Kulturë
Kolec Çefa: Gegnishtja demokratike kërkon liri fjale!
E hene, 13.12.2010, 09:57 PM
Gegnishtja demokratike kërkon liri fjale!
Nga Kolec Çefa
Nëse gjuha âsht një mjet komunikimi, marrëdhanieje...ky mjet duhet të jetë sa ma i lehtë në perdorim, sa ma i pasun në funksione, sa ma melodik në shqiptim, e sa ma i bukur në shprehje; i mbështetun në traditën e gjallë gojore e i lavruem në letrat shqipe, e, mbi të gjitha, të ketë në mbrendësinë e vet frymën origjinale shqiptare; çfarë ka të vjeter që lidhet me gjuhët klasike e çfarë ka inovue me gjuhët moderne, me gjuhët ballkanike.
Gjuha jonë në natyrën e vet asht e hapun dhe në hapsinën e vet transparente duhet të ketë gjallni e fuqi epike kreshnikësh, gjuhen e preme, koncize e juridike te Kanunit, mjeshtri Konice, hijeshi frashëriotësh, forcë fishtjane, lirizëm Mjedjan, shije Camajsh, elegancë Koliqjane, vrull Noljan, vezullime Shantojane, fluiditet Poradecjan... lypet edhe piskrra e lima e gjuhëtarit që, prej frazës së ndertueme thjesht shqip, kuptimi të rrjedhë lirshem e qartas.
Duhet me pranue, se sot ka një realitet të ri gjuhësor. Edhe prof.dr. Jorgo Bulo pohoi: "Toskërishtja dhe gegërishtja janë dy realitete". Prandej Qendra e Studimeve Albanologjike permes Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë organizon një konferencë gjuhësore mbarëkombëtare me temë "Shqipja në etapën e sotme: politika e pasurimit dhe përmirësimit të standardit". Dhe âsht për t'u pergëzue per këte gjuhë dialogu, bashkëveprimi, mirëkuptimi e dashamirësie, pa kurrfarë fryme përçarëse.
Çdo pasunim gjuhësor âsht i mirë, çdo permirësim âsht i dobishem e çdo plotsim âsht i nevojshem, aq ma teper kur këto vijnë nga specialistat, si: akademikët, profesorë, albanologë të huej e vendas, sekretarë shkencorë, autorë, lavrues të gjuhës e të letërsisë, përkthyes etj., pa anëtarë byroje, pa udhëheqës partie, pa hetues gjuhësie. Shkurt, pa ndërhymje, pa paragjykime, pa afeksione. Thjesht: motive shkencore me mirëkuptim dashamirës, si thonte Shantoja: "Gjuhen ta ruejmë të paster dhe të pastra t'i ruejmë bisedimet mbi gjuhë. Mos ta ndyejmë me llumin e politikës". Një shembull pozitiv e ndjellamirës po jep gjuhëtari prof.dr. Kolec Topalli me disa artikuj shkencorë.
Në vendin tonë, gjuha standarde, politikisht lindi me nderhymje, imponim partiak, shkencërisht lindi mbi një bazë mashtruese. Po sqarohem: Para se të mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit, tue ndjekë vijën e masave ( ç'hipokrizi diktature!) u organizuen mbledhje miratimi. Edhe në Shkoder u ftuen kryesisht mësuesit e gjuhës e të letërsisë. U ftova edhe unë dhe shkova. 3-
Por le të flasë Profesor Kostallari: "Në këtë Kongres, ashtu si gjithnjë, ne ndjemë kujdesin e përkrahjen e ngrohtë e të fuqishme të Partisë sonë, të udhëheqjes së saj e të vetë shokut Enver. Kjo i dha Kongresit tonë dhe i jep gjithë punës shkencore fuqi të reja për të ecur përpara. Ne i premtojmë Partisë... do t'i kryejmë me nder detyrat që na shtrohen...". (KD i gjuhës shqipe, f. 229).
E perforcon prof. E. Lafe, i cili e vlerëson Kongresin e drejtshkrimit: "një fitore e vijës marsksiste të PPSH për zgjidhjen e problemit të gjuhës sonë letrare". (E.Lafe, FESH, f.150).
Pra, nuk kanë pse indinjohen disa gjuhëtarë. Gjuha standarde ka qenë produkt i diktaturës jo arritje shkencore, jo unjisim, jo sui generis, por nuk duhet ta sulmojmë nga pozita politike. Gjuha âsht shkencë, prandaj të flasin shkencëtarët.
E shofim të gabueme shprehjen e profesor Emilit: "Kam bindjen se shqipja standarde tashmë i ka qëndruar provës së kohës, sepse është ndërtuar mbi themele të shëndosha".
Tashti le të shofim "themelet e shëndosha". Shkrova ma siper, shkencërisht, standardi u shpreh me një gjuhë dredharake, por në fakt qe mashtrim, pa të mashtruem. Ja si shprehet Kostallari: "... mendimi i shfaqur më përpara se gjuha letrare e sotme është toskërishtja letrare e ngritur drejtpërdrejt në shkallën kombëtare, nuk i përgjigjet së vërtetës shkencore... gjuha letrare kombëtare shqipe është formuar e po përfundon kristalizimin e saj si një koine letrare sui generis...". Guxim, per besë, me e thanë e trimni me mbrojtë një mendim të tillë! Ky mendim u vlente Kostallarëve per me mohue bazën dialektore të standardit që âsht toskënishtja. Jo shumë kohë ma vonë gjuhëtarët u detyruen të kundërshtojnë shprehjen e drogueme "sui generis", të pranojnë bazën dialektore të standardit dhe toskënishten si të tillë.
Besoj se nuk pohoj ndonjë mendim të ri, po të tham se në Kongresin drejtshkrimor nuk pati ndonjë debat të vërtetë shkencor, nuk pati njësim, por u vendos si bazë dialektore toskërishtja dhe u kjo shpall zyrtare.
Gjithë gjuhëtarët janë të mendimit se të folmet veriore janë diferencue ma shumë ( "të paktën që nga Buzuku e Matrënga", si shkruen prof. Shaban Demiraj), ndersa dialekti jugor ka qenë ma i njësuem. Dhe, çka më pelqen, besohet ma lehtë e ma shpejt. Kështu, dolën te Namik Resuli: "...kur erdhi çasti për të vendosur për zgjedhjen e dialektit bazë të gjuhës (nënvizimi im k.ç.) së përbashkët, studiuesit e Tiranës (nënvizimi im), përkrahës të dialektit jugor, e gjetën atë pothuaj të gatshme, të njësuar në vijat kryesore, ashtu siç e kishte përgatitur dhe ofruar Konica"(ndoshta emni Konica duhet zavendsue me emnin partia, që bani punë paraprake që më 1944). Këtu duhet ba një vërejtje: koncepti e folme e koncepti gjuhë letrare ka një dallim të fortë në mes. Veriorët që heret e kanë lavrue gjuhën e vet, tue u mundue ta ruejnë, ta pasunojnë, ta permirësojnë, me shkrime origjinale, me fjalorë, me përkthime etj. Citoj profesor Seit Mansakun: "...përpjekjet e autorëve të vjetër (Buzuku, Budi, Bardhi e sidomos Bogdani) për të mos shkruar thjesht në të folmen e tyre, por në një gegërishte më të përgjithshme". (shih: Konferenca shkencore, Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot, T.2003, f.111).
Në vazhdim të kësaj tradite, hap pas hapi, shkrimtarët e mavonshem veriorë arrijtën të krijojnë një gegënishte letrare, si: Fishta, Mjeda, Koliqi, Camaj, Migjeni, dy Harapët, Palaj, Prendushi, Shantoja, J. Rrota, Nikollë Gazulli, dy Sirdanët, Arshi Pipa, Mustafa Kruja, etj.
Kush lexon këta autorë, lexon shqip!
Abat Doçi ka lindë e jetue në Mirditë, por nuk ka shkrue në të folmen e Mirditës; Fishta, origjinë Mirdite, lindi në Fishtë, por nuk ka shkrue në të folmen zadrimore; Camaj nuk shkruen malsorshe, kështu mund të thomi për Bernardin Palaj, për Pader Gjon Shllakun, per dy Sirdanët, per Nikollë Gazullin, per dy Harapët etj. Prandaj, gegënishtja duhet me u pranue si gjuhë letërsie, madje të mësohet edhe në shkollë, që kjo letërsi të lexohet, të kuptohet, të komentohet e të përfitohet prej saj, si letërsi me gjuhë artistike, me ide të shëndosha e ndjenja të pastra.
"Vlerat e gjuhës sonë letrare të standardizuar (toskërishtja letrare e standardizuar), shkruen profesor Bahri Beci, dhe funksionet e saj si gjuhë zyrtare dhe që pranon të funksionojë lirisht një gegërishte letrare e standardizuar, sidomos, në shkrimet me karakter letrar, publicistik etj. do të ishte shprehje, jo vetëm e tolerancës dhe e së drejtës për gjuhën, por edhe e dëshirës për bashkëpunim e unitet të vërtetë kombëtar, jashtë zhvillimeve të imponuara e të sforcuara që, më shumë se e forcojnë e dëmtojnë mirëkuptimin dhe unitetin e vërtetë kombëtar"(B. Beci, Probleme të gjuhës letrare në etapën e sotme).
Dhe jo të ngushtohet hapsina e saj, sikur shprehet profesor Sh. Demiraj: "... në ato raste kur e kërkon nevoja për të tipizuar gjuhësisht personazhet e një vepre letrare".
Kur të shkruesh per gjuhën standarde nuk mund të mos ndalesh tek një pikë nevralgjike: tek paskajorja gege. Per mue që po shkruej këto rreshta, paskajorja gege âsht vjetersi e vlerë gjuhësore, pajë e shije kuptimore, bukuri e larmi shprehjeje, element gjuhësor që na lidhë me gjuhët klasike: latine e greke.
Një dijetar, dashamir e lavrues edhe gjuhe, Mons.G. Gurakuqi, që me 1957, në një dorëshkrim ka shkrue: "I thashë me shkue? A po i thashë të shkonte? Unë kishe me thanë se të dyja trajtat janë të mira e, se, prandej, per me ba nji gjuhë të mesme, të hupet trajta e infinitivit, Jo., por munden me u perdorë të dyja, si të tingëllojnë ma bukur në vesh, në propozicjon. Edhe nder gjuhë të tjera ka sa herë ka dy, tri e ma trajta identike në veshtrim të cilat perdorën perziemas. Per shembull në latinishten: per me thanë : Vijnë me pa lojnat, thohet: "Veniunt ut ludos spectent; ad spectandum ludos; causa ludos spectandi, spectaturi ludos"...
Edhe gjuhëtari i mirënjohun Justin Rrota, që më 1962, shkruente: "Kështu mendojm, se për unifikimin e gjuhës âshtë mirë, të lëshojn pê të dyja palët: gegënishtja, tue e rrallue perdorimin dhe toskënishtja, tue e shtie ma tepër në punë infinitivin"(J.Rr., "Gjuha e shkrueme... f.337).
Qeshte Pader Justini e më thonte fjalët e Luigj Gurakuqit, lidhun me perdorimin e dendun të paskajores gege: "Me pasë, me shkue, me i thanë, me ardhë, me ndejë me më pa".
Mendoj, se disa konstrukte të sforcueme me lidhoren, mund të zbuten me paskajoren e hijshme gege, veçanësi tjetër e bukur gjuhësore, e zhdervjelltë, por e lanë në harresë: Megjithatë nuk âsht ende fosil, edhe pse redaktorët gjuhësorë po mundohen ta fosilizojnë. (Kam shkrue një artikull në gjuhën standarde, kam perdorë dy paskajore gege, vetëm dy, por m'i kanë kthye në lidhore). Gjuhëtarët e sotëm janë të mendimit se lidhorja i kryen të gjitha funksionet sintaksore në të cilat perdoret paskajorja. Por jo! Nuk asht e barabartë "duhet me punue", (shprehë një veprim që duhet ta kryejnë të gjithë, pa kryefjalë të shprehun, pra: unë, ti, ai, na, ju, ata, ato) me "të punosh", ku kryefjala âsht ti).
"Në strukturën gramatikore të një gjuhe standarde, shkruen Emil Lafe, nuk mund të shtihet mekanikisht një element që nuk ka përdorim në atë standard. Gramatikanët nuk mund t'i imponojnë ose t'i shartojnë gjuhës elemente strukturore, edhe kur mendohet se janë të nevojshme...Pra, kur të dëgjojmë të thuhet gjithnjë e më dendur me bërë, me pasur, me shkruar etj. dhe kur kjo formë të ketë hyrë edhe në gjuhën e shkrimit, nuk do të ketë arsye bindëse që të mos përfshihet edhe në gramatikë, të bëhet element i standardit". (në "Konferenca shkencore, Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot, f. 16). Unë mendoj se ato forma duhet të hyjnë si janë, si fliten e si shkruhen: me ba, me pasë, me shkrue. Krahaso, si i merr gjermanishtja fjalët e hueja, si i regjistron ajo ndër fjalorët e saj.
Parimi i shtrimjes territoriale a i hapsinës përdoruese gjeografike nuk u mor parasysh.
Të ishte gjallë Fishta, trajtat me bërë, me pasur, me shkruar, që nuk ndëgjohen kurrkund, do t'i quente ibride, stramastike etj. Por mos të merakoset autori i këtyne fjalëve, sepse nuk do t'i lexojë kurr, sa të jenë gjallë redaktorët-hetues gjuhësorë. Mandej, ndoshta po krijojmë policinë drejtshkrimore, ndonjë ligj të veçantë etj. që të ruhemi nga sakrilegjet gjuhësore, sidomos gege. Nuk mund t'i besojmë as Profesor Mansakut kur shkruen: "Çështja e paskajores nuk mund të jetë një problem i planifikimit gjuhësor, as për ta nxitur, as për ta penguar përdorimin e saj. Le t'ia lëmë kohës të bëjë punën e saj. Gjuha do të bëjë vetë zgjedhjen më të mirë". (nëse e len policia drejtshkrimore).
Pa e ezaurue problemin, por për ta mbyllë me paskajorën, po kujtoj çka shkruen Prof. Shaban Demiraj: "Gjithsesi, kësaj forme foljore duhet t'i kushtohet më shumë vend se deri sot nëpër gramatikat shkencore të gjuhës shqipe". SH. Demiraj, Konferenca shkencore..., T.2003, f.34).