Kulturë
Përparim Hysi: Gruaja burrë?!
E shtune, 18.12.2010, 02:03 PM
Gruaja burrë?!
Kujtimit të L...
"Nga goja "zeher"
Nga zëmra sheqer "
Populli
Tregim
Nga Përparim Hysi
Në historinë e popullit tonë-dhe jo vetëm të popullit
tonë- ,ka gra që janë si burra.Janë burra me"rr" të fortë siç
artikullohet ky tingull me vibracione të forta. Ka gra,siodoms në
Malësi dhe,në raste më të pakta dhe në Jug të vëndit që
sillen,vishen,marrin pjesë në odaburrash apo dhe ca më larg:në kuvënde
të vërteta burrash.Ka prej tyre që historia i veçon deri në heroina të
vërteta,si Bubulina,një kapedane e madhe e deteve ose Tringa e
Malësisë së Madhe dhe lista mund të vazhdojë deri në ditët tona,me ato
gra-burra që e mbyllin jetën e tyre,pa u martuar e ,duke vdekur të
tjetërsuara nga karakteri dhe jo nga gjinia.Këto lloje grash që janë
të pakta,gjithësesi lënë gjurmë në histori;se hyjnë në histori me
bëmat e tyre duke lënë gjurmat e tyre, të pashlyeshme.
Unë ,në këtë tregimin tim,nuk e kam fjalën për të tilla gra,po për gra
të tjera,që,sado të pakta,e meritojnë,siç mendoj unë një shkrim.
E kam fjalën për ato gra që populli i ka përcaktuar kështu:"Nga goja
zeher,nga zëmra sheqer." Këto gra,po i vlerësove seç nxjerrin nga
goja,gabon në vlerësimin e tyre.
* * *
Ma kishin zënë sytë në ambulancën e qytetit ku punonte si
infermiere.Atëherë qyteti ynë qe i vogël dhe vetëm këtë ambulancë
kishte.Kur dëgjoje që i bërtiste një burri që po mjekonte ( se gruaja
për të cilën do flas punonte infermiere ) ,të zinte data,aq sa i
thoshe vetes:-Larg nga goja e saj ! Se nuk kishe si mos mendoje
kështu,kur dëgjoje ato batuta (qenë artileri e vërtetë ) që lëshonte
nga goja,karshi këtij burri që kish ardhur të mjekonte dorën e
gjakosur. -Ç'ke që dridhesh sikur të ka zënë "ajo punë?!".Pale po m'i
thuaj dhe vetes burrë.Hajde,mos luaj!-urdhëroi,ndërsa e mjekonte të
plagosurin,se,ndryshe,t'i përdrodha "hallatet" që m'i ke si cjapi i
Ndino Çobanit !!! Ky,ditëziu,që kish ardhur nga halli,nuk kishte si të
shpëtonte nga duarët dhe nga goja e këtij lloj "xherahu".Por,sado që
nga goja nxirrte "vrerë",ajo qe ilaç që të shëronte.Aq,sa,po ta
njihje,kishe qejf që ta ndeshje për së dyti,se të kënaqte me ato
batuta aq të forta.Kur qe në qejf,gajaseshe tek të tregonte për raste
e raste klientësh që,detyrimisht,do kalonin nëpër dorën ,por dhe në
gojën e saj.Pastaj thoshin:-Gojën e ka brisk,po zëmrën e ka ar.Se ar e
kishte vërtet.Për të nuk kishte ,kur thonë:ca të nënës e ca të
babës.Le të ishe dhe gjeneral me tuje,për atë qe njësoj.E përpikët në
punë si sahat "Omega",por nga goja farmak.ZHurmëmadhe si një
bubullimë.Por qe,me të vërtetë,një bubullimë e bukur.Ambulanca e
qytetit,pa "bubullimën" e saj,dukej si bosh apo si e vdekur.Nuk ia
bënte bef syri para askujt.Njësoj u sokëllinte si burrave,ashtu dhe
grave.Ata që njihte për "qejflinj" (epo ku ka pyll pa derra?! ),i
gudiliste në vënd të keq dhe u lëshohej:-Eh,cjapi i Ndinos,si m'i ke
"shelegët",se po të zënë merxhane si gushgjeldeti,nga u lëshove
mbrëmë?Dhe nuk priste përgjigje,por e mjekonte dhe kalonte tek
tjetri.Sikur dikush apo dikushja t'i kthehej me inat,atëherë priti
gjylet e topit që vërviste nga goja.Por kot nuk thonë:-Opinioni është
më i madh se qyteti..Fjala për të kish marrë dhenë dhe askush nuk
guxonte që të ndizte urat me të.Se,kur thonë,shkoje për leshë dhe
ktheheshe i qethur.
* * *
Kisha kohë pa e parë.E dija se kish dalë në pension.Kur në shtëpinë
ku qeshë për vizitë,mbrriti dora vet ajo"Bubullima",me gjithë çupën e
vetme të saj,atëherë gjimnaziste.Përshëndeti me ne,të ardhurit,u
përqafua me të zonjën e shtëpisë,zonjën e nderuar Cilikoni,së cilës i
tha:-Ta solla ! Nënë Cilikoni e ripërqafoi për së dyti dhe i dha
njëmijë urime.E hapi pakon për të parë (qe 1 kg mish )
dhe,e gëzuar së tepërmi,e përqafoi së treti.Se qe "heroizëm" për atë
kohë që jo vetëm të merrje 1 kg mish,por të merrje dhe për një njeri
tëndin.Do të zije radhën qysh në mes të natës dhe,do të quheshe me
fat,po të arrije të merrje.Ndaj dhe z.Cilkoni iu gëzua aq shumë asaj
"dhurate" që qe ,me të vërtetë,aq e çmuar,Pa e mbajtur dot gëzimin,e
pyeti:-Po si arrite që ta merrje?-Si e mora? bëri të shpjegohej
Leta.Ja,dëgjomë mua tani.U ngrita më heret se zakonisht,por jo që në
katër të natës siç bëjnë njerëzia.Radha qe e gjatë që obobo!Radha e
grave të trëmbte,aq e gjatë qe..tek burrat ,më ndryshe.Unë,në atë
errësirë,u futa andej nga radha e burrave.Kur një nga ata të radhës,më
thotë:-Shoqe,është radhë e burrave këtej.Gratë janë andej
matan.-Ore,-iu lëshova atij, e burrave më thuaj.Pse burra jini ju që
pikëlloni në këtë të ftohetë që të grinë?Burrë është ai i imi që fle
si pasha në shtëpi,pa ju që jini këtu u mirrni të keqen dhe grave.Pa
plasi një të qeshur që oshëtiu mëhalla.I zgjata lekët kasapit.Mora për
vete dhe për ty.Tani qe radha jonë që u shkrimë së qeshuri me atë:-Pse
burra jini ju...? Tek mori filxhanin e kafes për të uruar,m'u kthye
mua:-Po ty,mor birbollan nga të kemi?U zura ngusht se e njihja
mirë,dhe,sado që më mbajnë për të zotin e gojës,tani kisha rënë në
usta.Sidoqoftë,i thashë se nga isha.Dhe ajo:-E majft m'i përtype ato
fjalë sikur ke karramele në gojë,se ju të fshatit jeni dhe më keq nga
këta të qytetit.Pastaj,për t'më dhënë të kuptoja se kështu e kishte
dhe nuk rrinte dot pa bërë"luftë",më tha:-E,mjaft u skuqe sikur të
zuri "ajo punë! Dhe qeshi.Tani askush nuk fliste.Se kish filluar
stuhia dhe,po ta drejtonte kahun nga ti,hajd të gjeje vrimë dhe të
futeshe.
Si piu kafenë, e mori fjalën prapë.-Nënë Cilikoni,- tha ajo,- e more
vesh që e bleva frigoriferin?Frigoriferin,tha si përgjumësh,e zonja e
shtëpisë.Se si përgjumje qe.Të merrje frigorifer në atë kohë kur
thoshte Leta,ishte më tepër se çudi.Se autorizimet numëroheshin me
gishta e dorës dhe,veç kësaj,autorizimet fillonin nga lart poshtë.-Si
e more?-përsëdyti e çuditur e zonja e shtëpisë.Paratë në dorë dhe e
mora.Dhe Leta filloi të tregojë:
Mora paratë me vete:plot dyzet e pesëmijë(të vjetra) dhe drejt dhe tek
drejtori i tregëtisë.Trokis në derë ku këndonte drejtori.As hyr as
dil.GJysmë hapur zyra përballë:qenë ato të llogarisë.Nja tri femra dhe
një mashkull.Ju them:-Brënda është drejtori?Më tundi kokën njëra.Dhe
unë drejt dhe atje.Eshtyta derën e drejtorit dhe më t'iu
përvesha:-More zybë,por çfarë ke prerë ditën si ato çupat e qëmotit ti
që nuk hap derën?! Ai:-Moj shoqe,je në vete apo flet përçart?Qe
kokorroç e i shëndoshë si dem i tredhur.Duket,nuk më njihte mua.Ama
dhe unë nuk e njiihja.Epo se mos do ta bëja krushk? I them:-Dua një
frigorifer dhe ja tek i kam lektët në duar.Ai:-Së pari,duhet
autorizim.Së dyti,nuk i ndaj unë dhe,së treti edhe,po pate
autorizim,kur të vijë radha. Më hipën ato të miat dhe më t'iu
lëshova:-Na,more abrash,ç'më di mua,se mos jam unë nga ato që të
lëpijnë bythën (në fakt tha,pak më ndryshe/!! ),për një copë punë.Unë
dua frigoriferin se nuk lëviz që këtu.Ai:-Do ikësh ti shoqe apo të
lajmëroj policinë unë? Unë:-Sille policin se po nuk ia mora koqet e
t'ia vë mu në mes ballit mos më thënçin Leta mua.Kur pa kaq keq,i bëri
zë llogaritarit (unë këtë,lllogaritarin e njihja qysh sa kohë ) ,dhe
i tha:-Të lutem,merru pak me këtë shoqen dhe sqaroje.-Dhe kush do më
sqarojë,- ndërhyra unë,-ky që është si Jani im që as të q... dhe as të
lëshon !!! Drejtori u skuq si lafshgjeldeti dhe,ashtu i bërë flakë e
tym,se flakën i vura,urdhëroi shoferin:_Çoje të paguaj paratë tek
Dhora,vërja në makinë dhe çoja në shtëpi. Të gjithë ramë përmbys me
këto që tregoi Leta,ndërsa nënë Cilikoni,tha:-Sherri shpesh është i
keq.Por,ndonjëherë,nga sherri vjen hairi.Edhe Leta qeshte kurse unë
sillja nëpër mënd edhe drejtorin A:S.që qe,me të vërtetë,i ndershëm si
asnjë dhe po kështu llogaritar K...,apo ai Jani i saj (një nëpunës
model).Por Leta priste me tjeër sëpatë.Ja kjo qe historia.Tani të
gjithë ata që përmëndën në këtë tregim kanë ikur nga kjo botë.se cili
më i ndershëm se tjetri në punën që kanë bërë.E sa për Letën të
gjithë flasin me admirim se ka qenë një infermiere model,e ndershme
dhe punonte me përkushtim.Ia vlente një shkrim për të.Dhe unë e
bëra.Ndoshta një tjetër bën dhe më shumë.se dhe më shumë
meritonte.Gojën zeher,por zëmrën sheqer.
Paqe mbi varrin e saj! Amen !....
* e kam shkruar në vitin 2007 dhe i kam bërë një retushim të vogël.
17 dhjetor 2010