Kulturë
Baki Ymeri: Doli në dritë numri i parë i revistës Kosova në Bukuresht
E shtune, 18.12.2010, 08:59 PM
DOLI NË DRITË
NUMRI I PARË I REVISTËS KOSOVA NË BUKURESHT
Duke bërë fjalë për lashtësinë dhe shenjtërinë shqiptare, Kosova boton në të dy gjuhët artikullin Kombi i shqipeve, ku defilon Fryma e Shenjtë, e udhëhequr nga Fjala e Perëndisë, dhe e ngushëlluar nga e Vërteta Hyjnore që erdhi të mbillte në zemrat e shqipeve farën e mirë.
Nga Baki Ymeri (bukureshti@yahoo.om)
Faktikisht, këtë farë të mirë e mbollën për herë të parë në Bukuresht dhe Konstancë bijtë e pavdekshëm të Rilindjes sonë. Vepra e tyre, kushtrimi për atdhetari dhe qytetërim, si dhe zëri i viktimave të Dardanisë, na ftojnë ta shpiem më tej dritën e shenjtë të atdhedashurisë shqiptare. Kështu, falë përkrahjes së Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, këto ditë e panë dritën e botimit numrat e parë të revistës Kosova (nr. 1/2 dhe suplimenti Kosova letrare). Botimi i tyre është një eveniment i rëndësishëm për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e konsolidimit të pavarësisë, në një kohë të krisur kur raportit racist të Dick Martit dhe propagandave serbe të metropolave evropiane u besojnë vetëm ata që përpëliten në kotarin e interesave meskine të injorancës diplomatike dhe analfabetizmit politik. Numri i parë i revistës respektive është i formatit standard, A4, me 62 faqe, nga të cilat katër kolor dhe 50 fotografi tjera në brendi të revistës. Në faqen e parë të numrit të parë, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksia e revistës Kosova u uron bashkatdhetarëve tanë Festat e Dimrit: Ditën e Flamurit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, faqe e dinamizuar me fotografinë e hotelit Continental ku më 5 nëntor 1912 u mbajt mbledhja historike për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në faqen e dytë jepet përmbajtja e revistës, pas së cilës pason lënda në gjuhën shqipe dhe atë rumune, me subjekte historike, kulturore dhe letrare.
Ballina e numrit të parë të revistës Kosova
Në kuadrin e artikullit bazë theksohet se komuniteti shqiptar i Rumanisë, në vazhdën e traditave të shqiptarëve të mërguar në këtë vend qysh para 400 vjetësh (1595), duke patur parasysh veprën e rilindësve tanë, si dhe konceptet evropiane të afirmimit të identitetit, të kulturës dhe të historisë së çdo etnie, vendosi ta botojë serinë e re të revistës “Kosova” që dilte në Konstancë më 1932/33, nën udhëheqjen e bashkatdhetarit tonë me origjinë korçare, Gjergj Bubani. “Kosova” ishte revista e parë e diasporës shqiptare kushtuar Kosovës, qysh para 80 vjetësh. Revista del sipas nevojës së qartë të kontinuitetit, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Inisiator i botimit të serisë së re është dr. Xhelku Maksuti (Nikolla Naço i ditëve të sotme), lideri shpirtëror i shqiptarëve të Rumanisë. Me këtë rast, publiku rumun dhe ai shqiptar do të kenë mundësinë ta njohin karakterin e vërtetë të subjektit Kosovë nga pikëpamje historike, kulturore dhe shkencore. Kosova është e regjistruar në Bibliotekën Nacionale të Rumanisë. Qëllimi i saj është afirmimi i subjekteve që kanë të bëjnë me Kosovën dhe vlerat historike, letrare dhe atdhetare të saj, me komene artikujsh lidhur me Kosovën në shtypin rumun, me botim artikujsh dhe poezishë kushtuar Kosovës gjatë botimit të saj në periudhën e Mbretërisë, me informacion mbi vlerat e Kosovës në gjuhën rumune, me artikuj mbi rumunët e diskriminuar të Luginës së Timokut etj.
Përndryshe, revista e Gjergj Bubanit ka qenë e mirënjohur si vlerë dhe dinjitet, jo vetëm nga ana komunitetit shqiptar, por edhe nga pala rumune. Kosova në Bukuresht dhe Bukureshti në Kosovë. Fati i botës varet nga Kosova. Kosova është shkëndija që e kall energjinë, një subjekt që ka qenë prezent në të përditshmet “Evenimentul Zilei”, “Romania libera” dhe “Interesul public”, tre nga gazetat ku aknë defiluar artikuj me admirim për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Shpresojmë se puna jonë do të ketë efekt të suksesshëm me rezultate transparente në gjirin e mërgatës shqiptare në këtë vend dhe tejmatanë kufijve të Rumanisë. Kosova e Gjergj Bubanit dilte në formatin A3, dhe shtypej në Tipografinë Albania të Konstancës. Numri i parë i serisë së re të Kosovës e pa dritën e botimit në Internet (format A4, 2009), i prezantuar në gjuhën rumune edhe në shtypin elektronik të Transilvanisë, ndërsa, paralelisht me suplimentin Kosova letrare, ky është numri i parë që e pa dritën e botimit në letër në këtë vend të bekuar nga veprat e shenjta të rilindësve tanë.
