E enjte, 01.05.2025, 07:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Artan Shkreli: Gravura e 1533 - Endrra e Vojsavë Kastriotit

E marte, 14.12.2010, 10:04 PM


Gravura e 1533

Endrra e Vojsavë Kastriotit

 

Nga Artan Shkreli

 

Gjashtëdhjetepese vjet mbasi ndërroi jetë Gjergj Kastrioti, aty nga 1533-shi, doli në Augsburg të Gjermanisë libri i Marin Barletit me titull "Des Allerstreytparsten und theuresten Fürsten und Herrn Georgen Castrioten, gennant Skanderbeg, Hertzogen zu Epiro und Albanien etc. ritterliche Thaten, so er zu erhalten seiner Erbland, mit den tursckischen Kaysern in seinem Leben glucklich begangen". Kjo vepër, botuar nga Heinrich Steiner dhe përkthyer prej Johannes Pinicianus, kishte posë tjerash edhe gravura e gdhendje në dru prej piktorëve të njohur gjermanë Breu, at e bir; përkatësisht Jörg Breu Plaku [1475(80)-1537] dhe Jörg Breu i Riu [1510-1547]. Sot gravurat e tyre gjykohen si kryevepra artistike në llojin e vet. Breu Plaku, mbahet ndër piktorët e mëdhej gjermanë të kohës, dhe, në suazën e Augsburgut, i cili në Pesëqindën ish ndër qytetet më kamëse t'Europës, ai konsiderohet i të njëjtit nivel me piktorin tjetër bavarez Hans Holbain Plakun, duke u renditë edhe mes kontribuesve kryesorë në ngjizjen e artit të Shkollës së Danubit. Nxënës i tij qe i biri, Breu i Riu, i cili kulturën artistike, marrë në studion e t'et, e përkreu falë një qëndrimi në Venedik në moshë të re. Ky do të bëhej nga vizatuesit më të mirë në Gjermani si dhe ndër përfaqësuesit zëmëdhej të Renesansës' Vonë gjermane, anipse veç një pjesë e vogël e veprës tij ia mbërriti gjer ndër ne. Mes punimesh që i dhanë famë të përbotshme, hyjnë edhe ilustrimet që pat vizatë së bashku me të jatin: Lufta e Peloponezit e Tuqididit dhe Histori e Skënderbeut e Barletit (me titullin e lartemnuar).

Pa u zgjatë rreth ilustrimeve mbresëlënëse të Breu-ve, pasi ato meritojnë vëmendjen e një punimi doktorature në laminë e kritikës së artit, po ndalemi të njera syresh titulluar "Der Traum von Skanderbeg Mutter" ase "Andrra e nanës së Skanderbegut". Kemi të bëjmë me një gravurë të gdhendur në dru, e cila i përnjihet Jorg Breut të Ri, e që i referohet episodit të mirënjohur të ëndrrës së Vojsavës kur ajo ish shtatzanë me Gjergjin. Ja çfarë rrëfen për këtë Barleti tek "Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis" (1508-1510): "...nuk mendoj se duhet lënë mënjanë ajo që unë e mora krejtësisht si një çfaqie mrekullie dhe që u profetizua prej shumë njerëzve, mbi lavdinë e këtij njeriu, megjithëse e di mirë se shumë vetë s'do t'a përfillin fare, si fort të ngjashme me përrallat e vjetra. Thonë, pra, se kur Vojsava mbeti me barrë me të, pa në ëndër se lindi një dragua aq të madh, sa që mbulonte gjithë Epirin, kokën e shtrinte ndërmjet kufijve të turqve, të cilët i përpinte me gurmazin e vet të gjakosur, ndërsa bishtin e mbante në det ndërmjet kufijve të krishterë dhe sidomos të shtetit të Venedikut. Gjoni, me t'iu rrëfyer ëndrra, nga që ajo nuk ishte një punë që të hetohej me anë rropullish apo që kërkonte për shpjegues Apollonin, e qetësoi me gëzim të madh të shoqen dhe profetizoi me lehtësi se prej saj do të lindte një burrë i përmendur në luftë e në vepra, i cili do të ishte armiku më i rreptë i turqve dhe njëkohësisht kapedani i tyre më fatbardhë, mbrojtës i fesë së krishterë..." (fq. 54 e botimit shqip).

