Kulturë
Flet koreografi, studiuesi, Prof. Dr. “Mjeshtri i madh i Punës” Ramazan Bogdani
E diele, 26.12.2010, 01:12 PM
“Me Ema Qazimin kam kaluar një jetë interesante''
Nga Albert ZHOLI
Libreza e punës është hapur më 1954 dhe është mbyll më 2006, por ai, sërishmi punon me të njëjtin intensitet si dhe kur ishte në punë. Një zyrë e thjeshtë në bodrumin e godinës së Studimeve Albanologjike, është bërë për dekada vatra më e dashur për të. Aty mes mobilieve të ngrëna nga mola, që kanë po aq vite në zyrë sa ka punë dhe Ramazani, ai lëviz lehtë mes asaj zyre të thjeshtë, pasi njeh edhe sendin më intim të mobilimit apo pajisjes së saj. Dhe pse në pension ai e ka bërë si ritual orarin zyrtar si të jetë ende në punë si të tjerët në organikë. Ka krijuar 100 valle, por dhe ka kërcyer më shumë se aq. Jeta e tij me këngëtaren e talentuar Ema Qazimi është shumë interesante, martesë që solli në dritë një vajzë me emrin më të veçantë në Shqipëri, Ershela.
Përkrah me Ema Qazimin. Nga është prejardhja e dy “Mjeshtrave të Punës”?
Unë jam një nga familjet e hershme të qytetit të Tiranës. Kurse ime shoqe është nga Rexhini i Kurveleshit të sipërm të Tepelenës. Pra një lidhje mes Shqipërisë së mesme dhe Labërisë së bukur dhe trime.
Një jetë koreograf dhe studiues i kësaj fushe të folklorit. Por studimet i keni kryer?
Unë kam mbaruar me korrespondencë fakultetin e gjuhë letërsisë shqipe. Në atë kohë më kishte marrë Instituti i folklorit për të bërë studime në këtë fushë, pra koreografisë. Temën e diplomës e kam mbrojtur nga folklori i Lumës të Kukësit. Sepse ajo trevë më pëlqente, kishte shumë gjëra interesante.
Por si u lidh me koreografinë Ramazani?
Unë që kur isha në shkollë të mesme isha pjesëtar i filarmonisë që u krijua në vitin 1951. Ajo krijoi dhe grupin e parë të valleve profesioniste. E kisha shumë për zemër vallen. E dashuroja që fëmijë dhe kërceja në shtëpi dhe në shkollë. Për këtë arsye, duke parë talentin tim, u futa si pjesëtar i filarmonisë si nëpunës profesionist valltar, me Agron Alinë. Ishte një kohë e artë për mua.
Cila ishte periudha që keni punuar si valltar dhe koreograf?
Nga viti 1950 deri 1965. Pra 15 vjet ku kam punuar si valltar profesionist dhe solist dhe koreograf në Teatrin e Operës, por kam punuar edhe tek Ansambli Popullor dhe në Ansamblin e Ushtrisë më tepër për koreografi duke vënë në skenë valle të reja. Pastaj më mori i ndjeri Zihni Sako dhe punova 38 vjet tek Instituti i Folklorit. Më vonë Instituti u quajt Instituti i Kulturës Popullore dhe varej nga Akademia e Shkencave deri para 2-3 vjetësh. Akademia e Shkencave më parë ka pasur 13 institucione. Tani Institutet janë shpërndarë nëpër fakultete. Edhe tani që jam në pension meqenëse kam arkivin tek Instituti i Studimeve Albanologjike dhe punoj njëlloj si një nëpunës. Kam ardhur në këtë Institut në vitin 1965 e deri më sot nuk e kam ndërprerë veprimtarinë e krijimtarisë koreografike. Gjithmonë valle të reja, skema, tablo etj., janë frytet e punës time.
Kush ka qenë vallja e juaj e parë që ke vënë në skenë?
Vallen e parë e kam vënë në skenë në vitin 1952 me titull “Brams hungarez”. Për krijimet e mia dhe koreografinë shqiptare kam botuar edhe një libër “Koreografia dhe arti i kultivuar” në vitin 1997 me 999 faqe. Aty kam pasur mbajtur shënime të shumta. Mbas Panajot Kanaçit në koreografi unë mbetem krijuesi i dytë.
Arkivi juaj sa valle numëron?
Shuma e përgjithshme mund të ketë shkuar deri në 100 krijmtari koreografike që mund të kem vënë në të gjithë Shqipërinë.
Si është pritur kjo valle e parë e juaja?
Panajot Kanaçi ka qenë asistent në vallen e parë, por kemi pasur një koreograf rus Giorgi Vasiliviç Pergun i cili më falënderoi dhe më dha forcë në rrugën time. Ai ishte një profesionist shumë i talentuar. E dëgjoja me vëmendje.
A ke shkuar si valltar dhe solist jashtë shtetit?
Kam shkuar si valltar dhe si koreograf .Në vitin 1950 në Bullgari ne kemi bërë turneun e parë artistike në ish shtetet e demokracive popullore me një premierë koreografike e quajtur “vëllazërimi i popujve”. Këtë e vuri në skenë Giorgi Vasiliviç Pergun. Ka qenë koha kur është vënë në skenë edhe komedia e Qazim Mulletit. Pasi dhamë shfaqjen e parë (vetëm valle), për gati një muaj nuk gjendeshin biletat. Shfaqjet janë dhënë në teatrin popullor. Njerëzit rrinin gjithë natën dhe nuk merrnin ndoshta bileta. Ishte spektakël koreografik vetëm me 14 valle shqiptare dhe nga popujt e demokracive popullore dhe më së shumti të Bashkimit Sovjetik. Me këtë shfaqje ne kemi dalë në Bullgari, Hungari, Rumani, Çekosllovaki, Poloni. Unë i kam vënë edhe në libër këto valle, pasi ishin miks nga të gjithë popujt që përmenda.
Kush ka qenë e veçanta e këtij spektakli?
P.sh për në një valle ruse ne jemi kthyer 13 herë nga publiku në Budapest në skenën qendrore të Teatrit të Operas. Kjo ishte e jashtëzakonshme. Ishim të gjithë të vegjël por të gjithë profesionistë me një moshë nga 16-18 vjeç. Këtë spektakël e kemi përsërit edhe një vit më vonë në Festivaln e tretë Ndërkombëtar të rinisë në Gjermani dhe në Bashkimin Sovjetik ku kemi ndenjur një muaj.
Po në koncertet jashtë shtetit cilat do të veçoje?
Në mënyrë të veçantë doja të veçoja koncertet që kemi zhvilluar kur kam qenë me Ansamblin e Ushtrisë, dhe si valltar dhe si koreograf. Me këtë Ansambël kam qenë në Kore, Vietnam dhe në Kinë katër muaj në vitin1965 (shtator-janar), ku vitin e ri e kemi bërë në Kinë. Unë kisha krijuar edhe me një koleg një valle kineze. Në ditën e parë erdhi Çu En Lai. Ai na përshëndeti në mënyrë të veçantë duke na thënë që keni dhënë një koncert të shkëlqyer. Edhe në Kinë erdhi dhe Kimir Seni i Koresë se Veriut.
Kaq të veçanta i cilësoni Festivalet Folklorike të Gjirokastrës?
Kam kontribuar vazhdimisht me valle në festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës. Por them se ato janë të vetmet në botë për folklorin. Nuk kanë të dytë. Unë në këto festivale kam qenë paraprakisht sepse Ministria dhe Instituti më dërgonin për të parë repertorët koreografike të valleve folklorike sepse ato të vinin t’i shikonin juri të ndryshme dhe unë isha gjithmonë nëpër juri dhe kryetar jurie. Për këtë unë punoja paraprakisht. Kam arritur që ti kaloj të gjithë vallet shqiptare nëpërmjet këmbëve të mia. i kërceja vetë valët dhe jepja pastaj mendimin.
Mund të na thoni disa nga koreografitë tuaja që janë vlerësuar me çmime?
Ka shumë. Para vitit 1954 ka qenë “….Agimi”, “Vallja e punës” etj. Këtu unë kam qenë vetëm koreograf. Më pas janë të panumërta ku kam pasur vlerësime deri para 2-3 muajsh ku kam marrë edhe titullin “Mjeshtër i Madh”.
Studimi
Etnokoreografianë 6-të vëllime
Ju keni bërë disa libra për etnokoreografinë, ku është bazuar ky studim i projekteve dhe në sa vëllime do të jetë? “Kjo është një kolanë etnokoreografi dhe përmbledh gjashtë vëllime të ndara në mënyrë kronologjike nga viti 1964 dhe vazhdon deri në 2012. Deri tani janë botuar 2 vëllime dhe tani është në dorë i treti ku ka artikuj të botuar dhe artikuj që botohen për herë të parë. Artikujt e botuar janë në organe të ndryshme kryesisht organe shkencore, kultura popullore, studime filologjike, studio albanika dhe studime albanologjike të Prishtinës dhe në disa institucione të tjera brenda dhe jashtë vendit. Këtu nuk mund të largojmë edhe shtypin e përditshëm ku në shumë ekspedita që kam shkuar unë, dhe kur vija do ti shkruaja përshtypjet, mendimet, idetë pa menduar një herë se do të vijë një ditë dhe do ti përmbledh. Një pjesë të këtyre artikujve që i kam unë të shkëputur. Çdo vëllim ka nga 35 artikuj të ndryshëm. Të pabotuarat janë nga më të ndryshmet”.
Vlerësimi
Në kohën e monizmit ka pasur një lulëzim të vërtetë arti
A vlerësohej në sistemin komunist koreografia shqiptare? “Unë këto ide dhe mendime i kam shpallur edhe nëpërmjet shkrimeve. Edhe pse me shpirt unë jam demokrat, anëtar i PD-së, mund të them se në kohën e monizmit ka pasur një lulëzim të vërtetë arti, kultura, shkenca, sporti si asnjëherë tjetër. P.sh Festivali i Gjirokastrës mbahet si më uniku. Ndoshta i vetmi në botë. Kur kam qenë në një simpozium ndërkombëtar kam treguar disa segmente të festivalit të Gjirokastrës, kur në sheshin Çerçiz Topulli kërcenin, luanin dhe këndonin 2 mijë veta. Kur e kanë parë studiuesit e botës më kanë thënë që e gjithë kjo është montazh dhe nuk ka mundësi që të jetë realitet i vërtetë. Nuk e besonin”.