E enjte, 01.05.2025, 10:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (XV)

E hene, 13.12.2010, 10:57 PM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

(XV)

 

(Roman)

 

* * *

 

Bulervardi dhe rrugët e kryeqyteit vëlonin si zgjua bletësh nga turma e grave të veshura në zi dhe shamia të bardha, që vinin nga të katër anët.Kurrë kryeqyteti nuk kishte pasur më shumë plaka, nuse e vajza sa atë ditë fundqershori me vapë, kur dielli në zenit të vëlonte trutë. Plakat e kërrusura mbanin në duar pankarta në shumë gjuhë me mbishkrimet: “ Na i ktheni djemtë nga burgjet e kolonel Xhungalliqit!”, “ Ktheni eshtrat e burrave tanë!”, “Ktheni vëllezërit tanë!”, të cilat padyshim, se do t’u ketë shkruar dikush,  përmbajtjen e të cilave nuk e kuptonin. Asnjë burrë nuk ishte në mesin e grave, që betoheshin se nuk do ta ndalnin protestën pa u premtuar ndonjë zyrtar i lartë se do të përmbusheshin kërkesat e tyre. Një dyzinë kameramanësh e  gazetarësh, spiunësh, paparazësh...  ishin përzier me turmën e grave, duke u munduar të intervistonin ndonjërën. Gazetarët, të prirur për shkrime me tematikë skandaloze ,dëshironin të ndodhë ndonjë incident apo skandal në protestën e grave  për ta nxjerrë si lajm senzacional në faqet e para të gazetave ose në lajmet qendrore të televizioneve të kryeqytetit.

Nënë Raza e Dhimbjes bashkë me një plakë tjetër ishin ulur në trotuar, para një dyçani, për t’u çlodhur pak, kurse si të panjohura midis veti, plakat nisën bisedën, duke i qarë hallet njëra tjetrës:

- A ka burra, ky shehër, moj motër?- pyeti plaka që kishte ardhur në protestë nga fshati Plagë i Anadrinit.

-?!

- Të pyeta, moj motër , a ka burra kryeqyteti apo ka mbetur edhe ky i shkreti vetëm me gra, si katundi im?!

- Të dëgjova, moj motër, të dëgjova, he as mos pafsha as mos dëgjofsha më!

- ?!...

- Fol se plasa, moj motër! Shfryju!-reagoi prapë plaka e Plagës.

- Ku ta di unë e shkreta, moj motër! Ndoshta edhe këtu burrat  paskan vdekur si në Dhimbje!- u përgjigj nënë Raza.

- A hiq nuk paska burra në këtë shehër, a?!- pyeti plaka e Anadrinit , e cila  më parë kurrë nuk kishte ardhur në kryeqytet.

- Ka në kryeqytet meshkuj sa të duash, por burra  paska pak, besa! Burreca shumë e burra hiq!

- Meshkujt janë burra, mori motër!- ndërhyri përsëri plaka e Plagës.

- Thash se këtu paska  shumë burreca! Burra kishte dikur, tash paska mbetur veç me burreca të zi! Sikur të kishte burra, moj motër, neve nuk do të na kishte rënë hise të vinim këtu  nga Dhimbja e Plaga, por do të protestonin vetë, mjeranët!

- Eeeeh! Medet! Vaj halli ,  për burrërinë , kur plakat uloke prijnë, moj motër!- tha plaka e Plagës, pasi që ofshani . Pasi që u njohën plaka e Dhimbjes me plakën e Plagës ngadalë u ngrehën duke ndihmur njëra tjetrën dhe dora-dorës u nisën në protestë , në rrugën përballë hotelit me pesë yje.

-Sa është sahati, biri im?- e pyetën dy plakat një djalosh llërëshpërveshur.

 - Njëmbëdhjetë pa pesë!-u përgjigj djaloshi me respekt për plakat.

- Ku është vendi i protestës, biro ?- përsëri plakat  e pyetën djaloshin, që mbante një gazetë mbi kokë për t’u mbrojtur nga rrezet përvëluese të diellit.

- Nuk di për çfarë proteste, më pyetni, loke! u përgjigj djaloshi.

- Për protestën e nënave që kërkojnë djemtë e zhdukur, biro!- tha plaka e Plagës, e habitur si nuk kishte dëgjuar për protestën as djaloshi, që mbase ishte student.

