Kulturë
Berati, kryeqendra e Despotatit të Epirit
E hene, 13.12.2010, 07:47 PM
(Testamenti i Gjon Muzakës dhe të birit)
Sami Starova
BratBerati, kryeqenBerati, kryeqendra e Despotatit të Epiritdra e Despotatit të EpiritBerati, kryeqendra e Despotatit të Epiriti, kryeqendra e Despotatit të Epirit
Despotati i Epirit ishte një nga trevat më të rëndësishme të perandorisë Bizantine. Kjo perandori u themelua nga Kostandini i Madh më 11 maj të vitit 330 dhe pushoi se ekzistuari më 29 maj 1453, pasi u pushtua nga sulltani turk Muhameti II. Kjo perandori jetoi për 1123 vjet dhe 18 ditë, duke qenë më jetë gjata në historinë e njerëzimit.
Në mes të këtij harku kohor rreth 12 shekujsh, me fillesë dhe mbaresë muajin maj shkëlqeu dhe ra një perandori. Brenda jetëgjatësisë së kësaj perandorie u thurën intriga dhe komplote, u shfrenuan skllevërit, u bënë vëllavrasje, u modeluan gratë dhe shkëlqeu piktura.
Në tërë këtë histori hakmarrjesh e mizorish drithëruese, një familje e madhe del më tërë vlerat e virtytet e saj të larta, kjo familje është ajo e Muzakajve të Beratit. Për këtë familje që nxori për 12 breza mbretër dhe despot ka shumë dokumente, por testamenti Gjon Muzakës dhe djalit të tij Kosandinit hedhin shumë dritë.
Ky testament i nxjerrë nga Cherles Hophi (1) dhe i përpunuar me mjeshtëri nga studiuesi arbëresh Emanuele Polito (2) na jep me detaj jetën dhe pronën e kësaj familje të madhe. Pinjolli i kësaj familje, Gjon Muzaka, i vendosur në qytetin e Napolit pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit shkruan: "Kur erdha në këtë vend, ti Teodor ishe një vjeç e gjysmë dhe Adriani një muaj e gjysmë, ndërsa ti Kostantin ke lindur në këtë mbretëri".
Këtyre tre djemve të tij në vitin 1510 iu lë me shkrim disa porosi që në themel të tyre janë ato të shkruara në një unaze të Pirros së Epirit, të cilat trokasin dhe sot në çdo qenie njerëzore, po i citoj:
- "Për të virtytshmin është shpërblim i vogël zotërimi i botës, ndërsa për të ligun është ndëshkim i vogël t'i marrësh jetën."
- Është i nderuar midis të nderuarave ai që fati e nëpërkëmb pa qenë fajtor, është i ulët mes të ulëtëve ai që fati e ngre pa e merituar.
- Atë çka mund ta bëni me vullnet të lirë mos e bëni me forcë.
- Atë që mund të merrni me mirësjellje, mos e kërkoni me kërcënime.
- Kur mund ta ndreqësh dikë privatisht, mos e ndëshko përpara të tjerëve.
- Prindi që i le fëmijët të varfër, por të pajisur me mençuri, duhet ta dijë se u lë shumë pasuri, dhe ai që i le fëmijët të pasur, por pa dituri, ta dijë se nuk u lë asgjë.
- Më mirë një ndihmë e vogël e në kohë, se sa një ndihmë e madhe jashtë kohe.
- Njeriu që bëhet i madh me anë të forcës, e do e mira t'i nënshtrohet drejtësisë.
- Nuk mjafton që një njeri të lindë i mirë, është mirë t'i shmanget rastit, për të cilin do të konsiderohej i keq.
- Njeriu duhet të mendojë meqë është gjallë, se lumturinë ia kanë dhënë hua, ndërsa (mjerimin) fatkeqësinë e ka trashëgim".
Më pas në këtë testament flitet për origjinën e familjes, e cila vinte nga ato perandorake të Kostandinopojës dhe e vendosur në qytetin e Beratit, i cili u bë kryeqytet i trojeve të Muzakajve. Kjo familje vjen nga populli Mollos që më vonë u quajtën Muzakaj.
Në testamentin e Gjon e Kostandin Muzakaj flitet, së pari, për pinjollët e kësaj familje, si dhe për territoret që kishin në zotërim.
Aty shkruhej (Dhe me ju o bijtë e mi, mbushen plot dymbëdhjetë brezni, duke filluar nga mbreti Britan e të tjerët me radhë, siç janë renditur në pemën tonë gjenealogjike, ku në mënyrë të veçantë figurojnë
1 - Britani, Mbret i Apolonisë dhe Ilirisë
2 - Mbreti Mark Britani
3 - Gjon Andrea Mbreti i Apolonisë dhe Ilirisë, zot i Muzakisë
4 - Andrea Sebaston Krantos (1280-1281)zot i Epirit
5 - Teodori i (1281)
6 - Andrea II (1318-1336) Despot titull që vjen pas atij të perandorit dhe i jepet njerëzve të familjes perandorake
7 - Gjini (1337) Despot i Epirit
8 - Andrea III (1389-1476) Despot
9 - Gjini II Despot
10 - Gjoni i (1476)
11 - Kostandini (1510-1550) Despot
12 - Gjoni II dhe i biri Gasper
Kjo familje nga më të mëdhatë e Perandorisë Bizantine kishte territore të mëdha të cilat, siç shkruan Gjon Muzakaj, banoheshin të gjitha prej shqiptarëve.
Në territoret e Muzakajve përveç Muzakis dhe Tomorrices futeshin: fshati Karugua (Kavaja e sotme), krahinat e Oparit, Devollit dhe Ohrit. Arokas (Gjirokastra dhe fshatra përreth). Korizza (Korça) me tërë pellgun e saj. Evaguenegiana (Gumenica e sotme) Kastoria (Kosturi) dhe deri me Edrene (Adrianopolis) etj., si dhe prona të tjera që vinin si trashëgimi nga martesat e vajzave nga dera e Muzakajve.
Në këtë testament flitet në veçanti për Andrean II, i cili ishte Despoti i parë i dalë nga kjo familje. Andreau dallua në luftë kundër Vukoshit, mbretit të Serbisë dhe armik i perandorit Bizantin. Në vitin 1371 mbreti Vukosh kapet rob nga Andrea i II. Për këtë fitore në testament shkruhet;
"Shenjë mirënjohjeje për atë fitore, perandori i dorëzoi si dhuratë emblemën e vet, domethënë, shqiponjën me dy krerë me yllin në qendër që është emblema e perandorisë, titull e privilegjuar të Despotit të Epirit dhe vulën e artë. I dërgoi edhe një karrige princore (despotale), mbi të cilën ishte qëndisur me perla, emblema e shqiponjës. Atij i qe dorëzuar edhe qeverisja e qytetit të Kosturit."
Siç del nga sa thamë më sipër me Andrean e II Despot, krahas simbolit të familjes që ishte burimi me dy currila ujë janë dhe simbolet e dhënë nga perandori Bizantin që në bazë të tyre është shqiponja.
Gjithashtu, në këtë dokument përmendet dhe pinjolli i familjes i quajtur Teodor, i cili së bashku me një shputë shqiptarësh luftojnë në betejën e Kosovës në vitin 1389, ku dhe ra heroikisht. Vend shumë të rëndësishëm në këtë testament i kushtohet Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilin e kishin dhëndër.
Maria Muzakaj, motra e babait të Gjonit (halla), e cila ishte vjehrra e Skënderbeut. Maria u Martua me Aranit Komneni, të cilët kishin tetë vajza. Njëra prej tyre e quajtur Donikë u martua me Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe më pas u thirr me emrin Skënderbeg.
Për Skënderbeun shkruhet se ishte komandanti më i madh i të gjitha kohërave, megjithëse Gjoni dhe i biri Kostandini kishin pakënaqësi ndaj Skënderbeut për faktin se ai kishte marrë Myzeqenë dhe Tomorricën. Shkrimet e lëna për Skënderbeun nga atë e bir Muzakaj janë të shumta e meritojnë një trajtim të veçantë.
Krahas vlerave shumë të mëdha të këtij dokumenti ka dhe disa mungesa e pasaktësi, ndër mungesat është ajo që flet për sulmin e Anzhuinëve kundër kështjellës së Beratit, e cila ishte një pikë kyçe në mbrojtjen e perandorisë Bizantine.
Sulmi i kryer nga Karli i Anzhuinëve në vitin 1280. Në krye të një ushtrie prej tetë mijë vetash ndër ta dy mijë kalorës të armatosur rëndë në vjeshtën e këtij viti filluan sulmin.
Garnizoni mbrojtës së bashku me popullsinë që jetonte brenda kështjellës e mbrojtën atë më shumë heroizëm. Rrethimi i kështjellës nga Anzhuinët vazhdoi deri në mars të 1281 ku mbërriti për ndihmë ushtria Bizantine e dërguar nga Perandori Mikel Paleologu dhe që u udhëhoq nga nipi i tij. Beteja u zhvillua poshtë kodrës së kalasë, në fushë të hapur ku u shkatërruan Anzhuinët duke lënë shumë të vrarë dhe robër.
Kjo fitore, që përshkruhet me detaj nga kranikanët bizantin të kohës u festua për disa ditë rresht në Kostandinopojë, për faktin se po të binte Berati për pak ditë Anzhuinët do të ishin në Selanik e më pas te portat e Kostandinopojës. Festa iu kushtua Beratit që mbrojti Perandorinë.
Në pasaktësitë mund të citojmë atë të datës së vdekjes së Skënderbeut ku Gjon Muzakaj u vendos në katër dhjetor 1466 kur dihet se të gjitha dokumentet bashkëkohore kanë dhënë datën në 17 janar 1468. Pavarësisht nga këto pak mungesa e pasaktësi ky dokument ka vlera të jashtëzakonshme për hedhjen në dritë të këtyre momenteve historike.
Për Muzakajt e Beratit mund të shkruhet shumë gjatë, sepse ata e meritojnë. Pinjollët e kësaj familje jetuan për shekuj duke ruajtur marrëdhëniet me tokën mëmë. Duke ndjekur pinjollët e kësaj familje kontaktuam me stërnipin e Gjon Muzakajt, i cili mrekullisht e mbante këtë emër e mbiemër.
Gjon Muzakaj i ri vizitoi Beratin në gusht të vitit 2008, ku na solli shumë dokumente të familjes midis tyre dhe flamurin. Ai ruante pamjen e jashtme si ajo e stërgjyshërve të tij. Për këtë familje mund të shkruhet shumë gjatë për faktin se ajo bëri histori.
Në këto pak rreshta u munduam të kalonim nëpër shekuj të ndriçuar nga kjo familje e madhe që njihet me emrin MUZAKAJT e BERATIT. Kjo familje e ka vendin mbi një piedestal në qendrën e qytetit të Beratit. Brezat tanë e ata që do të vijnë pas nesh do ta plotësojnë këtë testament...