Kulturë
Skënder R. Hoxha: Bjeshka dhe vërrini në poezinë e Hasan Hasanit
E marte, 14.12.2010, 10:37 PM
(Rilexime me shkas)
BJESHKA DHE VËRRINI
NË POEZINË E HASAN HASANIT
Nga Prof. Skënder R. HOXHA
Shumë shkrime të Hasan Hasanit, sidomos ato të mëhershme, janë të lidhura me fshatin dhe natyrën e tij. Kjo nuk ishte rrjedhojë e ndonjë imagjinate apo spontaniteti, por ishte rrjedhojë e një realiteti të përjetuar, ngase poeti ishte lindur dhe rritur në fshat, (Shqiponjë, ish - Jabllanicë e Dushkajës), kishte shijuar bukuritë natyrore edhe të ambienteve rurale jashtë vendlindjes së tij, qofshin ato bjeshkore apo të vërrinit, të cilat edhe bëhen ambiente në të cilat kishin shpërthyer frymëzimet dhe tematikat krijuese të poetit (atëherë) të ri. Meqë rilexova, me shkas, shumë vepra të H. Hasanit, temën e këtij shkrimi e kam mbështetur në përmbledhjet me poezi të këtij autori: “Krojet e bardha”, (botoi “Jeta e re”, Prishtinë, 1967), e cila tregon një shkallë poetike të autorit që ishte në formim e sipër.; “Dallgët e vërrinit” (botoi “Rilindja”, 1969, Prishtinë) dhe në një përmbledhje të mëvonshme me titull “Gjëmim baladash”, (botoi “Shkëndija”, Prishtinë, 1994).
Këto tri përmbledhje me poezi nuk shënojnë ndonjë kaptinë në atë madhoren e krijimtarisë së këtij autori, bile, sidomos ato dy të parat, duhet të merren e të kuptohen si pikënisje e veprimtarisë letrare të Hasanit. Megjithatë, tematikat, frymëzimet, sentimentalja, pastaj peizazhet, botëkuptimet, tradita etj., kërkojnë qasje dhe përimtime edhe përtej asaj që do të na imponohej nga një lexim rutinor i tyre.
1. Natyra dhe njerëzit
Vargje të këtyre përmbledhjeve, në veçanti ato me tematikë të ambientit natyror, edhe pse duket se tingëllojnë si romantike, nuk duhet të kuptohen si përpjekje e autorit për të himnizuar natyrën, sepse ato kanë karakter përshkrues, vrojtues, e regjistrues të skemave natyrore, në një anë dhe në anë tjetër, ato janë vijëzime ndjenjash e mendimesh mbi jetën dhe lumturinë e njeriut në atë ambient autokton natyror, me variacionet e veta, e që shpeshherë marrin trajta edhe të tregimeve lirike:
“Te kroni i Islamit mbas Hajle nji plak shikonte
Rugovën e bardhë që i shtrihej larg n’hapsi
N’sy i kallej diçka, n’zemër kanga i gufonte
“Vend i bukur me pishnaja t’bukura si flori…” (Vargje nga përmbledhja “Krojet e bardha”, f.12.). Poeti i rri besnik përshkrimit të peizazheve të Bjeshkëve të Rugovës dhe njerëzve të saj, me modestinë e thjeshtësinë e tyre, kur thotë:
“N’shpat ngrihen do shpija t’ndërtueme me drrasa
Vasha e nuse belholla ujë marrin n’te gjithë ditën
“Si akulli ballin ma pat ngri desh plasa” –
Me bulere n’cep t’krahut rrugës gjarpnore ngjiten.” (“Krojet…” f. 15.), apo ndonjë fragment tjetër nga jeta bjeshkore që i përket ligjërimit artikulues që njerëzit gjithmonë janë të lidhur me natyrën:
“Udhëkryqet e bjeshkëve n’ket kodër bashkohen
Karvanet e malsorëve lugut tue u zhdjergë
Pushojnë s’lodhuni t’ulun mbi nji copë cergë” (Po aty, vj. Kodra e Gredines, f. 32.). Ndërkaq, Kodra e Madhe e vendlindjes, poetit i duket si “sofër e gëzimit”:
“Sa herë sytë i lëshoj më dukesh si sofër e gëzimit
kur drekojnë e çlodhen barija nder vrrije.” (Po aty, vj. Kodra e Madhe, f. 37.). Në këto vargje, përveç gëzimit dhe mallit të autorit për natyrën e vendlindjes, shoh edhe gëzimin estetik. Njëherit, na duket sikur autori, me vargje të kësaj tematike, ka nisur të zbresë nga bjeshka në vërri, për çka ishte akumuluar me energji poetike, gjë që qartasi shihet në përmbledhjen me vjersha “Dallgët e vërrinit”:
“Tash këndoj për fshatin e për bariun n’at breg
‘I frymëzim i thellë n’epshe t’gjakut ka mot më djeg”, (vj. Kanga, f. 7), vjershë që i paraprinë kësaj përmbledhjeje, mbase edhe si prolog i saj. Për poetin Hasani, njerëzit që mbledhen nëpër oda të fshatit, sipas traditës, atyre netëve që i shoqërojnë edhe tingujt e lahutës, si: “Sa randë shembet n’zemra lahuta e vjetër kur m’shon/ N’për mote tigllon si bjeshka, e n’dallgë vërrini gjëmon” (Po aty, vj. Lahuta, f. 11.), veçsa i objektivizojnë, materializojnë dhe fuqizojnë frymëzimet dhe përjetimet reale të ambientit për të cilin vargëzon. Ngase i duken më të fuqishme e më tingëlluese, me këto dy vargje poeti e nis dhe me të njëjtat e përfundon këtë vjershë. Duke e preokupuar çdo aspekt i jetës dhe punës së njerëzve të tij, ai frymëzohet edhe nga puna e fshatarit për të siguruar bukën e familjes, e cila ishte e zorshme, ndaj thotë: “Im at djersën e ka derdhë n’rrah mbi shpija/ Cunga e rranjë tue shkulë, therra e lajthia” (vj. “Rrahu”, f. 18). Ndërsa vjershat “Guja”, “Djepi”, “Zgjedha”, “Parmenda”, “Postaja”, “Sofra”, “Kasolla”, e ndonjë tjetër, janë krijime që po ashtu shenjëzojnë karakteristika tradicionale të ambientit fshatarak, por edhe vargje që jepin tabllo të asaj jete të varfër e të mundimshme, karshi stoicizmit të njerëzve të nënqiellit tonë që e kanë përballuar dhe kapërcyer atë farë jete në trojet tona stërgjyshore, si p.sh.: “Nji flakë e pishës kasollën e mbushte dritë”, apo: “Tymi i zjarrit n’mes votrës sytë na i mbushte lot” (vj. Kasolla, f. 21.). Kështu, jeta e vështirë e malësorit, i cili ishte i detyruar që të bante drutë me krah nga mali, bëhet një nga motivet e asaj jete: ”Kur n’zemër t’malit hynte, fillonte dru me pre/ E carrokët n’kasollë e pritshin me zjarr me i nxe”/ (vj. Mali, f.33), ku na kujton Migjenin. Po te kjo përmbledhje vjershash, malësorja e H. Hasanit është tipike, sidomos kur e portretizon atë si punëtore të vyeshme, e cila bën të gjitha punët e fushës: “Me shat e kosë n’punë, çdo gja i shkon për dore/ Në Dushkajë përmendet – “Beli ishte malsore” … dhe: “Si ma të mirit mashkull djersa në fushë i ka mbetë” (vj. Malsorja, f. 36). Punët e fushës, si raport njeri – natyrë, na dalin të shprehura poetikisht edhe në vjershat: Lavra (f. 37) dhe “Ara” (f. 38), që ishin ngusht të lidhura me fenomenin e ekzistencës familjare. Se këndejmi, observimet e atij realiteti në mënyrë origjinale, i jepin vargut frymën autentike në bashkërendim me qëllimin e thënies në kontekstin që autori e kishte si cak.
2. Ligjërimi i idilit
Në atë ambient pitoresk bjeshkor, po edhe në atë të vërrinit, poeti i ri Hasani, me përkushtim iu kishte qasur edhe ligjërimit të çasteve, atmosferave, peizazheve dhe jetës idilike atje. Si vend të përshtatshëm ku zë fill idili, si pikëpjekje të të rinjve, shpesh në vargjet e autorit janë marrë kroi, kodra, mali, shpati, livadhi etj. Për këtë le të flasin vargjet: “Shpatinës t’malit me nji tufë si zanë zbret nji bareshë/ Sy e faqe t’kuqe si molla n’rrem – n’krue i lanë”/ (Përmbledhja “Krojet e bardha”, vj. Kroni i Xhevit, f. 7).; apo: “M’kujtohet si sot kur i vashëze zemra iu kallte prej dashunisë…/ “A po i lëshon shtjerrat ? atë mëngjes m’pat thanë/ - Nisu ngadalë e pritëm te Kroni i Korisë” (Po aty, vj. Kroni i Korisë, f. 11); por edhe vargjet që evokojnë një idil të mëhershëm: “Te ky krue shpesh e kam kallë dashuninë/ Atëherë isha i ri vashat n’këto male fort i kam ndjekë” (Po aty, vj. Kroni i Bogëve, f. 13); “Në nji mëngjes nji vashë e ndesha tue i la syt’/ Sa t’bukura i paske faqet Hasime!, i thash” (Po aty, vj. Kroni i Fanës, f. 15), si dhe: “Ngadalë shpatit me atë krojshe ngjitej përpjetë/ A po t’kullosin, Cano? – lotët i rrëshqitshin shqim/ Nji palë shputa m’i hudhi n’duer për kujtim/ At ditë e sot loti i saj shpirtin ma shter n’kët jetë.” (Po aty, vj. Livadhet e Mrizeve, f. 22). Poeti, me ndjenjën e nostalgjisë, nuk lë pa i kënduar edhe pengut të atij idili, do të thosha të idilit personal: “Njizet pranvera n’Kodrën e Vorreve i kam lanë peng/ Për buzëqeshjen që i gufonte Fatimes n’buzë” (Po aty, vj. Kodra e Vorreve, f. 40). Në shumë vargje që i cituam më sipër, vërehen edhe gjurmët që kishte lënë shkëputja e tij e kohëpaskohshme nga vendlindja, kur ai shkon të shkollohet. Përshkrime pitoreske të florës karakteristike, si strategji për rritën e tablove idilike, thuase të dalin para syve dhe sjellin edhe kënaqësi estetike. Poeti, në njëfarë mënyre, i këndon edhe tipareve fizike të femrës, jep portretin e saj, pa e tepruar e zbukuruar me mjete figurative. Por, do thënë këtu se zotërimi i mirë i traditës dhe i gjuhës së popullit, nga autori, janë elemente që e bëjnë edhe më real thelbin e këtij idili.
Gjithandej, në ato hapësira, jeta idilike i kishte nuansat dhe specifikat e veta, po sikurse shkrepat e atjeshëm: “Dashuria e bren për bariun me dele n’shkrep/ Që vërrinin e rriti n’kangë me fyell n’at thep” (Përmbledhja “Dallgët e vërrinit”, vj. Vektorja, f. 32). Në ndonjë vjershë të këtij motivi, poeti i kishte kënduar edhe ndonjë dashuriçke të tij, po në atë ambient fshatarak të vendlindjes: “M’ka pa’ dashtë dhe mbas meje që ba sakrificë/ Buzagaz m’ka pritë te Molla e Egër n’Kalanicë” (Po aty, vj. Mejremja, f. 34). Ndërkaq, idilin në fshat poeti e imagjinon të lindet e të kalitet edhe gjatë punëve të fushës, ku thotë: “I karvan nusesh ki’n dalë n’livadhe me mbledhë sanë/ Dashurinë e zjarrtë n’grabuja e thekshin si zanë” (Po aty, vj. Sanat, f. 35) dhe kështu: “Dallgë e madhe i mbushte dashuni ato fusha, at log” (Po në atë vjershë), por, edhe në këtë fazë të krijimtarisë së tij, poeti ligjëron edhe për atë që kishte përjetuar e që i takonte një kohe të ikur, për atë që kishte lënë peng në atë idil: “Mbas shum vjetësh mbrrina edhe ‘i her te shkalla n’rogë/ Ku peng pata lanë nji puthje nën hije te ai i ambël log” (Po aty, vj. Shkalla në rogë, f. 48.); “Nji puthje kujtim na mbeti n’atë hije atë ditë e sot” (Po aty, vj. Dashunija në bjeshkë, f. 49); “Vasha plot dashni ndëgjonte fjalët e ambla t’dashnorit/ Lopët i kthente, ngadalë afrohej n’prehën t’malsorit” (Po aty, vj. Mbramja në bjeshkë, f. 50); “I pari kam shtegtue me kohë për të puthë n’ata sy që kall” (Po aty, vj. Lot që djeg – Fatimes-), e ndonjë tjetër (…), edhe për artin edhe për lexuesin janë lirika intimash personale e përjetimesh të asaj idilike. Dashuria e poetit ndaj vashës bëhet edhe më sentimentale në këngën e pestë (f. 71) të vjershës “Lot që djeg” : “Fatime dashnia ime e parë në ty ka zanë fill/ Si lotët e vonuem prej zemre që pikuen në diell.”, por edhe e paharruar: “Para syve të mbaj qysh atëherë kur i ktheve vjetat./Ajo mollë që ma hudhe kujtim me mbet edhe letrat” (Po aty, f. 71), vargje që, veç të tjerash, krijojnë edhe atmosferë lirike. Ndërsa sakrificën e poetit për këtë dashuri, duket të parelizueshme, e shpreh në vargun e fundit të kësaj kënge: “Fatime – deri n’vdekje loti ka me më përcjellë i njomë në sy.” E për ndarjen, që kishte ndodhur, ai për të “Sytë i shkyen largësive…”, ajo “Si hije e ndjek mbrapa”, për të përfunduar, për atë ndarje, me: “Diçka me mundon në zemër, sytë e bleruem tue m’i stërpikë/ E në shpirtin tim çdo ditë gjak pikon nga nji pikë.” (Po aty, vj. Ndamja, f. 72). Në këto vargje gjejmë frymëzimin e thellë si dhe shqetësimin poetik, ku gjendja shpirtërore e poetit merr edhe përmasa të hidhura, si shprehje e imazheve të botëkuptimit të një epoke të caktuar dhe njerëzve të saj. Kësisoji, ky relitet, përveç thyerjeve shpirtërore, na bëhet sikur shkakton edhe pakënaqësi estetike të këtyre vargjeve idilike.
Në përmbledhjen me vjersha “Gjëmim baladash” dashuria e dikurshme e autorit, sikur rrokulliset në dimensione të tjera. Ajo është një dashuri përfundimisht e dështuar, e përshkuar me kujtime e evokime narrative të një “malli të përtërirë”:
“A t’kujtohet dita kur nën hije ishim fjetur?
E Butja tinzisht afrohet me një tas ujë në dorë?!
Fytyrës na hodhi e pas pishakut ishte mbështetur
- kësaj vere dashuria për ju djema do t’jetë kurorë!” (Përmbledhja “Gjëmim baladash”, kënga e IX, f. 34).
Për atë dashuri të humbur, sipas vargjeve, mbase për arsyena kanunore: vj. Unë, Ti e Koha mallkojmë kanunin (f.36), sikur vjen në një fazë tjetër krijimtarie, ku idili i bukur përshkallëzohet në idil të mallkimit, por del edhe artikulimi poetik i dashurisë së vetë autorit. Pastaj del sheshazi edhe nota nostalgjike, nota e skeptës në dashuri, vargjet marrin edhe konotacione patetike: “Ndaj në flokun tënd ndërton çerdhen një zog i z/ E valvitet n’puhinë e gjetheve si heshtje e thyer” (Po aty, kënga III, f. 37) dhe si ngushëllim i thotë:”O, m’lejo t’marr pjesë n’pikëllimin Tënd e Timin!” (…) si dhe: “E dashur – dhe Ti dëshiron t’bëhesh pjesë e imja/ Me heshtjen time. E ne dy vuajmë për atë që humbi” (Po aty, f. 37), sepse: “Atëherë s’kemi menduar për këtë heshtje të gjatë/ Për këtë mallkim që po e ledhatojmë si fëmijët/ (…), ku për pasojë: /Që njëri tjetrit t’i heshtim si dy trungje n’mal” (Po aty, kënga IV, f. 37), dhe nga kjo humbje, poeti i zhgënjyer, në këngën e VI të këtij poemthi, shpërthen me zërin e thekshëm të mallkimit: “Kanunin Unë e Ti e Koha e mallkojmë si djallin”, sepse: “Ai është fajtor që duhet ta pështyjmë pa turp”, ku vargun : “Kanunin Unë e Ti e Koha e mallkojmë si djallin”, autori e ka përsëritur disa herë. Këtu shohim se pas shpërthimit dinamik emocional sikur marrin dritë edhe idetë, por, poeti, prapëseprapë përfundon vetëm me mallkimin e Kanunit dhe brengën që lëngon, si sakrificë që do ta shqetësojë atë deri në vdekje. Tash konflikti ideor i ngjet kontrastit midis dy botëve pa përspektivë të zgjidhjes, meqë edhe vetë autori nuk vihet pas kërkimit të rrugëdaljes. Poeti do që nëpërmjet të metaforës, bukur të zhveshur, ta ligjërojë atë domethënien e thjeshtë të fjalës që përkon me të kuptuarit e temës së caktuar, më saktësisht, me kodin e moslejimit të relizimit të asj dashurie, në “prangat” e së cilës mbyllet edhe ajo lirikë e H. Hasanit, në rrethin e plotë të imponuar. Në këtë situatë, problem që del para lexuesit, po besa edhe para studiuesit, është mungesa e shprehjes nëpërmjet vargjesh, të asaj që bëhet pengesë për kurorëzimin e asaj dashurie, ku poeti, me të dashuren e me kohën mallkojnë kanunin (?). Ndaj, pas gjithë mallkimeve dhe blasfemisë që u bën Kanunit të Dashurisë (kënga e IX, f. 40), poeti, herë – herë, kalon edhe në ndonjë shkallë ekstaze: “Ne një vend na pret në Ferr o Parajsë të ujërave/ Atje ku jeta ngulet n’hangjarët e boshtit të vet” (kënga VIII, f. 39), apo: “Unë me pranga n’shpirt e me hekur t’skuqur në ballë” (kënga IX, f. 40); por edhe ajo që do t’i përcjellë: “Mes Meje e Teje ndodhet përherë Ura e Pikëllimeve” (kënga X, f.40). Këtu do parë edhe atë së dashuria, si fenomen njerëzor, në gjirin e natyrës, ku shpesh bashkërrugëtojnë droja, gazi, lumturia e brenga, por edhe heshtja protestuese., në vargje të Hasanit ndonjëherë manifestohen edhe me mllef krijues me përmasa shqetësuese. Shqetësimet e thella për kohën e perënduar të atij idili, poeti do t’i shprehë edhe më vonë, shih te vjersha “Shqetësime dashurie”, f. 62: “Tash unë e ti n’dritare kohe heshtas vështrojmë/ Festat e moshës sonë si dielli që perëndojnë”. Më duket mirë të nënvizojmë edhe këtë se vargjet e idilit të intimës personale herë – herë marrin trajtat e odes përshkruese, sidomos për nga vlerat e shprehjes.
3. Vijëzimi i jetës baritore
dhe lojërat tradicionale
Jeta baritore në ambiente bjeshkore dhe në ato të vërrinit, në poezinë e mëhershme të Hasan Hasanit, më saktësisht në tri përmbledhjet që i kemi përmendur më sipër, nuk mund të mos thuhet se përbën një segment të rëndësishëm të kësaj periudhe të krijimtarisë së tij. Tablot dhe vijëzimet e asaj jete bukolike, të shoqëruara herë – herë edhe me lojërat tradicionale e bëjnë vargun edhe më të ëmbël, por edhe më interesant për breznitë e mëvonshme. Them kështu, ngase urbanizimi, dita me ditë, po zbeh dhe zhduk shumëçka nda tradita, pra edhe mënyrën tradicionale të jetës baritore. Në këto vargje dhe në të tjera si këto (edhe të autorëve të tjerë), ajo ruhet, së pakut, si relikt.
Të kthehemi te përmbledhja “Krojet e bardha”, pikërisht nga vargjet: “Rrezja e artë e agimit bjeshkët kur i shndrit/ N’barin e gjelbëruem delet shihen tue mallue/ Bardhoka e syka dielli mëngjeseve i rrezit…” (vj. Kroni i Bogëve, f. 13), ose: “Mbramjeve n’Qafë t’Sirme te kroni buzëqesh hareja/ Deri kur hija e Hajlës dritën diellit ia vjedhë/ Krahëve t’djersitun i hudhin herkat e zhgunit t’reja/ Me bagëti para n’për tëbane fillojnë me u dredhë.” (vj. “Kroni në Qafë të Sirme”, f. 14)., janë vargje që vijëzojnë vetëm një nga tablot reale të jetës baritore në Bjeshkët e Rugovës. Ndërkaq, kjo jetë, bëhet edhe më joshëse, kur barinjtë e bareshat tërë ditën luajnë lojëra të ndryshme tradicionale dhe ruajnë bagëtinë. Ja se si e përshruan poeti disa momente karakteristike të shoqëruara me disa lojëra:
“Shtatë t’banishta n’log ndeje dalin n’Livadhet e Thata
Kanga gufon majeve tue pi tamël me tasa
Sho shojt i thërrasin n’ledina me luejtë rrasa –
. . .
Rrasat i vnojnë në dy anë t’livadheve n’ga tri
E fillojnë me shijue me gurë secilën tue gjue“…(vj. Livadhet e Thata, f.25), ndërsa sipas rregullave të kësaj loje tradicionale, poeti e thotë në vargun e fundit të kësaj vjershe, se: “Malsorin fitues në rrasa e thirrnin “shejtar”. Siç shihet, ishte kjo “loja me rrasa”, kurse për “lojën me shkopij”: “Me shkopij niset loja e harlisur n’Livadhe”, ku në këtë ligjërim poetik i përshkruan edhe rregullat e lojës:
“Nji prej tyne e ndjek lojën i banë shkopijt me krah/
Dalngadalë zgjatet loja deri në fund n’rrah –“ (shih, vj. Livadhet e Egra, f. 27). Begatia e jetës baritore vijëzohet edhe në vargjet:
“Asaj vere livadheve ishte harlis bari
Lugjet gjelbroshe kostarët shkojshin tue i nda” (vj. Livadhet e Buta, f. 28) etj.
Ndër vjershat e këtij motivi, poeti Hasani, nuk lë pa evokuar edhe fëmijërinë e tij dhe ia bën me dije lexuesit, me një narracion, se paskësh qenë edhe bari lopësh: “Përherë n’femini zani i thekshëm maleve ndie m’u ka/ Tue nga mbas lopëve zhvinave gjamët s’kam mujtë m’i pra.” (Përmbledhja “Dallgët e vërrinit, vj. Bariu, f. 27).
Bjeshkët, suka, vërrini, livadhet etj., janë vendshtrirjet frymëzuese e motivore, nëpër të cilat poeti H. Hasani vijëzon jetën baritore, duke dhënë skema të gjalla, të përjetuara e të shijuara, të cilat bëjnë që edhe vargjet e këtij motivi të mbesin si pikturime të një kohe të caktuar dhe të shënuara në faqe të historisë së letërsisë shqipe: “Oj Sukë, që ngreh kokën nëpër stinë t’merdhime/ Log blegtorësh – kah kanga ngjitem n’marshime” (vj. Suka, f. 41), apo si vende kullotash: “ Grigja grigjën e ndjek tue u ngjitë përpjetë majës/ Nëpër polica të gurve barin tu’ e këputë lugajës (Po aty). Të qethurat (kur deleve ua qethin leshin – sqarim yni) paraqesin një rast më të veçantë në jetën baritore. Qethtarët (ata që dinë të qethin) mbledhen dhe qethin dhentë e njëri-tjetrit. Dita e të qethurave në traditë të blegtorëve shqiptarë është si një ditë feste dhe ka ritet e veta. Kjo e kishte motivuar edhe poetin Hasani të shkruajë vjershën me titull “Të qethunat”, ku në një dyvargësh të saj thotë: “Majet e Shtidimit flakronin prej diellit të kuqrremtë/ Prej tbaneve ndihen zanet: - “O eni shokë t’i qethim dhentë”. (vj. Të qethurat”, f. 43). Ndërkaq, për sofrën e begatshme që shtrohet në Ditën e të Qethurave, poeti thotë: “Tavën me mish të pjekun e të rreshkun e vejnë para/ Pitja e majun n’yndyrë u derdhet mjekrrës n’vazhga e lara” (Po aty, vj. Të qethurat, f. 47). Kjo nuk do të thotë se poezia e tipit të tillë duhet të shkruhet edhe sot. Flasim për këto krijime të para më shumë se dyzet vjetëve që, për atë kohë, tingëllonin si një bukolikë romantike, e pse jo edhe si deskripsion i atyre dhuntive natyrore ku poeti kishte gjetur frymëzimet. Kjo që unë shkruaj sot për to (viti 2008), nuk është anakronizëm letrar, por është përpjekje qëmtuese për të kristalizuar ato frymëzime, që, fundja, mbajnë vulën e kohës në të cilën u shkruan dhe u botuan, e në anë tjetër vlerat e tyre mos të pluhurosen, por të rangohen në një periudhë të caktuar të krijimit të poezisë shqipe, aty ku e kanë vendin. Koha, pra, nxjerr autorët e vet, nxjerr rrymat, metodat e shkollat letrare, si dhe temat e motivet e caktuara.
Shikuar në mënyrë të përgjithësuar, vargjet e përmbledhjeve me poezi të Hasan Hasanit, “Krojet e bardha” dhe “Dallgët e vërrinit”, që paraqesin njeriun dhe natyrën e ambientit bjeshkor dhe atë të vërrinit, kur sot rilexohen, dyzet vjet pas botimit të tyre, lënë edhe përshtypjen se ishin edhe si frymëzime të shtrira brenda një periudhe të caktuar të rinisë së autorit.
Poeti Hasani edhe në kjijime të tjera të mëvonshme, zhanresh të ndryshme, nuk hoqi dorë nga ambienti fshatarak, por atje i gjente frymëzimet, në atë jetën baritore dhe njerëzit e saj, duke mos e harruar as kulturën tradicionale. Po t’iu kishte shmangur këtyre frymëzimeve, ashtu siç iu kishte propozuar ndonjëherë edhe nga kritika letrare e kohës, tash pas shumë vjetësh, po them, se do të kishte gabuar. Mirëpo, poeti Hasani vazhdoi rrugën e vet dhe bëri mirë se e gdhendi vargun, e bëri më modern, a pasuroi me sentenca e metafora, edhe kur shkroi për tema e motive të njëjta. Të hedhim disa venerime në përmbledhjen me poezi të këtij autori“Gjëmim baladash” (1994), ku është prezent vijëzimi i jetës baritore dhe lojërat tradicionale, por me ligjërime të avancuara, në krahasim me dy përmbledhjet e para që i patëm në shqyrtim më sipër: “Bariu me fyell himnon atje lart, në kodrat e kuqe/ E hëna pikon butësi në majegishtat e Prometheut” (Shih aty, vj. Balada e blertë e tuallit, VII, f. 11) . Mandej, te vj. Malësorët, k. IV. f.13: “Mbas darke n’log ndeje pleqtë gjuhen me fjalë/ N’odë kumbon lahuta” dhe kjo vazhdohet me lojën tradicionale “… dikur n’qilima shtrohen dhjetë palë meste/ Malësorët kapuça luajnë” (Po aty). Për rastet e gëzimit në atë nënqiell, poeti nxjerr vargjet: “Dasmë kur bëhet i madh e i vogël tubohet/ Për miq n’këmbë rrijnë;”, apo për raste të pikëllimit: “Ose n’dekë t’papritur t’gjithë bijnë në zi/ Zemrën e kanë guri;”, si dhe një vijëzim tjetër: “Në vjeshtë me nuse e çika e mësyjnë fushën/ Armikun me plumb e presin;/ Nga dashuria vëllazërore zemrat zjarr u mbushen/ Për njëri-tjetrin vdesin!” (Po aty, kënga IX, f. 15), ku lexuesit e brezave të ardhshëm do të mësojnë, përveç vargjeve poetike, edhe për këto rite tradicionale.
Edhe përkundër faktit se në përmbledhjen poetike “Gjëmim baladash”, poeti ndonjëherë fut frymëzimët e tij edhe në nëntokë, në galeri, në miniera etj., prapë jeta baritore, jeta fshatarake me njerëzit e saj, vijëzohen si fragmente përjetimesh të paharruara e të shtresuara. Të lexojmë vargjet: “Atë ditë të bukur prilli n’shpat binte një fyell/Shoku im i lagjes delet ia kish veshë shpatit/ Kur më pa, thirri: “Heu Canë, shumë lozëm n’këtë diell/ E bardhokat tona kanë qenë më të bukurat e fshatit!” (Po aty, vj. Malli i përtërirë, f.26), ku, siç shihet, edhe vetë autori, edhe pse ishte larguar nga vendlindja, kur kthehej takohej me shokët e lagjes e të fshatit dhe se dikur kishte qenë njëri nga protagonistët e asaj jete. Poeti përpiqet që edhe transformimet e bëra atje, gjatë një kohe, t’i thotë me vargje, duke i nxjerrë nga goja e shokut të tij bari: “Eh vëllau im, shih ndryshimet që u bënë në katund./ Ato male mbi Kalanicë i kemi çelë, i kemi bërë ara,/Livadhet janë bërë ara e arat livadhe…” (Po aty, k. III, f. 28), për të vazhduar me: “Edhe lagjet kanë pësuar ndryshime” se “katundi është shtuar” (Po aty, f. 28); “Bujku me traktor e qan zemrën e tokës (f. 29), etj., ndryshime me të cilat kënaqet edhe vetë poeti: “U kënaqa kur e vështrova të lulëzuar fshatin tim” (Po aty, k. IV, f. 29) dhe për atë farë mënyre jete në ambient baritor thotë: “Atë verë e kaluam si molla hijeve te Kroni i Ftohtë/ Dashuria na shkrepte n’gji si rreze t’arta malli” (Po aty, k. VI, f. 31), duke evokuar kujtime të ëmbla të një të kaluare të tyre jo të largët.
Në përmbyllje të këtij shkrimi, me tematikë të caktuar, e ndjej të nevojshme të them se pa marrë parasysh mbarështrimin e vargjeve dhe të strofave (distiku apo katrena, etj.), Hasan Hasani nuk i shmanget vargut të tij të gjatë. Në poezitë e përmbledhjeve që i morëm në shqyrtim vërehet uniteti në mes të temës, inspirimit, ligjërimit dhe sajimit të tyre. Por, kjo lirikë është autentike edhe me kulturën tradicionale të rrethit që i këndohet, me ato fijet e holla të kulturës më të re që kishte nisur të kundrohej në horizont, gjithandej.