Kulturë
Janko Pali: Romantizma
E diele, 19.12.2010, 07:38 PM
R O M A N T I Z M A
nga JANKO PALI
Fletorja Nr. 24 shkruar me makine shkrimi ne vere te v. 1945 ,vargje 1694 ka si n/tituj:
Permbajtja :
===================
Romantizëm
Zakoni Lab
Zakoni Lab
Njera pas Tjatrës
Pajtim me gjëndjen
Pajtim me Veren (beharin)
Vera ' 45 (behari)
Pas verës (beharit).
==================================
(Botohet per here te pare,lexim te kendshem Ju uroj,sinqerisht _ pjp)
***
Në fund të Qershorit shkollat u mbyllën
mendova i lirë, isha për shtëpinë !
Mendova të ikja në shtëpi të kthej
dhe muajt e verës në fshat të defrej .
Mjaft më shkoi mëndja telashe kam pasë
me pelegrinazhe tej përtej kazasë
De e de gjat luftës gjithë ato brenga
që pa shërim hala, dergjen ketu brenda.
Pa le trasferimet që gjat vitit pata
ndoshta se gjat luftës s’isha për lëvdata !
Për deri sa shokët prapa nuk i mora
në mal të më rifte, lufta apo bora.
Të kisha edhe unë pjesën time lufte
Hë ! dhaskal i mjerë në ç’kanal u fute.
Emërohem Fratar,shkoj Kuç e Ramicë
Shkoj Himarë, Piqeras, Sasaj, Selenicë.
Këtu rehat isha muaj pesë a gjashtë
kisha për banim një çati me kashtë.
Por fundi rehat isha,punë jo tepruar
dhe thashë se verës do të jem qetsuar !
Sa të nisë prapë puna për më tutje
ku do shërbej mot Konispol a Krutje ?
Për ku vallë torbën përmbi sup do var
siç ka qënë puna e kujtdo dhaskal !
Që kur vin shtatori gjithë ethe ishte
se s’dinte për ku kuadri e kishte.
Thashë pra se verës fundi mir’ do jem
rehat dy a tre muaj në shtëpi me djem !
Do dëfrej si duhet kur të shkoj në fshat
se do jem i lirë se do jem rehat.
Do të shkoj mengjezit në Megajth në fushë
do piqem me pemë, fiq a dardhë e rrush !
Do zbres në balçenë, do të mbledh domate
do gjuaj për drekë disa burdullake.
Disa burdullake për të bërë sallat’
e ku ka më mirë se jeta në fshat ?
Do shkoj të bëj banjo në det a në diell
ku ka më të bukur në gjith’ botën qiell ?
Si ai vëndi tonë atje ku kemi lerë
gjithëmonë i kaltër me fresk e me erë !
Gjithëmon’ i kaltërt e pa re gjat verës
ashtu e pat njohur kurdo her’e herës.!
Do të dal mëngjezit siç kisha zakon
në breg të Argjilesë, të ri mbi poton.
Të shijoj një pamje oh një panoramë
horizont të gjërë pa kufi pa anë.
Nga e djathta shef vargjet me male
nga e majta Borshi me përrenj e vale !
Nga përpara shtrihet një det blu i qetë
me dallgë që ecin krej pa zhurm’e lehtë !
Nëne sy e ndenjur fush’ e Qeparoit
një fushëz e vogël që prodhon çdo lloj !
Syri sa të prehet, kudo gjelbërime
plepa qepariza,pylle me ullinj !
Balçetë të stolisur me tel të rrethuar
ç’bëjnë kur punojnë të njeriut duar !!
Limoj, portokalle, sa mirë dallohen
nër pemë të tjera si nuse krenohen.
Vreshtat me rrush të shumta në brinja
mir’ e fort të mbrojtura me dega mërqinja !
Fiq nga gjitha anët të zez e të bardhë
morrait,kurrashër perdhikul me rradhë.
Rryp i anëdetit shirit që ndriçon
gjat’ për gjat fushës nga vija n’ Hoston !
Çdo mëngjez kecejnë njerës që notojnë
fresk që n’ ujë të kripur që pa gdhirë kërkojnë !
I shof që bërtasin i shof që shkumojnë
ca në fund po kridhen ca mbi uj' qëndrojnë !
