E marte, 14.05.2024, 10:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Ndrekë Zalli

E diele, 26.12.2010, 04:53 PM


Ndrekë Zalli

 

 

Dilemë

“Shiu i butë lag t’marr’ e t’urtë”.

Kjo fjal’ m’erdh’ n’mend tue ecë n’për shì,

i lagun qull e pa ken’ i sigurtë

se ku baj pjesë n’kto dy “parti”!

 

Zbulim

“I zoti e din  se ku i pikon çatia”;

kët’ fjal’, siç duket, desht me than’ qyqari,

por shpiku nji t’re, që ra përmbys shoqnia:

“I zoti e din se ku i pikon ... gomari!”

 

Me u matë, por jo gjatë

“Mat shtat’ herë e prej nji herë”

përndrysh’ t’shkoi mundi për Bunë;

Sot ka dal’ tjetra që e nxjerr t’pavlerë:

“Sa t’matet i urti, i marri ka krye punë!”

 

Shkurtim ...me erë!

Qysh n’koh’ t’vjetra n’zonën tonë

“Mos kjosh trim – kan’ than’- kollitu”

Pak shkurtim iu ba tash vonë

“Mos kjosh trim –tash thjesht thojn’ -...dhitu”.

 

T’mardhitun

“Gjaja bashk’ e “shpina” jashtë!”,

-sa e sakt’, aq e goditun-

pesdhjet’ vjet m’e msue na à’dashtë,

prandej jena sot t’mardhitun!

 

Kujdes!

“T’marrin krahun po u dhè thonin”

thojn’ për njerëz që s’pshtyjn’ dorën;

Sot kto njerëz kan’ ndrrue zakonin

Po u dhè dorën t’marrin ... orën!

 

Ka edhe ma keq

“Me dal’ lumin e me t’sha kalin”

Kurdo që ndodhte, ishte boll e randë;

por tash kryejn’ punë, nisin e t’tallin,

t’marrin dhe kalin e t’thojn: “loksh matanë”!

 

Amnisti ...me bisht

“Qafën e shtrime nuk e pret shpata”.

Nji fjal’ e urtë jo fort përs’mbari,

se rrêhet i shkreti, qafën shtrin si pata,

e nuk e pret shpata, por e pret kulari!

 

Mendje hesapi...

T’moçmit patën thanë: “Mendja ban kalanë”,

me mend e me punë kalan’ e kan’ ngritë.

T’sotmit çorbë e banë, “mendja ban hatanë!”

E çorba e tyne po na mbyt përditë.

 

Sa punojmë kot

“Ma mirë puno kot, se me ndejë kot”,

kjo fjal’ pak ndryshe ndoshta ishte dashtë;

punuem e gja n’dritës’nxorëm deri sot,

tash o po rrinë, o ia mbathin jashtë.

 

“Kalatë” e sotme

“Gur ka nji gur bahet kalaja”,

veç don mûnd e kohë me u ngritë.

Për nji fjalë bahet hataja,

k’so “kalash” ne bâjm’ përditë!

 

Punë rrenash

“Rrena i ka – thojn’ – kamb’t e shkurta”

Kjo mund t’jet’ krejt e vërtetë,

veç nji gjâ s’thojn’ fjalt’ e urta

se shkon larg e diçka mbetë.

 

Zgjidh e merr

“Pula e vjetër ban lang t’mirë”

Kshtu mund t’jet’, përder’sa thonë,

por m’e dijt’ un’ kam dëshirë:

-Ma mir’ lang apo mish t’njomë?

 

Kohë e çuditshme

“Kush punon han” asht thanë kah mot,

asht fjal’ me vend, të gjith’ e dinë,

por s’po kuptoj kët’ kohën sot,

pse do që rrinë po hanë e po pijnë?!

 

Punë ...me bisht

Asht thanë përherë se “Puna asht nder”

por kohët e fundit iu bâ nji shtesë

(mâ mirë me thanë nji bisht iu lá n’derë)

-Puna asht nder... por hajnia jetesë!

 

N’daç!

“M’thuej me kë rrin, t’tham se kush je”

Kjo, deri dje, ka kenë tamam,

por sot po përdoret nji fjal’ e re:

“M’thuej kush je, të t’them se kush jam”!

 

Jo vetëm kafshatë

“Kafshata e madhe të mbet’ në fyt”

Kjo fjal’ n’koh’ t’sotme tingllon si rrenë,

po shohim do “kokrra” që s’e çajnë kryet

përlajn’ miliarda e gja s’po i gjen!

 

Afër, por...

“Afër detit, afër mbretit”.

Fjalë si thikë që pret n’dy anë,

i ndien pikën e lezetit

...por dhe kryet e ke n’gëshanë!

 

Diçka del

“Me i ra fyellit n’nji birë”

S’ka dyshim se ta mërzitë,

por atij ndoshta i del mirë,

mund ta çojn’ me ruejt’ bagtitë.

 

T’mardhitun

“Gjaja bashkë e “shpina” jashtë”

-  sa e saktë aq e goditun –

pesëdhet’ vjet m’e msue na â dashtë,

prandaj jena sot t’mardhitun!

 

Kur ia nxjerrin bojën

“Trimi i mir’ me shokë shumë”

Der’ ktu kush s’e çili gojën,

po kur shtuen: “shumë e për lumë”

edhe t’parës ia nxorën bojën.

 

Miq ... për fiq

“Ma mirë nji mik se nji çiflik”.

Ndoshta dikur si kan’ hangër fiqtë,

se sot me peshqesh, raki e ferlik

o me ‘i kosh fiq, t’vijn’ mbrapa miqtë.

 

Nji birë n’ujë

Nji shprehje thotë: “Parja shpon detin”,

por kjo s’ia mbush mendjen gjithkuj’

se del nji tjetër e ia prish lezetin:

-Se mos asht zor… me ba bira n’ujë?!

 

Kulmi i dashnisë

“Kush të don, të rreh” kan’ thanë;

me t’hy harmia pa dalë prej shpisë,

se ndesh’ n’ndonji tip, kuku moj nanë,

që ta merr shpirtin.... prej dashnisë!

 

Prapë diçka fiton...

“Kalit t’falun s’i shihen dhambët”

tue cofë me kenë, lene tehun mbar’,

pa folë e me takt veç shihe nga kambët,

po kje i mbathun, potkojt i ke qar.

 

Zhvlerësim

Thojn’: “E ka shit’ sa i biri t’amën”,

pra, me nji fjal’, ku s’ban ma shtrenjt’.

Disa sot prindve po ua venë kambën

e kah s’u shiten, i braktisin krejt.

 

Gurët n’qafë

“Fjalët e mira e gurët n’strajcë”.

Veç për kaq ankohemi kot,

se t’vjerrin strajcën me gjith’ gur’ n’qafë

e mandej t’thojn’: “Hajde të t’msojmë not”.

 

Ma mirë, por...

“Ma mirë nji i shetitun, se nji i ditun”.

- Asht fjalë me vend, as topi s’e lot –

Po pse i dyti shpesh â i mardhitun,

pak shkollë ka i pari, por xhepat i ka plot?!

 

Dokrra

“Kokrrat han kush rrin nën dardhë”

kan’ than’ pleqt’, por m’duken dokrra;

me ken’ k’shtu Fatos e Salë

kaherë kishin mbetë pa kokrra .

 

“Urim” zemre

“Paçin dritë!” asht than’ gjithmonë,

për t’gjith’ t’vdeknit, radhë pa radhë,

ndërsa sot, veç n’Shqipnin’ tonë,

“Paçin dritë!” po thojn’për t’gjallë!!!

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora