe mëtej. Poezitë, si: „Dehje“, „Kur ti shkon“, „Monolog“, „Trishtim“, „Lonestar“, etj. edhe më tej e sforcojnë bindjen se autorja ka për pasion poezinë që ndieshëm prek edhe tematikën e përditshmërisë, të dilemës hamletiane „të jemi bashkë a të mos jemi“, do të shpreh shqetsimet e saj, anipse në të shumtën e krijimeve poetike të motivit erotik tek shumë nga krijuesit e tjerë takojmë vetëm përshkrime pozash mikluese, autorja në shqyrtim kësaj çështjeje i çaset në një mënyrë pak më ndryshe, gjithnjë duke prekur edhe anën tjetër të këtyre „gëzimeve“ jetësore. Ato sa vijnë e marrin një formë të shqetësimeve, të një pasigurie, e deri në kërkim të vazhdueshëm të një zgjidhjeje të ëndërruar.

          Modestia e fjalës së shprehur dhe përkushtimi mjeshtror i latimit të vargut deri në ngritje lapidare të mendimit, paisur me elemente gjuhësore dhe stilistike, me trope dhe metafora, me prezencën e figurave mitologjike, duke i pozicionuar kujdesshëm në vende dhe kohë adekuate, padyshim se të imponojnë një përkujdesje për kohë më të gjatë rreth kësaj poezie që po vie mes nesh. Këtij vlerësimi, sidomos i rrijnë përballë poezitë: „Në rruginat e Vardarit“, „Është stinë dashurie pranvera i dashur“, „Për ty“, ‚Muza po më vdes“  dhe së fundi edhe poezia „Alter-Ego“, të cilat do të gëzonin vend meritor në  përzgjedhje antologjike.

 

Fjala kulmore

                                                      

           Në përmbyllje të këtij vështrimi për krijimtarinë poetike të  Ardita Jatrusë, ndiej për obligim që edhe një herë t’i referohem shkrimit eseistik që e kisha shkruar më parë kur autorja kishte prezantuar poezitë e para të saj, të publikuara për lexuesin e një territori më të gjërë se që e arrijnë gazetat, revistat apo ndonjë libër, që të shumtën shpërndahen në një teritor më të ngushtë se atë që arrin elektronika ta përhap tek lexuesi gjithandej kah frymohet shqip, deri edhe në kontinentin e largët. Ishin veç  ndonja dy-tri poezi, që kishin zgjuar kërshërinë e lexuesit, duke u përshkuar me shumë fjalë e komente nga më meritoret, që edhe krijuesit të talentuar do t’i kishte bërë përshtypje për vullnet dhe kurajo për ecje përpara. Këtë si duket do ta ketë kuptuar me kohë edhe Ardita, e cila vazhdoi të jetë prezente me poezitë e saj, gjithnjë duke u dëshmuar si një pretendente e sinqertë drejt shoqërimit të emrave që premtojnë.

         Tashmë shqyrtuam lëndën poetike të përmbledhjes me titull simbolik dhe domethënës, që shpreh kuptimësinë e botës së shqetësimeve, krajatave jetësore, shpresës së një ditëlumturie të re, ku paraqitet edhe në poezinë me po të njëjtin titull, duke ndarë bashk çastet e këtij pasqyrimi përmes penës mjeshtrore të Ardita Jatrusë:

 

                                            „Mbrëmë isha unë ajo që çthuresha me terrin.

                                            Mbrëmë, ëndrrat Uliksiane

                                            Më eklipsuan memorjen me dhunë“

                                            ( „Alter-Ego“, fq.63)

 

            Prandaj shprehur figurativisht: derisa zogu me cicërimat e tij plot afsh dhe mall i këndon jetës, vera doemos do t’ ia shpërblej bereqetshëm ato thirrje melankolike, ato gëzime e deri edhe lutjet për një ardhmëri më të lumtur. Do të tingëllonte si mendim profetik kjo që u theksua që në fillim, sikur të ishte fjala përmbyllëse e këtij shkrimi, por nga dëshira që ky mendim të ketë formën e qëndrueshmërisë së një vlerësimi sadopak të saktë u përpoqëm që të bëjmë një ilustrim modest me materien në dispozicion. Konsideroj se ky shkrim pasqyron në një masë të kënaqshme portretin krijues të Ardita Jatrusë dhe një orientim të  mirë për vështrim serioz të krijimtarisë poetike të saj.

             Kujtoj se personifikimi i lartëcekur i bën hieshi si një petk i zgjedhur për ndonjë çast festiv këtij shkrimi. Në të kundërtën e kësaj do t’i mbeteshim borxh përjetimeve të takimit me krijimtarinë e kësaj krijueseje që premton shumë në të ardhmen.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora