Kulturë
S. Guraziu: Gjuetari dhe korbat e rezervatit
E hene, 13.12.2010, 10:46 PM
GJUETARI DHE KORBAT E REZERVATIT
(humoreskë)
S. Guraziu, 2005
...nga një fije të ta ndukin, sall dhe nga një qime të vetme të gëzofit, ti do të ngelesh cullak... sa hapë e mbyll sytë. Pastaj dihet, cullak s'shpëton as dhe t’ishe vetë mbretëresha e Armagidasë! Ke parë mbretëreshë cullak ndonjëherë? Jo s'ke parë, natyrisht që s’ke parë. S'ke si të shohësh kur s'je mbret... Këtu në Gunga ta fërgojnë bishtin dhe ta servirin në tigan para hundës. Ti asgjë s'merr vesh, hunda jote s’nuhatë as shkrumin e bishtit tënd!…
Gjendja: Jashtëzakonisht Kritike - Urgjente (me të kuqe).
Vendrreziku: Kolonia Gunga (provincat e skajshme të Perandorisë Bengazora, Dinastia e Cucllamunëve).
Koha: Viti 673 para erës Intern-etica. Verë e vonë, ose Vjeshtë e vonuar. Dëgjohen zëra se këtij viti mund dhe t’mos ketë Vjeshtë fare. Gungaçët i ka kapluar frika se stinët do t’ia hedhin ndërskamcën Vjeshtës, do t’rrëshqitet nga Vera drejt e në Dimër.
Statusi Politik: Kolonia gëzon statusin e Rezervatit (por gjithashtu flitet tinëz se do mbahet një referendum për t'u vetëshpallur Krahinë në vete. Realisht, ky rezervat ndoshta i plotëson mjaft kushte, por dhe shumë sosh jo. Sipas analistëve kjo do t'ishte një lloj kryengritje kryeneçe. Në cilëndo kohë të ndodhte do t’klasifikohej si kryengritje kohë e pa kohë dhe nuk do të futej në kronikat e historisë perandorake. Në anën tjetër – thonë analistët - po të ndodhte ndonjë lloj kryeneçësie në kokat e atyre të Parisë Royaliste, kryengritja mund të sillte pasoja tepër fatale për gungaçët! Këtë nuk e dëshironin as vetë gungaçët por as Paria. Këta të fundit e kishin të qartë se intrastate-konfliktet ashtu-kështu shkonin në dëm të Perandorisë).
Të dhëna demografike - Frymë-Bruto: Për momentin ndoshta ~ 10.000, por secili frymor mbi shifrën 3000 nënkupton ose mund të jetë një Korb i Zi (emri zyrtar zol: Krrokata Vox Corbilis), Frymë-Neto, sipas statistikave njëmbëdhjetë muaj para katastrofës: Diç më pak se ~ 3000)!
Kryeplak: Gungan Guxh’Uri, një burrë pa mustaqe, pa flokë… pa asfarë leshi burrash, i fisit të Gungaçve (për të cilët mendohet se patën themeluar dikur rezervatin Gunga, por kjo nuk dihet saktësisht, disa historianë madje e refuzojnë totalisht këtë teori).
Mbajtës rendi: Nuk ka sepse s’ka nevojë të ketë, të gjithë janë të urtë. Të dhënat zyrtare thonë se s’ka patur kurrë probleme në Gunga deri me invazionin e korbave. Por dhe tash e vetmja problematikë… janë korbat! (Të dhëna të çuditshme këto, por megjithatë zyrtare…) *
Shkëputur nga blloku i shënimeve të Gjuetarit Ula’gh (ardhur nga akullnajat e Armagidasë së largët), i specializuar për ndërhyrje dhe parandalimin e katastrofave natyrale.
***
Pasdite me diell duhet të jetë… sepse nxehtësi e padurueshme. Mirëpo Dielli si yll nuk duket gjëkundi, nuk shihet me sy. Një kundërmim i rëndë shkrumi, erë djegie e cila padyshim do ta rrëzonte dhe elefantin më shtyllak, sado bythëtrashë të jetë ai. Një tymnajë (diç e përzier, as mjegullnajë as tymnajë, ec e dije çfarë... tekefundit merre me mend vetë, lexues i dashur, përdor imagjinatën) ka pllakosur oborret e gungaçve, fushat, rrugicat, kasollet, torishtat, hambaret, kotecet... thjesht shtrihet gjithkah e gjithkund.
Për çudi, dhe një tymnajë tjetër (ky prapë një fenomen i dorës së vet, fenomen tipik gungasian) apo mjegullinë shumë më e ngrysur, pezullon sipri kokave për një shokë gungaçësh, thuase kjo farë shtrese të jetë nga lesh a marifete tjetërbojë dhe krejtësisht tjetërfare. Poshtë saj dhe shihet disi, shkurtpamësisht… Mund të dallohen profile e silueta, por sipër, asgjë. Të tmerron kjo pamje e zymtë në Gunga. Tymnaja e çuditshme rri pezull në ajri si ndonjë shtëllungë gjigante (nga përspektiva e korbave, kjo errësirë mistike është lëvarur tepër poshtë), tamam mbi kokat. Ndërsa në drejtim të qiellit askush nuk di sa e trashë mund të jetë kjo çudi. Pos korbave, ata e dinë këtë detaj, natyrisht, sepse mjegullnaja është habitat i tyre. Krrokamat e rënda dëgjohen aq shpesh sa këtu sa atje, dhe zymtësisë së kësaj atmosfere ia shtojnë një trishtim të thellë. Oshëtima ogurzezë e Krrokata Corbilis e bën çdo gjë në Rezervatin Gunga akoma më rrënqethëse.
***
Gjuetari Ula’gh ka disa ditë që është kurdisur skaj një cungu të moçëm (në oborrin e e kryeplakut qosë, Gungan Guxh’Uri).
Me durimin më të skajshëm prej Gjuetari, jep e merr me ca veglurina; se ç’është ngatërruar, se ç’bën diç… me ca brisqe, tehurina nga më të ndryshmet (vegla speciale të mbrojtura me patent e regjistruar - afërmendsh... meqë i ka shpikur vetë), me ca gozhdash e thumbash (diç ngjashëm me ato të Samarxhiut të rezervatit, por jo... këto janë origjinale, shihet se janë gozhda më të denja, sepse nuk janë të ndryshkura, janë të drejta dhe shkëlqimtare), pastaj me ca kunjash, ashturinash, me ca tërkuzash, kapërnajash, tojash e sixhimash e çfarë tjeter jo, ndër duar. Jep e merr - merr e lë -
Nuk shikon lart përveç një apo dy herë, as mendja s'i vete ta bëjë rishtas. E di se kjo tymnajë, ashtu si shtëllungë qielli dhe e errët, s'është shenjë e mirë. Në fakt, katastrofë në vete është. Por kjo dhe s'e brengos aq. Ai ka një hall tjetër, ka një përgjegjësi të madhe, një detyrë të rëndë. Detyrë së cilës, ç'është e drejta, nuk i trembet aq shumë (së paku tani vetë insiston që kjo të jetë e vërtetë). Por e di se kjo është detyra më e vështirë në jetën e tij, në mos dhe krejt e pamundshme për ta kryer me sukses. Ndoshta misioni më i vështirë në karierën e tij. Nuk është lojë e as diç shkel e shko. Këtë e ka të qartë si kristalin mbi mustak.
Sepse në këtë “radhë” sikur varet i gjithë nami që ka grumbulluar ndër vitet (me strajcat e famës së emrit të vet). Disi ndjen se ka ardhur dita kur gjithçka vërtitet rreth një maje. Duke filluar nga sukseset, mirënjohjet, dështimet, rëniet e ngritjet, njohuritë dhe ekspertizat, të fshehtat apo sekretet… shkurt, me gjithë ato të arriturat, të diturat e të paditurat e zanatit të tij. Ka ardhur momenti kur çdo gjë duhet dëshmuar. Çdo gjë sikur ështe mprehur e kurdisur mbi një majë… Por, se ai është një Gjuetar i zoti e i njohur, ndër më të njohurit e më të respektuarit, kjo madje s’bën dhe s’mund të mohohet as pas njëqind shekujsh. Ai këtë dhe e ka dëshmuar disa herë gjatë karrierës së tij.
Kësaj radhe duhet të merret me ca krijesa të çuditshme, me njëfarë race korbash të pistë e të neveritshëm. E di se ata (dhe vetëm nga natyra, pa e stërholluar pra më shumë) janë kundërshtarë tejet të papërshtatshëm për të. Përndryshe Gjuetarët Mbretëror as nuk angazhohen kundër tyre. Vetëm në raste rreziku të madh, vetëm nëse fjala të jetë për një gjendje të jashtëzakonshme ose për ndonjë katastrofë përmasash të mëdha.
Gjuetari Ula’gh nuk dyshon në aftësitë e veta, por dhe s'ka dëshirë ta sjell ndërmend ndonjë dështim eventual. Sepse dështimi sjell edhe diç tjetër më pas, shumë të pakëndshme – tash, pothuaj se në fund të karrierës së tij.
Ndërsa një dështim mund të jetë dhe real, të ndodh përnjëmend. Mund të turpërohet tamam tani kur nuk duhet. Sepse kësaj radhe ka të bëjë me shumë sosh, ata janë tepër shumë. Në rezervatin Gunga ka ndodhur, hiç më pak por, një invazion korbash. Për këtë arsye dhe e kanë angazhuar. Assesi jo per syrin e zi, as për hijeshinë e mustakut të tij. Gjuetari Ula’gh këtë e di fort mirë. Gungaçët e kishin kërkuar gjithandej dhe e angazhuan për këtë detyrë speciale e të vështirë. Detyrë e cila nuk mund t’i besohej kujtdo. Delegacionet e Gungaçve dhe të Armagidasve, në nivel të lartë institucional-shkencor kishin shkëmbyer detajet dhe pas negociatave të gjata e formaliteteve, marrëveshja qe nënshkruar.
Të gjitha shpresat gungasiane tashmë janë varur e kalavarur në mustakun e tij, pra në zotësinë dhe ekspertizën e tij.
***
Kësaj radhe vërtet fjala është për shumë Krrokata Corbilis, jashtëzakonisht shumë. Ky fakt ka filluar t'ia ushqejë ngapak frikën. Kohët e fundit secilën herë e më tepër. Atij tashmë sikur ka filluar t’i duket gjendja më e rëndë, më frikëndjellëse. Dhe pak kohë e do të fillojë me dyshimet për vetveten. Ose dhe te bindet madje, se s’është gjë tjetër… pos një frikacak. Mendimet i vlojnë tani dhe koka i është nxehur si kungulli i varur në oxhakun e Guxh’Urit. Së fundi fare, sikur turpërohet nga vetja:
…ku t’u tret krenaria tash? Si është e mundur të kesh frikë… dhe kush të ketë frikë? Një Gjuetar i Shoqërisë së Fisnikëruar Mbretërore! Nga çfarë të frikësohesh, nga kush? Nga Krrokata Corbilis?! Uuooiii, kaq trim-trum-ulush na qenke, kaq larg paske vajtur në ligësinë tënde. Mos vallë uljet e gjata, ndenjat në akull dhe shtypja nga pesha ta paskan zgjeruar dhe bërë shumë të madhe atë… nga prapa. Të cilën nuk e sheh tani, s’mund ta shohësh, veç kur pasqyrohet atje akujve të lëmuar të Armagidasë. Tash s’je në akullnajat, s’ke si ta shohësh e t’ia vërtetosh vetes përmasat e prapan… tënde. Mbahu tash, të jesh o të mos jesh të erdhi... dhe mos u dridh kështu si lepur. Pse dridhesh tash kur dhe je djersitur madje, nga zori. Dridhesh e djersitesh sepse nxehtë e ke?! Gëzofi t'është bërë ujë, të janë bllokuar dhe sistemet e ftohjes, deri atje në luginë prapa, të prapan... Kujdes se të shpëton pa hir, e bëhesh përrallë. Mbetesh përgjithmonë përrallë ndër gungaçët. Ndër breza e brezash do qeshin gungaçët me përrallën për Ula’gh Gjuetarin. Ose do hysh në histori si Gjuetari i Parë të cilit i shpëtoi. Po, sepse s'je në akullnajat tash. Këtu ta fërgojnë bishtin dhe ta servirin në tigan para hundës. Ti asgjë s'merr vesh, hunda jote s’nuhatë as erën e bishtit tënd! Këtu s'ka akull as akullore (iiiiii… këso të fundit hiç se hiç, as mos e lëmo gjuhën, kot lëpihesh). Këtu ta skuqin, ta bëjnë prush nën shputat, e ti kërce vallet arushçe, të gjitha vallet që ke mësuar gjatë jetës. Por dhe s'ka valle që të shpëton, fute në kokën tënde sa një kosh kashte i gungaçve. Ti do t’kishe pasur dëshirë të ishe tash një arush cirkusi, por jo, këtë peshk s’do ta provosh gjithashtu. Është tepër vonë, as dhëmbin mos e mpreh. Këtu i thonë Gunga, tash ke punë me katastrofën e gungaçve. Dështim që ndoshta më i tronditshmi do të jetë… në historinë e katastrofave. Këtë ti e di qysh tani dhe vetë. Këtë e ke kuptuar mirë. Ti je nga ata që ndër të parët mund ta quash të tillë, katastrofë katastrofike. Ti si Gjuetar i Shoqërisë së Fisnikruar, quaje si të duash, askush s’të përzihet në këtë drejtim. Në fakt, shumëkush do të bazohet në vlerësimet tua lidhur me katastrofën. Por një gjë duket se e ke marrë vesh për mrekulli. Të qartë e ke se këtu i thonë Gunga, katastrofë në vete, akoma pa filluar, aso e nxeeeeeehtë. Këtu është ferr për ty... këtu i thonë ferr gungasian hë... Ngase s'doje të mendoje të paktën dhe një të vetmen herë, vetëm dhe një ide më shumë sa ishe atje në akullnajën tënde, atëherë para se të niseshe. T’ishte bërë mendja ujë nga gjithë ato kalkulime dhe informata të akullvizorit. Aq shumë iu besoje infove dhe skemave që t’i vizatonte para sysh akullvizori! Brrrr... mirë or i shkretë, vertet pse t'u desh të vije në këtë ferr? Nuk e ke idenë, as idenë nuk e ke - thua. Nuk e ditke, s’ke si ta dish se je aq kokëtrashë. Hë pra, thuaj çfarë të shtyri? Ç'të shtyri të bësh shtatë javë rrugë për t'iu shpallur luftë korbave të gungaçve, plehrave të Gunga-rezervatit!? Nuk është se të joshën dhuratat, pagesat, shpërblimet, ti ke mjaft pasuri. Sa për famë, nuk është se nuk të njohin. Tashmë të njohin anembanë, gjithë akullnentet të njohin! Ndoshta si Gjuetarin më të famshëm të Historisë. Më i famshmi, më i njohuri, më i pasuri. Pse pra? Por eheeeeee, kot e ke të shtiresh. Ti shumë mirë e di, ndonëse të vjen inat t'ia pranosh vetes se thjesht një Gjuetar trutharë je, asgjë më shumë as më ndryshe... Dhe ti ta shpëtosh dikend, në ty të shpresojë dikush! Po ti dhe vetë prapanicën tënde e ke futur në probleme, sepse s’ke mend. Bëhesh sikur s'kupton, paraqitesh i qetë para gungaçve, bëhesh sikur as dhe mustaku s’të dridhet. Por ti dridhesh, i tëri lëkurëlepur, sepse ke frikë. Sepse më në fund e ke kuptuar sa kokëzbrazët je. Asgjë s'ka në kokën tënde... Sikur t’kishte një grusht kashtë të gungaçve brenda së paku, një grusht barë të Kënetës së Zezë, ashtu s'do quhej bosh. Ty të duhej një "pretekst" për angazhimin (për t’iu shitur botës trimulush për të fundit herë), që t'kesh pastaj ku t'ia bësh "vëng" dhe të krenohesh duke rrahur gjoksin. Pra joooo, ti s’ke ardhur nga aq larg sepse të dhimbseshin gungaçët. As se je fisnik. E sheh pra, pse shtiresh tash!? Do ta paguash me gëzofin tënd. Po, po me gëzofin tënd kësaj radhe. Kushedi në cilin pallat, në cilin sallon do jetë e shtrirë lëkura jote. Dhe shih dhëmbët tek të zgërdhihen, ama sall dhëmbët. Ke parë aso shtrojash ti, të salloneve? Ke parë, sigurisht që ke parë. Sytë do të të jenë të ndritshëm por të shuar. Si dy xhama, aso rrumbullakë. Të bukur si perla por të shuar. Ahaaaa, po pra... të duket e tmerrshme dhe vetëm ta mendosh. Pse s'të vajti mendja sa ishe atje, një herë të vetme. Thuase ty të paska mbetur t’i shpëtosh rezervatet e botës nga katastrofat natyrale. Kujtoje se rezervatet janë, pakashumë si akullnajat e qeta, pa sforcime në natyrën e tyre. Ti ashtu ke kujtuar, ashtu pandeh ndoshta akoma. Nuk e ke as idenë se me çfarë do të ballafaqohesh këtu. As me mend s'mund ta marrësh mirëfilli, sepse s'ke mend, si trutharë që je. Në këso situatash mbase truri yt edhe s'përballon dot, tretet i tëri. Veç është tretur ndoshta. Të duhet ftohje tash, por mirë… për të gjithë trutharët është normale, atyre iu duhet ftohje. Zakonisht Gjuetarëve iu duhet ngrohje, jo ftohje! Nuk të duket dhe ty contra logica! Por atëherë sa ishe në akullnajat, pse atje s'të funksionoi ajo kokë boshe? Pse? Truri yt tash s'ia del as idenë më të flashkët ta ngjallë se çfarë të pret. Do të të vërsulen nga të gjitha anët, nga lart e nga poshtë, dhe do të të pickojnë, kafshojnë, gërvishtin... gjithkah. Ndoshta dhe atje mes këmbësh, do të ta hanë atë… e ke parasysh? Aty ku, po t’ia dilnin vërtet të të qasen, brenda pak sekondash do t’nënkuptohej fundi yt. Para një numri të tillë s'ke as një shans! Nga një fije të ta ndukin, sall edhe nga një të vetmen qime të gëzofit, ti do të ngelesh cullak sa hapë e mbyll sytë. Pastaj dihet, cullak s'shpëton as dhe t’ishe vetë mbretëresha e Armagidasë! Uh, sa për princeshat… kjo dihet qysh moti, kjo punë s’do as koment. Ke parë ti mbretëreshë cullak ndonjëherë? Jo s'ke parë, natyrisht që s’ke parë. S'ke pasur si të shohësh, e si mund të shohësh kur s'je mbret. Por ta dish se dhe mbretëreshat njëjtë e pësojnë. Njëjtë, njëjtë, njëjtë, me çdo gjë njëjtë, anipse pastaj thuhet “blue line”. Le të jetë “blue…” le të jetë çfarë të dojë kur ta kesh pësuar. Në aso momentesh as mbretëreshat nuk pyesin “blue” apo tjetër. Duhet vetëm pakëz çmenduri sa të kujtosh se me pësimin asgjë s’e ndryshon një mbretëreshë. Ashtu-kështu kur t’përzihet me të mbretëreshës patjetër çdo gjë bëhet “blue line”! Vërtet kështu mendon ti!? Sa i marrë dhe qesharak që je! Jooo, s’është punë marrëzie, qe thjesht një shaka. Mirë pra, pse s’ia thua vetes troç: do ta pësosh, ti kokëboshi. Hë, provoje, bjeri vetëm njëherë rrashtës tënde, vetëm sa të bindesh si oshtinë brenda në boshësinë e vet. Bëje së paku tani sa ke akoma ca kohë t’iu qepësh flatrat thembrave. Mblidhi këto rraqe e veglurina dhe ik kah sytë shputat… dhe mos tund bishtin, dhe mos u ndal, dhe mos shiko mbrapa, dhe mos merr frymë deri sa t'jesh futur nën shtrat, atje në kasollen tënde. Le t'iu bie mortaja gungaçve. Ç'të hyn ty në punë tash në fund të karrierës të shtyhesh me korbat e tyre? Le t'i kaplojë ndonjë epidemi gungaçët, aso corbilis..., le të vdesin një e nga një. Kur s'janë të zotët. Kur lejuan që puna të vete kaq larg, pse nuk u mobilizuan me kohë. Lëri tash në mjerimin e tyre dhe shpëto lëkurën tënde. Shpëto prapanicën tënde, dhe duke bërë kështu, së paku ke bërë diç të mençur në gjithë këtë tragjikomedi.
Por s’është “blue line”! Lëri shakatë tash, e qartë që gjaku yt s’është “blue…”, natyrisht, kur s’je madje as pastrues bajgash i kalorsisë mbretërore. Pse duhet të jetë “blue line”, pse harron atë më kryesorën? Gjaku yt, njëjtë, gjak është. Pastaj fisnikëria, dinjiteti yt, ku mbetet ai? Çfarë do flisnin bota? Ti s’duhet të dështosh, dhe ti do t’ia dalësh vetëm nëse i shmangesh gjithë kësaj marrëzie. Faaap, me një hap të mençur, në drejtimin e duhur. As mos e vri mendjen për të tjerët. Sa për veten, të qartë e ke se kush je, se çfarë trimulushi je. Nëse ikën tani fare të lehtë e ke ta shpjegosh në raportin zyrtar të Shoqërisë së Fisnikëruar…, se “në bazë të studimeve për së afërmi të rrethanave dhe të situatës në Rezervatin Gunga, në bazë të faktit për përmasat e mëdha të invazionit, duke njohur realisht rrezikun nga Krrakata Vox Corbilis, nisja e një lufte të tillë nga një Gjuetar fillikat, armatosur sall me një fshesë dhe një hark… do ishte larg për të qenë veprim racional… apo i mbështetur në mendjen e shëndoshë të Gjuetarit të Fisnikruar. Nga aspekti shkencor, pastaj bazuar në përvojën dhe njohuritë, mendoj se një hap i tillë do t’ishte një lloj vetvrasjeje nonsens dhe hap jo i justifikueshëm shkencërisht… Së këndejmi, vendimi im për t’u distancuar dhe për të shpallur katastrofën si “të pashmangshme, të pa evitueshme” gjykoj se ishte vendim më tepër se i drejtë…”.
***
Uuuh – u përmend Gjuetari fisnik, derisa është shtrënguar e përdridhet për të sjellë në vete degëzat e një ferre kryeneçe. Sa e sa herë qe shpuar, ndoshta dhjetra herë, por prapë qe përhumbur në mendimet. Ndërsa veglat rrotulloheshin, vërtiteshin dhe bënin punën e tyre sikur të udhëhequra nga “instikti” i lëvizjeve të tij, apo ndoshta nga aftësia e armagidasve për të menduar dhe vepruar dydimensionalisht! Por kush mund ta dijë këtë? Kësaj radhe u përmend nga dhimbja sepse një gjemb i ngulet thellë. Duke u ngutur, hapë trastën ku mban ilaçet. Lagë gishtin me pak kundërhelm, mbyllë shishen e vogël dhe e kthen në vendin e vet.
Ndërsa fshesa që ka punuar s’është fshesë… ndonjë aso fsheshalaçe e zakonshme, por fshesë e përtej fshese. Fshesë nga Ferrishtat e Zeza të rezervatit, aso prej shkurresh plot gjemba të mprehtë që s’të japin afat me helmin e tyre. Fare afat, po t’iu takoje rastësisht mbeturinave, plehrave, ndytësirave. Gjuetari s’ka përdorur këso fshese një kohë të gjatë, qysh nga invazioni i minjve dikur në Rezervatin Mermara.
Rrudhat sikur i shtohen në ballë… fija e mendimit i tfillohet:
…vetëm t'mos turpërohesh, të dështosh. Por tash mos u trego një i lig! Betohu njëherë në gjithë kristalet e Armagidasë… se s’mund të jetë, s'ështe e mundur të ngushtohesh si këta burrecat e rezervatit. Nuk i sheh si janë tretur, si janë humbur në këtë mjegull-tymnajë. Le të jetë dhe zagushi e zallahi, ti duhet të mbetesh ti. Duhet të dëshmosh se je pikërisht ai, siç kujtojnë të gjithë se je. Në të kundërtën do ta marrin vesh të gjithë se je shtirur tërë kohën. Mos u bëj si gungaçët tash, si shumica e tyre. As kësulat s'iu shihen, as tymi i llullave, as gjë... Por kolla iu dëgjohet, si korbave lart krrokama. Provoje njëherë, thirr po deshe. Anipse ti e di se s’ka nevojë të vërtetosh gjë. Dhe do të të përgjigjen me kollën e tyre "gh, ghëk khëëë", për t’u zhdukur prapë në askund, prapa hiçit. Ti e di se këso vesesh nuk janë vese burrash! Mirë, mirë ç’të duhen këto tash. Le të jenë si të jenë. Por, jo… ti s’do t’ia mbathësh, as nuk do ta ulësh bishtin. Sepse disa nga ata janë burra të mirë, ndoshta ata kanë nevojë për ty. Mund t’i numërosh në gishta – thua. E vërtetë kjo, por për ca burra të mirë ia vlenë gjithë mundi. Për ata dhe ke bërë gjithë atë rrugë, jo për fundërrinat. Për ata dhe do të ndalesh, për ata dhe do të mbetesh Gjuetar siç të ka hije, fisnik dhe gjithë zemër.
Ai tashmë ka disa ditë që merret me atë fshesë prej ferrash të mprehta, të rrezikshme. Por gjithashtu ka bërë gati dhe një hark, gdhendur e ujdisur me ashturina, si dhe qindra shigjeta i ka mprehur.
Sikur të shihte lexuesi më nga afër, do ta kuptonte se s’është ndonjë hark aq i bukur. Por dhe s’kërkohet hijeshi këtu, kërkohet funksionalitet. Gjuetari Ula’gh s’ka kohë të merret me art tani, e të zbukurojë. Harku i tij thjesht nuk duhet ta lerë në baltën gungasiane, kaq i duhet atij. Ka vendosur t’iu hyjë gjithë korbave e t’i bëjë rrufajë, me çfarë të mundet e si t’i kapë. Edhe në ajri, sa t’ia mbërrijë, por dhe në stere kah t’i arrijë; do t’i ndjek sikur t’ishin minj të Mermarasë (tamam si dikur, disa vjet më parë). Do t’i fshijë me fshesën helmuese thjesht sikur t’ishin mushkonja të ngordhura. Do t’i ndjek gjithandej. Mbi çatitë e në tavanet, nëpër koshare e hambare. S’do harrojë as nëpër ahure e ndë’ grazhdare. Rrufajë e shuflajë... do t’i shfaros si mortaja me fshesën e vet. Ata që fshihen në tymnajën lart do t’i përvëlojë me shigjetat, siç i ka bërë të mprehta, me majat ashtore. Shigjetat ashtu-kështu do t’i kthehen prapë në tokë. Thjesht do t’i mbledh ato dhe ja pra, lexues i dashur “çështja e municionit s’është problem”, sipas llogaritjeve të tij.
S’do ta durojë as dhe një Krrokata Corbilis në Gunga. Askund në fakt, do t’i pastrojë të gjithë rezervatet e Perandorisë. Dhe jo vetëm sepse në Armagida nuk ka të tillë. Natyrisht, atje i vret bardhësia, korbat nuk mund të rrojnë mbi kristale. Ata mund të mbijetojnë vetëm në këso ambientesh të ndotura prej rezervatesh.
Por jo dhe për aq shumë kohë! Se si ndjen gjakun t’i vlojë. Një energji fillon t’i rrymojë trupit, si dikur në rini. Madje tash është në gjendje të bëjë dhe shaka në llogari të “gëzofit” të vet:
…jo gjak “blue…” s’ka mundësi, por dhe gëzofi im shtrojë sallonesh nuk bëhet. Paçka se dhe të vdekur, vithe princeshash do më mbanin ngrohtë. Sepse gëzofi im s’është prej puplash të pista korbash. Unë dhe i vdekur kam një grimë vlerë. Por s’do jetë nevoja, sepse ju s’jeni përveç se korba të ndyer. Do t’ju shfarosë qoftë dhe nëse rrini tërë kohën diku lart. Deri atje lart në stratosferë do t’ju ndjek, në tymnajën e zezë. Se o të nxirë, o fundërrina, ua nxitë jetën dhe këtyre pak gungaçve të ndershëm, mbi kokën e të cilëve krrokatni çdo ditë. Ata janë buzë greminës, gati të çmenden dhe vetëm nga krrokama juaj… or korba të mallkuar.
Betohet në heshtje dhe një herë se do t’i shpëtojë ata pak gungaçë të ndershëm. Ia thotë këtë zemrës së vet dhe merr frymë thellë. Provon ca teknika relaksuese, koncentrohet, lehtësohet si një kolibri. Gjaku në damarët i është qetësuar, frymëmarrja e tij ritmike, e lehtë. Ndjen ashtu për disa momente të rrahurat e zemrës. Ngre shikimin, kur dhe syri do t’i shkëlqejë anipse s’ka diell. Shtrëngon dhe tendos harkun si provë, ashtu kot në ajri pa ndonjë shenjë, pa marrë në nishan. Shkëputja pason dhe… sakaq heton si rrokullisen dy-tre korbzinj për t’u përplasur në tokë, jo shumë larg tij. Thjesht me një tendosje të vetme, me një gjuajtje në tymnajë.
E qartë është, shigjetat e tij dhe vetëm ashtu qorrazi, pa shenjë a nishan, do t’kryejnë punë. Për këtë është i bindur tashmë dhe ndjen një lehtësim. Është shumë i kënaqur me fshesën, me harkun dhe shigjetat, por dhe me krenarinë e bindjen e rikthyer se është vetë Ai, Gjuetari i dikurshëm Ula’gh. Ashtu siç i ka hije të jetë një Gjuetar i Fisnikruar i Armagidasë.
Lufta kundër Krrokata Vox Corbilis kishte filluar…
2005