Kulturë
Baki Ymeri: Mizoritë e luftës në Kosovë
E enjte, 16.12.2010, 10:28 PM
MIZORITË E LUFTËS NË KOSOVË
Nga Baki Ymeri
Këto ditë, në përkthim të Ana dhe Sherban Tabakut, në vigjilje të Ditës së Flamurit dhe Krishtlindjeve, nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksisë së revistës Shqiptari, në Bukuresht e pa dritën e botimit libri i Sanije Gashit Ororile r?zboiului din Kosova (Mizoritë e luftës në Kosovë, 1998-1999), Dosja e krimeve të luftës dhe dëshmitë e grave. De facto, ky projekt fisnik pason të dalë në një tirazh të lartë gjatë vitit të ardhshëm, edhe në kuadrin e një Editure (Shtëpie Botimesh) prestigjioze, nën titullin “Istoria groazei” (Histori të tmerrit). Po shtojmë me këtë rast faktin se librin respektiv është duke e botuar në vazhdime edhe revista Climate literare, dhe pason ta shohë dritën e botimit edhe në disa revista tjera, së bashku me disa reçensione të favorshme që janë duke u shkruar pas botimit të parë në gjuhën e një vendi deri dje të infektuar nga propagandat serbe, të cilat publiku rumun ka filluar t’i hedhë në koshin e plehërave të historisë.
Nga pjesa introduktive e Zonjës Sanije Gashi kuptojmë se ky libër është i sajuar nga rrëfimet dramatike të grave që përjetuan tmerret e luftës, jo vetëm në hapësirën jashtë vendbanimit, por pikërisht në shtëpitë e tyre, në familjet e tyre; Të grave që përjetuan vrasjet mizore të fëmijëve, të prindërve, të burrave, të shtatzënave (Qirez, Likoshan, Prekaz); Të atyre që ishin dëshmitare të brutalitetit dhe të përfundimit të femrave nëpër bunarë (Qirez, Studenicë), që u trishtuan nga kalljet e grave dhe të fëmijëve (Poklek, Gjakovë), nga groposjet për së gjalli (Lubizhdë, Prizren); Të grave që kaluan net ankthi nëpër strehimore, në rrënoja të shtëpive, që ecën në ato kolona të gjata, dhe që përjetuan lindjet në male (Keqekollë), ose në turmat kur po ndodhnin përndjekjet për në kufijtë jashtë Kosovës; Të atyre që nga burgu i Lypjanit u bartën në burgjet e Serbisë.
Të gjitha që rrëfyen për ngjarjet tragjike, paraqesin histori rrëqethëse, veçan ato që përjetuan shkatërrimin personal deri në çnjerëzim. Ky dhe ishte kulmi i çnjerëzores, i përbuzjes, i turpërimit, që treti përgjithmonë kuptimin e jetës dhe të të jetuarit. Gratë e paraqitura në këtë libër (që janë vetëm një grusht shembujsh), dëshmitare të dramës së përjetuar, janë nga rajone të ndryshme të Kosovës, prej nga i mblodha historitë e tyre drejtpërdrejt nga to. Rrëfimet e paraqitura në këtë libër janë - fjalët e tyre, pa ‘zbukurime’ a keqësime. Nuk mund t’i harroj kurrë ato fytyra të grave e të vajzave, që hapën plagët e tyre. I falënderoj, prandaj, njerëzisht, të gjitha ato që u ulën me mua dhe rikthyen të përjetuarat, purtekjet, çastet e vështira, që nuk ishte punë e lehtë. Nuk ishte, po kaq, punë e lehtë as përpunimi i historive të tyre. Në secilin personazh rrëfimi më është dashur të ndërprisja punën nga disa herë, të merrja frymë thellë, të provoja “të ikja” për pak çaste nga ai realitet brutal, nga ato veprime makabre, nëpër të cilat kaloi popullata. Pse i përmblodha rrëfimet e grave dhe të vajzave në këtë libër? Për t’u paraqitur e për t’u kuptuar më mirë drama e Kosovës, dokumentim ky i drejtpërdrejtë, që duhet të mbetet pjesë e historisë së Kosovës për brezat e ardhshëm, që të mos harrohet një periudhë e rëndë e shqiptarëve nga një regjim i egër serb. Dhe, që të mos përsëritet. As të hakmerremi.
Autorja e falënderon me shumë përzemërsi ambasadorin William G. Walker, i cili tregoi gatishmëri fisnike duke e nderuar me shkrimin e parathënies, jo vetëm atë, por të gjitha personazhet e librit si dhe lexuesit, përgjithësisht, personalitet ky i cili e njohu botën me realitetin e Kosovës në çastet më dramatike të vendit. Është ky, pra, libër i plagëve, i lotëve, i shkatërresës njerëzore. Fjala është për një libër të gjallë ku inkorporohet pjesa më e rëndë e përvojës personale, por ndër më domethënëset e gazetarisë së Zonjës Sanije Gashi.
Parafjalë nga fjala e ish/ambasadorit amerikan, William G. Walker
Jam i nderuar që Sanije Gashi, autorja e këtij ritregimi dramatik të ngjarjeve tragjike që i ranë përsipër vendit dhe popullit të saj gjatë viteve 1998-99, kërkoi që unë të shkruaja një parathënie të shkurtër për punën e saj me rëndësi historike – mbledhjen e rëfimeve individuale dhe kolektive të mbijetesës. Është e rëndësishme, sepse është histori e mizorive dhe krimeve të luftës që me siguri do të mbahen mend si një nga episodet më të errëta të historisë moderne evropiane. Si drejtues i Misionit Verifikues për Kosovën (MVK) i OSBE-së, që ishte sytë dhe veshët e bashkësisë ndërkombëtare në terren në Kosovë, nga tetori 1998 deri në mars 1999, unë isha dëshmitar i njërës prej ngjarjeve bosht të kësaj përmbledhjeje – i masakrës së 42 burrave dhe djemve në fshatin Reçak më 15 janar 1999. Më vonë, gjatë fushatës së NATO-s për ta detyruar Beogradin të armëpushonte dhe të dorëzohej, isha një dëgjues i shtangur, ndërsa qindra e qindra refugjatë shqiptarë na tregonin – mua dhe kolegëve të mi nga OSBE-ja – histori vrasjesh, plaçkitjesh, trajtimi brutal e poshtërues dhe përdhunimi sistematik në duart e forcave të sigurisë dhe paramilitarëve serbë. Të mbijetuarit – tani refugjatë të pastrehë – flisnin pasi ishin transportuar apo nxjerrë jashtë qyteteve, fshatrave të tyre në ekzil të dhunshëm. Ky eksod masiv ishte rezultat i vendosmërisë së Beogradit për të spastruar Kosovën nga nëntëdhjetë për qind e popullsisë së saj, nga ata dy milionë kosovarë me prejardhje shqiptare. Këto rrëfime në vetën e parë i dëgjuam nga viktimat që jetonin nëpër duzina kampesh me tenda të ngritura shpejt e shpejt, në Maqedoni dhe në Shqipëri, kundërpërgjigje kjo e bashkësisë ndërkombëtare ndaj kësaj vale të baticës njerëzore.
Qeveria e Sllobodan Millosheviqit mund të pretendojë, sikurse dhe ka bërë (dhe që regjimet pasuese vazhdojnë të pohojnë), se ngjarjet e tmerrit ishin fabrikime, rezultat i një fushate të vendosur për të “përgojuar Serbinë”. Por unë e di të vërtetën, sikurse e dinë të gjithë vëzhguesit e paanshëm në ato kampe të shpërndara gjithandej dhe që kanë dëgjuar hollësi të llahtarshme të rrëfyera nga viktimat që nuk patën asnjë mundësi të koordinonin ngjarjet e tyre, e aq më pak të merrnin pjesë në një fushatë të paramenduar të pavërtetash. Këta ishin kosovarë të traumatizuar nga përvojat e tyre vetëm pak orë e ditë para se t’i takonim, të ndarë dhe pa asnjë kontakt me njerëz të tjerë nga familjet apo fshati i tyre, pra që nuk e dinin aspak se si të tjerët mund të përshkruanin ngjarje të ngjashme apo të njëjtat. Ndërthurja e tërësishme e dëshmive nga dëshmitarët okularë ishte krejtësisht e përputhshme dhe të thërrmonte zemrën ndërsa e dëgjoje. Ky libër është përmbledhje e atyre ngjarjeve.
Sanije Gashi, një gazetare e palodhur kosovare, për më shumë se katër dhjetëvjeçarë dhe aktualisht kryeredaktore e revistës së respektuar TEUTA, nuk kursen asnjë hollësi ndërsa rrëfen këto ngjarje. Jam posaçërisht mirënjohës që ajo ka nxjerrë në pah atë që u bë për të çnjerëzuar, degraduar dhe shkatërruar gratë shqiptare që ranë në duart e forcave të sigurisë serbe. Ashtu sikurse Sllobodan Millosheviqi, dhe ata që komplotuan bashkë me të, e kuptuan plotësisht se nuk ka asnjë akt tjetër që të mund të shkatërrojë në atë mënyrë një femër shqiptare dhe familjen së cilës ajo i përket sesa përdhunimi. Ky është poshtërimi më i madh, përvoja më e turpshme që i nënshtrohet një grua dhe familja e saj. Sikurse në shoqëri të tjera myslimane, shpeshherë shqiptarja, viktimë e dhunimit seksual, dënohet për ta jetuar pjesën e mbetur të jetës si një e përbuzur. Duke e ditur këtë, forcat serbe në mënyrë qëllimkeqe e përdorën përdhunimin si instrument të fushatës së tyre të gjenocidit. Rezultati, qindra, në mos mijëra, viktima të sulmit seksual dhe një numër i pathënë shtatzënish të padëshiruara, që rezultuan ose me aborte të vrazhda, ose infanticid. Në nëntor 1999, disa muaj pasi ofensiva nga NATO/UÇK me sukses i përzuri forcat serbe nga Kosova, bashkëshortja ime dhe unë vizituam spitalin në Prishtinë. Kur na pyetën se çfarë donim të shihnim, bashkëshortja ime kërkoi një vizitë në pavijonin e maternitetit. Duke hyrë, pamë rreth tridhjetë apo më shumë foshnja. Kur komentuam rreth numrit të lartë, na treguan se shumë prej tyre ishin rezultat i përdhunimit, e për rrjedhojë, të braktisura nga nënat e tyre. Edhe më viktima të pafajshme!
Është me rëndësi që bota ta dijë se përdhunimi është përdorur si instrument lufte nga forcat e Millosheviqit. Duke pasur parasysh turpërimin që u shkaktohet viktimave, s’ka pasur informacion më të vështirë për t’u mbledhur, s’ka pasur rrëfim në vetën e parë më me pak gjasa për t’u dhënë vullnetarisht sesa ai për përdhunimin. Ndaj, është e vështirë të shquhen përmasat e vërteta të krimit dhe bota përtej Kosovës ka thjesht një ide të turbullt se sa shumë është përdorur ky instrument. Cili është qëllimi i një volumi sikur ky? Përse të përsëriten rrëfime të një brutaliteti kaq qëllimkeq? A nuk kanë përdorur edhe ushtri të tjera, në vende të tjera, në kohë të tjera tmerre të ngjashme në ndjekje të suksesit ushtarak? Cila është nevoja që këto ngjarje të tregohen?
Nuk besoj që Zonja Gashi, apo shumica dërrmuese e atyre që kanë vuajtur dhe janë përgjakur në duart e qeverisë së tyre në Beograd, shtyten nga dëshira për hakmarrje apo shpagim. Shkalla e sulmeve hakmarrëse nga shqiptarët ndaj serbëve menjëherë pas luftës ka qenë minimale. Ata që këmbëngulin që bota t’i dijë këto krime besojnë në sundimin e ligjit, në kërkimin e së vërtetës dhe të përgjegjësisë – një grup gazetarësh seriozë, këtyre që u përkasim Znj. Gashi dhe unë. Ne besojmë tek nevoja për të shpërndarë faktet dhe për të diskredituar fiksionin. Për fat të keq, udhëheqja aktuale në Serbi nuk e ndau këtë objektiv. Ata, sikurse Millosheviqi më parë, këmbëngulin se ajo çka ndodhi në Kosovë nuk ka ndodhur. Të moderuarit e supozuar si Presidenti serb Boris Tadiq këmbëngulin se ajo që “pretendohet” se është bërë në Kosovë nuk ka të bëjë aspak me kualifikimin e Serbisë si kandidate e përshtatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjashtëdhjetë vjet pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht provave të pafund për të kundërtën, ka ende individë dhe kombe që mohojnë faktin e Holokaustit. Tek Serbia e ditëve të sotme, me mungesën e gatishmërisë prej saj që të pranojë shkallën e krimeve të saj në Kosovë, kemi një tjetër komb që është në gjendje të plotë mohimi. Qoftë nga injoranca, përsëritja e pandalshme e retorikës së pandalur nacionaliste nga udhëheqës politikë dhe fetarë, qoftë si një popull me prirje historike për ta parë veten si viktimë – serbët mbeten jo të gatshëm, ndoshta të paaftë, për të pranuar që përfaqësuesit e tyre, djemtë e tyre, ishin përgjegjës për “përdhunimin e Kosovës”. Serbia dhe serbët kanë zgjedhur të jenë të shurdhër dhe mohues; jo vetëm ndaj asaj që ndodhi në Kosovë, por edhe për krime lufte të ngjashme të kryera nga forcat serbe gjatë viteve 1990 në ish-Jugosllavi.
Edhe pse sot në botë ka edhe kombe të tjera që mohojnë krimet e llahtarshme, të kryera nga ushtritë dhe surrogatet e tyre – sudanezët në Darfur, regjimi i Mugabes në Zimbabve janë dy shembuj aktualë – ajo çka ngjau në Kosovë nuk ndodhi në një kënd të largët të botës në zhvillim, por në zemër të Evropës, u krye nga një popull që pretendon se u përmbahet standardeve të fqinjëve të tyre në Evropën Perëndimore. Serbia gjithashtu këmbëngul se Kosova duhet të mbetet brenda kufijve të saj dhe se deklarata e pavarësisë e shkurtit 2008 është e paligjshme, shkel të drejtën ndërkombëtare dhe rrezikon të drejtat civile dhe njerëzore të pakicës serbe – më pak se 10% e gjithë popullsisë së Kosovës. Pyetja ime është “Ku ishte ky përkushtim ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut vetëm nëntë vjet më parë?”- kur nëntëdhjetë për qind e kosovarëve u bënë pre e trajtimit të përshkruar në këtë volum? A mos pret Beogradi që ata të cilët u mbijtuan politikave gjenocidiale të përshkruara në faqet vijuese të pranojnë më çfarëdo çikje të kontrollit nga Serbia? Mendoj se jo.
Prandaj, besoj se Znj. Gashi dhe ato, ngjarjet e të cilave janë në vijim, po kryejnë një shërbim të paçmuar për lexuesit që dinë pak për ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë dhe që është e kuptueshme se pretendojnë neutralitet në gjykimin e tyre se kush kishte të drejtë dhe kush e kishte gabim. Unë pajtohem me thënien se “E vërteta do të dalë.” Sigurisht që ajo del në këtë volum dhe si e tillë është një mbështetëse e fuqishme dhe bindëse për Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës së 17 shkurtit 2008. Unë mund të përmbledh rëndësinë e asaj që do të lexoni më tej vetëm me dy fjalë “KURRË MË!” (Washington, D.C., 8 mars 2009)