E enjte, 01.05.2025, 03:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: Brenga islame

E merkure, 15.12.2010, 10:57 PM


Istref Haxhillari

 

Brenga islame

 

(Tregim)

 

Dy roje, mbuluar me pallto të zeza lëkure deri përfund këmbëve, e shtrëngonin fort nga  krahët. Në rripat e gjërë kryqëzuar mbi kraharor spikatnin tehe thikash dhe doreza revolverësh. Bjondi elegant e shikonte vazhdimisht me keqardhje të thellë, tjetri nursëz, i ashpër, flokë e vetulla gështenjë, pothuaj nuk ia hidhte sytë. Nata e frikshme, sterrë e zezë, mbështillte hapësirën. Qielli varej pranë tokës, rrekej më kot t'i puthte  buzët e brydhëta dhe derdhte lotë majëmprehtë akull të ftohtë. Pikat e lagështa nguleshin gozhdë trupit të martirit. Shpirtit të trazuar, hije laramane luanin valsin e vdekjes. Herë pas here shigjeta zjarri të kuqërremtë këmbeheshin afër tokës, zbulonin për një çast pamjen e llahtarshme.

 

Lumi rrëshqiste me rrapëllimë, gjarpër stërmadh i deformuar. Përmes ujit të rrëmbyer lundronin pemë, trupa kafshësh dhe njerëzish gjysmë të gjallë. Ulërimat e gjallesave që jepnin shpirt thernin pa pushuar hapësirën. Rryma e turbullt udhëtonte drejt asgjësë mbuluar me vajtimin që s'pushonte. Valdeti i tmerruar donte të këlthiste, zëri nuk i dilte.

 

Mbrëmjes vonë, sërish rojet mbështjellë kokë e këmbë nga mushamatë zezane. Të njëllojtë  mugëtira dhe lumi terran mbushur me kufoma. Qetësi, sa mund të ndiqje fluturimin  e një mushkonje prej zhuzhitjes së saj. Nga e majta një grykë e zezë e thellë nxinte si vrimë e madhe. Majat mavi të maleve mbuluar me dëborë, vizatoheshin në horizontin e zbehtë ku endej akoma pasqyrimi i muzgut. Anëve të udhës  ngriheshin shkëmbinj të zinj të zhveshur; aty këtu ca shkurre nxirnin majat hollake mbi dëborë. Asnjë fletë e thatë nuk lëvizte. Në këtë heshtje varri tingëllimat e natës të fusnin drithmat.

 

Në fillim lumi qe larg, burri i lemerisur dëgjonte uturimën e mbytur të ujit dhe zhurmat e  gjallesave. Rruga tërë baltë rrëshqitëse pengonte lëvizjen. Zhurmat e vakëta kapërtheheshin me zërat e lumit në oshëtimë të vazhduar shurdhuese. Buzë shtratit të gjërë gurgullues pa me sy katrahurën.

 

Pastaj u shtua  litari ndehur mbi ujrat e marrosura. Nën dritën e çartur të vetëtimës tinëzare dalloi vagëllimthi telin e gjatë, tendosur mbi shkumën verdhane. Filli zgjatej rreth dy metra përmbi ujë. Njëri skaj lidhur trungut të arrës pranë bregut, tjetri nuk dukej, humbur  errësirës së thellë.

 

Roja flokëgështenjë e shtyu egërsisht pranë drurit vjetëran të arrës. Foli për herë të parë, i prerë, i sertë.

 

            -Kape litarin, - zëri doli i çjerrë, shungullues si pallmë ariu.

 

            Bjondi i pashëm e mbajti tërë kujdes deri sa preku fijen e telit me dorën e djathtë, pastaj u shkëput ngadalë.

 

            -Udha e mbarë, - i tha me zërin e hollë, të ngjirur si krrokitje korbi.

 

            Valdeti pushtoi kavon me duart e mardhura, këmbët u hepuan sipërfaqes së kreshpëruar. Vështroi poshtë, i ra të fikët.

 

Ëndrra, përsëritur natë për natë me të njëjtat pamje tmerri arratiste gjumin, e gremiste pareshtur në një pellg trishtimi, që rrekej ta fshihte.

 

-Besimi e shpëton njeriun nga vuajtjet e trupit dhe shpirtit, - i dha kurajë Refiku.

 

 Miku i tij më i afërt, shtrinte i sigurt pushtetin e madhërueshëm të kuranit mbi arsyen e tronditur.