I njinjishëm në stil me rrëfimet e françeskanëve tanë, Barleti hedh në kronikën e tij mbi bâmat e Skanderbegut këtë legjendë urbane që qarkullonte prej shumë njerëzve në Arbëninë e shek XV, pra fanitjen e drangoit në ëndrrën që kish parë zonja e parë e Arbënisë, Vojsavë Tripaldina. Askush nuk di të thotë nëse legjenda kish zënë fill në gjallmëni të heroit apo qe sendërgjuar më pas gjatë shndrrimit të tij në mit. Porse diçka është e sigurtë: e ashtuquajtura andërr e nanës së Skanderbegut kërthndezi jo veç ndërgjegjen e gjindjes epirote, pra shqiptare, por edhe imagjinatën e humanistëve europianë, të cilët, si ishin kthyer sërish rrëfenjave të antikitetit, gjenin n'atë fanitje një domethënie parake.

Mu për këtë arësye, ka më tepër të ngjarë që hipoteza e formimit të kësaj legjende urbane të ketë ndodhë në hullinë e shndrrimit të heroit në mit. Periudha kur jetoi Skënderbeu është një periudhë tjetërsimesh të pazakonta jo vetëm në Ballkan, por në krejt Europën, ndonëse në kahe të kundërta; ndërkohë që Ballkani, si rezultat i aneksimit turk të provincave të tëra, kridhej në terr e çapitej drejt mortit, Europa tjetër po e shkundte supesh mesjetën e gjatë dhe po hynte në epokën rrëzëllitëse të Rilindjes. Kështu nën dritën e kësaj rilindjeje, europianët rivlerësuan veprat e antikitetit greko-romak, e tok me to, gjithë trashëgiminë mitologjike që zinte fill në gadishullin tonë. Ky mjedis multikulturor e liberal i dha zemër Barletit-prift të ndërkallte në "Historinë" e tij legjendat popullore Arbano-Maqedone me mitet klasike Iliro-Epirote. Tashmë, bestytni pagane dikur të anatemuara, kishin marrë sërish prestigj, ndaj dhe ishin në rend të dites rrëfenjat e origjines së Ilirëve prej gjarpërit Kadmus a drangonit totemik, apo kallxime mbi lindjen e Lekës së Madh nga shtatzania e Olimbisë me bollën. Ballkani veçanësisht kish mbetë ai truall ku ngushëllohej legjenda popullore me mitologjine klasike, dhe sidomos trojet ku rronin arbëneshët paraqiteshin si rezervate orale kryengulëta të trashëgimisë antike.

Kjo kish bërë që kensa (qenia mitologjike) e quajtur drangua a dragua, pavarësisht tjetërsimit, riformulimit dhe rendit të ri ikonologjik që kish përcaktuar shtrirja e krishterimit mbi popujt paganë t'Europës, të ruante në trojet arbënore një konotacion pozitiv, madje tejet pozitiv. Popujt e veriut dhe perëndimit e patën humbë këtë valencë në kohën e krishterizimit të keltëve, saku arbënorët - ndërmjet një procesi mesjetar konfuz mes tipareve të drangonit dhe atyre të kulshedrës - ja kishin dalë, por vetëm aty nga fillimi i kohës së re, ta ruanin vlerësimin për drangonin duke ia ngjeshë cilësitë negative pikërisht kulshedres. Këtu lind dhe ngaterresa e europianëve ndaj tipareve autoktone të drangonit në kulturën arbënore. Skanderbegu i Barletit njohu botime të shumta në Europe, edhe Gjermani, por shpesh në botimet e mëpasshme, imtyra (miniatura) e episodit të "drangonit", e cila qe përshfaqë në botimin e parë, qysh në kapitullin nistor të librit, si element i rëndësishëm narrativ, do të mungonte. Krishterimi, tashmë i reformuar, e kish degdisë drangonin të personifikonte djallin ase forcat e së keqes. Kjo ka sjellë për rrjedhim edhe ngatërresa ikonografike, gjë që i ka shpëne me siguri edhe botuesit e edicionit anglez që imtyrën e Barletit ku paraqitet një drangua (Gjergji i vogël) duke luajtur me orët, a engjëjt e tij mbrojtës, ta zëvendësojnë pa e vrarë mendjen me një imtyrë tjetër, në dukje të ngjashme (drangua + fëmijë), por krejt e pakuptimtë në kumtin që përcjell (një drangua që gëlltit fëmijën e vogël?!!).

Ai që e rikëndelli "ndodhinë" e ngjizjes së Gjergj Kastriotit, qe pikërisht editori i njohur gjerman, i shek. XVII, Vincenz Steimeyer (1587-1667), i cili e përkapi ilustrimin e Jörg Breu II dhe e shfaqi atë bashkë me ilustrime të tjera artistësh të mëdhej në përmbledhjen "Newe künstliche Wohlgerissene und in Holtz geschnittene Figuren...", të publikuar në Frankfurt me 1620. Ky dhe libra të tjerë kësodore qarkulluan shumë në mjediset e piktorëve të barokut dhe neoklasicizmit duke motërzuar elemente të këtyre ilustrimeve në një sërë pikturash me përmbajtje të ndryshme në shekujt e mandejmë, por edhe duke mbajtë gjalle, ndër tjera, mitin e heroit historik të Arbënisë tashme në sundimin e huaj osman.

Në gravurë, interieri i dhomës paraqitet mjaft ekzotik dhe është i përshkruar në detaje të imta. Ndonëse me shije gjermanike, vihet re përpjekja e Breut për të dhënë një mjedis sa më oriental, çka bën ferk në jastekët e shumtë dhe damasqet e bollshëm. Në këtë interier, artisti nuk vizatë asnjë dritore, duke theksuar kështu kumtin e intimitetit të dhomës, por m'anë tjetër, për të shmangë ndjesinë e angështisë, pamja gjanohet falë imazhit të "andrrës" si vegim mes reve. Drangoni-Skanderbeg - krejt besnik ndaj rrëfimit të Barletit - ka shkapërcyer ngushticën e Dardaneleve dhe po zharit qytetet e Turqisë, ndërsa bishti i gjatë ruan trojet e Arbënise apo Epirit. Skena është paraqitë mjaft saktë. Si nje imtyrë brenda grafikës së përgjithshme ajo është e pasur në detaje dhe, me dinamikën e saj luftarake përçon një atmosferë të kundërt me atë të kuadrit të madh ku sundon një qetësi hipnotike.

Vojsava vetë, është duke fjetë në një shtrat tipik mesjetar, në të ashtuquajturin krevat me baldahin. Karakteristikë e shtretërve mesjetarë është se ato vendoseshin ngritas nga toka nëpërmjet një bazamenti të drunjtë (kalthedër) mbi të cilin pushonte krevati. Në këtë kuptim, struktura e shtratit është shumë e ngjashme me atë që Carpaccio ka paraqitë në të famshmen "Andrra e Shën Ursulës" me 1495. Kështu, në shtratin e Vojsavës ka dy këmbë shkallë për të mberritë podin, i cili shërben posë tjerash edhe si arkë e nuses ku vendoseshin teshat e pajës (si kudo në Europën e kohës, ashtu si në Shqipërinë e 40-50 vjetëve më parë). Krevati pushon mbi një tapet në stil oriental i cili e mbulon krejt bordurën e podit.

Natyrisht klima e dizajnit të brendshëm të kthinës është ajo e fillimit të Pesëqindës, pasi vihet re stili i manierizmit në dekor, stil që shumë shpejt do t'i hapte rrugë barokut europian të Gjashtëqindës. Vula e manierizmit në gravurë vërehet në konstruksionin e drunjtë që mban tendën e dytë të brendshme të baldahinit: një strukturë arkitekturore e përbërë nga dy krahë të lakuara, që përmbyllet me një bajse (mbështetëse), mbi të cilën qëndron një Eros i vogël.

Shtrati, i natyrës princërore, nuk është i dimensionit martesor, kjo pasi gruaja në prak të lehonisë është tërhequr në alkovën vetanake në vigjilje të lindjes. Sipas traditës, normalisht mbi kryet e shtratit do duhej të qe gdhendur a pikturuar stema e Tripaldinëve, fisit maqedon (asokohe = shqiptaro-bullgar) nga i cili Vojsava duket se kishte origjinën, por në mungesë të një informacioni të saktë mbi heraldikën e familjes saj, piktori ka preferuar ta lerë kaptellin të zbrazet. Ben pershtypje sakaq nje shujke (embleme) fisnikerore ne paretet e arkes se vogel te pajimeve të çmuara që ndodhet në këmbët e shtratit, shujkë që nga sa duket përvijzon fleur de lis-in e anzhuinëve. Nëse kjo shenjë është trill i mjeshtrit piktor apo jo, këtë nuk mund ta vërtetojmë.

Dhoma nuk ka imazhe të tjera, fjala vjen ikona a fugure të shenjta dhe kjo me qëllim që shikuesi të përqëndrohet kryesisht në fanitjen onirike të drangonit si narracion qendror i kompozimit. E vetmja fugure antropomorfe është engjëlli i vogël me hark në dorë nën tendën e baldahinit, por ai nuk është orë, as engjëll mbrojtës. Është një prendush (eros) i vogël që të bie ndër mend kupidet e Raffaellos tek "Triumfi i Galatesë". Vendosja e tij aty është me funksion të pastër simbolik; në pozicion zhgjetues, ai përthekon idenë se shtatzania e gruas së re aristokrate është fryt i një dashurie pasionante ndaj bashkëshortit të saj, Gjonit Kastriot.

E si në çdo danik femëror, bri murit, mbi një tavoline a komó, janë vendosur takëmet e tualetit: peshtafi i stolive, pasqyra doracake, broka e kristaltë, një taulare (çiní), krehëri dhe me gjasë, një lidhëse (kjo e fundit nuk shquhet mirë). Komoja nuk shfaqet, pasi është e mbuluar me një plaf të gjatë, por si zakonisht në atë epokë, nën syzat e vogla për imtësirat, ajo kishte dy flegra që hapeshin dhe mbulonin tasin e të dalmit jashtë (element ky që i ka dhënë WC së sotme termin delikat tualet).

Për të dhënë idenë brenda kornizës së ëndrrës, Breu huazon simbolikën e tufës së reve. Teknika e bartjes vizuale përmes skenash që zhvillohen brenda shtjellës së një reje, përdorur jo shpesh atë periudhë, do bëhej tipike e shek XX në ilustrimet e skenave të imagjinuara në comics. Në fakt përdorimi i shtjellës së reve, atë kohë kishte një konotacion të fortë religjioz, pasi shumë shpesh Tënzot apo Zoja e Papërlyeme në paraqitjet e tyre artistike shoqërizoheshin nga retë, në simbolikë të qiejve të amshuar. Ky truk piktoresk, asokohe ende në fillesat e tij, do të funksiononte sidomos me skulpturën e barokut një shekull më pas. Breu arrin në këtë mënyrë dy rezultate: nga njëra anë i jep Andrrës së Vojsavës trajtat e një ndodhie gati hyjnore dhe nga ana tjetër ja del të ndajë në hapsirë dhe kohë dy skenat e dramës: Fjetjen e Vojsavës dhe Fanitjen e Drangonit. Ai e shndërron kësisoj këtë diptik në dy ngjarje, krejt ndryshe kësaj here nga "Andrra e Shën Ursulës" së lartpëmendur ku Fjetja dhe Fanitja zhvillohen në të njëjtin mjedis. Ky thjeshtim narrative nga ana e Breut bëhet për faktin se nëse Carpaccio mund të abstragonte në temën e tij fetare aq të njohur nga bashkëkohësit fanatikë, ai nuk mund të luante me episodin e panjohur të zotneshës Tripaldinë.

Vetë Vojsava, me krahët e lëshuar, fle në pozicion të shlirët, gjysm'e mbuluar, mbështetë mbi nënkrejca palë-palë, që rëndom rregullojnë qëndrimin komod të shtatzanave. Dekolteja e rrobës së saj, shfaqet enkas mjaft dukshëm: për të nxjerrë në pah tiparin themelor të saj në atë moment: atë të amësisë.

Portreti i gruas së re, është përshfaqja e parë e imagjinuar e Vojsavës në art. Ajo paraqitet këtu me të njëjtën fisnikëri formash sikundër portretet e aristokracisë së lartë mitteleuropiane që Breu jep ca më vonë në Stemarin e tij. E konceptuar në një atmosferë positive in dolce attesa, kryet e gruas qarkohet nga një pështjellëse flokësh e cila më tepër se skufje është një kurorë në ngjasim të larit. Kjo është krejt e pazakontë. Normalisht do ish e panevojshme për një grua të flinte me defme në krye, të cilën në mesjetë gratë aristokrate e mbanin rëndom gjatë ditës. Breu pra e "kurorëzon" gruan shtatzane ante tempus. Me këtë element të thjeshtë ai na jep, "përpara kohe" pra, edhe idenë se Vojsavë Tripaldina-Kastrioti është e shenjuar të jetë Nana Mbretneshë e Regjënisë së Arbënit. Nuk duhet harruar se në Europën e Pesëqindës mbizotëron një konfuzion i vërtetë në perceptimin e Skanderbegut herë si një domine e herë si nje rex, regis.

Në perfundim mund të thuhet se kjo është një grafikë madhështore, ndër më të bukurat e bëra rreth motit të madh të Arbënit, ndër të rrallat që futen në intimitetin epokal të pallateve princërore të Arbënit, e që pa retorikë të drejtpërdrejtë na sjell një kumt të ri, një kumt mitik: Ne jemi ngjizë si etni dhe kemi rilindë si komb nën shenjën e Drangoit. 

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx