Kulturë
Gjuhëtarët në Durrës: Të hartohet një fjalor i ri
E diele, 19.12.2010, 03:55 PM
Nga Vali Qyrfyçi, Gazeta Shqip
Në ditën e dytë të konferencës "Shqipja në etapën e sotme: Politikat e përmirësimit dhe pasurimit të standardit" që po zhvillohet në Durrës, mendimi mbizotërues ka qenë ai i nevojës së hartimit të një fjalori më të plotë të gjuhës shqipe, që të përfshijë pasuritë gjuhësore të lëna jashtë
Në ditën e dytë të konferencës "Shqipja në etapën e sotme: Politikat e përmirësimit dhe pasurimit të standardit" që po zhvillohet në Durrës, ka pasur qëndrime të ndryshme lidhur me debatin mbi standardin. Por mendimi mbizotërues ka qenë ai i nevojës së hartimit të një fjalori më të plotë të gjuhës shqipe, që të përfshijë pasuritë gjuhësore të lëna jashtë. Studiuesit, duke iu referuar botimeve të deritanishme, kanë kujtuar se projekti për hartimin dhe botimin e një fjalori, që bazohet në normë, me 85 mijë fjalë dhe 10 mijë shprehje frazeologjike, ka mbetur në sirtarët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërkohë që me apatinë financiare që e karakterizon shtetin përballë forcave studimore duket se këto të fundit po tkurren ndjeshëm. Shqetësimi është ngritur në ditën e dytë të konferencës shkencore, e cila është ndalur në probleme të drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit, si dhe në marrëdhëniet e tij me dialektet. Përgjatë konferencës, gjuhëtarë e studiues të ndryshëm janë shfaqur me dy qëndrime: atë të pasurimit e të bërit të ndryshimeve në gjuhën standarde shqipe dhe një mendim i dytë që sugjeron studiuesit të mos nxitohen dhe t'i kryejnë këto ndryshime në një tjetër kohë. Pavarësisht këtyre qëndrimeve, gjuhëtarët janë bashkuar në mendimin se çdo përpjekje për pasurimin e standardit do të kërkojë studime të thelluara në grup dhe individuale e rrjedhimisht kohë. Kryerja e ndryshimeve vetëm në sistem ka qenë një nga çështjet e diskutuara që ka gjetur mbështetje, pasi, sipas referuesve, konferenca nuk cenon standardin dhe vlerat e tij, duke u ndalur kryesisht në përjashtim të rregullave të paarsyeshme dhe përfshirje në të të vlerave që janë lënë mënjanë, qoftë ato të gegnishtes, po dhe të pasurimit të standardit nga gjuhët e huaja, për shkak të ndërveprimit dinamik gjuhësor, pa lënë pas dore ruajtjen e pastërtisë gjuhësore nga huazimet e tepërta. Prof. dr. Bardhyl Demiraj, drejtues i degës së albanologjisë në Universitetin e Munihut, duke u ndalur në referatin e akademik Kolec Topallit dhe kumtesave të tjera të ditës së dytë të konferencës, tha se nevoja për përmirësimin e rregullave të drejtshkrimit është e qëndrueshme. Paskajorja e gegnishtes, aq gjerësisht e përdorur nga shqiptarët, si dhe situata e zanores "ë" me kontradiktat e saj në shumë fjalë qenë dy nga ndalesat kryesore të fjalës së pjesëmarrësve në konferencë, e cila në përfundim të saj pritet të dalë me një rezolutë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në lidhje me zhvillimet gjuhësore që paraqet koha dhe zhvillimi tërësor i shoqërisë mbarëshqiptare. Informatizimi, krijimi i korpusit gjuhësor, planifikimit dhe nevojës për mbështetje nga shteti të studimeve gjuhësore u trajtuan gjerësisht nga pjesëmarrësit. Referatet kryesore mbi të cilat është bazuar kryesisht dhe diskutimi në ditën e djeshme ishin "Drejtshkrimi i shqipes si sistem" i akademikut Kolec Topalli dhe "Standardi i ngrirë përballë gjuhës së lirë" i studiuesit Mehmet Elezi.
Topalli: Konferenca, vetëm fillimi i punës
Në fjalën e tij, studiuesi Kolec Topalli ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij ndaj debatit të fundit mbi standardin e gjuhës shqipe. "Ideja e ndryshimit të disa rregullave të drejtshkrimit të shqipes nuk është e imja. Këtë e kanë thënë dhe të tjerë, por unë jam përpjekur të bëj një studim, në të cilin drejtshkrimi të shihet si sistem, sepse standardi ka sistemin e tij dhe mbi bazën e sistemit gramatikor është ndërtuar edhe drejtshkrimi duke gërshetuar dy parimet themelore, mbi të cilat është ndërtuar: parimit fonetik, mbi bazën e të cilit fjalët shkruhen ashtu si shqiptohen, dhe mbi bazën e parimit morfologjik, në bazë të së cilit respektohen pjesët përbërëse të fjalës. Në këtë mes është e nevojshme që të ndiqet një kriter i caktuar, sepse unë kam sjellë shembuj të qartë, kur në një rast është zbatuar parimi fonetik dhe në një rast tjetër parimi morfologjik. Ne nuk kemi tagër të bëjmë ndryshime të tilla. Këto bëhen mbi baza institucionale atëherë kur edhe e gjithë shoqëria që e përdor standardin të jetë e bindur se këto ndryshime sjellin vetëm përmirësim dhe vetëm zhvillimin e mëtejshëm, njohjen më të mirë të rregullave të drejtshkrimit. Tani është vetëm fillimi i punës. Për të arritur në finalizimin e saj është e nevojshme që të bëhen studime të thella dhe përfshirëse për të gjitha rastet, ku të dilet në konkluzione të sakta e të zbatueshme. Nuk duhet të bëjmë një rregull e të prishim një tjetër. Duhet parë gjithçka në sistem. Studiues të tjerë, konferenca, forume dhe institucione të tjera do ta vijojnë këtë punë, me qëllim që standardi të njohë përmirësime dhe pasurime të mëtejshme".
Elezi: Të kemi një rezolutë
Kjo konferencë është shumë e rëndësishme, pasi merret me çështjen e pasurimit dhe përmirësimit të standardit. As unë dhe as ndokush tjetër që është profesionist nuk thotë se standardi gjuhësor që kemi duhet përmbysur. Ne jemi një vend i hapur dhe nuk mund t'i shmangemi globalizmit, epokës së internetit dhe ndikimit të saj. Ju e shihni se çfarë trysnish e keqpërdorimesh ka në shtyp, politikë, në letra e në gjuhën e përditshme. Shqiptarët që janë përdoruesit e gjuhës kanë pësuar ndryshime të jashtëzakonshme. Vendi ka një dinamikë të madhe zhvillimi. Shqiptarët janë përfshirë në ethet e zhvillimit, edukimit e kulturimit. Shqipëria ka dhe një ndryshim mjaft të madh demografik dhe të gjitha këto reflektohen në gjuhë. Hapësirat shqiptare janë të lira dhe ndërkomunikimi mbarëshqiptar sjell vlera dhe pasuritë gjuhësore godasin standardin. Ky është një proces që fillon e nuk mbaron sot. Kjo konferencë ka synim që të rrisë ndjeshmërinë e gjuhëtarëve, studiuesve dhe përdoruesve të gjuhës shqipe dhe besoj se konferenca do të përfundojë me një rezolutë për punën që duhet të bëhet në të ardhmen. Gjithçka duhet të jetë e studiuar dhe vetëm e studiuar.