 

- Allahu është më pranë njeriut nga damari i qafës së vet. Sado e ngushtë, kjo hapësirë ekziston gjithnjë si ndarje e pakapërcyeshme mes imanencës dhe transhendencës.

 

Serioz, me mjekrën ngjyrë lajthie përmbi gjoks, shtjelloi pjesë të filozofinë islame me sure të Kuranit dhe hadithe nga Muhameti alehis selam.

 

 Valdeti kundërshtoi lehtë, buzëgaz, pa fuqinë e mëparshme të argumentave, zbehur gradualisht.

 

Shija e diturisë e përpinte Valdetin. Lëkundur anonte nga pikëpamjet e filozofëve të shekullit nëntëmbëdhjetë, idhtar i Shopenhauerit dhe  teorisë së  vetëmjaftueshmërisë. Pikëpyetje kryeneçe depërtonin prej kohësh mendjen e trazuar nga përvoja e gjatë. Dukuri misterioze, të pashpjegueshme prej shkencës vinin në dyshim përsiatjet e zbehta ateiste. Filozofia islame fitonte terren, shpërhapej si ujërat e freskëta tokës së tharë e plasaritur në zhegut e zgjatur të verës.

 

Dyzimet e Valdetit u shuan nga ëndrra e përsëritur në të njëjtën trajtë si film serial. Pikëpamjet materialiste morën rrokullimën tri netët e ankthit.

 

Nuk e jepte veten, acaret e shpirtit i bluante përbrenda në heshtje. E shoqja vinte re përpëlitjet e dëshpëruara në përgjumje, zbehtësinë e fytyrës mëngjeseve. Ndonëse i pati kaluar të dyzetat, Melita mbahej mjaft mirë. Vetullat e lëvizshme, të harkuara, fytyra e zeshkët, sytë e mëdhenj me bisht i jepnin ëmbëlsi dhe sensualitet. Kur qeshte i krijoheshin gropëzat e vogla në faqe, si ndonjë vajze të re. Qetësia u prish, bota filloi të luhatej, kur i shoqi praktikoi së pari ritet muslimane.

 

Mbrëmjes së dimrit me ngricë e dëborë, Valdeti u kthye në shtëpi më i qetë. Duarve të burrit, hija e së panjohurës përpëlitej e angështuar.

 

            -Vendosa të hyj në rrugën e Zotit, - i kumtoi Melitës.

 

            Zëri i plumbtë, i trandur e pa ngjyrë, u përplas orendive të shtëpisë me oshëtimë të stërgjatur, vajtuese.

 

-Ç'thua! - u habit ajo.

 

-Deri tani kemi jetuar në hava.

 

-Si gjithë të tjerët, - mezi u dëgjua Melita.

 

E drojtur nuk guxonte të shfaqte hapur zemëratën, që ndjente përbrenda atij çasti të mbrapshtë. Po Valdeti, i rëndë, mospërfillës, pa i dhënë rëndësi kundërshtisë së heshtur të gruas, vazhdoi.

 

-Dyzet e pesë vjet larg Allahut dhe Peikamberit alejhis-selam, kohë e gjatë, - tha i ngrysur, - padituria, gjynah i madh.Vendimi tingëlloi i pakthyeshëm, jo aq nga pamja e përulur prej besimtari se sa mënyra e të folurit.

 

Bashka e qimeve bojë hiri zaptoi gjoksin e gjerë të Valdetit. Falej çdo ditë. Më shumë merrte abdes në xhami, rrallë në shtëpi ose klinikë.

 

-Ju lutem, - u thoshte të sëmurëve, - sa të fal namazin.

 

Tërhiqej laboratorit, mbushur me koka allçie dhe formate dhëmbësh, që zgërdhiheshin nëpër rafte. Klientët mërziteshin nga ndërprerjet kohë e pa kohë, po asnjë nuk u largua. Dentist i aftë, ia falën lajthitjen formale. Feja muslimane po ushtrohej gjithandej. Djem mjekëroshë, kokulur e të sjellshëm, shkëmbeheshin rrugëve të qytetit, përshëndesnin sipas ligjeve të Sheriatit.

 

Vali e kishte pirë rakinë me okë. Kthimi orëve të vona i dehur, mënyra si e përjetonte delirin e vesit bëheshin shkak i grindjeve të vazhduara. Të gjitha morën fund, si ngarkesa të panevojshme në një rrugë të gjatë.

 

-Kjo punë paska edhe të mira, - u ngroh disi Melita.

 

Pasi falte akshamin, rrinte i perënduar, kredhur në mendime të thella. Duart i mbante bashkuar, pëllëmbët e hapura përlart, sytë rëndom i drejtonte nga qielli.

 

"Kopje e Refikut" sëndisej Melita e pafuqishme të ndryshonte rendin e ngjarjeve. Iu nënshtrua gjendjes së re, e përngritur dhe dyzuar. Marrëdhëniet me fqinjët dhe të afërmit morën ngjyrë tjetër.

 

Valdetin e pushtonin shpesh ndjesi të çuditshme. Epokat i zinin vendin njëra-tjetrës porsi pamje, ndriçuar nga shpërthime të shkurtëra vetëtimash. E ardhmja afrohej me bubullimë të turbullt, ndërsa e kaluara zhdukej pa kthim. Me Refikun bisedonin të përqëndruar, përpiqeshin të zhbironin thellësitë e nënvetëdijes. Përmes kaçubeve të luleborës rrezet e gushtit i përkëdhelnin butësisht  në verandën e kafe "Boranës", përballë hapësirës kaltëroshe të ujit. Era e padukshme davariste copëzat e reve, sillte puthjen e lehtë të ujit me bregun ngjyrëhiri. Liqeni i rrafshët dremiste nën qiellin e përhimtë, teksa në ujin e errët pasqyrohej dielli madhështor, i trishtuar. Nga kopshtet e braktisura vinte erë gjethesh të vyshkura. Diku, gjysmë e fshehur, valëzonte me përkëdheli e verdha e tunxhtë dhe roza e gjethnajës së një dardhe të re. Pranë saj çuçurisnin hareshëm nxënëset e hijshme të gjimnazit.

 

Një çift vajzash shumë të bukura, me fytyra të skuqura nga pija, ia behën gazmore, plot zhurmë nga kati i dytë i lokalit. Kofshët e drejta zbuluar deri lart, gjinjtë e bardhë të hapur, sytë e ngjyer dhe vështrimet mikluese i bezdisën burrat sedërqarë.

-Pa shiko Nada e fakultetit! - u habit Refiku.

 

Me sytë nga vajza, Vali u nemit. Nadirja e dikurshme u shafq si ëndërr e florinjtë kaptuar thellësisë së viteve me flokët e kreshpëruara të dendur, trupin e hajthëm, kupat e vogla të gjinjve, vështrimin çapkën pak si mënjanë. Nada, dashuri e humbur nëpër shtigje absurdi, heshtje yjesh prej shtrëngatave të largta, vezulloi e purpurt si dikur në Universitet. Imazhi i patretur, trupëzuar në siluetën përkarshi, e turbulloi pas njëzetepesë vitesh.

 

Era e trëndafiltë fshikulloi mjekrën islame.

 

Vegimi i ëndërrt kapërceu kohën. I ati, besimtar i rrëzuar nga vakti, kur shteti ndaloi fenë, shkatërroi institucionet e kultit. Mes dashurisë hyri kundërshtia e sertë. Hoxhën e arrestuan, Nada u internua diku në Myzeqe. Vali e përjetoi dhimbshëm humbjen. Nuk i harroi kurrë sytë blu të habitur nga rrokullima e pakuptimtë.

 

Hovet e rinisë apo thyerja e besimit?

 

Ndoshta të dyja. Nga ajo kohë  dyshoi përherë. Prapa njerëzve dhe dukurive të kohës shikonte motive të mundshme që drejtonin sjelljet, veprimet, fenomenet.

 

Vazhdoi të përpinte me sy vëngërashen e shpërqëndruar, që ndillte tërë epsh djemtë. Ajo vështroi e habitur për një çast burrin me mjekër. Valdeti uli kokën, psherëtiu i turpëruar. Dashuria e hershme u përzje me vajzën përballë dhe i erdhi keq.

 

-Nuk do të turbulloheshe nëse këto vajza  mbulohen, - ranë si shkëndija stralli shpirtit të hepuar fjalët e Refikut.

 

I ligështuar, nuk u pergjigj. E bija mbushte trembëdhjetë vjet asaj vere. Format femërore çelnin lulet e para të magjishme.

 

-Koha të mbulohet, - mendoi.

 

Mbrëmjes, kur muzgu i kaltëryer zaptonte tokën e kaftë, çoi në shtëpi një fustan të gjatë bojë hiri. Me veprime të përpikta kreu ritin e mbulimit.

 

-Hixhabi i Nesës, - tha i vendosur pa lënë shteg për diskutim. Ashpërsia e shikimit kundërshtonte prerë buzëgazin e ftohtë.

 

Melita e shikoi plot pikëllim, me sy të hapur, shpirtshkretuar si një tunel

 

-Në asnjë mënyrë, - i tha, - nuk e lë vajzën të mbulohet.

 

Vali tori ligjëratën e gjatë. Me argumenta metaforash dhe eufemizma nga librat e shenjtë, kridhte jetën e njomë në detin pafund të kohës së amëshuar.

 

-Ndalimi i uraganit të shkretëtirës struket duarve të Allahut. Hixhabi e ruan femrën nga rreziqet e panumërta. Shthurja morale dhe zbulimi i kurmit femëror janë dy anët e të njëjtit fill turpi. Nesa do të endet nëpër hullitë e portokallta të fesë islame, - përfundoi krejtësisht i qetë.

 

Fluturat e purpurta të dijes vallëzonin hapësirës gri të dhomës, spërdredhur pa mëshirë vragëve të arsyes. Në sytë e burrit femrat bukuroshe të kafe "Boranës" regëtinë sërish me pamje zogjsh të plagosur hipur kuajve të rrëzuar.

 

Dhimbja pa gravitet si ajri e çorri gruan pa mëshirë me thonj të zinj, ngjyer nëpër terr. Refiku i zymtë dhe mjekra stërgjatë zaptuan pamjen e mjegulluar të burrit.

 

Melita e brengosur i shikoi me dyshim të dy, burrin dhe vajzën. Sytë e njomëzakes, dy thile kopsash qepur fort dhe përdorur pak. Kaq e pavëmendshme pranë vajzës së saj! Nesën e bukur si dritë do të përpinte errësira e mbulesës bojë hiri. Muzgu i ngadaltë treste ëndrrat, të ardhmen, shpresat. Mes lotëve mallkoi me gjithë shpirt burrin e nomatisur, abdesat e përditshme, hixhabin e zi. Lutjet bënin fir ujëvarave të pikëllimit, kërcënimet e druajtura fashiteshin të trembura hijes së rëndë të familjes. Gruas së  pafuqishme i ra qielli mbi kokë. Syve të trembur shquhej pesha e hidhur.

 

-Të ndaloj t'i prishësh mendjen vajzës, - i kumtoi Vali kur i pa të bisedonin kokë më kokë.  Pastaj vështroi i penduar përreth; shkelja e përuljes islame i rëndoi si gur varur në qafë.

 

E braktisur, varkë fillikate mes detit egërshan, Melita u nënshtrua për herë të dytë në më pak se një vit. Asgjë s'e kënaqte, jeta bëhej çdo ditë më e zbrazët.

 

-Paski qenë muslimanë të mirë, - e ironizoi mësuesja e kimisë.

 

-Erdhi koha, - uli kokën me hidhërim Melita.

 

Besonte, po nuk e bindnin kurrësesi tërë ato rregulla të pakuptimta, që vetëm Zoti nuk mund t'i ngjizte. Hixhabi, zgjedhë e shëmtuar, shpikur nga një shpirt i egër sadist. Ky emër i llapashitej pareshtur në mendje, si diçka që nuk harrohej dhe i linte ndjesi neverie.

 

Po Valdetin e përkushtuar vazhdonin ta brengonin pengesat në rrugën e ndritur të Allahut. Njerëzimi pati sajuar pareshtur njolla të murme, që duheshin fshirë me guxim.

 

-Mbulesa e çliron femrën nga përqëndrimi në dëshirat e ulëta, e afron me Allahun, subanhe ua teala, - i tha Refiku si përherë rreth filxhanit të kafesë.

 

-E kam menduar, - uli kokën i pavendosur Vali.

 

-Guximi për shërbimet e Zotit është i bekuar, - u vrejt miku i tij, - asnjë musliman i mirë nuk e le zbuluar gruan.

 

***

 

Dy javë në vonë Melita korigjonte testet e nxënësve, kur ra zilja e derës së jashtme. Se si iu duk ajo tingëllimë, më e zgjatur se zakonisht, disi kërcënuese. Ndjeu të dridhura.

 

Në kuadratin e derës gjysmë të hapur, Valdeti mbante një qese plastike bojëkafe të mbyllur. Anëve vareshin të pafajshme palat e fustanit të gjatë në ngjyrë të zezë. Copëza e natës, me pushtetin dërrmues të errësirës, hyri pa trokitur në shtëpi.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx