E premte, 02.05.2025, 02:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Myrvete Mehmeti

E premte, 17.12.2010, 10:56 PM


Myrvete Mehmeti

02.04.1970

Vendlindja: Mitrovicë

Vendbanimi: Norvegji

 

Nga libri : Aty ku janë të ngujurara lumnitë

 

Myrvete Mehmeti

 

 

THIRRJE NËN LËKURË

 

Gati guxoj,

të lejoj t'më ndjellin rudinat e një ëndrre.

Do t'i rend gjashtë ditë të zeza qoshe m'qoshe

dhe t'ia puthë mëngjesin ditës së bardhë.

S'ngatërrohem më,

ndjek fërfërimën e dushkut të blertë...

Pritmë pranverë, si këng' malli pritmë,

e si thirrja nën lëkurë.

 

 

DUART E DASHURISË

 

Për të satën herë

po më mbledhin në thërrmija,

këto duar dashurie.

Për të satën herë

nuk harrojn se jam grua

e të dua, akoma mundem !

Edhe atëherë, kur fjala shpërthen nën gur

e vështrimi i rrëzuar për dhe,

djeg mbi shpirtin e spiruem:

shpupuritet, rimblidhet e prehet

në duart tua, burrë.

 

 

FLIJ

 

Flij.

Flij dashuria ime flij

rrëzë liqenit...

-O e bukura ime e fjetur !

Vallja e valëve

qoft' harpa e zemrës sime.

Dhe kanga e pulbardhës;

të dërguarat e mia nga përtej kufiri...

Shkëmbehen anijet në liman.

Ndër të gjithë ardhacakët,

veq ti nuk je,

e veq unë nuk jam

mes shtegëtarësh...

..flij...

Përkundmi ëndrrat

deri në zgjim.

 

 

JAM MALL, JAM PRITJE

 

Veron ky diell,

kjo stinë

e kjo rudinë,

e tëra eshkë

veç xixë u dashka

që të ndizet.

Jam mall krahthyer

e si tokë e etur për shi,

jam pritje.

 

 

KËNGA E BARIUT

 

Hej, melodi e dhimbjes,

nën gishtrinjtë e lehtë të bariut...

Hej, vrull i rrallë

nën vrimën e fundit në kavall,

zgjon britmat e shtatë fyejve

në shpirtin tim.

 

 

FUNDJAVË

 

Palohen të thënat, të bërat

e grimasat cmendurake.

Kërruset ego e thatë

në humnerën e trupit,

në një zhytje të heshtur.

S'mbaj mend si e kur,

harruam të shihemi në sy, vec...

sakaq shoh një grua të plakur

që grryen e qirret barkut:

-Vdis, vdis po deshe,

sot s'mund t'i besohet askujt !

Fundjavë...

Plasarina të imta,

shembin mure aq të mëdha.

 

 

Oh, imja Mone

 

..C'natë e bardhë ju lidhi

që ende s'mund ta quash t'ligë...

..Ishte aq e magjishme

sikur udha nën zhveshjen e hënës

që binte mbi liqenin e hapur.

Tani,

ngjan në një linjë shkumëzore

që lënë barkat pas veti në të ikun.

U hëngrën taket nëpër kalldrëm,

e ti kurrë s'do ta mësosh

si akumulon shpirti jashtë përrallave,

një nate dashurie si ajo.

C'pret në dritaren e sotme,

si një Evelinë ?

Gjithmonë do të ketë

një tjetër e një tjetër poezi

që do të shpërthejë lotin përtej guri,

tek kërkon hijen e tij nëpër to.

Ngarendjet përtej vetes

kurrë nuk do t'i mbërrish.

Gjumë i vonë prapë do të të zë udhëve

duke kërkuar një ''nesër''

që asnjëherë s'do të vijë.

Kurrë s'do ta zësh' agimin Mona !

Kurrë ! Ai, aq i bukur e i qetë po fle,

ndërsa ti e zgjuar deri në asht

i jepesh mashtrimit pak para se të gdhijë.

Oh, Mona !

C'prite prej netëve kaq të heshtura si këto ?

..e marra ime, Mone.

 

 

MEDET

 

Medet!

Si ta ribëj

buzëqeshjen e fatit

si gazin në syt e tu dikur ?!

Një ninullë e endshme

si vaj luledielli kish me i mejtë

grishjet e bravave të ndryshkura

të dyerve që i hapëm atëherë.

U poqën lulearrat !

Të gjitha kokrrat i kam mbledh

e po i përkundi në djep të shpirtit.

Edhe sonte si nana e tyre

mbi to agun prita...pa lot.

Sa e pamëshirë

kjo dhimbje mbi dhimbjen.

 

 

Offfshamë...

 

N'rrot't'jet’s !

Nuk u vdiska leht’,

po plas, po plas...

 

 

JA QË NDODHË...

 

Ndonjiherë vetëvrahen yjet;

bien si lëmshor zjarri

dhe bahen britma deti .

Vec gurët e din..!

 

 

RIT

 

Dashuri,

u thye edhe kjo mbrëmje.

Ku t'zuni nadja e parë,

n'cilin hon t'shembën,

ndjenj' heretike ?!

 

 

SHLEGU PIKËLLUES

 

Tjerr e shtjerr koha

shtrojën e vet të gjatë.

Shtegut të saj të ngushtë

po piqemi si dy humbës.

Jam lodhur ?

- Ke të drejtë.

Por, shihe botën përreth

(krizat,

termetet,

vërshimet,

luftërat),

shih - shelgun pikëllues -

sa më të rënda degët,

aq më i qëndrueshëm.

Dhe krejt në fund

shih rreth vetes.

Për gjithë cka shembe

-fillimi im - qenka fundi yt.

 

 

MOS PREK

 

Mos prek

nëpër tehun e mprehtë të dhimbjes

..mos!

Gjithçka po dhemb ndryshe nëpër lotët e tu.

Diku brenda hirit jam po ajo

që u harrua dikur a diku.

 

Unë s'kam m'su' me qa për f'minë,

madje as për gruan tashti.

Vonë është, vonë...

Oh, nanë! Pellgu i lotëve po lëvrin

nëpër mua t'heshtunën.

 

 

AH

 

Dhe ah!

E ngjeshur mungese, kjo ditë feste.

Davaritem kujtimesh:

- Të ikurit me të vdekurit,

të humburit me të shenj'tit;

po pse, pse të jet'shmit larg të gjallëve?!

 

Po të ishte...

Eh, po të ishte qyteti im

dhe lagjja ime e fundit, e fundmja strehë,

(shtëpia ime) guaca jonë e artë,

..e kjo lutje e fundit.

 

 

ATY KU JANË TË NGUJUARA LUMNITË

 

Stinët n't'ikun,

lanë një të reshur shirash të mugët.

Avitet re e vrugët si nëmë e moçme,

pritet shtrëngat e gjatë.

 

Është harruar vera n'f'tyra të pafajshme.

I kthehem qiellit...Zot!

Po mbahem me shtatë varrë!

Ku janë të ngujueme lumnitë

e fëmijërive të humbura ?



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx