Kulturë
Luan Çipi: Me Dr. Sadedin Gjokën në malin e Dajtit
E diele, 19.12.2010, 08:52 PM
ME Dr. SADEDIN GJOKËN NË MALIN E DAJTIT
Mbresa për një shokë të dashur. Pjesa e dytë.
Nga Luan Çipi
Një nga takimet e zakonshme shoqërore ne, një grup pleqësh tiranas nga Vlora për variacion, vendosëm ta festojmë ndryshe: Pikërisht më 13 Korrik 2002, me dy makina, shkojmë shoqërisht në Malin e Dajtit, për të festuar njëherazi, datëlindjen time dhe atë të Sadedin Gjokës, që për fat ishin të përafërta. Ishte një takim i përbashkët, ndryshe nga herët e tjera, që doli më mbresëlënës dhe na kënaqi të gjithëve. E kishim bërë traditë: Për të përjetuar ngjarjen dhe gëzimin që ndienim, poetët e njohur Irfan Bregu dhe Duro Mustafai po dhe unë si praktikant, deklamonim nga një vjershë të krijuar posaçërisht. Unë recitova vjershën si më poshtë.
Për Sadedinin kam shkruar
Fjalë zëmre, që rrjedhin vetë;
Jo 1000 metro mbi det.
Sot po flas nga
Ku erdhëm apostafat
Formuam “hojen e mjaltit”.
Lum si ne për këtë fat.
Dikush thotë:” janë pleq të rrjedhur.
Le të rijnë ata meskinë
Si qen. Të ruajnë shtëpinë!
Ne, do dalim, do barisim
Sa këmbët vetë t’i lëvizim.
Do këndojmë, valle do hedhim
Do hamë, do pimë e do bredhim.
Viti 2006 do sillte një tjetër ngjarje për t’u mbajtur mend. Festuam 70 vjetorin e Sadedinit. Zakonisht ceremonitë e përkujtimit të datëlindjeve ne i festonim duke u bërë bashkë dy shokë, ta themi troç, më shumë për të pakësuar shpenzimet e rastit, që i kapërcenin fuqitë tona ekonomike, më së shumti prej pensionisti, Unë pushimet verore zakonisht i kaloja në Vlorë, ndaj edhe këtë vit ditët iknin shpejt, ndërsa shokët këtu në Tiranë, prisnin çdo ditë të mblidheshin për të festuar drekën e përbashkët të “Sadedinit dhe Luanit”, që rregullisht duhet të bëhej brenda muajit Korrik.
Kishte kaluar kohë pa ceremoni festive, derisa po afrohej Nëntori, ndaj me propozimin e Niko Gjyzarit, të punësuar te Kompania Private që administronte edhe Teleferikun ”Dajti”, u bë propozimi për një udhëtim me teleferik. Ç’është e vërteta shtyrja e festimit të përvjetorit të lindjes së Sadedinit dhe Luanit krijonte dhe një precedencë, që këto lloj festimesh, për ndonjërin edhe steriotipe e monotone, mos të bëheshin më.
Me këtë rast kjo ngjarje u përjetua si vijon:
Sadedin Gjokës(Në 70 vjetor)
Do festojmë 70 vjetorin,
Vërtet pak si me vonesë,
Që për ne mbaron me festë.
Jemi miq e shokë me besë.
-Sot kam bërë kurban një derr.
Mish ka plot, raki dhe verë,
Bëni qejf, mos i kurseni
dhëmbë e nofulla i kini
Për to “ju rroftë Sadedini”.
Dy dolli në një bardhak
E kanë hak
Me fund piheni rakinë,
Ta nderoni Sadedinë,
Ta kënaqni shoqërinë!
Dy vjet më vonë, në fillimin e muajit Nëntor 2007, duket se u harrua festimi i datëlindjeve tona, se unë serish gjate verës, sipas traditës, qëndrova gjatë në Vlorë. Siç dihet, datëlindja e Sados dhe datëlindja ime ishin ne Korrik. Shokët tanë të paduruar kërkonin me këmbëngulje të festoheshin patjetër datëlindjet tona. Unë i njoftoja nga Vlora se jam gati dhe ju ftoj, me shpenzimet e mia deri fjetjen, të vini në Vlorë. Ky është një rast i mirë, se ju vlonjatë jeni dhe, siç thoni të dëshiruar për Vlorën. Jo. Ata ngulnin këmbë të kthehesha shpejt në Tiranë për ceremoninë e përbashkët në garë me dr, Sadedinin. Kur e kuptuan se unë nuk shkulesha nga Vlora në ditët me diell e det, ata iu drejtuan Sadedinit, që fundja ceremoninë ta organizonte ai i vetëm. Por më kot. Ai, megjithëse me të ardhura dhe i punësuar në Klinikën e tij private, nuk pranoi, me pretekstin se lezetin ceremonia e ka të bëhet e përbashkët me Luanin.
Darka u organizua në fillim të muajit Nëntor 2007, kur unë u ktheva në Tiranë. Të gjithë shokët në këtë ceremoni, gati të hipnotizuar, po dhe të kënaqur ngaqë takimi u bë me një darkë madhështore bashkërisht me Sadedinin, nisën të gëzuar të falënderonin vetëm atë, duket të ndikuar nga pesha e madhe shoqërore të tij, po dhe ngaqë duket mua me kishin harruar në këtë periudhë 5 mujore largimi, sipas të thes “larg syve-larg zemrës. Unë protestova dhe i kujtova se po gabonin dhe po më harronin. duke improvizuar, aty për aty, këtë vjershë:
I futur si kot e me zor në garë
Doktor Sadedini përfund më la
Ndaj mendja në kokë qëndron si në darë
“Ti them, mos ti them dy fjalë për ta”.
Se baba na flet, nga vari, ku ndodhet:
O djem, mos i lini t’u mbysin në det
Se notin e dini, i kini salvadoret
Ndaj nxirreni dufin, pa flini të qet.
Nuk ka më të keqe në botë se harresa
Kur miqtë dhe shokët të lenë në borë
Mundohu, tregoju u duhet kujtesa,
Se ndjehesh mes tyre e jo krejt pas dore.
Andaj sot e them, këtë do ta dinit,
Korriku i nxehtë, kur avujt lart çohen,
Nuk është përvjetori i doktor Sadedinit,
Po dy përvjetorë, që vonë po festohen.
Dhe ju, miq të dashur, pesë muaj behari,
Në pritje e ankthe, po në heshtje vari,
Sadon e ëmbël nëpër këmbë e kishit,
Pse më deshtë mua, si thelën pas bishtit?
A mos vallë klinika qe e mbyllur 5 muaj,
Dhe nuk nxirr para për një darkë modeste
Dhe ju qetë të zënë, se ”po mblidhnit duaj”
Ne fushat e grurit, me kokën ndenë feste?
Jo, mor jo! Një shok prisnit me shumë mall
Pa atë s’u ahet dhe as që këndohet
Ndaj kujtohuni shokë, nxirrmëni nga ky hall
Se ky Luan Çipi kaq lehtë nuk harrohet.
Nëpërmjet pak kujtimeve ndër vite për shokun tim të dashur të fëmijërisë, mjekun stomatolog, ish futbollistin vlonjat Sadedin Gjoka, unë paraqita një pjesë të punës dhe të veprimtarisë së tij aktive, si dhe aspekte të jetës së përbashkët të një grupi shokësh vlonjatë, tani të moshuar e pensionistë, të ardhur prej vitesh në Kryeqytet, që shihen të mbledhur shpesh bashkërisht për kafe, dreka e darka, me kujtimet e tyre rinore dhe dashurinë për vendlindjen,Vlorën e tyre të dashur, imazh i pa shlyer optimizmi, malli dhe bukurie, duke sfiduar vitet e rënduara të moshës së tretë.