E diele, 28.04.2024, 08:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Vaso Papaj

E diele, 19.12.2010, 07:29 PM


Vaso Papaj

  

    

Otranto

 

Otranto!

Lum i hidhur,

me lotët e hënës qendisur.

Në gjirin tënd ç’nuk ke:

Peshq me shuka flokësh gostisur.

Peshkaqen mishngopur, të hazdisur.

Ësht’ kohë e bollëkut :

E krisur…E krisur…

 

Bare e motele po mbijnë:

Si miza dheu

 

lëvrijnë…

Me vello të re, nusja plakë

e mbështjellë:

 

Dërgata e fundi që lindja sjell.

Kalon këtej dhe vdekjen mbjell…

E ne të tjerët, të gjithë, bëjmë sehir,

ditë e natë, kafe duke pirë.

Kafe të mbërdhirë…

 

Po përse, përse,

janë kthyer dallgët tabut dhe qefin?

Ah, vendi im, vendi im ... i mirë!

 

 

Bëji njerëzit që të duhen!

 

Rrall’ në bot’ kam njeri tjetër

kaq të dashur sa babai.

Flakë e re-oxhak i vjetër,

bashkë me të shumë vite ndaj.

 

Ëndrrimtar me sytë e hapur,

forcë e tij është urtësia.

E dëgjoj e s’kam të ngopur:

“Ruhu nga makutëria!”

 

Sytë e tij janë mirësia,

mban mbi vete shumë kujtime.

Flokët e tij janë bardhësia,

e një jete plot privime

 

Dallg’ e kohës s’ ka të ndalur,

ka që lindin ka që shuhen.

E dëgjoj e s’ kam të ngopur:

“Bëji njerzit që të duhen!”

 

Ati im, të përgjërohem!

Më dëgjo, nuk tjetërsohem!

Gjakun tënd e kam ndër vena,

zemra ime të ka brenda.

 

 

Shëtitore Taulantia

 

Një zemër e paska për çunat e rinj

ashtu si kanë dhe palmat

për zogjtë një shtëpi.

 

Studente çapkëne, ç’bën gjer në mëngjes,

mos ta morën mëndjen një pal’ sy të zez?

Ja një çun durrsak, që këtej vërtitet,

të qeras me vodkë, por dot s’të avitet.

 

I sheh yjet e Majit që bien si shi.

Gjithë natën me flladet bëri dashuri.

Me përtesë të madhe po çohet nga gjumi.

Çunat gjuajn’ zemra, me sy prej pëllumbi.

 

Shëtitore e vetme që kalon nga “Brryli”*

Tërë natën nga puthjet deti syt’ s’ia mbylli.

Çdo dritare Durrësi fsheh kaq dashuri.

Afromu të shohësh ç’zjarre fsheh në gji.

 

Me ëndrra studentësh çdo pëllëmbë e shtruar.

Hëna ziliqare hedh dritë të praruar.

Shëtitore e vetme që kalon mbi valë.

Sa qejf paskam sonte të t’i them dy fjalë.

 

Ti moj, mikja ime, ç’ bën gjer në agim,

Nga krahët e djalit pret një përqafim?

Sytë e tu tërë natën nuk u mbyllen fare.

Të shkrira me yjet valët ledhatare.

 

Një zemër e paska për çunat e rinj

ashtu si kanë dhe palmat

për zogjtë një shtëpi.

 

*-Quhet vendi ku shëtitore Taulantia merr kthesën për në Currila.

 

          

Çast pa ty

 

I mbylla sytë e s’e pashë më diellin

Bashkova buzët e fjalët s’më rrjedhin

I zura veshët, shkretëtirë m’u bë dhoma

Shtrëngova hundën, nuk ndjeva aroma

I lidha duart e s’të gudulisa

Trupin ma drodhën me qindra mornica.

 

 

Mikut që e deshi vendin tim*

 

Mik i dashur s’di ku je.

Si u ndamë mirë e kujtoj.

Që atëhere më s’u pe.

Unë vazhdoj të të kërkoj…

 

Kur u nise, miku im,

me të qeshurën e dlirë,

porosi më le kujtim:

Për një rrugë sa më të mirë…

 

Në këtë rrugë që keni nisur,

hiqni dorë, miqtë e mi,

nga veturat kapardisur,

sirena e xhama të zinj.

 

Ka kaluar kohë shumë.

Ne u dogjëm disa herë.

Po s’vazhduam n’atë gjurmë.

Mënd nuk zumë asnjëherë.

 

Si të çmendura sirenat.

Trembin burra e fëmijë.

Ndërsa BMW – X 5(pesat)

ngjajnë me krokodilë të zinj’.

 

Po të pres me mall të vish,

miku im i paharruar.

Me sirenat flejmë sërisht

dhe me benzat e llastuar.

 

*- Ambasadorit të parë të SHBA në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

 

 

Domethënë

 

Domethënë…

Në tridhjet fjalë,

njëzet herë e the…

Domethënë…Domethënë…

Domethënë

S’e di sa i pasur je!?

Po

Domethënë…

Pasuri sa të duash ke.

Edhe shkollë,

pse ta fsheh?

Domethënë… Domethënë

Megjithatë…

S’e di,

a ka varfëri të vërtetë tek ne?

Domethënë…

Ka, po

Ti dhe vetëm ti je.

 

 

Replikë me çmimin Nobel

 

Që të të meritoj ty, pa hezitim,

                                  do të duhej:

Të kisha pir’ lotët e popullit tim.

Që të të meritoj ty, me të vërtetë,

                                    do të duhej:

Të kisha folur me Zotërat vetë

Shënja fisnikërie këto, pa frikë.

Athere, o burra në garë

                        për t’u bër’ fisnikë,

po fisnikët lindin,

                s’ bëhen kurrë me politikë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora