Kulturë
Cikël poetik nga Kostaq Duka
E merkure, 22.12.2010, 10:54 PM
Kostaq Duka
Qirinj apo fanarë
Mbi rruzull,
Milliona dritëza.
Mbi pemë, ballkone, dritare, çati , tarraca grataçielash gjigande......
Janë qirinj për kohën që iku,
Apo fanarë për anijen e shpresës
Ankoruar në limanin e krishtlindjeve?!
Celulari
Plotësoi shërbimin celulari, më duhet ta ndrroj….
Më dhimbset.
Nëpër mushkëritë e tij
Shpirti im i drithëruar la gjurmë,
Në mijra shpirtra të tjerë rregjistruar.
Duke marrë një tjetër më të ri
Më ngjan sikur braktis një mik
Që koha e nxorri në pension.
Sy-Pikëllimi
Në rini
Kur jetës barasvlerë i vija dashurinë për ty
Pikëllim të quajta se ai të lotëzohej shpesh në sy….
Vitet shkuan….
Thashë se nga syri yt pranë meje do pikonte gëzimi
Ti jo nuk ndryshove.
Përkundrazi me faljen pa kufi të dashurisë
Ishe ti ajo që mbi sytë e mij mbolle trishtimin.
Te pastrehët
Per festën e Krishtlindjeve
Të pastrehët u mblodhen në nje "strehë" të madhe
Hëngrën e pinë, qeshën e vallzuan rreth bredhit deri në lodhje...
Gëzimin e tyre e rrëmbyen shpejt e shpejt kameramanët.
Sensacion për stacionet e botës....
Pastaj, pastaj
Dolën në rrugë....
Era e akullt e dhjetorit i'u hodhi cifla ngrice mbi fytyrë.
Kokëulur
Larg dritave të makinave u zhytën në errësirë
Në kërkim të kthinave.......
Dhjetor, 2010