Kosova e Konstancës dhe bubullimat e Bukureshtit
“Kosova” e Gjergj Bubanit kishte karakter të dukshëm revendikativ lidhur me trojet shqiptare të mbetura nën kthetrat e hegjemonisë sllavo/bizantine. Kështu, nën moton: Le t’a dijë bota mbarë/ Se shqiptari ësht’ i zoti/ Të luftojë si më parë/ Të luftojë si qëmoti/ Për Kosovë e Çamëri/ Rrofsh e qofsh, moj Shqipëri! (nr.3, 13 qershor 1932). “Kosova” e asokohshme, në numrin e parë të saj përcakton katër kërkesa kryesore për çështjen shqiptare: 1. Të drejtën e vetëdisponimit për viset tona të robëruara (Kosovë e Çamëri), 2. Një Maqedoni autonome, kantonale, me të gjitha format poltike të Zvicrës, ku maqedono-shqiptarët, maqedono-rumunët, maqedono-bullgarët, maqedono-turqit, maqedono-grekët të kenë kantonet e tyre të lira. 3. Konsolidimin e pavarësisë sonë, radikalizmin e reformave shoqërore dhe kristalizimin e lirive kushtetuese. 4. Afrimin dhe bashkëpunimin sa më të ngushtë ndërmjet të tre blloqeve që përbëjnë kombin tonë, dmth. Ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë së lirë, shqiptarëve të Shqipërisë së robëruar dhe shqiptarëve të kolonive. Ky ishte, në të vërtetë, programi i revistës së një drejtori që më vonë do të përjetojë persektutimet komuniste të qeverisë shqiptare si pasojë e rekomandimeve diplomatike të Beogradit, në kohën kur Enver Hoxha e la Kosovën në kthetrat e “perandorisë” jugosllave (1946).
Nuk është meritë të mburresh me epitetet që t’i japin dashamirët po qe se vepron gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit, por është meritë të mburresh me bubullimat e Bukureshtit që nga koha e Nikolla Naços e deri në këto ditë, kur dashamirët e Kosovës i bombardojnë propagandat serbe lidhur me trillimet fantasmagorike për “trafikim organesh”, pa e ditur se Bernard Kushneri qysh para disa vitesh i ka konsideruar si “idiotë dhe budallenj” ata që tentonin të satanizojnë ushtarët tanë që kanë derdhur lumenj gjaku për liri dhe pavarësi. Kosova e Konstancës shkruante me admirim për Nikolla Jorgën, një "përkrahës i nxehtë i çështjes shqiptare", për një kongres kishtar të Bukureshtit më 1932 që kishte për qëllim afrimin e të gjitha kishave të krishtera. Në këtë kongres ishte ftuar të marrë pjesë edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Nikolla Jorga si përkrahës i përzemërt i qëndrimeve shqiptare, shpreh mendimin që "Patriarkia e Rumanisë t'i njohë qysh tash Autoqefalinë tonë, pa kërkuar edhe pa pritur avizin e kryekishave të tjera". Me këtë rast, Jorga e priti me nderime dhe simpati të posaçme, kryepishkopin shqiptar, Vissarion Xhuvani. Ç’bën sot kryeprifti grek i Shqipërisë shqiptare? Po ta marrë vesh Gjegj Bubani i “Kosovës” se në vendlindjen e tij, në Boboshticë, Drenovë e gjetiu ku s’ka asnjë këmbë greku ngriten kisha greke, do të vërtitej në varr.
Përparim Demi defilon në faqet e Kosovës së sotme me poezinë “Kosova ime”, ku parakalojnë emra të njohur si Ded Gjon Luli, Azem Galica, Bajram Curi, Isa Buletini, Abdyl Frashëri, Hasan Prishtina, Sami Frashëri, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi. Në kuadrin e artikullit Si u prit Kosova të vitit 1932 (nr.3), kosovarët e Bukureshtit theksojnë faktin se “ndonëse ma të shumtët nuk dimë me këndue, na kosovarët të gjithë do t'a marim "Kosovën", dhe do t'a mbajmë në gji si nji gja të shejtë". Sefedin Kërçova (kryetar i komunës së Shipkovicës në kohën e Mbretërisë Shqiptare), paraqitet nga Shijaku, duke theksuar se kjo inisiativë e shenjtë që kanë marë përsipër "gëzon çdo shqipëtar me ndjenja të vërteta kombëtare, e ma fort mua që ju njoh personalisht si nji nga ma të mirët patriotë". Në numrin 4 jepen vlerësime e gazetës Demokratia, e cila thekson faktin se Shqiptarët e Rumanisë janë udhëhequr dhe udhëhiqen nga ndjenja kombëtare të sinqerta, se janë marrë më tepër se kushdo tjetër me çështjen e mërgimit shqiptar, se kanë qenë dhe janë idealistë, se Rumania ka qenë foleja e shqiptarizmës.
Forcat serbe kanë kryer krime lufte në Kosovë
Paskopertina e revistës Kosova
Po këto konsiderata ndaj “Kosovës” së sotme të Bukureshtit i shprehin edhe dashamirët tanë, gjithandej në botë. Pasojnë disa mirënjohje të dashamirëve tanë që kanë formuar bindjen se „Ju në Bukuresht, jatakun e rilindësve tanë jeni duke e mbajtur me zjarr të pashuar. Ai zjarr i dikurshëm që i ngrohi zemrat dhe shpirtin tonë po vazhdon edhe sot të na ngrohë. Kam besim se veprimtaria Juaj e ka bekimin e të gjithë shqiptarëve që janë të mbrujtur me gjak të pastër shqiptari. Ju në Rumani, edhe të tjerët si Ju nëpër vende të tjera të botës, jeni ata që e mbani të gjallë e të pashuar zjarrin gjithëkombëtar. Bekoi o Zot këta shpirta duke u dhënë shëndet dhe forcë! Ndihmoi në rrugën e tyre të mbarë! Shenjtëroi me shenjtërinë Tënde, Ati Ynë! (Hysen Këqiku, Kosovë). Përgëzime të sinqerta pas botimit të “Kosovës” në mediat elektronike para një viti erdhën edhe nga Albina Idrizi, Eduard M. Dilo, Nexhat Rexha, Miradije Ramiqi, Dalip Greca, Kozeta Zylo, apo Mediar Leka, sipas të cilit: Është një gëzim i pashoq kur dëgjon se po lind edhe një yll i ri i shqiptarizmës në Bukuresht, revista Kosova, një tribunë e dashur për çdo dashamir që ndjen shqip dhe lexon shqip. Veprimtaria Juaj na frymëzon dhe jep impulse të reja, ngase është duke na treguar se drita e Rilindjes Kombëtare nuk është shuar, se patriotizmi i shqiptarëve të Bukureshtit po përcillet nga gjenerata në gjeneratë. Zoti ju bekoftë për këtë punë të shkëlqyer!
Përndryshe, në kuadrin e fotografive dallohet një diplomë e Shoqërisë Bashkimi në adresë të Rafail Anastasiut (1907), një familje shqiptare në piknik në pyllin Bëneasa të Bukureshtit (1938), Sefedin Kërçova me shqiptarët e Plojeshtit në periudhën e Mbretërisë rumune, Matej Danili i Shtirovicës së Rekës (me kostum kombëtar) me aktivistë të shoqatës kulturore të shqiptarëve të Rumanisë në vitin 1950, fragment foto/dokumentar nga shtypi shqiptar i Rumanisë me disa artikuj kushtuar Kosovës: Shqiptarët janë krenaria e Ballkanit, Kosova është vatra entike e kombit shqiptar, Forcat serbe kanë kryer krime lufte në Kosovë, etj. Defilojnë ballina revistash shqiptare të Bukureshtit dhe Konstancës, si, Albano-Maqedonia, Atdheu, Flamuri i Shqipërisë, Shqipëri’ e Re, Zëri Shqiptar etj.
Shqiptarët janë Prindërit e Rumunëve
Kështu do të theksojë një dijetar i famshëm rumun në kohën e tij: Bogdan P. Hasdeu. Në vazhdim jepet një shkrim i Kristia Maksutit kushtuar revistës „Kosova” e cila, sipas saj, „kishte karakter të dukshëm prozogist, por edhe revendikativ sa u përket trojeve të banuara me shqiptarë të mbetur jashtë kufinjve të Shqipërisë administrative. Nga kjo gazetë janë botuar 32 numra, i fundit duke qenë ai i ll korrikut l933. Fati i „Kosovës” shëmbëllen me fatin e „Shqipërisë së Re”. Sipas prof. iniv. Nicolae Djamo (Nikolla Xhamo), e suspendojnë autoritetet rumune me rekomandim të autoriteteve shqiptare. Pse! Ngase Kosova militonte për çrobërimin e saj nga tutela e Serbisë, ndërsa Serbia intervenonte në Tiranë që të ndërpritet botimi i Kosovës në Konstancë.” Në kuadrin e studimit „Kongresi i Manastirit dhe shqiptarët e Bukureshtit”, Dr. Ilmi Veliu bën fjalë te „Zemra Shqiptare” edhe për mulla Nashit Zajazin, kryetar i klubit “Shoqata Kërçovare” në Bukuresht, i cili, sipas informatave të bashkëveprimtarit të tij, Sefedin Kërçova, të botuara në revistën “Java” (gusht 1937), “ai kishte pasur një kafene në Bukuresht, ku shqiptarët kanë ngrënë e pirë falas, por edhe nga kjo kafene janë shparndarë, poashtu falas, edhe gazeta, abetare e libra tjerë shqip, të botuara në shtypshkronjën e blerë nga shqiptarët e Bukureshtit, e ku si udhëheqës kryesor ka qenë Asdreni. Sefedin Kercova në artikullin e tij potencon se ky patriot shqiptar nga Zajazi, kishte organizuar rrjetin për sjlelljen e abetareve shqipe në vendlindje, të cilat i përdornin shqiptarët nëpër shtëpitë, shkollat dhe institucionet fetare në mënyrë sekrete, dhe pasi zbulohet nga sigurimi sekret bullgar, në vitin 1917 burgoset në Manastir, gjykohet me vdekje dhe ekzekutohet te ura e Gurit në Shkup, ku e vjerin në litar.”
Për më tej jepet artikulli i autorit të këtij shkrimi, Kosova në dritën e lidhjeve farefisnore rumuno-shqiptare, sipas të cilit „shqiptarët janë duke i realizuar idealet e rilindësve tanë. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, edhe Kosova e shpalli pavarësinë e saj. Pa marrë parasysh qëndrimin e atyre që s’e njohin historinë e saj, falë Perëndimit dhe Perëndisë, dhe falë zërit të viktimave që derdhën lumenj gjaku për çrobërim dhe liri, Kosova tashmë e ka realizuar ëndrrën e saj të shenjtë për identitet dhe sovranitet kombëtar. Analistë të shquar të këtij vendi, madje edhe drejtues gazetash të përditshme dhe revistash të përmuajshme, i përfillin mendimet tona në favor të independencës kosovare, siç është edhe teksti që vijon, i botuar në revistën letrare Saeculum (Nr. 7-8/2009): I vetmi popull ne botë, i fisëruar me rumunët përmes linjës dako-trako-ilire, është populli shqiptar. Fjalët më të vjetra dhë më të bukura të gjuhës rumune kanë korespondenca identike edhe në gjuhën shqip. 200 vjet para pushtimit romak, dakasit e lashtë këndonin për trimëri, gjë e cila aktualisht është degdisur në gjirin e popullit rumun. Kush janë dakasit e vërtetë? Mos janë vallë vëllezërit tanë, shqiptarët e Kosovës të cilët edhe në këto çaste këndojnë për trimëri? Ç’thoshte dijetari i famshëm rumun, B. P. Hasdeu, para 100 vitesh, në gjirin e Akademisë Rumune (21 Maj 1901): „Shqiptarët, pra, nuk janë fis me ne Rumunët, por na janë vëllezër. Vëllezër të mirë të të njëjtit gjak.” Për studimin e nënshtratit paralatin të gjuhës rumune, shqipja përfaqëson një mrekulli të historisë. Shqiptarët nuk militojnë për Shqipërinë e Madhe, siç militonte Hitleri, Stalini apo Millosheviqi në emër të terrorizmit, por për independencë, në konformitet me të drejtën internacionale, për një shtet me kufinj të hapur ndaj Evropës dhe Amerikës. Dhe së fundi, me të gjitha përpjekjet e kota të atyre që s’e na injorojnë, rumunët që e mjohin historinë, e dinë se jemi vëllezër, dhe se gjaku ujë nuk bëhet.
Serbia raciste dhe diskriminimi i rumunëve të Timokut
Kosova e Bukureshtit e riboton këto ditë artikullin e drejtorit të gazetës Ziua të Kosntancës me titullin “Nën thundrën e thive”, i botuar asookohe në gjuhën shqipe edhe te Kosova e Gjergj Bubanit (nr. 4, Konstancë, 22 qershor 1932), Ja vetëm një fragment! “M-at anë kufinit të shtetit tonë, në Timok dhe në krahinat fqinje, rumunët të mbetun ndënë sundimin e sërbit janë tue pësue ma të tmershmet persekutime nga an’e një administrate shteti që është vënë, me hir pahir, me i jugosllavizue. Barbarizmat sërbe nuk kanë kufi: të rahura me kamxhik ashtë diçka e zakonëshme, burgjet janë plot me rumunë, Priftënit t’anë ndiqen, shkollat rumune nuk mundin të punojnë. Në Bukuresht këto janë sende të njoftuna…Traktatet, këto armë të krijueme për të shtypë ata që kanë ma pak gryka topash, nuk kanë ba vetëm nji padrejtësi teritoriale për hir të Jugosllavisë. Edhe Shqipnisë i ashtë mare nji tokë nacionale, Kosova, nji qark kryekëput shqipëtar ku rojnë nji miliun shqipëtarë, mi të cilët sërbët janë vërsulun me program serbizimi me ç’do mjet e mënyrë…Botimet e shtypit mi barbarizmat e administrates sërbe qi mundohet t’i ngopë shqipëtarët me “kulturë” jugosllave kalojnë kufirin e ç’do fantezie. Pra, siç po mësojmë, nacionalistët shqipëtarë nuk rinë me duart në gji. Nga gjith anët ngrihen zëra protestimi kundra ndjekjeve të porosituna prej Beligradit.”
Në kuadrin e artikullit Vëllazëria ortodokse dhe përmasa e dyfishtë, Nicolae Prelipceanu e konsideron si një gabim faktin që Rumania u ngut të prononcohet në rastin e Kosovës: “Një gabim është bërë, kjo është e sigurtë, se duke e ndihmuar Serbinë përkrah Rusisë, autoritetet rumune nuk ia parashtruan presidentit serb çështjen e rumunëve të Luginës së Timokut, të nënshtruar një pastrimi të tmerrshëm etnik, dhe jo prej dje e apo pardje. Sa i përket vëllazërisë ortodokse ndërmjet serbëve e rumunëve, ndoshta presidenti rumun duhej ta pyeste atë serb se ç’ka ngjarë me kishat rumune në fshatrat e Luginës së Timokut, në shtetin demokratik, me aspirate evropiane… Sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës, do ta ndryshojmë shpejt pozitën, këtu i jap të drejtë prijsit të Lidhjes Demokratike të Rumanisë, Marko Bela…Përngutshmëria jonë s’është tjetër veçse një specialitet rumun me sarma e kaçamak, siç e kanë demonstruar aq aleanca të gabuara, të shkëputura dhe të kthyera në anën e kundërt, në historinë tone… Po i rikthehemi pavarësisë së dy milionë shqiptarëve të Kosovës, njësoj siç kemi të drejtë t’i rikthehemi të drejtës për vetëvendosje të popujve. Por 20 milionë kurdë të Turqisë, Sirisë, Irakut dhe Iranit pse të mos kenë një shtet të tyre? Atëherë pse të mashtrohemi me pallavrat gjoja se ushtria çlirimtare qenka terroriste? (România Liber?, Bukuresht, 26 shkurt 2008).
Pas pavarësisë reale të Kosovës dhe indipendencave të parashikuara të Vojvodinës dhe Sanxhakut, do vijë dita kur edhe rumunët e Timokut do të kërkojnë autonomi territoriale apo pavarësi për t’u shkëputur definitivisht nga Serbia raciste që I ka diskriminuar shekuj me rradhë. Një mik tjetër i Kosovës që prezantohet me artikullin “Serbia antirumune dhe mbrojtja e Kosovës në Bukuresht”, është gazetari rumun, Florian Bichir, që ka kryer studimet e teologjisë dhe gazetarisë, duke qenë njëri nga seniorët më të mirë të së përditshmes Evenimentul zilei, e lexuar nga 546.000 lexues. Në njërin nga librat e tij boton një serë artikujsh të guximshëm përmes të cilave e demaskon me guxim politikën barbare të Beogradit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe etnosit rumun në Luginë të Timokut. Kështu, në kuadrin e artikullit «Dashuria» serbe» autori nxjerr në pah politikën antirumune të autoriteteve serbe. «Po të ish nevoja, ditët e shkuara u dëshmua se sintagma «relacione të shkëlqyera ndërmjet serbëve dhe rumunëve» është një mashtrim. Aq sa e admiroj kokëfortësinë dhe rezistencën e serbëve, po aq e nënçmoj nacionalizmin e tyre të një radikalizmi të ekzagjeruar. Ja faktet: më 2005, një rumun nga Serbia, Bojan Aleksandroviç, qe shuguruar nga epishkopi rumun Hirësia e Tij Daniil, kurse në pronën e tij u ngrit një kishë. Një vatër e vogël ku rumunët do të luten në gjuhën amtare, do t’i pagëzojnë fëmijët, do të martohen apo do t’i vajtojnë të vdekurit.
Kjo për arësye të faktit se rumunët e zonës së Timokut të «fqinjes sonë të dashur» Serbisë, nuk kanë kurrfarë të drejte. Jo, jo, ata kanë të drejtën për të qenë të persekutuar. Të trembur nga një prift i gjorë, por i cili mund ta ripërtërinte identitetin kombëtar të këtyre rumunëve të pushtuar me dekada të tëra, autoritetet serbe reaksionuna në mënyrë të dhunshme. Së pari u munduan ta shpartallojnë kishën. As që vlente për ta se ishte ortodokse, se i përkiste të të njejtëve vëllezër që i besojnë Krishtit. Faktikisht «mbrojtja e ortodoksisë» është parollë të cilën serbët e nxjerin në pah sa herë që e kërkon interesi i tyre. Pastaj kërkuan intervenimin e armatës... Derisa serbët gëzojnë në Rumani të drejtat fetare të garantuara nga shteti, kanë një vikariat në Timishoara, rumunëve të Timokut në Serbi u është ndaluar të luten në gjuhën e vet. Ka nevojë të flasim për të drejtat e njeriut dhe për liritë fetare?
Kosova dhe Dhelpra e Ballkanit
Në kuadrin e këtij artikulli, Florian Bichiri thekson se «Zgjidhja e çështjes së Kosovës përmes shpalljes së pavarësisë së saj provokon ankthe të mëdha në Bukuresht, madje dhe në nivel autoritetesh. Kjo vjen si pasojë e faktit se si sipas një sqenari, do të pasojë pavarësia e Vojvodinës, si pasojë e së cilës do të vehet në shqyrtim Visi i Sekujve, Kovazna dhe Hargjita, apo Har/kovi, siç po e përmendin, gjë që, sipas lehjeve të kota, e shpërbëka Rumaninë... Një shqiptar i Bukureshtit më shkruan se krahasimi ndërmjet Kosovës dhe Transilvanisë apo Transnistrisë apo disa zonave tjera të ndodhura nën tutelën e Kremlinit, është një krahasim i gabuar që vjen nga kuzhinat e shërbimeve të fshehta të ultranacionalizmit serb. Kosova është motra binjake e Besarabisë”. Duke i dashur me përgjërim këto troje, një përfaqësues i komunitetit shqiptar është totalisht i revoltuar nga sqenarët e lansuar: ”Të kërkosh bashkimin e Transilvanisë rumune me Hungarinë, është njësoj sikur të kërkosh bashkimin e Kosovës shqiptare me Serbinë, apo të Moldavisë rumune me Rusinë. Derisa hungarezët e Transilvanisë jetojnë në dy/tre rrethe në zemër të Rumanisë, pa patur kurrfarë lidhjesh gjeografike me Hungarinë, ata kanë të drejtë për të drejta kombëtare, por jo edhe për pavarësi apo bashkim kombëtar» (B. Y.). Kujt i konvenojnë kërkesat e këtilla absurde, antirumune dhe antishqiptare, pyet Florian Bichir-i dhe vazhdon:
«Është e qartë se në vitet 1998/1999, në shtypin rumun botoheshin artikuj për krimet e luftës kundër shqiptarëve etnikë të Kosovës, apo kushtrimet e shqiptarëve përmes të cilave kërkohej intervenimi i NATO-s për eliminimin e regjimit të Milloshevit. Prej asokohe, ndërkaq, sistematikisht, nisën të dalin versione të llojllojshme: gjoja se shqiptarët qenkan myslimanë, gjoja se krijohet një shtet mysliman në zemër të Ballkanit, etj. Pa marrë parasysh faktin se disa mbajnë emra myslimanësh të rrallë janë ata që krenohen me përkatësinë myslimane, ngase sipas historisë, shqiptarët e dinë se janë pasardhës të ilirëve që e përqafuan krishtërimin nga Shën Pali. Diçka tjetër duhet dhënë për të menduar, jo vetëm autoriteteve, por edhe të ashtuquajturve analistë: pozita e Rusisë! Kremlini përpiqet në mënyrë të dëshpruar të gjejë një aleat në Ballkan, në personin e Serbisë... Dhe është duke lëshuar rrënjë kësaj here propaganda serbe, e prekur sentimentalisht me ndihmën e miteve: me serbët nuk jemi qortuar kurrë, jemi ortodoksë dhe e kemi të njëjtin armik: Hungarinë. Se rumunët e Serbisë janë të persekutuar sistematikisht dhe se nuk kanë kurrfarë të drejtash fetare në gjuhën rumune, nuk thuhet. Se me rastin e sulmit të Jugosllavisë, më 1941, serbët e kanë bombarduar Aradin dhe Timishoarën, kalohet në heshtje. Po qe se Rusisë rumunët i thonë Arushë, Serbia është e pagëzuar si Dhelpra e Ballkanit. Dhelpra domethënë ajo kafshë që vjedh fshehtas dhe fotografohet si e pafajshme.”
Kosova e Bukureshtit në numrin e saj të parë jep fragmente nga dorëshkrimi i Lazim Rexhepit „Romani i ditëve të mia”, i shkruar në vitin 1970 në Piatra Neamc të Moldovës: Jam i lindur në Malësinë e Tetovës, apo më qartë: në bjeshkët e Sharrit, në një familjë të varfër fshatare, e ardhur nga Malësia e Madhe e Shqipërisë, siç na thonë: fisi i Kastriotëve. Katundi ku kam lindur unë ka qenë më i madhi nga Reka e Malësisë së Tetovës, katund nga kanë dalë gjithherë burra të zgjuar dhe kur them burra të zgjuar, vlen të kuptohet patriotë të flaktë të cilët do të mundohem t’i përfshij në romanin e ditëve të mia, për të cilën shpresoj se do të keni mirësinë ta publikoni e me anë të cilit do të pasqyroj gjendjen e Kosovës, për ta ngritur moralin politik dhe patriotik të kombit. Ishin do ditë të bukura pranvere, ditë kur në ato maja të larta, në ato brigje të mrekullueshme, në ato katunde shqiptare, çdo gjë e kishte hijen e saj të madhërishme.”
Shqiptari e mban fjalën ngase është një zjarr i shenjtë
Këtë e themi ne, duke shkruar për Kosovën, ndërsa Lazim Rexhepi në kujtimet e tij thekson: “Që nga ajo kohë kanë kaluar 30 vjet, kohë në të cilën kam rrahur 7 shtete, por vend më të mrekullueshëm se vendlindjen time nuk kam gjetur dhe nuk besoj të gjej më në botë. Sot, pas 30 vitesh, gjendem në Rumani. Rumania është një vend shumë i bukur, me pyje të larta të breut, me liqene ujërash të kristalta, me fusha dhe ndërtesa ultramoderne, me shtëpi pushimi, me kështjella e plazhe, me lulishte e me shumë gjëra të mira, një vend në të cilin gjen njerëz të këndshëm, shpirtmëdhenj, zemërhapur. Këtë popull e gjej si një popull i edukuar mirë, me një humanizëm të rrallë, popull i përsosur me ndjenja fisnike që përfiton simpatinë e çdo të huaji që vjen këtu. Ndër popujt e Ballkanit, të cilët i njoh më mirë se vetën time, ma merr mendja se nuk ka njerëz më të përzemërt se rumunët, me përjashtim të mirëpritësve shqiptarë, të cilët edhe sot i ruajnë traditat ilire, popull i vendosur që karakterizohet si një nga popujt më të lashtë të Evropës. Këto nuk i them nga fjalët e mia, por janë fjalë të atyre që më kanë njohur e të cilët nuk e dinin se jam shqiptar. Si e shpjegon këtë? – mund të më pyesë lexuesi. Në çdo shtet ku jetova dhe të gjithë ata me të cilët rashë në kontakt përmes bisedave të ndryshme, unë e sillja fjalën në drejtim të përmendjes së emrit Shqipëri. Dhe kështu i shihja mendimet çdonjërit. Mendimi i përgjithshëm është se kush ka patur punë me shqiptarë është bindur se shqiptari nuk të tradhton, nuk të pret në besë, nuk vjedh, nuk shitet për të holla, nuk poshtëron shokun. Se po ta dha fjalën shqiptari, duhet të dish se ai nëpër flakë kalon, por besën e ka besë.”
Duke bërë fjalë për lashtësinë dhe shenjtërinë shqiptare, „Kosova” boton në të dy gjuhët artikullin e Deo Gracianit me titullin „Kombi i shqipeve”, ku defilon Fryma e Shenjtë, e udhëhequr nga Fjala e Perëndisë, dhe e ngushëlluar nga e Vërteta Hyjnore që erdhi të mbillte në zemrat e shqipeve farën e mirë. „Erdhi t’u fliste për mbretërinë e Dritës, për Perëndinë e dashurisë. Ky mik i ngushtë i Perëndisë, i solli lajmin e mirë popullit të lashtë ilir. Fjala e Zotit të gjallë u mboll dhe hodhi rrënjë në shpirtin e këtij kombi liridashës. Fjala e Zotit të vërtetë ishte dritë dhe dashuri për shpirtin e këtij kombi... Megjithë dyndjet e fiseve sllave në Ballkan, këto qendra nuk e humbën e rëndësinë e tyre, por përkundrazi identiteti shqiptar mori formë edhe më të plotë. Ky komb që në botë njihet me emrin Albania, do të luante më vonë një rol kyç në mbrojtjen e qytëtërimit perëndimor.” Pasojnë portretet e disa personaliteteve të rëndësishme shqiptare, si, Gjergj Kastrioti, Konstantin Kristoforidhi, Elena Gjika, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Xhelku Maksuti, Luan Topçiu etj.
Kadareja vjen në faqet e Kosovës me artikullin „Shqiptarët kanë mirënjohje të thellë për Amerikën” me fragmente të shkëputura nga publicistika rumune, si: “Ballkanasit u janë besnikë klaneve e jo principeve”, si dhe me fragmente nga intervista e tij për shtypin bukureshtar para 7 vitesh: “Çështja e Kosovës është shumë e thjeshtë. E di se këtu në Rumani kanë qenë zëra kundër bombardimeve. Këtë mund ta kuptoj. Edhe unë jam kundër bombardimeve. Krejt bota protestonte kundër amerikanëve, askush nuk fliste për masakrat në Kosovë. Isha i dëshpruar pa masë. Për mua një masakër është më i tmerrshëm se sa një bombardim. Historia e botës na thot se kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë për masakra ndërsa për bombardime ka ekzistuar nevoja, shih luftën kundër hitlerizmit. Këto dy gjëra nuk mund të konsiderohen si të barabarta. Kur e shpërthen një fëmijë, kur e vret me gjakftohtësi, nuk është e njëjta gjë me vdekjen e një fëmije në bombardime. Kështu që isha i vendosur: nëqoftëse nuk ndërpriten masakrat, Serbia duhet të bombardohet pa kurrfarë mëshire. E njëjta gjë vlen edhe për terrorizmin. Nuk ekziston kurrfarë justifikimi për terrorizëm. Romantizmi i kamikazeve është krejtësisht idiotik. Kam qenë për intervenim kur janë shkelur të drejtat e njeriut. Është konflikti i Antigonës: drejtësi shtetërore apo drejtësi hyjnore? Antigona ka bërë diçka kundër shtetit ngase ashtu ia diktonte ndërgjegja. Një ligj superior e lejon intervenimin në Afganistan apo në Irak.”
Kosova, hëna ime e pushkatuar pas shpine
Kosova në gjuhën rumune është kapitulli i dytë i numrit të parë, i dinamizuar me justifimin e redaksisë „Pse dalim në dritë” , me një serë fotografishë: Kujtime nga Festivali Ndërkombëtar i poezisë rumuno/shqiptare në Braila (2010), Dr. Xhelku Maksuti me bashkëshorten dhe poeteshën Viorela Kodreanu me rastin e lansimit të Golgotës kosovare dhe Kosovës letrare në Bukuresht (tetor 2010), pas të cilave pason artikulli i Al. Doinaru-t „Nën thundrën e thive”, një shkrim i mikut të shqiptarëve (Tiberius Puiu), me titullin „Kosova p?ër shqiptarët është porsi Republika e Moldovës për rumunët”, faksimile nga shtypi rumun kushtuar solidaritetit tonë me Kosovën (31 mars 1999): „Shqiptarët e Rumanisë e kanë falënderuar NATO-n”, „Shqiptarët e konsiderojnë Bill Klintonin Engjëll të paqes”, „Shqiptarët e Rumanisë brohoritën kundër Kasapit të Ballkanit”, etj. Në vazhdim jepet artikulli „Dhelpra në Ballkan”, i shkëputur nga Shqiptari i vitit 1889 (Nr. 25), me nëntitullin „Ka harruar të shohë Serbia se gjendemi nës shekullin e XIX-të”, faksimil nga shtypi rumun me artikujt „Shqiptarët e Kosovës dhe rumunët e Timokut”, „Manifestuesit shqiptarë kanë kërkuar intervenimin e NATO-s në Kosovë”, një poezi e Sherban Tabakut kushtuar vizitës së tij në Korçë, një fotografi dhe medalion i njërit nga dashamirët më të mirë që ka Kosova në Rumani (Gjergj Bukura, ish/këshilltar i zyrës rumune në Prishtinë), i cili bën fjalë për tryezën e miqësisë rumuno/shqiptare që u mbajt në restaurantin Boema 33 në zemër të Bukureshtit, kur u përuruan librat Kosova letrare e Monika Mureshanit dhe Golgota kosovare e Fehmi Kelmendit nga Zvicra.
Në këtë kontekst, gjuhën rumune jepen poashtu fragmente nga libri Histori të tmerrit, të Sanije Gashit nga Kosova, Hymni Dakas ku përmenden edhe, dardanët e denjë të Kosovës, pas të cilit pason artikulli „Dardanët ishin tërgjyshërit e shqiptarëve të Kosovës” me fragmente nga shkrimet e Nikolla Lakos (1921) dhe Xhelku Maksutit (2008), të dinamizuar me fotografi kostumesh identike që mbajnë shqiptarët e Maqedonisë dhe rumunët e Oltenisë, një fotografi ku duket Gjergj Bukura dhe Leka Zogu, përshtypjet e shkrimtarëve rumunë mbi tryezën e parë të miqësisë së Kosovës me intelektuzalët rumunë (2009), dy vështrime kritike të Marius Qelarut mbi poezinë e Sali Bashotës dhe Vezir Ukajt, ballina librash të Miradije Ramiqit dhe disa krijuesve tjerë nga Kosova, një kronikë mbi veprën më të re të Dr. Luan Topçiut „Tradita moderne në letrat shqipe” (Zenit, Tiranë 2010), një studim që përfaqëson një befasi estetike qysh në titull, që bashkon dy kundërshti, që në vijimësi trajton problemet me elegancë, por dhe me guxim profesional dhe forcë argumentuese.
Në kapitullin e tretë të numrit të parë (Kosova letrare), pason një medalion estetik i Aurel Sibiçianut mbi poezinë e Miradije Ramiqit (Një atdhe i fjalëve), një vështrim i Dr. Xhelku Maksutit mbi vlerat lirike të Florika Budit (Flamuri i dëshirave), një reçension i Mihai Antoneskut mbi ditarin e Besa Salihut (Kosova, hëna ime e pushkatuar pas shpine, dy studime tjera të Marius Qelarut: Ibrahim Kadriu dhe drita vegimtare e poezisë shqipe, dhe Mes shtigjeve të dritës dhe shqiponjave të Dardanisë, kushtuar librit të Liman Zogaj, Lulet e dritës, një medalion i Monika Mureshanit (Nexhat Rexha dhe misioni i mesazhit për paqë dhe dashuri), një fragment nga romani i Lazim Rexhepit, i përkthyer në gjuhën rumune nga Mona Agrigoroaiei (Ma ke mbushur mendjen se je shqiptar i vërtetë), si dhe faqet e fundit me fotografi miq të kulturës, me tre fotografi femrash shqiptare me kostume nacionale rumune, me një fotografi të refugjatëve të Kosovës në qendrën klimetarike Sarata Monteoru të Buzëut (1999), me faksimile artikujsh të botuar në shtypin e Bukureshtit: “Kosova në kthetrat e diktaturës”, „Është çështje e Rumanisë nëse nuk na njeh”, “Shqiptarët i kanë shpëtuar hebrenjtë”, etj.