- Jo, jo, loke nuk di për kurrëfarë proteste as të nënave as të baballarëve!- tha djaloshi dhe vazhdoi rrugën e vet.

Plakat mbetën midis rrugës , duke mallkuar veten dhe këmbët e veta që nuk u  bënin punë për t’i ndjekur hapat e nuseve dhe vajzave  në protestë.Gjithashtu,  midis  rrugës, duke hedhur hapa me një këmbë në asfallt, nxitonte Lush Rebeli me një pankartë në dorë në të cilën shkruante shqip: “Ma ktheni nënë Nazën të gjallë ose të vdekur!” Pas Lushit ishte formuar një kolonë e gjatë makinash, sirenat e të cilave jehonin në kryeqytet. Disa nga shoferët qeshnin, disa shanin e disa qanin për marshin protestues të Lush Rebelit, që jo vetëm marshonte, por edhe brohoriste parulla, kundër qeverisë dhe pushtetit të instaluar  ndërkombëtar, që nuk bënte gjë për zbardhjen e fatit të të gjallëve të kidnapuar dhe kufomave të vjedhura gjatë luftës nga ushtria e gjeneral Gexhës. Me të parë marshin protestues të Lush Rebelit, nënë Raza e Dhimbjes dhe plaka e Plagës së Anadrinit iu bashkuan protestës.

Një skuadër policësh të veshur me jelekë antiplumb dhe me helmeta në kokë, që mbanin mburoja në duar, papritmas , i dolën përpara Lushit , marshi protestues i të cilit seriozisht kishte formuar kaos në trafik.

- Ndalu, Lush Rebeli! Ku në dreç të mallkuar je nisur me këto plaka, kështu!- tha një polic, i cili , si duket, ishte  komandant  i skuadrës nga njësitë komando të policisë së kryeqytetit.

- Më liro rrugën, djalo!- tha Lushi i mërdhezur. Unë me këto plaka të shkreta  nuk bezdisim njeri në kryeqytet, por vetëm  shfrytëzojmë të drejtën demokratike për protestë të paraparë me ligj!- u përgjigj Lushi, ndërsa sirenat e kolonës së  makinave në trafik sa vinin e shtoheshin gjithnjë më shumë.

- Ani mirë, Lush Rebeli protesto sa të duash, derisa të çmendesh me gjithë plakat, por të lutem liroje rrugën! Protesto, kërce përpjetë, brohorit sa të duash në trotuare, maleve, fushave, arave ..., por në rrugë nuk të lejohet! Urdhëri është urdhër Lush Rebeli! Të them me keqardhje se jam i detyruar ta zbatoj urdhërin!- tha polici me një zë sa kërcënues po aq edhe lutës.

- O, nuk ndalet Lush Rebeli, o zoti polic! Kupto! Në këtë rrugë nuk kanë mundur të më ndalojnë së demostuari as Akuni me Harunin, as Lugati , as Zibani me Haramin, e lëre të më ndalosh ti! Me gjak e djersë i kam larë këto rrugë, ore vetëm për ta fituar atë të mjerë të drejte për protestë!

Kolona e makinave në trafik gjithnjë e më shumë bëhej më nervoze.As sirenat e tyre nuk pushonin asnjë çast. Sharjet e shoferëve nisën të shoqërohen me kërcënime, por nuk  dinin kë  shanin as kë  kërcënonin. Për ta ishte kryesore të shfrenin mllefin, edhe pse nuk dinin ndaj kujt të shfrenin mllefin e shtresuar vite të tëra.

- O, medet,bre, na i rrahën nënat në protestë!- bërtiti dikush nga shoferët e  kolonës së makinave ! Ishte një zë i thekshëm me ton  vajtues që Lushit i erdhi në vesh si ushtimë, ndërsa përpëlitej me policët që t’i lironin rrugën e marshit protestues. Lushi shikoi anash në trotuare dhe pa plaka , nuse e vajza të përgjakura që përpiqeshin të iknin! U nis drejt tyre, por e ndaloi  komandanti i skuadrës, duke e prangosur me gjithë nënë Razën e Dhimbjes dhe plakën e Plagës...!

Ndërsa po e hipnin në makinë me dy plakat, Lushi i   pa të djersitura, të zdathura dhe me flokë të shprishur , edhe Xixëllonjën e Fjollën e Dhimbjes , tek mbanin lart pankartën me mbishkrimin: “ Na ktheni Gëzimin e Dhimbjes! ” dhe  duke brohoritur: “Zgjimi i Dhimbjes kërkon Gëzimin e Dhimbjes!”

- Hë! Nënën e  nënës...!- shfreu mllefin një burrë tek shikonte dramën e protestës së nënave në kryeqytet!

- A rrahen nënat, more?!- tha i habitur një plak i kërrusur , mbështetur në bastun, duke  mbajtur dorën mbi sy për t’i mbrojtur nga rrezet e diellit.

- Besa, kur  hyqymeti rrah nënat e djemtë bëjnë sehir nuk është larg kijameti!- tha  një tjetër shofer i kolonës së makinave, që kishte nxjerrë kokën jashtë nga xhami për ta parë rrëmujën në rrugët e kryeqytetit.

 

   12

 

Ishin mbushur gjashtë muaj nga dita e të shtatave të Rahilës që këmbë njeriu nuk kishte shkelur as në oborrin e pallatit të Akunit as të Harunit. Lulet në vazot e  ballkoneve të pallateve, që kishte mbëltuar Rahila, pa i ujitur njeri, qysh në pranverë, kishin zënë për t’u  vyshkur, kurse sapo vapa e verës u bë e ashpër lulet e Rahilës u thanë.Edhe Akuni e Haruni rrallë vinin në pallate.Si duket kishin filluar ta ndienin edhe vetë peshën e vetmisë, përbuzjes dhe injorimit të Mëhallës së Xhehenemit.

 Ziban Ziu e Haram Harambashi nga shkaku i skandalit të Lush Rebelit në të shtatat për Rahilën u shmangeshin takimeve me Akunin e Harunin, ndoshta duke iu frikuar belasë lidhur me vdekjen e pashpjeguar të Rahilës. Kur takoheshin, rastësisht, me Akunin apo Harunin, nëse nuk mund ta lakonin udhën, ulnin kokën duke u shtirë sikur nuk i shihnin! Pas të shtatave të Rahilës, doktor Zebeku as që u kishte trokitur në derë Akunit e Harunit, bile as nuk u hapte celularin, kur e thërrisnin në telefon. Dudie hanmi , sa herë e thërriste Akuni në cecular, i ankohej se ndjente dhembje kurrizi, kurse Tatlije fallxhesha u hidhte rromuze duke  aluduar se e dinte të vërtetën për varjen e Rahilës. Lugati që nga skandali i Lush Rebelit në të shtatat për shpirtin e Rahilës nuk ishte dukur në kryeqytet! Kishte humbur pa gjurmë.Edhe pallatit të tij nuk i kishte shkelë njeri oborrin as nuk i kishte hapur derën. Dikush thoshte se Lugati ishte arratisur përtej kufirit në shtetin e gjeneral Gexhës, dikush thoshte se kishte ngrehur tendë në mallet e  meszonës kufitare të Mëdarit dhe aty jetonte së bashku me kolonel Xhungalliqin, kurse të tjerët thoshin se qysh në natën e të shtatave të Rahilës, kur ishte zhdukur, pa e pa njeri, e kishte vrarë dikush në njërën nga lagjet periferike të kryeqytetit, por nuk di njeri, nëse e ka varrosur kush apo  ku e ka varrin Lugati.

Edhe Akuni e Haruni nuk ia kalonin mirë midis veti. Takoheshin rrallë, por për inat të komshive hapnin kapakët e dritareve të pallateve dhe përshëndetnin njëri tjetrin, sidomos, kur Zibani ose Harami i vështronin pallatet e tyre. Megjithatë, Mëhalla e Xhehenemit kishte kuptuar se raportet midis vëllezëve binjak nuk ishin aq brilante si i reklamonin, madje jo vetëm që nuk ishin brilante, por dita-ditës sa vinin e ftofeshin më shumë.Për inat të Zibanit, Haruni kishte vendosur ta vizitonte Akunin, i cili sapo dëgjoi derën se u hap sa nuk fluturoi nga gëzimi, jo se e kishte marrë malli për Harunin, por vetmia kishte nisur ta brente dalëngadalë. Kur hyri brenda në pallatin e Akunit, Haruni nxori një buzëqeshje false sikundër edhe Akuni! Të dytë nisën të qanin për Rahilën! Mungesën e Rahilës e ndienin edhe shpirtërisht edhe fizikisht! Njëkohësisht, edhe Akuni edhe Haruni e ndienin veten fajtorë për varjen e Rahilës, por fajin përpiqeshin t’i  varnin njëri tjetrit! Akuni i penduar akuzonte veten që me dorën e vet i kishte lidhur litarin dhe i kishte rrëzuar trekëmbshin Rahilës, kurse Haruni rrahte kokën pse kishte propozuar ta varnin Rahilën!

-Gabove  vëlla , që i lidhe lakun në qafë  Rahilës!-  Haruni e qortoi Akunin.E shkreta kur flinte me ty, mua më respektonte si kunat, ndërsa kur flinte me mua edhe ty të merrte si kunat!

- Unë veprova sipas propozimit tënd dhe sugjerimit të Lugatit, vëlla i dashur!- u përgjigj shkurt Akuni.Urdhërat e shefit duheshin të zbatoheshin! Për hater tëndin sakrifikova Rahilën!

- Sa finok je Akun!

- Barabar sa ti Harun!

- Do të thotë na e hodhi Lugati!- tha Haruni.

- Por, Rahila deshi të na tradhtonte! -u përgjigj Akuni.

- Ne sa herë e kemi tradhtuar Rahilën?!

- Ne kemi vepruar sipas normës morale të Klanit tonë!

- Do të thuash sipas normës tonë amorale, vëlla i dashur!- reagoi Haruni.

- A nuk e kemi aprovuar amoralitetin si normë morale, kodoshi im ?!- u përgjigj Akuni.

-Por jo amoralitetin deri në krim!- prapë reagoi Haruni.

- Edhe krimi ynë kishte filozofinë e vet!-

- Krimi ynë kishte  poshtërsinë e vet, ndërsa ne varim në ndërgjegje poshtërsinë e tij!- shpjegoi Haruni.

- Je zgjuar vonë, bashkë me mua, vëllau im! Pas gjysmë shekulli krimesh ,i vonuar  erdhi  pendimi yt dhe imi!Mos më lodh tash me dokrrat e moralistave për ndërgjegjen! Nga ndërgjegja nuk do të mund të jetonim as një ditë! Kujdes,  pendimi ekstrem i prin çmendurisë!

- Ne gjithmonë ishim të krisur, or budalla!- reagoi me nervozë Haruni.

-Si nuk ke respekt ndaj vëllait të madh, more idiot?!- u nxe Akuni.

-Më fal Akun!

- Unë po dergjem Harun! Kanceri...!

-Mua AIDS-i, Akun!

- A po i druan vdekjes, Harun?

-Shumë! Po ti?

- Po çmendem, Harun!

- Pse?

- Është vështirë të vdiset! Sa zor i erdhi Rahilës derisa dha shpirt varur në litar!

- Pra, mos e zgjedh atë lloj vdekjeje si të Rahilës!

- A mund të zgjedhet vdekja, a?!

-Si jo, vëllau im i dashur! Nëse paguan mirë Xhibrailin të çelë rrugë ta zgjedhësh mënyrën më   solemne  të vdekjes?!

- Vdekje solemneme me para të pista! Ndoshta po tallesh! Nuk e besoj se deri atje ka arritur korrupcioni, që nuk brengoset nëse paratë janë të pista apo të pastëra, falso apo origjinale! Pastaj ku ta takoj unë Xhibrailin?!

- Në Mëhallën e Xhehenemit, vëlla! E njeh Zibanin? E njeh Haramin? E njeh doktor Zebekun...?!, Për para  lehtë konvertohen në Xhibrail.

- Do të thuash në fatomorganë?!

- Thuaj si të duash, por ata të kurtalisin për para sa çil e mbyll sytë! Mercenarë të vjetër të UDB-së janë!

- Mos do kërkojnë shumë para, ata idiotë?!

- Pse, ç’të duhen paratë pas vdekjes në varr, or i krisur?

- Lugati më ka thënë se pas  vdekjes do të tjetërsohem në  lugat?!

- Nuk të mjaftoi një jetë, lugati, a?

- Do të bëhem lugat kundër lugetërve?!

- Do të thotë lugat në katror?!

- Nuk e kam të qartë çfarë fuqie do të kem pas vdekjes si lugat, por edhe një jetë lugati e lakmoj! Është rrezik të dalim faresh!

- Je katil, Akun!

- Sikur çdo lugat, Harun!

- Tash e kam lënë bixhozin!

- Do të thotë të ka rënë rrota në ujë!

- Jo, në mut!

- Mos m’i bishtëro bisedës për vdekjen, Harun! Më trego si vdiset më leht, të lutem kij mëshirë ndaj meje !?

- Nga plumbi në zverk, Akun!

- I frikohem gjakut, Harun!

 - Pra, me litar në qafë si Rahila!

- E urrej edhe atë mënyrë vdekjeje! Më vjen të vjellë nga ajo lloj vdekje!

-Kërce me kokë teposhtë nga kulmi i pallatit, Akun!

- Edhe lartësitë i urrej, Harun!

- Atëherë, pra mbytu në lumë, Akun!

- Kryeqyteti nuk ka lumë as për t’u mbytur, Harun!

- Virru pra në tela të elektrikut, Akun!

- Nuk ka rrymë as për vetëvrasje, Harun.

- Paguaje, pra doktor Zebekun të rehaton pa dhimbje me një injeksion!

- Të thash se nuk paguaj për vdekjen time!

- Nëse nuk paguan për vdekjen, paguaj për ngordhjen, Akun.!!

- A hipim bashkë në çatinë e pallatit tim, Harun?

- Pse Akun?

-Të vdesim bashkë , Harun! Pënjëherë jemi lindur, përnjëherë të vdesim!

- Jo nga çatia e pallatit tënd, por nga çatia e pallatit tim, është më i lartë pallati im, Akun!

- Sa cikrrimtar je Harun!

-Më parë duhet t’i paguajmë varrmihësit, Akun.

- Mos të vonohemi, Harun! Mund të kthjellet moti?!

- Puna e varreve, Akun?!

- Është vonë të mendojmë për varre, Harun! Mbase, edhe për neve gjendet ndonjë e shkretë humnere diku !

- Prij, pra Akun!

- Ngjitu për meje, Harun...!

- Sa keq që nuk po lëmë trashigimtar, Akun!

- Sa mirë që Zoti nuk   i shton lugetërit, Harun!

- Mos u bëj bestyt, Akun! Nga statuti  i Klanit e patëm fshirë fjalën Zot!

- Ashtu deshi Lugati, Harun!

- Por, unë e ti vetë votuam , Akun!

-Nisu Akun...! Nisu...! Pse po hamendesh?! Mos po frikohesh?! Ha, ha, haaaaaaa! Po dridhet Akuni...!

- Nuk po frikohem, por po më dhimbset karriera, Harun! Kryeqyteti po mbetet pa lugetër!

- Mos u merakos debili im, ka sa të duash lugetër kryeqyteti!? Ç’janë Harami, doktor Zebeku, Zibani, Dudia e fallxhesha? Lugetër e shkuar lugetërish janë!

- Hëëë! Po frikohesh, a?! Dridhu Akun Bisht Kani, dridhu...! Thoshe se je më trim se unë, bythec! Shih sa e dendur  është mjegulla dhe sa i trisht është terri! Kohë më të mirë për të vdekur nuk do kemi kurrë! Vetë thoshe se do vdekje në terr e mjegull! Nuk na sheh njeri si do të vdesim?!

- Ta shtyjmë për nesër, Harun?! Edhe varrmihësit janë hedhur në grevë! Druaj se do mbetemi pa na varrosur!

- Mendon se na mban dheu brenda, a?!

- Dyshoj Harun! Por... lëre për nesër...?!

- Jo, sonte do ta kryejmë...! As një krim nuk e kemi lënë për të nesërmen, nuk do ta lëmë as sonte, Akun!

- Më shtyj , pra Harun...! Mos  bëj hile...!

- Më përplas ti i pari, Akun! Kij mëshirë ndaj meje!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx