Kulturë
Suzana Kuqi: Bijës sime për ditëlindje
E marte, 21.12.2010, 10:59 PM
Suzana Kuqi
Bijës sime për ditëlindje
Dje...
Gëzuar vajzë e vogël që luan me rrezen e dritës, ç'shtigje do të marrësh sot... në ç'yll do të qëndrosh?
Në më të shndritshmin, thotë ajo.
Përse?
Sepse është më i bukuri.
Shpesh bukuria është mashtruese, të tërheq, të mbërthen e të bën të vuash...
Ani, thotë ajo, do të di të vuaj...
Sot...
Gëzuar bija ime
Gëzuar
për sa pranvera të kanë lulëzuar
për sa vjeshta të kanë zbukuruar...
Gëzuar
për aq herë sa ishte e para herë
për aq herë sa ja dole mbanë
për lotin që të shndriu qerpikun
për buzëqeshjen që të ngjyroi ditën...
Gëzuar bija ime
Gëzuar
për sa herë u ndjeve e rritur
për sa herë fëmija thellësive të është strukur...
Gëzuar
për aq miq me të cilët gëzove e qeshe
e për aq sa kur qave pranë t'u gjendën...
Gëzuar
për çdo rrahje zemre
për çdo shkëlqim të syve që diellit i bënë strehë
për çdo grimcë hënëze në qënien tënde
për çdo gjethe ëndrre rrugës të rënë...
Gëzuar...
e të uroj të mësosh të ndjesh tingullin që lëshon dielli
kur lind nga deti mbi horizont
perëndia mbret që nuk ka nevojë për fron e për skeptër
të vdesë e të rilindë përditë
me gëzimin e dashurinë e lindjes së një dite...
...se asnjë ditë nuk meriton të jetë kopje e zbehtë e ditës tjetër...
Qoftë e ardhmja jote zbulimi i këtij gëzimi dhe i kësaj dashurie bija ime...