Kulturë
Peter Bartl: Fillimet e kultures se shkrimit nder Shqiptare
E merkure, 15.12.2010, 09:39 PM
Fillimet e kultures se shkrimit nder Shqiptaret
Germat latine dhe ato greke
Nga Peter Bartl
Shqiptaret jo vetem qe dalin vone ne driten e historise, por dhe tradita e tyre letrare po ashtu fillon relativisht vone. Vetem me 1332 shkruan ne ditarin e tij Arqipeshkvi Guilielmus i Tivarit (Pseudo-Brocardus), “directorium ad passagium faciendum”: “Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in usu et in omnibus suis libris” (Megjithese shqiptaret kane nje gjuhe krejt te ndryshme nga latinishtja, ata perdorin germat latine ne te gjithe librat e tyre). Por prej ketyre librave deri me sot nuk eshte gjetur ndonje.
Autoret e pare shqiptare - Ioannes Gazulus (matematicien dhe astrolog, ca. 1400-1465); Marinus Becichemi (profesor per retoriken ne Padova, 1468-1526), Nicolas Thomeus (profesor i filozofise ne Padova, 1456-1531), Michael Marulus (poet dhe filozof, †1500) dhe Marinus Barletius – nuk perdoren gjuhen e tyre amtare, por shkruan ne latinisht. Te gjithe autoret e siperpermendur kane te perbashket faktin se, punuan ne Itali dhe po aty publikuan dhe veprat e tyre. Jeta e Skenderbeut prej Barletit doli per here te pare ne Rome ne vitin 1508.
Italia si vend botimi per literaturen shqipe
Ne Rome ndoshta ka pare driten botimit ne vitin 1555 dhe libri i pare ne gjuhen shqipe. Behet fjale per Mesharin (“Messale”) prej 188 faqesh me tekste te liturgjise. Si autor i tij njihet prifti, GJON BUZUKU, i cili mendohet te jete me orgjine prej zones ndermjet Shkodres dhe Tivarit. Meshari u zbulua me vone, ne vitin 1740, ne Biblioteken e Propaganda Fide-s ne Rome prej prelatit shqiptar, Gjon Nikolle Kazazi, dhe akoma sot gjendet si kopje e vetme ne Biblioteken e Vatikanit. Libri eshte shtypur me shkronja latine, por duke huazuar nga shkrimi cirilik disa shenja te veçanta.
Me kete lloj “alfabeti te shkrimtareve te Shqiperise Veriore” u shtypen dhe veprat e mevonshme ne shqip. Librat e shtypur atehere ishin kryesish per sherbesa fetare. Ne vitin 1592 botohet ne Rome ”Dottrina Christiana-Embsuame e Krështerë” (mesimi fetar) i LUCA(Lek) MATRANGA. Konkretisht behej fjale per nje perkthim te nje katekizmi te njohur te jezuitit spanjoll Diego Ledesma, nje veper prej 28 faqesh, por me nje domethenie te shumefishte, nga nje ane per historine e liturgjise shqiptare, ku fjala eshte per katekizmin e pare ne gjuhen shqipe, por “Dottrina” permban dhe nje “Canzone spirituale” qe konsiderohet si shembulli i pare i poezise ne shqip, po ashtu kjo veper paraqet dhe tekstin e vjeter dhe te njohur te gjuhes gojore te italo-shqiptareve. Matranga vinte nga Piana degli Albanesi dhe ushtroi aktivitetin e vet si prift po aty deri sa nderroi jete. Keshtu duket qarte se letersia shqipe u zhvillua njekohesisht ne te dy anet e Adriatikut – ne gjuhen shqipe te atdheut dhe ne diasporen shqiptare ne Italine e Jugut. Nje vend te veçante ne historine e letersise se hershme shqipe zene dhe shkrimtaret italo-shqiptare.
Kronologjikisht me pas vijojne autore nga trualli ame shqiptar, nga rradhet e prifterinjve katolike. PJETER BUDI (1566-1623) rridhte nga Mati dhe u arsimua ne Collegium Illyricum ne Loreto; me 1621 u be Arqipeshkvi i Dioqezes shqiptaro-veriore te Sappa-Sarda. Budi nuk hartoi vetem raporte mbi gjendjen kishtare ne Shqiperine e Veiut, por ai ishte gjithashtu aktiv dhe ne levizjen kryengritese shqiptare, qe synonin çlirimin nga zgjedha turke. Ne vitin 1618 boton ne Rome nje perkthim ne shqip te “Dichiarazione più copiosa della Dottrina Christiana”(Shpjegime te hollesishme mbi mesimin e krishtere) prej kardinalit dhe jezuitit, te shpallur te shenjte, Roberto Bellarminio, perkthim te cilit ai, shtoi dhe nje sere poezish fetare. Ne vitin 1621, po ne Rome, botohen perkthimet ne shqip te “Rituale Romanum” dhe te “Specchio di confessione” (Pasqyra e rrefimit) prej EMERIO DE BONIS; te fundit ai i bashkangjit dhe 68 faqe “Discorsi spirituali”, “utilissimi à quelli che non intendono altra lingua, che la materna Albanese” (shume te domosdoshme per ata qe nuk kuptojne gjuhe tjeter perveç shqipes).
Ne veprat e lartpermendura behet fjale kryesisht per literature per sherbesa fetare, pasi ne Shqiperine e Veriut kishte kerkesa te shumta per to dhe prifterinjte kishin pak mundesi arsimimi jashte vendit.
Libri qe vijon ishte i nje natyre tjeter, megjithese dhe ky do i sherbente plotesisht nevojave te perditshme. Ne vitin 1635 botohet ne Rome nje “Dictionarium Latino-Epiroticum”, autor i se cilit ishte FRANG BARDHI (Franciscus Blanchus). Bardhi, rridhte nga rrethinat e Shkodres, kishte studiuar ne Loreto dhe Rome dhe ne vitin 1635 emerohet Peshkop i Sappa-Sardas. Fjalori i tij permban 222 faqe dhe ka gjithsej 5640 fjale. Ai permban dhe permbledhjen e pare te proverbave shqiptare. Per nje kohe te gjate nuk u botua ndonje veper e ngjashme me fjalorin e Bardhit, kesisoj ky pati nje perhapje te madhe dhe u ribotua disa here. Fjalori ishte dhe nder prodhimet e para qe doli prej Shtypshkronjes poliglote, themeluar me 1626, te kongregacionit “Propraganda Fide”. Kjo shtypshkronje shtypte, me pak perjashtime, gjithçka qe u botua ne shqip ne vitet qe pasonin. Ja pra pse ka kaq domethenie per historine e kultures shqiptare.
Nje nga perjashtimet e pakta qe nuk u botuan ne kete shtypshkronje, ishte dhe “Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore mundi et eius evangelica veritae”, qe u botua ne Padova me 1685. Shkruesi i saj ishte PJETER BOGDANI, nje shqiptar prej Kosoves. Bogdani kishte studiuar ne Collegium Illyricum ne Loreto dhe ne Kolegjin e Propaganda Fides ne Rome, me pas ne vitin 1656 behet Peshkop i Shkodres. Ai e ushtroi faktikisht pak rolin e tij si peshkop, pasi mori pjese aktivisht ne levizjen kryengritese shqiptare gjate kohes se luftes se Kretes. Keshtu, ishte i detyruar te merrte arratine prej turqve ne malet shqiptare. Me 1677 zevendeson si Arqipeshkv te Shkupit ungjin e tij, Andrea Bogdanin, ku dhe ra ne konflikt me autoritetet turke, kesisoj u detyrua te largohej drejt Italise. Qendroi ne Padova dhe pati mbeshtetjen e ngushte te kardinalit Gregorio Barbarigo, i cili mendohet te kete qene dhe financuesi i librit te tij.
“Çeta” (Cuneus) e Bogdanit, qe doli ne dy gjuhe italisht-shqip, kishte si qellim te tregonte te mirat e fese se krishtere perkundrejt asaj islame, dhe mbi te gjitha te bindte per kete te vertete popullin e paditur. Vepra perbehet prej dy pjeseve: Pjesa e pare ka permbajtje prej Testamentit te Vjeter, dhe pershkruan historine e krijimit, jetet dhe theniet e profeteve; pjesa e dyte trajton jeten e Jezu Krishtit. Libri permban shume citate nder to dhe ne hebraisht e arabisht, dhe autori gjithnje ben krahasime me islamin, te cilin duket se e ka njohur mire.
Ne vite ne vijim duket se nuk eshte botuar me ne gjuhen shqipe. Vetem ne vitin 1706 u botua serisht prej Propaganda Fide-s nje veper e re, teper interesante: aktet e te parit Koncil Nacional shqiptar te vitit 1703, te drejtuar prej Vinzenz Zmajevic, Arqipeshkv i Tivarit dhe Visitatori Apostolik i Serbise, Shqiperise Maqedonise dhe Bullgarise, i cili gjate gjithe jetes se tij mbeti i dhene ne menyre te veçante pas shqiptareve, madje dhe kur ishte me mision ne Zadar. Atij i detyrohet dhe themelimi i kolonise shqiptare Arbanasi (Borgo Erizzo), qe ekziston akoma dhe sot ne Zadar.
Aktet u botuan njekohesisht ne dy botime paralele, ne latinisht dhe shqip: “Concilium albanum provinciale sive nationale / Konçili Provinçiaali o Kuvendi i Arbenit”. Koncili kishte si detyre, te eliminonte mosmarreveshtjet kishtare, qe Zmajevic kishte konstatuar gjate vizites permes Shqiperise. Dhe mbi te gjitha behej fjale per te ndaluar islamizimin e popullates. Dekretet e Koncili permblidhen ne kater grupe:
1. Çeshtje te pergjithshme te besimit, sidomos mbi marredhenien te krishtere-myslimane,
2. Sakramentet ( ketu futet dhe ndalimi i pagezimit prej myslimaneve),
3. Peshkopet dhe Peshkopatat,
4. Kleri
Dekretet mbeten ne fuqi deri ne mesin e shek. XIX.
Ne vitin 1716, Propaganda Fide boton dhe gramatiken e pare ne shqip, “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese”. Hartues ishte prifti françeskan FRANCESCO MARIA DA LECCE, i cili kishte qendruar me vite ne Shqiperi si misionar. Gramatika permban dhe nje udhezues per gjuhen me formula pershendetese, shprehje frazeologjike etj. U ribotua disa here dhe sherbeu deri me shek XIX si nje mjet ndihmes per te mesuarit e shqipes.
Vepra e fundit ne shqip botuar ne shek.XVIII prej Propaganda Fide-s ishte “Dottrina Cristiana” (Mesimi i krishtere) i GJON NIKOLLE KAZAZIT, zbuluesi i Mesharit te Buzukut.
Liri i fundit ne shqip qe u botua ne Itali ne shek.XVIII nuk ishte i lemit te literatures se perdorimit kishtar, por vellimi i pare lirik ne historine e letersise shqiptare. Behet fjale per “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” te GIULIO (Jul) VARIBOBA, qe u botua nga nje shtypshkronje e panjohur ne vitin 1762 ne Rome. Variboba ishte nje prift italo-shqiptar nga S.Giorgio Albanese (provinca e Cosenzas), i cili per shkak te nje historie dashurie ishte transferuar ne Rome. Aty ne azil, ai shkruan dhe i thurr lavde gjuhes shqipe.
Nga fundi i shek.XVIII Italia pushoi se qeni vendi i botimit dhe shtypjes se librave ne shqip. Tashme shtypeshn libra dhe ne Monarkine Habsburgase, ne Rumani, Bullgari, Greqi, Egjipt dhe Turqi. Ne gjysmen e dyte te shek. XVIII prifterinjte katolik humbin pozicionin e tyre te monopolit si autore librash, dhe literatura e perkthimeve fillon dhe anon dhe nga veprat origjinale. Pergjate Rilindjes Kombetare dalin ne perparesi autore laik – katolike, ortodokse e myslimane, megjithese kleri katolik vazhdonte te kishte rol ne jeten intelektuale.
Tekste shqiptare me germa greke
Kryesisht ne shek. XVIII, por dhe me pare, ka patur perpjekje per te shkruar shqip me germa greke dhe arabe (turke). Keshtu ne shkrimin grek eshte hartuar nje nga monumentet gjuhesore me te hershme shqiptare – nje perikope prej 15 rreshtat nga Mattäus-Evangelium, qe gjendet ne nje manuskript grek ne Biblioteca Ambrosiana ne Milano, si vit i shfaqjes konsiderohet fundi i shek XV dhe fillimi i shek. XVI. Ne nje alfabet me germa greke shkroi ne fund te shek. XVII i ashtuquajturi ANONYMOS I ELBASANIT, prej te cilit ka mbetur nje tekst kishtar prej 58 faqesh. Dhe autore te tjere shqiptaro-ortodoks shkruan ne nje alfabet te veçante si Theodhor (Todhri) Haxhifilipi, i quajtur Dhaskal Todhri (ca.1730-1805) me origjine nga Elbasani, qytet qe ne kohen e tij gezonte nje faze lulezimi. Ai kishte studiuar ne Akedemine e Voskopojes, te themeluar me 1774. Voskopoja ishte ne ate kohe qendra kulturore e Shqiperise Ortodokse, numeronte rreth 40 000 banore vlleh dhe 26 kisha, nje shtypshkronje greke dhe vete akademine, ne te cilen mesohej jo vetem teologji, por dhe filozofi, greqishte e vjeter, matematik dhe fizike. Prej Todhrit jane bere perkthime nga “Horologion” (Libri i oreve) dhe nga liturgjia e Chrysostomos.
Perkthime te tjera ne shqip nga greqishtja me nje alfabet te veçante grek jane dhe te ashtuquajturit Kodiket e Beratit (ca. 1798).
Synimi i teksteve shqip me shkrim dore, shkruar me germa greke nuk eshte shume i qarte, ndoshta sherbenin per te emancipuar shqipen si gjuhe kundrejt greqishtes, ndoshta sherbenin dhe si mjete ndihmese per nxenesit shqiptare qe mesonin greqisht. Mundesia e fundit del dhe nga abetaret e THEODOROS A. KAVALLIOTIS dhe MAGISTER DANIEL (Dhanil Haxhiu). Te dy ishin nga Voskopoja, ndoshta me origjine arumune dhe ishin te dy mesues ne Akademine e Re. Abetaret e tyre ne greqishten e re permbanin respektivisht tre dhe kater glosare (greqisht-shqip-arumunisht/-bullgarisht) dhe u botuan ne Venezia (1770,1802).
Perktheu Eni Papa nga libri i Peter Bartl: "Albanien - Vom Mittelalter bis zur Gegenwart"
(Shqiperia - Prej Mesjetes deri ne ditet tona)