E enjte, 01.05.2025, 05:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Qengji më tha: Ha bar (III)

E marte, 14.12.2010, 10:46 PM


KALOSH ÇELIKU

 

QENGJI MË THA:

         HA BAR (III)

(Fragmente nga romani për fëmijë)

 

   15

FANTAZIA PËR NJË LUMË ME

QUMËSHT DHE NJË PYLL ME

                 ÇOKOLATA

 

       - Eh, mami! Merre me mend sikur, të kishte një lumë me qumësht dhe një pyll në vend të lisave me çokolata!

       - Edhe?! E pyeti e bafsuar mami, matanë kuzhinës.

       - Si, edhe?! Fëmijët do të pinin qumësht me kusia dhe do të hanin çokolata me thasë.

       - Punemadhe. Edhe ashtu ata pinë qumësht dhe hanë çokolata.

       - Jo, mami. Jo. Fëmijëve nuk u mjafton ky qumësht dhe këta çokolata. E kanë barkun e madh na, sa një fuçi…

       - Edhe kokën e madhe, qeshi mami matanë shtratit.

       - Tashti, e teprove, mami. Nuk e pata fjalën atje ku mendon ti dhe do ta qesish ujin në lug të mullirit.

       - Epo, ku o bir?! Matanë bregut. Fëmijët duhet ta rrasin barkun edhe trurin në shkollë me dije mbi libra.

       - Tjetër, mami?! A ke t’i shtosh edhe diçka kësaj mençurie?

       - Po. Edhe, e rrasin o bir barkun.

       - Jo, mami. Jo. Fëmijët nuk mund ta rrasin barkun pa një lumë me qumësht dhe një pyll me çokolata. Edhe atë: nëse është plot barku, atëherë është plot edhe koka. Me bark të zbrazët, nuk mbushet koka me dije. Shkaku se, të këndojnë zorrët këngë në bark gjithë ditën në shkollë.

        Mami, tashti e kuptoi ku e kishte fjalën i biri. E rroku përqafe. Fajin, tha me vete e kemi ne të rriturit, fantazia e tyre që nuk ka kufi…

     16

XHAKA FLEN ME GJELAT

 

       Dielli me gjithë rreze lis pas lisi zbriti nga Çelvjollca në Katund. E kaloi portën e xha Derallës, gardhin dhe hop, hyri në livadh. Nën hijen e Lisit midis Livadhit mori thellë frymë. Vetmevete tha: të hyj pak edhe në lëmë. Përçudi, Jonin e gjeti te porta me çantën krahut. Vocrraku ishte nisur për në shkollë. E priste mësuesja të cilën e kishin hëngër tullumbat e Lulit të Vocërr. Librat e këndimit mbi bankë. Vjersha e xha Naimit mes atyre faqeve. Edhe xha Habibi me një fshisë të madhe në dorë, pas dere. Plaku siç duket edhe kësaj radhe i kishte vënë pusi Shtrigës të mos na hyj në klasë. Librat e këndimit të na i hedhë për dritare. Vjershat e xha Naimit.

       - Tungjatjeta, vocrrak! E përshëndeti Dielli matanë majave të lisave.

       - Tungjatjeta, xhaxhi Diell!

       - Ku je nisur sot kaq heret me atë çantë krahut?!

       - Në shkollë, xhaxhi Diell.

        - Ec me mua vocrrak, sot edhe unë do të vij me ty në shkollë. E kam vendosur ta shoh mësuesen. Librat e këndimit mbi banka në klasë. Vjershat si janë rrokur dorë për dore në libër… Tregimet…

        - Ama, xhaxhi Diell, mësuesja ndodhë të të pyes me notë?!

       - Nuk prish kjo punë. Edhe unë di shkrim lexim… Vjersha…

       - E histori, a di ti xhaxhi Diell?

       - Ta merr mendja. Edhe histori di unë… Të gjitha luftërat janë zhvilluar maleve, përpara syve të mi flakë më flakë…

       - E matematikë, xhaxhi Diell? Mësuesja, ndodhë të të pyes në matematikë. Dhe, vaj halli po e fitove një njësh me karrike.

       - Jo, vocrrak. Jo. Unë di edhe matematikë… Mbëledhje... Zbritje... Pjestim... Edhe tabelën e shumëzimit. Vërtetë flej me pulat, po zgjohem me gjelat.

       Joni i fërkoi sytë me dorë. Vërtet, ky xhaxhi Diell qenka dijetar i madh. Udhëton nëpër qiell e tokë me gjithë rreze. Lumin e kalon pa iu lagur këmba. Zjarrin. Ujkun nuk e ka frikë. Edhe yjeve u pri para, u jep dritë natën të mos e humbin rrugën mes mjegullave. Hënës kur del mbi mal. Arushës madhe me dajre. Pulës me zogjë. Vetëm lakuriqin nuk e do xhaxhi Diell. Lakuriqin, kur turret symbyllazi nëpër natë. Hutin me veshë mbi çati…

      -Xhaxhi Diell! Xhaxhi Diell, dikur bëritit vocrraku. Edhe unë Xhaka flej me gjelat në Katund…

 

    17

DIELLI E RROKU PËR QAFE

 

       Xhaka posa e përfundoi fjalinë, Dielli e rroku për qafe. E puthi në ballë. Flokët ia lëmoi me dorë.

       -Vocrrak, i tha: ti që flen me gjelat, një ditë do ta shalosh kalin e Skënderbeut.

E di cilin kalë, atë kalin e bardhë që fluturon nga mali në mal. Edhe lisat do t’i bësh kokë më kokë. Nateditë do të ecish me hapat e lumit…

       Joni i dinte hapat e lumit. Edhe kalin e Skënderbeut, përveçse në librat e këndimit e kishte parë edhe në Shkup. Në mes të qytetit, trimi legjandar kishte zbritur me kalë me gjithë shpatë në brez. Edhe flamurin kuqezi  me shqiponjën dykrenare e valoi në mes të sheshit. I gjithë populli shqiptar atë ditë e priti me lule, këngë dhe valle.

       Dhe, që nga ajo ditë Skënderbeu rri me gjith kalë në mes të sheshit Shkupit. Edhe ne nëpër shkolla pa frikë mbi librat e këndimit. Qafë për qafe me vjershat e xha Nimit bankë më bankë nëpër shkolla…

       Herë pas here, gjatë festave të Nëntorit, heroin tonë kombëtar e vizitojmë me lule dhe flamuj kuqezi kombëtar. E skuqim sheshin rrëzë kalasë, si xhaxhi Diell ndonjëherë qiellin para perëndimit pas maleve. Nuk do mend, edhe këngë këndojmë dhe heqim valle krah për krahu rreth kalit të Skënderbeut.

       Vetëm Shtrigën nuk e shohim më në shkollë. Moti ia kemi mbyllë derën. Edhe dritaren… Oxhakun... Vendin ajo e ka në përrallë…

 

    18

XHAKA U RROK FYTAS

        ME DACIN E ZI

 

       Daci Zi, një maçorr i madh nga Bit – Pazari, herë pas here ushtronte forcë dhe frikë ndaj banorëve të Çairit. I përdorte të gjitha matodat komuniste në prëzënjen e këtyre banorëve me dhunë në Turqi. Bërllokun ua hidhte para dere. Natën i kidnaponte nga oborri për “biseda informative” te Vetëshrëbimi mallrave, në Bit – Pazar. Disa thonin se, është shkrimtar. Ndonjëri, edhe kritik letrar i Oborrit. Nuk ka kjo rëndësi në këtë libër, aq sa ajo se, ky “patriot” na shiste shumë lirë te “vëllezërit”. Dhe, jo vetëm te “vëllezërit”, po edhe te partitë politike në pushtet. Gati të gjitha partitë politike, herë njëra e herë tjetra, ashtu siç hipnin në pushtet e kishin për këshilltar politik në Qeveri. E ky, si rrufjan i vjetër, bënte kërdi mbi popullatën e kësaj ane. Arsimin. Shkollat tona i rroku me të dyja duart për fyti. Planprogramet. Tekstet shkollore. Lektyrat shkollore.

       Një ditë mori guximin dhe na hyri edhe në lëmë. E sulmoi Bixhin e vogël pas shpine. Dhe, po të mos i dilte zot Xhaka do ta shqyente copë – copë kaçakun e maleve. E populli thotë: edhe qeni që është qen, ikë deri te porta. Matanë portës, nuk e bënë asnjë hap. I ngulë këmbët dhe i nxjerrë dhëmbët. Edhe Xhaka atë ditë u rrok fytas me Dacin e Zi. E futi përfundi dhe e rroku për fyti. I tha: kurrë më mos të të shoh në Zonën tonë të lirë. I ke oborret e “vëllezërve”. Sheshet e tyre matanë Vardarit. Ikë, tashti nga sytë këmbët! Atje, ndoshta mund të gjesh edhe ndonjë mi të cofur. E ke Shtetin tënd “demokratik”, për të cilin ke punuar pesdhjetë vjet me radhë. Atdheu ynë nuk ka nevojë për rrufjanë të sojit tënd, po për burra pushke që edhe sot si dje i dalin zot me armë në dorë Vatanit…

       Daci i Zi me bishtin nën këmbë dhe plagët e marra në trup, iku matanë Vardarit. Kurrë më, nuk e shkeli me këmbë Zonën e lirë…

      

  19

JONIT NUK I PËLQEU ABETARJA

 

        Mami, sot kur edhi nga puna në shtëpi me vete solli edhe një abetare. Ende pa hyrë në dhomë bërtiti nga dera:

       - Ku e kam hutaçin?

       - Ja, mami këtu në kompjuter. U jap peshqëve ujë…

       - Mami sot të ka sjellë një Abetare. Faqeve të së cilës i ke në valle dorë për dore shkronjat e gjuhës shqipe. Poashtu, mes këtyre dy kapakëve do të gjesh edhe ndonjë vjershë. Tregim. Përrallë…

       - Falemnderit, mami. Pasi t’ju jap peshqëve ujë do ta çfletoj edhe Abetaren.

       Mami u harrua pas punëve të shtëpisë. Shkaku se, ishte edhe koha e drekës. E vocrraku pasi u dha peshqëve ujë, filloi ta çfletoj Abetaren.

       Përçudi, pas disa fletëve i zemruar e hudhi matanë shtratit. Mami e befasuar e ngriti kokën nga shporeti.

       - Hë, ore Joni, çka nuk është me ty sot në rregull?!

       - E gjithë Abetarja, është nën nivelin e vlerave të abetareve të pas Luftës së Dytë Botërore. Përpiluesit e kësaj Abetareje, harrojnë se fëmijët e sotshën nuk janë ata të livadhe. Lopëve dhe dhenëve. Po. Fëmijë që lindin para televizorit, kompjuterit. Ende mami, kjo Abetare është plot vjersha në stilin: laj duart Zana se do të qortojë nana, parullave të thata patetike komuniste. E plot demagogji edukative - arsimore. Shkurt, është nën nivelin e aftësive tona përgaditore e natyrore.

       Mami nuk e hapi gojën. Joni, vërtetë kishte të drejtë. Në këtë kohë “demokratike”, kujt t’i teket përpilonte Abetare. Libra të këndimit. E bënte zgjedhjen e lektyrave shkollore. Edhe nxirrte revista për fëmijë. Ndonjëri edhe shkruante vjersha patetike, tregime sakate. Të nesërmen, botonte edhe libër. Nuk kishte nevojë të jetë talent, mjaftonte vetëm të ishte partizan i ndonjë partie politike në pushtet. Dhe, hop të nesërmen përpilues i Abetares, librave të këndimit e fuste mes atyre faqeve edhe ndonjë vjershë ose tregim të vetin pa asnjë xixë të vlerave artistike. Shpeshëherë, librat e tillë sakatë i ndihmonte materilisht edhe Ministria e Kulturës. Shkaku se, anëtarë komisioni ishte partizani i tyre partiak, ndonjë bozaxhi ose hoxhë Bit - Pazari…

       Faji nuk ishte te Joni me shokë, po te ne të rriturit, që ende nuk arritëm t’ju japim shkollarëve tanë mbi banka një abetare gjithëkombëtare…

 

    20

TEKSTET  SHKOLLORE JANË

    PËRKTHYER KINEZISHT

 

       Edhe me tekstet shkollore nuk i kemi punët mirë në arsim. I përpilojnë njerëz të paaftë, nën nivelin e nxënësve. Përmëkeq, i përkthejnë edhe “shkel e shko”. Vite me radhë ecin këto tekste skandaloze bankë më bankë. Shkollë më shkollë. Nuk i shohin mësuesit, nuk i shohin inspektorët e arsimit, nuk i sheh Byroja për Zhvillim e Arsim (BZHA). Fatmirësisht, pas disa viteve i bie në sy ndonjë gazetari. Gurë e dru mbi përkthyesit e këtyre librave. “Vëllezërve”, që na e kanë falsifikuar historinë.

       Të nesërëmen, turr edhe akademikët, profesorët me diploma universiteti të blera në Bullgari e Qafë Thanë, në mjetet e informacionit me shkrimet e tyre patriotike – patetike. I dalin zot arsimit. Shkollave shqipe.

       Joni edhe për tekstet e përkthyera e ka mendimin e vet origjinal si shkollar. Thotë: gjithë këta mësuesë, profesorë universitar dhe akademikë, përsëri ne të vazhdojmë të punojmë nëpër shkollat tona me tekste të përkthyera nga “vëllezërit”?! Jo, Xhakës. Jo, këtë nuk e hanë pazari. Përditë politikanët tanë trumbetojnë nëpër manifestime të ndryshme: një gjuhë, një flamur, një komb… Unë nuk i shoh këto ende në praktikë. Ende nuk e kemi një Abetare. Ende nuk e kemi një planprogram gjithëkombëtar. Tekste shkollore. Histori kombëtare.

       Xhaka, ja pse thotë se: tekstet shkollore janë përkthyer kinezisht. Nuk i marrim vesh, nuk i kuptojmë e ku më të mësojmë me këto tekste sakate. Nëse i keni përpiluar për ne, atëherë i bëni siç i bën e gjithë bota. Përndryshe, ne nuk i duam këto tekste të përkthyera kinezisht, i mbani për vete. Ua pafshi hajrin!...

 

  21

MËSUESJA DO TË ISHTE MIRË

               TA KULLOSË QENGJIN

 

       Mësuesja sot hyri në klasë me një krah libra. I hodhi mbi tavolinë si dru të thata koftorri, dhe na u drejtua:

       - Sot do të mësojmë një vjershë të re  për “vëllazërim – bashkimin”. E ka shkruar një xhaxhi poet i “vëllezërve”. Titulli i pozisë është “Duhanvjelësit”.

       - Po, mësuese, ne nuk do të merremi me vjeljen e duhanit?! Tekefundit, këtë vjershë le ta mësojnë vetë në shkollë, ne i kemi vjershat tona kokë më kokë në libër.

       - E di nxënës. E di, po kështu ka thënë Nënë Parti e “vëllazërim – bashkimit”.

       Dhe, mësuesja e hapi librin e këndimit. Mezi e recitoi vjershën në klasë. Asgjë artistike. “Vëllezërit” edhe në kohën e sotshme na porosisnin ne shqiptarëve të bëhemi duhanvjelës. Merreni me mend, edhe atë: në këtë kohë të televizorit, kompjuterit. E ata do të merren me art dhe shkencë në vend tonin si “vëllezër”.

       Jo, mësuese, ne ecim vetë në jetë. E sidomos në këtë kohë “demokratike”. Mjaftë më me parulla të thata demagogjike e vjersha sakate “artistike”. Mbi nivelin tuaj artistik e kemi Xhaxhin Naim, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedjen, Filip Shirokën,  Qamil Guranjakun, Mehmadali Hoxhën, Adelina Mamaqin, Xhevat Beqarajn, Bedri Dedajn, Odhise Grillon, Abdylazis Islamin, Vehbi Kikajn, Rexhep Hoxhën, Gani Xhafollin…

     Mësuesja e uli kokën. Nuk kishte faj, planprogramet ia kishin përgtaditur argatët e Nënës Parti gjysëmanalfabetë. Ata i përpilonin nëpër kabinete edhe librat e këndimit. Historisë. Lektyrat shkollore.

       Joni e ngriti zërin në klasë: Mësuesja do të ishte mirë ta kullosë qengjin…

 

                                                                                                                              (vazhdon)



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx