E marte, 06.05.2025, 06:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Çezar Kurti: Polemikat dhe audienca tek mbreti

E hene, 20.12.2010, 09:04 PM


Çezar Kurti 

Volter 

"Zadigu ose Fati"

Polemikat dhe audienca tek mbreti

Kështu, pra, Zadigu tregonte çdo ditë shkathtësinë e mendjes dhe mirësinë e shpirtit të tij. Të gjithë e admironin, si rrjedhim të gjithë e donin. Ai konsiderohej si më i lumturi midis njerëzve, e gjithë mbretëria e mbante në gojë emrin e tij, të gjitha gratë i kishin sytë tek ai, të gjithë qytetarët mburrnin drejtësinë e tij, dijetarët e shikonin si orakullin e tyre, priftërinjtë thoshnin vetë se ai dinte më shumë se arkimagu plak Jebor. Askush nuk mendonte ta hidhte përsëri në gjyq për grifonët. Të gjithë besonin vetëm atë që ngjante e besueshme.

Në Babilon ekzistonte një grindje e madhe, që kishte filluar pesëmbëdhjetë shekuj më parë dhe e kishte ndarë mbretërinë në dy sekte kundërshtare. Njëri sekt pretendonte se në tempullin e Mitrës2 duhet hyrë vetëm me këmbën e majtë, sekti tjetër e quante mëkat një gjë të tillë dhe futej në tempull vetëm me këmbën e djathtë. Të gjithë prisnin me padurim ditën e festës së madhe të Zjarrit të Shenjtë për të mësuar se cilin sekt do të favorizonte Zadigu. I gjithë universi i kishte ngulur sytë tek dy këmbët e tij dhe i gjithë qyteti ishte i shqetësuar dhe në pritmëri. Zadigu hyri në tempull duke kërcyer me të dy këmbët e bashkuara dhe provoi pastaj me një fjalim kuptimplotë se zoti i qiellit dhe i tokës, që nuk i mban hatërin askujt, nuk i jep më shumë rëndësi këmbës së majtë se këmbës së djathtë. Ziliqari dhe e shoqja e tij pretendonin se në fjalimin e Zadigut nuk kishte patur mjaft figura retorike, se ai nuk kishte bërë që të kërcenin malet dhe kodrat. Ai është i thatë dhe nuk ka mprehtësi, thonin ata. Tek ai nuk sheh as detin duke shterrur, as yjet duke rënë, as qiellin duke u tretur si qiriri, ai nuk ka stilin e bukur oriental. Por Zadigu kënaqej që kishte stilin e arsyes. Të gjithë njerëzit ishin me të, jo pse ishte në rrugë të mbarë, jo pse ishte i arsyeshëm, jo pse ishte i dashur, por sepse ishte kryevezir.

Zadigu i dha fund me sukses edhe procesit të madh midis magëve të bardhë dhe magëve të zinjë. Të bardhët thonin se ishte mëkat të ktheheshe në kohën që luteshe nga jugëlindja, ndërsa të zinjtë thonin se zoti i kishte tmerr lutjet e njerëzve që ktheheshin nga veriperëndimi. Zadigu urdhëroi që njerëzit të ktheheshin nga t?u donte qejfi.

Ai gjeti gjithashtu mënyrën më të përshtatshme për t?i zgjidhur që në mëngjes si punët e veçanta, ashtu dhe punët e përgjithshme. Pjesën tjetër të ditës ai merrej me zbukurimin e Babilonit. Kishte dhënë urdhër që në mbrëmje të shfaqeshin tragjedi, që i bënin njerëzit për të qarë, dhe komedi, që i bënin njerëzit për të qeshur. Një gjë e tillë kishte kohë që kishte dalë nga moda, por ai e përtëriu, pasi ishte një njeri me shije. Ai nuk pretendonte se dinte më shumë se

artistët, i shpërblente këta me dhurata dhe bamirësira dhe nuk ishte aspak xheloz për talentin e tyre. Në mbrëmje ai merrej shumë me zbavitjen e mbretit, por më shumë akoma - të mbretëreshës. Mbreti i thoshte: "Ministri i madh!", mbretëresha i thoshte: "Ministri i dashur!" dhe që të dy shtonin: "do të kishte qenë një dëm i madh sikur ta kishin varur".

Kurrë ndonjëherë një njeri në këtë post nuk kish qenë i detyruar të presë kaq shumë zonja. Pjesa më e madhe vinin për të folur për punë që nuk ekzistonin, pasi në të vërtetë vinin vetëm e vetëm për të pasur punë me të. Gruaja e Ziliqarit kishte ardhur ndër të parat. Ajo i ishte betuar për Mitrën, Zend-Vestën dhe zjarrin e shenjtë se e kishte përbuzur sjelljen e të shoqit. Ajo i kishte thënë se i shoqi ishte xheloz dhe brutal. Madje ajo i kishte thënë se perënditë ishin duke e dënuar të shoqin, pasi i kishin refuzuar efektet e vyera të zjarrit të shenjtë, e vetmja gjë që e bën një burrë të ngjashëm me të pavdekshmit. Ajo e kishte përfunduar rrëfimin duke lënë që t?i binte zharetieri. Zadigu e kishte ngritur me mirësjelljen e zakonshme, por pa rënë në gjunjë para zonjës. Ky gabim i vogël, po qe se nuk pati qenë i vetmi gabim që pati bërë, u bë pastaj shkak i fatkeqësive më të tmerrshme. Zadigu as që e vrau mendjen për këtë, por ama gruaja e ziliqarit përkundrazi.

Çdo ditë vinin plot gra. Analet e fshehta të Babilonit thonë se ai mëkatoi një herë. Por duhet thënë edhe një gjë: ai kishte vërejtur i çuditur se në krahët e gruas nuk ndjente asnjë kënaqësi dhe e puthte dashnoren mjaft i hutuar. Kjo grua, të cilës ai pa e kuptuar as vetë i kishte treguar shenja simpatie, ishte një nga damat që shërbenin tek mbretëresha. Babilonasja e këndshme për të ngushëlluar veten mendonte: "Me siguri këtij njeriu i vlon koka nga punët, përderisa mendon për to edhe kur bën dashuri". Në një nga ato çaste, kur disa nuk thonë asnjë fjalë, kurse të tjerë shqiptojnë vetëm fjalë të shenjta për ta, Zadigu papritmas thirri: "Mbretëreshë!". Babilonasja kujtoi se ai më në fund kishte ardhur në vete dhe në një çast të kendshëm i kishte thënë: "Mbretëresha ime!". Por Zadigu, që ishte gjthnjë tepër i hutuar, shqiptoi emrin e Astartës. Dama, që në këto rrethana të lumtura e shpjegonte çdo gjë në favorin e saj, kujtoi se ai donte të thoshte: "Ju jeni më e bukur se mbretëresha Astartë". Ajo doli nga saraji i Zadigut me dhurata shumë të bukura. Pastaj shkoi t?ia tregonte këtë aventurë të shoqes së Ziliqarit, që e kishte mikeshën e saj intime. Kjo e fundit u prek shumë në sedër që Zadigu kishte preferuar jo atë, por dikë tjetër. "Kurse mua as nuk denjoi të ma lidhte këtë zharetiere, që s?dua ta mbajë më në trup", - tha e shoqja e Ziliqarit. "Aha, - i tha fatlumja të shoqes së Ziliqarit, - ju mbakeni zharetiere krejt të njëllojta me ato të mbretëreshës. Me sa duket i porositkeni tek i njëjti dyqan?". Gruaja e Ziliqarit nuk u përgjigj, ra në mendime të thella dhe vajti tek i shoqi për t?u këshilluar.

Ndërkaq, Zadigu e kishte kuptuar se në kohën e pritjeve ishte gjithnjë i hutuar. E mendoi këtë gjë, por nuk dinte të gjente shkakun. Sidoqoftë, ky ishte mundimi i vetëm që kishte.

Një natë pa një ëndërr: iu bë sikur ishte shtrirë mbi barë të thatë, nën të cilin kishte plot gjëmba që nuk e linin të bënte rehat. Pastaj iu bë sikur u shtri në një shtrat të butë me trëndafila, prej nga doli një gjarpër që e pickoi mu në zemër me thimthin e tij të mprehtë dhe të helmatisur.

- Ajme! - tha ai me vete. - Prej kohësh po rri shtrirë mbi këtë barë të thatë plot gjemba. tani jam shtrirë mbi një shtrat trëndafilash, por kush do të jetë vallë gjarpëri?".

______________________________

1. Emër i shkurtuar për Zend- Avestën, që përmban njëqind këshilla, të cilat konsiderohen si portat për t?u futur në mbretërinë e qiellit (prej këtej emri Sad-der, që do të thotë Njëqind portat).

2. Perëndia e dritës hyjnore në besimin e vjetër persian.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx