E marte, 06.05.2025, 03:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Iliaz Bobaj: Vetëshfaqja

E diele, 26.12.2010, 08:21 PM


Iliaz Bobaj lindi në fshatin Lazarat të Rrethit të Gjirokastrës, në një familje me tradita atdhetare dhe kulturore. Shkollën fillore e filloi në vendlindje, por e vijoi dhe e përfundoi në qytetin e Delvinës, ku u shpërngulën familjarisht. Në qytetin e Delvinës përfundoi edhe shkollën e mesme, me rezultate të larta. Ka kryer studimet e larta për matematikë dhe fizikë në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe më pas edhe Universitetin ''Eqerem Çabej'', në Gjirokastër, po në këtë degë.

         Ka punuar mësues në rrethet e Sarandës, Delvinës, Pukës, drejtues shkolle në qytetin e Delvinës, drejtues i Shtëpisë së Pionierit Delvinë dhe gjatë viteve 1992-1997 ka kryer detyrën e Sekretarit të Këshillit të Rrethit te Delvinës. Prej vitit 1997 ka emigruar së bashku me familjen e tij në qytetin e Patrës, (Greqi), ku jeton edhe sot. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

        Me krijimtari letrare është marrë që në bankat e shkollës, duke botuar në organet e shtypit të kohës fabula, poezi, (për të rritur dhe për fëmijë), epigrame, tregime, (për të rritur dhe për fëmijë), përkthime dhe publicistikë.

       Është poet, shkrimtar, fabulist, humorist, eseist, publicist dhe përkthyes. Është autor i librave:

1. Dora dhe faqja, (fabula).

2. Dhelpra dhe gjyqtari, (fabula),

3. Jetën e pres si të vijë, (poezi),

4. 501 fjalë të urta, (fjalë të urta).

5. Molla e sherrit, (fabula),

6. Legjenda e Syrit të Kaltër, (legjendë për fëmijë),

7. Tregu i fjalës, (epigrame),

8. Dino Buzzati ndalohet në doganë, (tregime satirike),

9. 777 fjalë të urta, (fjalë të urta),

10.Testamenti i bukurisë, (poezi),

11.Rrëfimet e një nate kthimi, (esse).

Së shpejti nxjerr nga botimi librat:

1.Poezi (në tri gjuhë),

2.Bota është sa nëna ime, (tregime për fëmijë),

3.Legjenda e Butrintit, (legjendë për fëmijë),

4.Ora e florinjtë, (tregime).

Është autor i disa përkthimeve:

1.Ezopi, (vepra e plotë, fabula),

2.Jeta në varr, (Strati Mirivili, roman).

3.Në detin e bukurisë, (Panajota Zalloni, poezi).

4.Dashuri në Butrint, (dramë, Dino Kubatis).

5.Ka përkthyer në shqip pjesë nga veprat e autorëve të mëdhenj botërorë, (midis tyre edhe nobelistë), si: Azis Nesin, Mark Tuein, Gi Dë Mopasan, Anton Çehov, Krillov, Elitis, Kavafis, Dhimulla,etj.

        Krijimtaria e tij letrare është përfshirë në disa antologji poetike, (shqip dhe në gjuhë të huaja), brenda dhe jashtë vendit. Poashtu krijimtaria e tij është botuar në shqip dhe në gjuhë të tjera në disa vende të botës, si në Angli, Rumani, SHBA, Greqi, Kosovë, Turqi, Itali, Mali i Zi, FYROM, Maltë, Meksikë, etj.

        Disa nga librat e tij janë rekomanduar për programin mësimor në degët e gjuhës shqipe në Universitete brenda vendit dhe në degët e Albanologjisë jashtë vendit.

Boton në shumë organe, (shqip dhe në gjuhë të huaja), brenda dhe jashtë vendit.

       Është fitues i mjaft çmimeve letrare, (brenda dhe jashtë vendit), për krijimtarinë e tij letrare dhe për përkthime.

       Është organizator dhe pjesmarrës aktiv në veprimtari letrare-artistike, si brenda vendit, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.

         Është veçanërisht i lidhur me vendlindjen e tij, Lazaratin, me atdheun, me hapësirën mbarëshqiptare dhe me problemet e emigracionit shqiptar në Greqi, duke qenë njëherësh edhe një zë i fuqishëm në përkrahje të tyre dhe të problemeve që ata kanë dhe një ndër publicistët më të njohur dhe më të lexuar në Greqi.

        Është Anëtar i Redaksisë së Gazetës LAZËRATI dhe i Gazetës së Athinës, (gazeta më e madhe shqiptare në Greqi).

        Është Anëtar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë ''FJALA  E  LIRË'', (Londër).

Është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.

Është Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj të Shqipërisë.

Është Anëtar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Është Reporter i Radio Sarandës në Greqi.

Është Anëtar i Lidhjes Ndërkombëtare të Krijuesve PEGASI, me qendër në Gjirokastër.

Është Anëtar i Shoqatës Botërore të Shkrimtarëve, (W.P.S).

 

VETËSHFAQJA

 

Nga ILIAZ BOBAJ

 

 

KUAJ DHE KALORËS

 

Të vetmit kalë që s’i mungon kurrë tagjia,

është kali i bëshëm i mbretit.

Të vetmit kalë, që s’i mungon kurrë kalorësi,

është kali me shalë i pushtetit.

 

Kali i dytë ndryshon nga kali i parë:

shpesh e kalërojnë aventurierë të marrë.

Kali i parë nga i dyti ndryshon gjithashtu:

shpesh e kalërojnë mbretër pa tru…

 

 

KORBAT

 

Ca korba, si ishuj të zinj,

mbi krye po ma zinin diellin.

- Ah, - thirra, - do më nxjerrin sytë!

- Jo, - thanë, - do të të nxijmë qiellin.

 

 

KTHIMI I PLLAKËS

 

-Ju s’kini pikëz dinjiteti, -

u thanë drejtuesve të partisë, -

e ktheni pllakën nga do shefi,

pa pikëzën e burrërisë.

 

-Na e do puna, - i tha njeri, -

ta dredhim siç dëshiron shefi.

Po edhe shefi dreqi vetë,

e dredh siç e do interesi.

 

 

MENDIMI I FJALËS

 

I thoshte fletës fjalë e shkruar:

-Nuk di në më kupton,moj fletë,

ç’mendim mbi vete kam ngarkuar,

me ç’mendim rroj në këtë jetë.

 

-Kuptoj ç’më thua, - i tha fleta, -

po mos i bëj shumë qejfin vetes.

Me ç’shoh, më shumë mendim se ti,

shpeshherë mbartin pikat e heshtjes…

 

 

GOJA DHE VESHËT

 

Kish heshtur goja, rrinte si memece.

- Fol, - i tha syri, - thuaj të vërtetën!

- Jam gati, - tha goja, - ta them fjalën time,

po puna është të dëgjojnë veshët…

 

 

OPOZITA PARA GJYQIT

 

Nga akuzat që pati nga pozita,

në dyert e gjyqit përfundoi opozita.

Erdhi dita, para trupit gjykues,

gjykatësit i numëruan akuzë pas akuzë.

Tha kryetari i gjyqit:

-Më mirë opozitën ta nxjerrim jashtë ligjit!

Ka ardhur dita,

të punojë e qetë në pushtet pozita.

Shefi i pozitës:

-Jo, kurrsesi!

Pa opozitë, s’ka demokraci!

Dikush aty pranë:

-Ç’qëndrim me dy faqe

dhe e akuzoni dhe s’e hiqni qafe?!

-Ah, - i tha shefi, - e dua se më duhet,

opozita është mushka,

ku ngarkojmë kusuret.

 

 

FERRA DHE FJALA

 

Njerinë pengoi ferra një ditë,

fjala iu turr me tërsëllimë:

-Ah, ti, ti qenke dreqi vetë,

s’e le një herë të qetë fatzinë!

 

Tha ferra: - Mos fol për të tjerë,

po shih dhe kusuret e tu:

unë ferrë i bëhem nëpër këmbë,

ti ferrë i bëhesh nëpër tru.

 

 

NDRYSHIMI

 

U ndryshua sistemi i mëparshëm,

erdhi tjetri,

krejt ndryshe nga sistemi i parë.

 

Edhe njerëzit ndryshuan

dhe ndryshojnë me orë.

 

Bëhen më të pasur,

më pak njerëzorë.

 

 

GJINKALLA DHE FABULISTI

 

-Ti fabulist, - i tha gjinkalla,

që rrinte mbi një degëz ftua, -

një jetë të tërë, keq më je qepur,

me ato fabulat e tua.

 

-Gjinkallë, po dihet nga të gjithë,

ti vend në fabula ke zënë,

se vjen e shkon e s’bën një punë,

po jeta nuk është vetëm këngë.

 

-Të dija pakëz më të mënçur,

por ti, or mik, s’kuptoke fare,

kur vij, unë vij vetëm për këngë,

se kam talent si këngëtare.

 

Dhe puna ime, është kënga,

në këngë jam e papërtuar.

Nuk kish ç’t’i thoshte fabulisti,

veç bëri tutje i menduar…

 

 

EMBLEMA

 

Në emblemën e një partie:

dy duar, me një pëllumb në mes.

E vërej me kujdes:

hipokrizi pafund.

Ata që janë skifterë rrëmbyes,

e reklamojnë veten për pëllumb.

 

 

ALARM NË KOSHERE

 

Zukama bletore,

mjedisin përpiu:

-Gati për mbrojtje,

po vjen ariu!

U tha ariu:

-Rrini në paqë,

njëherë e një kohë, vija për mjaltë.

S’ia vlen më,

të sakrifikoj mes thumbash,

nëpër bletë.

Tani në pyll jam deputet.

Në pjatë ma sjellin mjaltin qelibar.

Hajt, o bletë, u vaftë puna mbarë!

 

Zukatën bletët e thanë nën zë:

-Tani punon i gjithë pylli për të…

 

 

VENDI I MERITUAR

 

Thërrisnin ca miza,

në shpatijen e malit:

-Kemi pushtuar,

fundbishtin e kalit!

Një flutur,

që rastësisht i dëgjon:

-Kini zënë vendin që u takon.

 

 

PESHA E FJALËS

 

I ndau fjalët me kujdes,

secilën sipas rëndësisë,

në thasë i futi veç e veç,

ia ngarkoi kalit t’mënçurisë.

 

Thesi me fjalë që kishin peshë,

u mbush me to plot e përplot.

Thesi që kish fjalën e lehtë

dhe pse e mbushën, mbeti bosh.

 

Thesi i mbushur gjer në grykë,

rëndon mbi shpinoren e kalit.

-Të tjerat, - pyetën, - ç’u bënë?

I dituri: - I mori ajri.

 

 

MIKROFABUL

 

Tha muri, kur gozhdën,

prej tij e flakën:

-Vërtet të vogël,

po ma la plagën…

 

 

MALLI

 

Hundëpërpjetë padituria,

diturisë i shiste mend:

-Ç’më hiqesh sikur ke vlerë,

e kush e blen mallin tënd?

 

Ndërsa unë, eh, ç’të të them,

mallin e jap lehtësisht,

duart bosh i kam përherë

dhe pse prodhoj me shumicë.

 

-Midis nesh, - tha dituria, -

ka një ndryshim sa një mal:

mallin tim unë e shes shtrenjtë,

kurse ti tëndin e fal.

 

 

VETËSHFAQJA

 

Dikush kritikoi ashpër Skënderbenë.

Një tjetër Naimin,Migjenin,

Ismail Qemalin.

 

Të hidhura i patën fjalët.

 

Pyetën një të ditur:

-Këtë si ta quajmë?

-Mënyrën më të mirë,

për t’u vetëshfaqur bastardët...

 

 

LAKEJTË

 

Një kryeplak mbante për shoqërues,

një fshatar të zgjuar, dinak, mashtrues.

Ç’thosh kryeplaku me pleqtë në fshat,

fshatari dredhisht u vinte kapak.

Një ditë kryeplaku fjalën ka marrë:

-Sonte, o burra, kam parë ç’kam parë:

një qen, duke shkuar, po lehte në qiell.

-Oh, ti gënjen ditën me diell!

Hidhet shoqëruesi, jep argumentim:

-Një buf kaloi këtej fluturim.

Në thonj, mbante, ç’kish marrë në një stan:

një këlysh qeni, që lehte: ham-ham.

Fshatarët gojëhapur, shtangën në vend:

-Një gjë e tillë, s’na shkonte ndërmend!

Dhe ulën kokën e thanë nën buzë:

-I zgjuar qenke, or ti, kallauz...!

Fshatarët e gjorë, të padjallëzuar,

e hëngrën gënjeshtrën e zbukuruar.

 

Fshatari finok, më kujton sot lakejtë:

lustrojnë, zbukurojnë ç’thonë të mëdhenjtë.

 

 

DËBORA

 

Ndërsa bora mburrte veten:

-Pastërtinë s’ma ka asnjë!

Si për ironi të fatit,

shkon një qen, përmjer mbi të.

 

I tha atëherë një korije:

-Je e pastër, por në qiell...

 

 

ÇIÇIKOVI DHE SHVEJKU

 

U ndodhën pranë në një raft librash

dhe Çiçikovi flet i pari:

-Ah, ti je një aventurier,

me ty, o Shvejk, s’mban më kandari!

 

Dhe nuk janë vetëm aventurat,

as ajo punë e ordinancës,

merr qentë e rrugës, mashtron zonjat

dhe jua shet për qen të racës.

 

-Vërtet e kam tepruar pakëz, -

ia ktheu Shvejku me të qeshur, -

veçse unë shes shpirtra të gjallë,

kurse ti shet shpirtra të vdekur...

 

 

E VËRTETA DHE GËNJESHTRA

 

As njerës, as tjetrës,

s’ia gjen dot anën.

E vërteta thuhet nga njërëzit e vërtetë.

Gënjeshtra falet nga mashtruesit,

shitet shtrenjtë nga politikanët.

 

 

DASMA

 

Dasma i ngjante një dasme mbreti:

të ngrënat, pa kufi,

pija, ujë deti.

Nëpër dasmorë,

hidhte valle qejfi.

I zoti rrinte në këmbë qiri,

shërbente,

pyeste me njerëzi:

-Dëshironi gjësend?

Mos ka gjë mangësi?

Njeri, kur dilte,

i tha rëndë-rëndë:

-Sonte e tepruat,

na dhatë shumë për të ngrënë...

 

 

KALI

 

Tani kalin nuk e lidhin në drurin e lëmit,

të shijë gjithë ditën, në mes të sheshit.

Tani me kalin shirës, nuk kanë më punë,

tani kanë punë me kalin e pushtetit.

 

 

ÇMIMI I VITIT

 

Shkencëtarit,

i dhanë Çmimin e Vitit,

(për të cilin kish punuar një jetë).

Futbollisti,

e lexoi lajmin në gazetë:

-Të mjerit shkencëtar,

ç’t’i thuash,

aq sa çmimi i tij,

unë i marr për një muaj.

E la gazetën mënjanë dhe shtoi:

-Do apo s’do bota,

sot paguhen më shumë këmbët,

se koka.

 

 

PIKA E YNDYRËS

 

Nga luga,

ra pikë e yndyrës.

-Ah, më ndote! -

thirri mbulesa.

 

-Oh, kush duron mizat! -

psherëtiu tryeza.

 

 

TRASHËGIMTARI I FRONIT

 

Me gjoks të ngjeshur me grada, dekorata,

ka dalë në foto,

trashëgimtari i ri.

Në fron,

mban fronin e dhuruar,

në uniformë,

meritat e pamerituara të paraardhësve

dhe meritat e pamerituara të tij.

 

 

TEK PELLGU

 

Pellgun e zaptuan buajt,

pinë ujë, u qetuan.

Dy prej tyre matën forcat,

po e pësuan bretkosat:

thyen brinjë, kokë e këmbë,

disa mbetën top në vend,

hidhen t’i shpëtojnë thundrës,

midis tmerrit, midis dhunës,

dhimbje, lotë, po kujt t’i qahen...?

Buajt shtyhen, s’dinë të ndahen.

Një bretkosë me vete flet:

-Të zë hall me të mëdhenjtë...!

 

 

INTERESI

 

Kërkonin dikë,

vlerën e njeriut, ta vinte në provë,

ta peshonte saktësisht.

 

U lodhën fort, askush s’e gjeti.

 

Ndërkohë u dëgjua një zë:

-Ma lini mua, - u tha interesi.

 

 

VESI DHE VIRTYTI

 

Virtyti shkonte nëpër rrugë

Dhe vesi nis duke e ngacmuar:

-E shoh, s’të shkoka më lëkura,

në këtë kohë të tjetërsuar.

 

-Ke sy e faqe të më flasësh,

ti, negativi i kësaj bote,

po ç’të thotë mendja, o dritëshkurtër,

mendon se shkon lëkura jote?

 

-Vë maskë dhe veten për virtyt,

ta dishë, e shes me lehtësi.

-Ti dil me maskë hipokriti,

po për virtyt, s’të blen njeri.

 

 

KANDIDATI I PAVARUR

 

Gomarin nuk e zgjodhën kandidat,

u mërzit, ndenji hundëvarur.

Pastaj palli me zë të lartë:

-Do dal kandidat i pavarur!

 

Me ca nënqeshje ironike,

nisën ta tallnin të tjerët.

-Mos u habitni, - tha veshgjati, -

unë vota do marr nga gomerët.

 

 

FSHATARI DHE DHELPRAT

 

Një fshatar në një fshat,

ndiqte dhelprat,

që s’i linin pulat rehat.

I tha një tjetër:

-Mos u lodh kot,

me dhelprat e pyllit,

nuk ia del dot.

Po deshe, një këshillë,

ma dëgjo dhe mua:

më mirë shko mblidh,

pulat e tua!

 

 

RJETA E DASHURISË

 

Ia qepa rrjetën dashurisë,

Po prapë e grisur qe e tërë.

-Ah, - thashë, - s’ia ditkam mjeshtërinë!

Tha rrjeta: - S’mbaja më gjilpërë!

 

 

BLUZAT

 

Një mjek të nderuar, e thirrën,

t’i jipnin post të lartë në politikë.

-Nuk pranoj, - tha mjeku, -

nuk pranoj dhe pikë!

Këmbëngulën: - Së paku,

na thuaj, cili është shkaku?

-Se një gjëje të hidhur,

i druhem vërtet:

hyj me bluzë të bardhë

e dal me bluzë të zezë...

 

 

GOMERËT E FABULËS

     DHE NJERËZIT

 

Më pyeti dikush:

-Pse i telendis gomerët në fabula?

Ç’faj të kanë bërë të ngratët?

I thashë:

-Nga gomerët, nuk kam asnjë ankim.

Tall gomerët,

Që të kuptojnë ca njerëz,

Se janë më pa tru se veshgjatët.

 

P.S. Arti është si deti,

       si venë e vijnë valët:

       sot, bashkë me gomerët,

       në vend të parë, po dalin zagarët. 

 

 

PREDHA E FJALËS

 

Krenohej goja për ca fjalë,

që i lëshonte pa mendim:

-Fjalën time askush s’e ndal,

se çan si predha në luftim.

 

Tha syri: - Ti, predhën e fjalës,

të rëndë hedh prej artilerisë,

po kë lëndon, kujt i hap plagë,

ti, armë e fjalës, s’do t’ia dishë.

 

 

DY KUAJT

 

Një kalë ngarkese,

i tha kalit të pushtetit:

-Ty s’të mungon gjë,

si kalit të mbretit,

ndaj je i fortë si dori.

Mua më bie bretku

dhe prapë uria, uri.

-Ah, ato fjalë,

kot sa m’i thua,

kjo shpina ime,

e di se ç’vuan.

Njerëzit e pushtetit,

kanë babëzinë,

të më rrinë ditë-natë mbi shpinë.

nga përvoja,

kam nxjerrë përfundime:

ëndrra e tyre,

është shpina ime...

 

 

GOMARI JEP MENDIM

     PËR KRIZËN

 

Me njerëzit qeshi gomari:

-Po të tillëve ç’t’u thuash:

sa pamend, flasin për krizë,

kur ka gjemba sa të duash...!

 

 

ROSA DHE ROSAKU

 

Rosaku pa rosën:

-Vesë përmbi zambak!

Rosa pa librezën:

-I pasur, ah, ç’fat!

 

Dhe vunë për martesë,

njeri bukurinë,

tjetri, natyrisht,

vuri pasurinë.

 

Ikën vitet, ikën,

i pari,... i treti,

rosa, dashurinë,

ia dha një tjetri.

 

Mori vesh rosaku:

-Tradhëti, hata!

Rosa qetësisht,

rosakut i tha:

 

-Tek ti bukurinë,

dhashë për pasuri,

po zemra, ta dishë,

s’blihet, kurrsesi.

 

 

KUJTESË

 

Në zyra pushteti, në zyra private,

një fakt domethënës, në sy të bie:

sekretaret janë të gjitha vajza të reja,

të gjitha të hijshme, të bukura si yje.

 

 

TELLALLI

 

Një gomar e vunë tellall,

e bën punën më së miri.

-Ej, - tha lopa, - zot na ruaj,

ky ka lojtur nga fiqiri!

 

-Ule zërin! – iu lut delja,

po veshgjati prapë avazin.

U desh të ndërhynte kali:

-Torrollak, mbylle gurmazin!

 

Ai tha: - Ç’kini me mua,

pëllas me urdhër nga lart.

Ç’më thotë shefi me zë të ulët,

unë e them me zë të lartë.

 

 

ZOGU I QYQES

 

Në folezë të huaj,

i vetëm rri brenda.

Pyeti: - Ku ndodhem?

-Tek të mbolli nëna.

 

 

KORRUPSIONI

 

Sa herë flitet për korrupsionin,

gjithkush merr masa, ashpër e lufton.

Tek ne,

ka një mënyrë krejt origjinale:

korrupsioni luftohet me korrupsion.

 

 

RIGONI DHE BAJGA

 

Pranë një rigoni, në pllajë,

shkon një lopë, lëshon një bajgë.

 

Sa për njohje, shpejt e shpejt,

e bënë një dorë muhabet.

Tha rigoni: - Jam prej fisi,

fisi ynë rrjedh nga lisi.

 

Tha bajga: - Dihet prej botës,

ne jemi nga fisi i lopës.

 

 

FAMILJA E RE

 

Burri kish me të shoqen dy fëmijë

dhe një vajzë me gruan e parë.

U nda dhe me gruan e dytë,

Ia la asaj dy fëmijtë,

Mori me vete,

Vajzën e gruas së parë.

U martua me një grua tjetër.

Edhe ajo me dy fëmijë të saj

dhe një fëmijë, nga burri i parë të gjetur.

 

 

KËSHILLA

 

I thotë faqja, gojës pranë:

-Kij kujdes, kur lëshon fjalë!

 

Ia kthen goja e menduar:

-Kjo këshillë s’ka të çmuar!

 

Sot e tutje do vë mend,

s’do flas më vend e pa vend!

 

Po këshilla s’mbajti gjatë,

harroi goja, llapi prapë.

 

Faqja ndërhyn hera-herës:

-Moj, po mbylle, vuri çelës!

 

Hunda bisedën e mbyllë:

-Kujt ia jep atë këshillë...!

 

 

KREHJA

 

Dha urdhër luani, dhelprën thirri pranë.

I tha: - Krehma bishtin, të më shkojë pas mode!

Ajo nisi punën, me zell të paparë.

Në fund, si ia krehu, ia mbushi me rrodhe... 

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx