E enjte, 01.05.2025, 07:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Qengji më tha: Ha bar (IV)

E shtune, 18.12.2010, 08:57 PM


KALOSH ÇELIKU

 

QENGJI MË THA:

         HA BAR (IV)

(Fragmente nga romani për fëmijë)

 

     22

GJYSHJA E SOÇME MË RRËFEN

 PËRRALLA NË MES TË DIMRIT 

 

       Fat i mirë që gjyshet tona i kemi pasur gjithmonë të mençura në jetë. Përrallat e tyre me dragonj e kulshedra që vjellin zjarr na kanë bërë trima edhe në klasë. Rrëfimet e tyre gjatë netëve të dimrit, gjithmonë u kanë pri vjershave me tirqi e xhamadan dhe tregimeve kokë më kokë nëpër librat e këndimit.

      Dhe, nuk është çudi, që sot ecim vetë dhiareve në jetë. I kemi nxjerrë lapsat nga brezi. E kemi shaluar Kalin e Skënderbeut: në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Hapat e tij ecin nëpër histori. Nuk ka Krajl as Mbret që mund t’ia ndalë hapin në histori. Shpata e tij valvivetet në ajër nga një mal në një mal, anë e mbanë Atdheut.

     Shkak ky, që edhe gjyshja e sotshme e ka më lehtë në pleqëri, rrëfen përralla në mes të dimrit. Tjerrë rrëfime, për atë kohë plot histori. Ujkun me këmbë të bardhë, që ua rrëfente edhave t’ia hapin portën. Kësulkuqen, që doli nga përralla dhe e hëngër Ujkun. Dhelprën dinake që na i hante pulat në Katund. Qengjin me një zile në qafë varë, që e hodhi Ujkun në lumë. E plot përralla të tjera që na i rrëfente gjyshja në atë kohë netëve të Dimrit për të na vënë në gjumë.

       Sot, është kohë tjetër: e lapsave dhe librave, nuk kemi gjumë. Ujkun me dy këmbë ende e kemi te porta. Edhe sot si dje, na e rrëfem këmbën e lyer me miell. Po, jo nuk do t’ia hapim portën. E dimë këtë përrallë nga gjyshja, që e tirte historinë në furkën e leshit pranë oxhakut verë e dimër…

 

 

 

      23

VJERSHA E KEQE E MËSON

 XHAKËN SI T’I LAJ DUART

 

       Vërtetë, Xhaka ndonjëherë e kap kokën me duar mes librave. Edhe i mëshon me grushta. E sidomos kur lexon ndonjë vjershë, që e meson se si duhet t’i laj duart. Qesharake, ë?! Xhakën e mësojnë se, si t’i lajë duart. Edhe atë, kush, ata që nuk i lajnë vetë duart?!

     Merreni mend, në kohën e televizorit, kompjuterit, Xhakën e mësojnë si t’i laj duart. Vjelë duhanin. Ruaj lopët. Dhentë në male. Kohë kjo, kur bota moti ka shkuar në Hënë. Ndonjëri përgaditet edhe të shpërngulet me shtëpi në Mars.

       Nesër, pse jo edhe të gjithë të mos shkojmë turistë në atë planetë. Ose, në ndonjë tjetër yll në qiell. Unë p.sh. dua të shkoj te Pula me Zogjë.

       - Hi-hii-hii, qeshi Fitorja. Pse nuk do të shkosh te Qengji me një zile në qafë varë?! Edhe atje, është një botë më vete plot fantazi. Ujku nuk na e rrëfen këmbën e lyer me miell, nuk na troket te porta.

      - Jo, tha Joni. Shkaku, jam hidhëruar me Qengjin. Në ëndërr më ka thënë: ha bar në livadh!…

      - Ih, ore Joni. Qengji ka bërë pak shaka. E ka thënë me një dozë ironike.

      - Jo, Fitore! Jo, nuk bëhet shaka t’i thuash mikut: ha bar!

      - E me vjershën e keqe si i ke punët, ndërhyri Goni?

      - Mos Zot më keq! Edhe me atë, jam hidhëruar qysh moti në klasë.

       - Jo, vëllçko! Jo, Xhakën nuk e meson vjersha e keqe si t’i lajë duart…

 

 

  24

XHAKA NUK VJEN NË SHKUP SE

   DUAN TA BËJNË MYSLIMAN

 

       Gjyshi një ditë e mori Jonin në telefon:

       - Alo?

       - Po, Joni. Urdhëroni.

       - Në këtë anë, është Gjyshi.

       - Hi-hii-hiii… Qeshi Joni. Unë mendova mos është Dr. Gaçi – Ministri i Kulturës. Ose, Presidenti i Republikës?!

       -Jo, buzëqeshi gjyshi. Nuk jam Minsitri i Kulturës. As, edhe Presidenti i Republikës. Moti e ka zgjidhë këtë problem të madh Nëna Parti në pushtet.

       - I ka zgjidhë, nuk i ka zgjidhë, ato vende i meriton Dr. Gaçi. Shkaku se është edhe me kulturë evropiane.

       - Edhe unë pajtohem me ty, o nip! Po, nuk pajtohet Nëna Parti.

       - Punemadhe, u përgjigjë Joni. Edhe ne gjysh, nuk pajtohemi me Nënën Parti.

       - Vërtetë, o nip! Edhe ne, nuk pajtohemi me atë Njerkë. Vështirë e kemi të shkojmë pas gomarit. E pas ujkut, luanit, tigrit jemi në radhët e para krah për krahu me shokë.

       - Gjysh, unë sot i kam hip në shpinë Luanit! E di o nip, e di. Edhe unë në moshën tënde i kam hipur në shpinë Ujkut te Lugu i Ymerit, mbi Katund.

       - Ihahaa… Gjyshi i ka hipur Ujkut në shpinë. E gjysh, cilit është më vështirë t’i hipësh në shpinë, ujkut apo Luanit?

       - Luanit, o nip! Luanit.

       - E, gjysh unë Luanin edhe e kam shaluar me të katra nëpër livadh.

       - Ma merr mendja. Po, pse nuk vjen në Shkup, moti nuk e ke parë gjyshin.

       - Jo, gjysh! Nuk vij në Shkup! Jo. Shkaku, se: Xhakën duan ta bëjnë me zor mysliman në xhami…

       Gjyshi nga kjo përgjigje e papritur gati u rrëzua nga gazi përtoke. I nipi për nga dajallarët e nënës, ishte pasardhës i doktorëve të teologjisë me studime të larta të kryera në Kajro, e për nga gjyshi bektashi me prejardhje kaçakësh, që kishin luftuar për Atdheun krah për krahu me Bajram Currin në Kryengritjen e Dervish Carës. E shi sot, kishte frikë të vij në Shkup se: do ta bënin me zor mysliman…

 

 

      25

REVISTAT E SOÇME PËR FËMIJË

              IA JEPNI LOPËS

 

       Xhaka sot nga shkolla erdhi plot zemrim duke hedhur çantën mbi tavolinë. Askushi nuk e dinte se me cilin i kishte përzier kësulat. Mami, mendoi më së keqi: me siguri Joni ka marrë ndonjë njësh me karrike. Babai të kundërtën: Hutaçi sot ndodhë te jetë zatek në rrugë me Sheqfqetin me çizme. Gjyshi, poashtu: me siguri trimin tim e ka hidhëruar në shkollë ndonjë cucë me bishtaleca.

       Mami, matanë shtratit mori guximin dhe e pyeti e para:

       - Mirë, ore Joni në cilin vend t’u përbytën anijet?!

       - Eh, mami. Lëre edhe ti mos pyet shumë për këtë çmenduri të kohës që e bëni ju të rriturit dhe e hamë ne fëmijët.

       - Hë, ore bir tregoi mamit! Ndoshta, gjejmë ndonjë rrugë.

      - Jo, mami. Jo. Qerrja me bar është thyer në rrugë. Dhe, nuk ka udhë për ta sjellur në shtëpi.

      - Mos i humb shpresa, ore bir! Qerres do t’i gjejmë rrugë.

    - E di mami se, do t’i gjejmë shteg. Populli thotë: pasi të thyhet qerrja gjenden plot rrugë.

       - E sheh, ore bir se, për qerren tonë me bar ka plot rrugë.

       - Po, mami. Vetëm se, qerres sonë nuk ka burrë nëne që i gjen rrugë.

       - Thashë, ore bir: edhe qerres suaj do t’i gjenden rrugë. Po, trego një herë ku është thyer qerrja juaj me rrota?!

       - Në një katund malor, mami edhe atë: të dyja rrotat e para.

       - Përsëri, nuk të kuptoj bir, ku e ke fjalën! Ngjarjen tregoma më shkurt, e jo kodër pas bregu.

       - Mirë, mami. Ja, më shkurt me sëpatën e madhe: na i kanë shitur me zor dhjetë revista për fëmijë. Edhe atë: të gjitha dalin në një katund. Merre me mend, të gjitha i përgadisin individë jo profesionitë. Përmëkeq, edhe nuk ke asgjë të hajrët mes atyre faqeve. Fatkeqësia më e madhe, mi morën edhe paratë e bukës. Gjithë ditën e gjatë, shkaku atyre revistave teknefese mbeta edhe pa bukë.

       - Mos u mërzit, o bir! Edhe këtyre revistave që janë nën nivelin e juaj shkollor do t’ju vijë një ditë fundi. Hapin e juaj që ecën me lumin nuk ka kush e ndal në shtratin natyror permes maleve.

       - E di, mami. E di, po kështu siç ia keni nisur ju të rriturit, ai fund është diku larg në horizont. Frikë kam se do të perëndojë me diellin prapa maleve. Qielli dalngadalë po skuqet në perëndim. E nata zbret maleve. Lakuriqi me shokë…

       E ëma tek tashti i kuptoi fjalët e vocrrakut.

       Vërtetë, ishin para kohe këta shkollarë. E shi, ne të rriturit tha me vete: ende u ngatërrohemi nëpër këmbë…

       Xhaka, gjatë kësaj kohe përderisa mami u thellua në mendime, e shfrytzoi rasitn. E hapi çantën, i nxorri revistat për fëmijë dhe ia hudhi përpara mamit:

       -Mami, merri jepja lopës! Ndoshta, i hanë dhe na e mbush kusinë plot me qumësht. Ne nuk mund t’i përtypim dot këto krunde, na mbeten nëpër dhëmbë…

 

 

      26

UNË DI MË TEPËR SE MËSUESJA

 

       Përçudi, edhe lopa nuk i hëngër këto revista teknefese në grazhd. Më kot mami u qiti edhe pak krunde, i përziu me dorë. Jo, dhe jo nuk i hanin as lopët. E ku më fëmijët e ditës së sotshme, që kishin lindur para televizorit, kompjuterit…

       Xhaka, kur e pa me sy gjithë ngjarjen, ia priti së ëmës:

       - E sheh mami se, këto revista për fëmijë nuk i hanë as lopët?!

       - Po, o bir! Vërtetë, nuk i hëngrën lopët as të kripura me krunde.

       - E si t’i hamë ne fëmijët, mami?! Përtypim në shkollë këtë kashtë?!

       - Mos e hani, o bir! Kashta e këtillë ta krimb edhe trurin.

       - Domethanë, mori guxim Xhaka: Faji nuk qenka te ne fëmijët, po tek ju të rriturit. Ju na jepni të hamë lloj-lloj kashte. Taxhie. Dhe, të nesërmen gjith fajin na e hudhni neve në shkollë.

       Mami heshti para mendimeve të Xhakës. Vërtetë, tha në vete: ne të rriturit e kemi tepruar me fëmijët. Ende u shesim edukatë, dije në familje e shkollë. E në aën tjetër, vetë jemi ende gjysmanalfabetë.

       Xhaka pasi doli në breg të lumit nga mendimet e një të nesërme, ia priti mamit:

-    Mami, unë di edhe më tepër se

mësuesja në shkollë…

 

 

      27

BABI KËTË VJERSHË MËSOJE

            TI PËRMENDËSH

 

       Mami nga një përgjigje e papritur e këtillë, mbeti gojëhapur në mes të dhomës. Babai u turr t’i dalë në ndihmë gruas me filosofi shkencore.

       - Bir, mos u ngut në mendime! Populli thotë: mos bën hop, para se ta kërcesh përronin matanë…

      - E di babi, edhe këtë urtësi të popullit. Thotë: pasi e ke kërcyer përronin, bënë hop! Vetëmse, ju t ë rriturit keni bërë hop, para se ta kërceni përronin.

      - Jo, të gjithë. Iu përgjigjë babai.

      - Edhe këtë e di. Vetëm shumica kanë rënë bythekrye në përrua. Dhe, nuk ka dreq që i nxjerrë nga ai përrua i turbullt malor, që do të dalë nga shtrati.

      - Jo, o bir! Jo, nuk do ta lëmë të dalë nga shtrati. Arat i kemi lëruar thellë me plug. Edhe fara e mbjellë, ka mbi në fushë, ka dhënë frute në ara. Shi le të bjerë së të mundet, lumi nuk do të dalë nga shtrati. Përroni i Xhetit, që dikur moti me gurë e dru zbriste si i tërbuar në Katund. E vërshonte arave, i gërryente bimët si me traktor duke i marrë me vete andej livadheve për në qytet. Vdiq ajo kohë e egër, që na sulmonte edhe me breshër.

      - Dhe, vazhdoi Xhaka: Ende babi, nuk ka vdekur mes varreve. Përsëri na u ngritë lugat. Natën herë pas here na troket te porta. Derën, edhe sot si dje na e hapë krah më krah në mes të Dimrit.

      - Jo, o bir! Jo, sot është koha e lapsave. Librave. Pusi i kemi vënë në rrugë... Shkollë… Bibliotekë... Shtëpi…

      - Babi, atëherë pasi qenka kështu puna, na këtë vjershë mësoje ti përmendësh!...

 

 

       28

XHAKA I DEL ZOT ATDHEUT

 

       Heret në mëngjes, Banda e Dacit Zi e kishte sulmuar nga të katër anët Atdheun. Gjithë arsenalin e vet ushtarak e kishin vënë në përdorim. Edhe, së pari kishin bërë sulm mbi shkolla. Gjuhën shqipe kishin dashur ta përzënë në Turqi. Librave të këndimit ua kishin vënë zjarrin. Vjershën e xha Naimit me shokë e kishin përzënë nga këndimi.

       Xhaka, kur e pa gjithë atë tym si mjegull mbi Katund, e nxorri lapsin nga brezi. Tymeflakë u sulë me shokë mbi Bandën e Dacit Zi. Unë gjallë, tha: e shkollat shqipe nën këmbët e Dacit Zi, kurrë! O burra, bini armikut nga toka e qielli me të gjitha armët!

       Nën një lis rrëzë Çukës, përderisa Daci Zi me Bandën festonin fitoren, Xhaka me shokë  u ra pas shpine. Banda e Dacit Zi e befasuar nga kjo goditje e papritur, iku me gjithë frikë Përtejzalli.

       Xhaka me shokë e mori për dore mësuesen dhe e ktheu në shkollë. Edhe i tha: hyn tashti pa frikë në klasë. Edhe librin e këndimit nxirre mbi bankë! Kurrë më, vjershën e xha Nimit me shokë nuk do të na e përzënë nga këndimi. Shkaku se, edhe ne e kemi ndryshuar strategjinë e luftës: lapsat i kemi nxjerrë nga brezi… 

                                                                                                                              (vazhdon)

 



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx