Kulturë
Remzi Limani: Vranësira mbi pallatin e rinisë
E hene, 13.12.2010, 09:54 PM
VRANËSIRA MBI PALLATIN E RINISË
Idetë dhe zërat e paartikuluar për privatizimin e Pallatit të Rinisë, të vetmin objekt strategjik të këtij lloji në Republikën e Kosovës, nuk i përthekon dot mendja e njeriut të shëndoshë. Kjo qasje e të menduarit surreal, duke mohuar rolin e zërit të arsyes, s`është asgjë tjetër - përveç një strategjie e cila tinëzisht pikon nga vranësira e varur mbi gjahun e radhës…
Nga Remzi Limani
Kohë e të korrurave… Vapa e kësaj vere dhe dielli përcëllues, sikur nxorri të gjitha djersët nga hullitë e rrudhimeve të ballit të mërzitur për të ardhmën e punëtorëve të Pallatit dhe rinisë të këtij qyteti pa lumë dhe pa një të ardhme të sigurt. Shumë aktivitete rinore, të cilat zhvillohen në kuadër të hapësirave të Pallatit të Rinisë, ku vepron edhe Qendra e Pionierëve me shumë aktivitete për fëmijë dhe të rinj, Rrjeti Rinor i Prishtinës, Shkolla e Baletit, Shkolla e Kitarës, Kurset e gjuhëve të huaja për fëmijë dhe për të rritur, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Shkolla e Vallëzimit, Shkolla e Basketbollit, ajo e Hendbollit, Klubi i Shejtarisë, ai i Aeronautikës, Klubi i Ping-Pongut dhe shkollat e tjera, ku zhvillohen dhe mësohet shumë edhe nga fusha e sporteve marciale. Këto shkolla, nga frika se do mbesin pa përkrahjen e deritashme, këto shkolla dhe aktivitete të shumta, sikur gjëmojnë rëndë nën vranësirën e varur mbi pallatin e tyre, një pjesë e të cilit u ndërtua me vetëkontributin e qytetarëve të Komunës së Prishtinës.
Lufta e pakuptimt dhe politikat e pa qarta rreth objektit në fjalë, na çojnë të mendojmë se Vranësira e cila një kohë të gjatë rri e varur mbi të vetmin objekt të këtij lloji – një ditë do të shpërthejë duke shkaktuar pakënaqësi dhe telashe ndër më të ndryshmet tek të gjithë ata të cilët aktivitetet e tyre i zhvillojnë këtu, ngase s`kanë ku tjetër në mungesë të hapësirave përkatëse për aktivitete kulturore dhe sportive. Këtu duhet përfshirë edhe hallin e madh të mbi 120 familjeve të të punësuarëve, të cilët, vërtet nuk e kanë të qartë se s`i mund të privatizohet një objekt publik i cili vetëmbahet nga të hyrat vetanake dhe i cili që nga fillimi i punës së tij ishte dhe mbeti në funksion dhe në shërbim të qytetarëve. Idetë dhe zërat e paartikuluar për privatizimin e të vetmit objekt strategjik të këtij lloji në Republiken e Kosovës, nuk i përthekon dot mendjen e njeriut të shëndoshë. Kjo qasje e të menduarit surreal, duke mohuar rolin e zërit të arsyes, s`është asgjë tjetër – përveç një strategjie e cila tinëzisht pikon nga vranësira mbi gjahun e radhës…
Aktivitetet kulturore dhe projektet serioze nga fusha e muzukës profesionale së bashku me shumë projekte të tjera artistike me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat u organizuan dhe vazhdojnë të zhvillohen në sallat e këtij objekti në përkrahje të plot nga Pallati i Rinisë, deri më tash kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm në avancimin e kulturës shqiptare dhe në zbulimin e talentëve të rinj si vlera të reja në panoramën e kulturës shqiptare. Vallë! – Ku do të zhvillohen tërë këto aktivitete, nëse vjen deri te privatizimi i këtij objekti me interes kombëtar (?!?). Ose, e kundërta, sa do të kushtojnë zhvillemet e mëtejme të aktiviteteve kulturore e sportive, nëse ky objekt do të privatizohej (?!?).Dihet se deri më tash, Pallati pati mirëkuptim të pakursyer duke ndihmuar në realizimin e shumë projekteve të kulturës profesionale, të cilat po ashtu ishin të mbështetura edhe nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, si dhe nga Ministria e Kulturës, duke u bazuar në interesat nacionale dhe sensibilizimin e vlerave të mirëfillta kombëtare nga fusha e artit dhe e kulturës.
Vërtet, kjo është dhemje e madhe: për punëtorët e Pallatit, për rininë tonë dhe për shumë sportstë e artistë të fushave të ndryshme, të cilët do të mbesin nën mëshirën e padronëve të cilët synojnë të lëshohen nga Vranësira mbi Pallat.
Do të ishte më njerëzore dhe më progresive, që të mendohet ndryshe dhe të largohej vranësira e vetme mbi Pallat, e cila si hije kobzezë krijon një errësirë të frikshme në këto ditët plot diell gjithandej.
Pra, le të mendojmë për të sotmen dhe për të nesërmen tonë. Mos të lejojmë, të na ikin paratë e sigurta, siç ndodhi me 14 milionët e eurove, të cilat fluturuan mbi vranësirë nga shkaku i neglizhencës dhe tekeve tona të panevojshme…(!?). Këto para, vërtet i duheshin Pallatit më shumë se kurrë – janë mjete me të cilat do të realizoheshin projektet e mbetura prej kohësh së bashku me sanimin e dëmeve të deritashme dhe pjesëve të amortizuara prej kohësh. Prandaj, me një qasje tjetër, me një përkrahje morale, nëse jo materiale (e cila do të duhej të përkrahej nga shoqëria jonë), me ide produktive të dala nga mendja e shëndoshë dhe nga
një ristrukturim të ri menaxherial i strukturave brendapërbrenda të kuadrove të Pallatit, do të freskohej gjendja me ide të reja organizative duke marrë hapa konstruktiv dhe përgjegjësi më të plota mbi menaxhimin, i cili pa dyshim, do të krijojë kushte më të favorshme për një funksionim më të mirëfilltë të këtij objekti me rëndësi të veçantë për shtetin tonë