Trup i tyre duket që si peshku shket
një gullçon se trëmbet,tjatëri gërrthet…
Janë gjithë djemosha ata që notojnë
dhe mua të mjerit djalërin kujtojnë !
Kur isha dhe unë i ri për tu rritur
po isha pa babë bonjak i nemitur !
Na pat lënë baba, na pat lënë shpejt
n’ Anadoll ku mbeta e më la në djep !
As dy vjet akoma si kisha të mbushur
kur këtu më solli nëna,nëna brengfërushur !
U rrita bonjak në këtë vënd gur
me kushte të jetës që s’të kishin nur !
Që s’të kishin nur që s’të kishin shije
kur me gjisht të këmbëve gurëve u bije.
Mungonte çdo gjë n’atë kohë të prapë
po jeta të nxiste do ta hedhje hapnë.
Po qe koh’ e mirë koha në rini
e kush s’dëshëron të ish përsëri ?
Me mall e kujtojmë cilido nga ne
dhe të gjithë duam përsëri të qe !
T’isha prap’i ri sikur ashtu me brenga
vetëm shëndenë po me shpresë denga !
Lodra e të rijve me dallgë në det
ç’më kujton të mjerin ketu që jam në breg !
Koha e kaluar po më vjen nër mënd
tash që pleqëria po më bën baskënd !
Tash që pleqëria po më vjen për rreth
se të pesëdhjetat pak e pak po hedh !
Se të pesëdhjetat tani po afroj
dhe për ç’kam kaluar kthehem e dhikoj !
Kujtoj djalërinë që s’më kthehet më
se kështu jallania për të gjithë u bë.
Dikur tej me detin përtej e përtejë
diçka syrit duket që larg të shkelqejë.
Zbardh në drit’ të diellit si shënj’ e dalluar
mos është një barkë duke udhëtuar ?
Mos është një vel ndërë i anive
që bën udhëtim rreth e rreth nisive ?
Niseve që duken karshi nesh në JON
dhe që fqinji i Jugut mban edhe sundon ?
Apo një fantazmë përmbi detin shket
si në t’ Halimasë një mijë e një net ?
A mos është pamja e një shpendi kollos
që nga largësia këtu mezi sos ?
Mos është një ëndër mos një ideal
a mos rrot’ e fatit që po shkon ngadal ?
Dhe vazhdon mendimi aty ku qëndroj
tuke kqyr’me ëndje gjithë ç’ka kundroj !
Do ta mbaj një libër edhe do lexoj
edhe kur të lodhem pamjen do shijoj.
Pamjen feereike që të paraqitet
Ja Hund’ e Qefalit, Borshi me Haliqet !
Duket Piqerasi më tutje Lukova
larg dy çapa kali gjëndet Hundecova.
Ja dhe Heremecet e prapa Saranda
një qytet i vogël po që ta ka anda.
Që nga post’ i tij dhe hija që ka
do bëhet i jugut një i madh lima !
Më tutje Lukovës rruga pallamar
Shën Vasil të çon dhe Nivic_Bubar !
Majtas shtrihen male mbi Borsh e mbi Fterrë
ku përveç kullotave thonë se ka serë ?
Thonë se ka serë katran ose pisë
se atje rrëmbehej në vakt të Turqisë !
Po...s’kishte zot vëndi, puna dil e metë
ndërsa tani populli çdo gjë e ka vetë.
Xhebren s’di të lërë as dhe gjë të shkojë
dhe çdo gjë për popullin do ta çfrytëzojë.
Fush’ e Borshit majtas një truall pjelluar
që e begat ujët që del nga Izvuar.
Ujët e Izvorit thua një Bistricë
thua lum’në vënd aqë rrjedh shumicë.
Tek buron nga shkëmbi sa shumë zhurmon
sa dhe shumë larg, zhurma të shurdhon !
ujit të Izvorit s’i është njof dobia
Se mbi të s’pat vënë dorë qeveria !
Po tani që populli pushtetin e mori
mjaft gjer sot ka ndenjur pa dobi Izvori.
Me të do vaditet tërë fush’ e Borshe
dhe forca e rrjedhjes të mos shkojë boshe.
Do mund të shërbente si qymyr i bardhë
të jap elektrikut thuaj Jugut mbarë.
Jemi fort të bindur se kjo do bëhet
s’është e mundur më siç ka qënë të lihet.
Shif ! sikur dhe detin po e kap me dorë
fusha llënga llënga me kaqë sinorë !
Ja ! Porto Palermua, Ja ! mal i Pihoit
Ja ! majat e Pilurit, Blerëz e Vunoit !
Ja ! mali i Çikës, maja Mesimer
që pat kallë fashistëve të madh dikur tmer !
Rri me dit’ të pritjes dhe shkoj nëpër mënd
kush vallë do jetë cili ay vënd !
Që do të më presë vitin që vjen
e mira e liga shpejt vjen e na gjen !
Pata dhe shpresuar mos fundi mendohet
mos këtej ku jam t’ikij më lejohet !
Hesht e mendoj pak vëndet ku kam shkuar
që kur për në Fratar qeshë emëruar
Më shkojnë si në film nëpër mënd ndodhirat
dhe çfarë kam hequr dhe peripecirat !
Vuajtja për ngrënie vuajta për gjumë
midis këtij populli të çuditshëm shumë.
Në vënd ku shërbeva për një farë koh’
s’më qe dhënë e mundur një dëfrim të shoh !
Gjat gjithë kohës në dy dasm’ u ndodha
dhe mirë zakonet e tyre vrejta dhe vëzhgova.
Qen’ të kufizuar s’bëjnë shumë shpeza
në mes të çobanëve, keqas shumë ndeza !
Në një stan njëherë kur qethnë më thirë
hëngërtim një kec thuaj qurrëtirë.
S’kishe ku të vërje të betohem dhëmbin
dhe kësish davete se nderojnë vëndin !
Ishim shtatë burra në një sofrë shtruar
ç’do na bën një kec kur duhej miluar ?
Që të thoshim Po ! davet kemi bërë
kemi ngrën’ e pirë ngosur që të tërë !
Don me thën’ një drekë të mirë të doje
mbasi në vënd s’gjeje në Vlorë do shkoje.
Se kanë zakonin si ndonjë fqinj rreth
që kur do pres mikun fare s’ja pyet !
Fshatërat rrotull janë të fisit Arbër
edhe nga zakonet siç u thonë Labër !
Të presin të nisin mirë të nderojnë
mikun që zu derën shumë mirë e çmojnë !
Këtë e kam parë tek Luto Kajmaku
që në muajin maj që kur çel zambaku.
Shkoja për në Romës për të gjetë Abdylë
Po ky qe tuj zbritë në lagjen Resulë !
Ku e kishte ftuar një mik për gosti
pa ndonjë harsile pa ndonjë harli.
Dyli, më pat thënë dhe më kishte ftuar
të shkoja në Romës ku bën të jetuar !
Dhe u një të diel në mengjes mar rrugë
në të zbritë të fshatit has Avdylë n’udhë !
Rrugës që u hasëm ndalëm për cigare
dhe ky po më thote ke taku’mir fare !
Se do vemi bashkë tek një mik që kam
aty, në Resulaj do pim’ e do ham !
I thom unë s’vij se nuk jam i ftuar
dhe miq kësi soje rrinë dhe pa shtruar !
Po s’munda ta bind edhe bashkë zbritëm
të tre me Hasanin po Ju paraqitëm !
Lutua, na prit mu tek bisht’ i shkallës
edhe kishte thirë dhe ca të mëhallës !
Na mirseredhen gjithë, mir’u gjetëm uruam
dhe në dhomë sipër gjithëve na shtruan !
Qoshen ma dhan’ mua ashtu si të huaj
i zoti i shtëpisë po më ri kundruall !
Fillon muhabeti, rakia në mest
vijnë e shkojnë boshet pjata e mezes.
Kish fillu e derdhej pa masë rakia
dhe lëvon vlongari, kënga dhe dollia !
Për pak në oborrin dolla jashtë e pashë
me një zjarr të madh po piqej një dash !
Lëkura e dashit ishte nderë në mën
që të tërë oborin me gjethe e zën ?
Dashin atë ditë, Lutua e theri
se e donte sharti se e donte nderi !
E pyes Avdulin pse ky ziafet ?
bën vallë fejesë apo bën synet ?
Ndonjërit nga djemtë a për ndonjë nip
që bën këto shpeza për tu bërë kaip ?
Mos ka thirrë krushqit mos ka prerë ditën
që do marë nusen a do japë bijën ?
Jo, më thotë Avduli po rri e bëj qejf
se kështu pret mikun i gjithë ky rreth !
Miku po të vijë tym e tosë do dalë
zakoni i Labit nuk bën të të falë !
Gjithë ç’farë gjëndet mikut para vihet
të hajë të pijë në u dejtë të shtrihet.
Se shtëpi e tërë është e mikut sot
sido që të biret s’i thua gëk dot !
Duhet don zakoni që buka të vihet
jo kur është ora a uri të kihet.
Që dreka të shtrohet miku urdhëron
ahere mikpritësi çohet edhe shtron.
Unë pra si mik e pata kërkuar
kur gjithë të pranishmit më patën nxituar.
Vetë uri nuk kisha shokët më shtënguan
kur shishen e fundit gjer në fund kulluan.
Pim’ atë që ndodhej dhe mandej dërguam
që ga Selenica tre kile na çuan !
Vate ajo punë vërtet tepëruar
Po zakonin s’dija që duhesh kërkuar !
Të na shtrohej dreka të vihej mësalla
dhe çdo kush të ngihej me ç’t’i vihej para.
Në fund u kërkova ,Avduli më shtyu
të na çohej buka dhe i zoti fryu !
S’vonoi të kthehet me katër tepsira
mbushur me mish, e me plot të mira !
Dhjam’ i dashit shkrirë, thelat kullojnë
të lëpije gishtat s’qe mëkat të thonë.
Unë atë punë s’dija si të kryej
po e tërë gjëndja në atë po zhgryhej !
Me një farë arti gishtrinjtë lëpihen
me turinj mustaqe me dhjamë po lyhen !
Në fund majë e gjuhës lyrën e pastron
s’e kanë për keqe e kanë zakon !
Ora ishte pesë kur drekë po hanim
po ishim të ngosur se shihnim dot dhjamin.
Kishim që mëngjes me meze çdo lloj
pa s’qe punë ajo qe punë allosoj !
Drekë madhështore që do ta mbaj mënd
të tilla zakone nderojnë çdo vënd !
E nderojnë vëndin po dhe kë i bën
Eh ! ç’zakone kemi ne në vëndin tën’ !
Hangërtim e pimë aqë sa s’mir më
nderi mirë të gjithëve mirë na u bë !
Bishti kuptohet përpara mu vu
se ndër më i huaj mik po isha U.
Më qe vënë përpara një kallëp i tërë
bishtin me kapakun nder për të ma bërë.
S’mora dot më të, fare as edhe një pjesë
se vinim të ngopur kishim qysh mëngjes !
Dhe u lodhëm fare dit’ e tërë aheng
me haje, me pije, me valle me keng ‘!
Të kërcen Avduli tamam nga Dukati
këngërrek i fortë na pat qën’ i ngrati.
Me ditë të thyera ikëm e u ndamë
miknë që na priti me shëndet e lamë !
E falenderuam për ç’na pati bërë
edhe e uruam me rradhë të tërë.
Kur u ndam’ Hasani na ftoi për në Roms
të shkojmë atë mbrëma bashkë doemos !
Kam pasë na tha shpesh herë kërkuar
miq si të dy juve të ju kem të ftuar !
U lutem pa fjalë më mos të nguroni
në palo konakun tim të më urdhëroni !
S’kam diçka të rrëndë as do gjë të madhe
po u lutem hajdeni që tu mirseardh !
E falenderova tepër qe bujar
dhe një herë tjatër rrugën do ta mar.
Ti shoh mirëpritjen dhe të shoh gostinë
do vete një ditë që ti gjej shtëpinë.
Duhet që ti vete dhe atij njëherë
të shoh miqt si priten dhe në të tij derë.
Ndahem pra prej tyre ecij si të mund
edhe mbrëma mbrëma arij në katund !
Ku u thom çobanëve, qysh ditën e shkova
sa mirë zakonet, dijnë ku u ndodha !
Ata, hapnin sytë me atë mastraf
rrinin gojë hapur s’nxirrnin asnjë llaf !
Se e ndjenin veten ashtu s’bënin dot
as e patën bërë as e bejnë dhe sot !
Kështu del zakoni vetëm tek Labi
që për hir të mikut s’i dhimset as djali !
Prapë mbi ca kohë ndodha Karbunarë
ku një mik më priti si fisnik i rrallë !
Një mik e koleg shok Fiqri Maliqi
në davet si mik në shtëpinë më priti .
Karbunarë shkova bashkë me Stefanë
dy të huaj ishim vetëm mbatë anë.
Stefan Këpucari qe nga Agrovia
kaza e Përmetit siç më thosh mavria.
Ishte djalë i mirë punon këpucar
dhe që para lufte nga fshati pat ardh’ !
Të dy na pat ftuar Fiqua nga Xhafajt
dhe shkuam e gjetëm kur kaptuam qafat !
Që e ndajnë qëndrën Selenicën fshat
dhe q’e çojnë larg më se dy sahat.
Atje prap’ që vajta sa mirë na pritën
ç’bujari të gjallë miqtë paraqitën.
Sa mirë gostisin dhe sa mirë presin
kur për një gosti miqësitë thresin !
Dhe këtu zakoni rreh i Labërisë
që nuk e gjën kundi për rreth Shqipërisë.
Dhe aty kuptohet bishti na u shtrua
po dhe gjithë neve mirë e fort nderuan !
S’e harroj për besë nderin që na bënë
të mirat e Zotit para nesh i ndënë.
Para nesh i ndënë, zakon i kulluar
mësalla tre pash tej përtej mbuluar.
Me raki me haje me meze çdo soj
shpretkë, kokorec, djathë në çdo lloj
Sallata të ndryshme, pjata me sallam
dhe ullinj të kripur të kënaq Stefan’ !
Që qe meraklli për ullinj të kripur
se ne Agrovi rall kish për të shitur.
Zbrazesin shishet, shkon si uj’ rakia
të kënaq kur është, afif shoqëria !
Sheh gjithë shtëpinë në këmbë të rrinë
burrë, grua nuse dhe gjithë gjininë.
I sheh që të gjithë të rinë më këmbë
një zakon të tillë kush ka mund’ t’a shëmbë ?
Mbetëm që të gjithë fort të detyruar
dhe pritjen e tyre s’kam për ta haruar !
Hëngrëm sa deshëm lloje lloje gjellë
që në krye patëm mishinë në hell !
Fiqua dhe Avdylin e kish pasë ftuar
një njeri aposta kishte pasë dërguar !
U bind dhe Avduli erdhi që me natë
bashkë me familjen dhe një mik që pat’!
Mishi qe i hellit e rushit rakia
edhe tërë ditën vazhdoi dollia.
Që të gjithë, pimë raki pa masë
sa në fund u bëmë gjithë për të plasë !
Dreka qe e shtruar tamama drekë miku
drekë për të cilën krejt pija na fiku.
Piu shok Avdyli masën kapërceu,
Stefani, i dehur një gotë na theu.
Ç’të zë filli veten që pa masë pija
s’mundja më në vend ku isha të rrija.
Ngrihesha në këmbë duke fol’ e citur
shokët që ishin që të gjithë shtritur !
Citja gjithë shokët prapë që të pijnë
po ata s’më gjegjeshin po tretnin rakinë.
Avdyli më njanë dergjej pa më folë
i jap që të pijë, po s’më flet me gojë !
Syri turbulluar, mustaqja varë
dukej sikur s’ishte kësaj bote ndarë.
Stefani përteje shtrirurë perdhet
bën sikur do çohet por dhe ky s’më flet.
Fiqua i shkretë bën se mirë mbahet
po gati më duket që dhe ky të ndahet.
Unë kisha mëndjen më duket se plot
po në trup një gjëndje s’e përshkruaj dot !
Isha çuar në këmbë në vënd s’mund të rija
krejt i alarmuar nga ajo dreq pija !
Isha krejt i dehur po mëndja në vënd
Dhe vetë vendosa ashtu siç mbaj mënd !
Të shkoj e të ikij të mos qëndroj më
dhe rrugën e kthimit atë çast të zë.
Të zë rrug të gjatë, shumë të udhëtoj
tronditjen e tepërt si që të shpenzoj !
U kërkoj pra leje të zotëve shtëpisë
Fiqos zura dorën dhe gjithë gjinisë.
S’donin të me linin rri më thosh Stefani
se për darkë sonte do na ketë Irfani ?
Irfani i Fiqos kushuriu i parë
djalë i mirë duket dhe me çdo të mbarë.
Me çdo lloj të mbarë na kish për gosti
bën zakon e shartit që secili di !
Mirëpo unë kisha vendosë domosdo të shkoj
dhe Irfanit falje, që s’vete kërkoj !
Jo më thonë rri, se ke muhabet
dhe pastaj s’ndahemi se s’na ka lezet ?
Që si shurrë e pulës tani të shpërndahemi
se do thonë u dehen dhe pastaj do shahemi.
Pastaj ky shoku na ka bërë ftesë
po të mos i vemi biem tersenesë.
JO ! u thom, më falni s’kam mundësi fare
të vazhdoj dhe sonte me të njëjtat halle !
Kemi shumë pirë ,boll dhe kemi ngrënë
akoma dhe më haje barkut do ti vëmë ?
I falem Fiqos për këtë gosti
e paçim me nder me fis e gjini
Edhe çohem ikij me gjithë isistimet
më përcolli Fiqua poshtë te kalldrëmet !
Rri më thosh i shkreti t’ikësh ç’të shtrëngon
Mir’po koka ime vendos e s’dëgjon.
E përshndes, e ikij rrugës drejt e për drejt
si robotët ecja sikur mbi xhadet !
Shkoja buzë Vjosës një si rrugicë dhish
monopat i ngushtë rrugëzë barijsh !
Poshtë meje Vjosa rimton në do vënde
qe Korrik dhe s’kishte rrjedhje edhe rrëmbe.
Dola monopatit e në rrugë zbrita
zhurit tuke ecur në banja arita.
Shkova drejt në banja që janë çudi
pranë buzes lumit tamam mrekulli.
Banja nga të squfurit me kripna të çdo lloj
nuk janë rradhë banja kësisoj.
Del ujë nga kumi shkumbëzon në pellg
dhe për reumatizmë këshillon çdo mjek !
Shumë efekt bëjnë në këmbë të çojnë
dhe të jesh mbërthyer me vitëra në stromë.
Dhe të kesh lënguar dhe të kesh stervojtur
po shkon në ato banja ke për tu shërojtur.
Janë fort të forta shpirto prej ajazi
dhe po ndenje shumë mbyteshe nga gazi.
Gazi që del ujit e të vjen në hundë
edhe mund të mbytesh po dikush s’të tundë !
Sidomos në femrat gazi bën efekt
se i deh i mbyt po s’i nxore shpejt !
Po që si rrëmbeve nga uji t’i nxjeresh
ose shpejt varjelën krye poshtë të kthenësh !
T’a kthenësh krye poshtë me gjithë çka brënda
posht’ i vete femrës kryet e lart këmba.
Lart i shkojnë këmbët e koka mbi dhet
ajo s’mer vesh ç’bëhet sikur s’është në jet’ !
Vilani i bie gazi e pat dehë
edhe do s’do banjat ikën do ti lerë.
Ikën dhe i lë e prapa s’vështron
dhe aty të tillat ndodhenë rëndom !
Sa herë fort femra janë vilanosur
dhe me këmbë përpjetë janë katranosur.
Kanë dalë butit siç i bëri nëna
jo për faj të tyre iu pat rënë gjëma.
I dehu i mbyti gazi sulfuror
dhe ranë si mundnë në kum në zhavor.
M’ish tharë gërmazi buza shkrumbëzuar
plasa bëra paf nga ujët e tërbuar !
Për në Selenicë shkoja i etuar
rrugës po më dalin dy qën të harbuar .
Unë pa dashur në nome u vajta
se se dija rrugën dhe nga munda vajta !
Ata për mbi mua unë për mbi ta
shkopi im që kisha mbi kurriz u ra.
Qent’ i pata ndjekur ikën si kopilë
po shkopi që pata u bë filë filë !
Qëntë vallë qëlloja rrugën a zhavorin
sido që qe puna bëra batall shkopin.
Zbrita përmbi lumë etjen të luftoja
rashë më një çezmë thashë ja ç’kërkoja !
Qënkej ujë squfuri i ëmbël si mjalta
piva piva shumë më sa frymë pata !
Piva shumë herë shpirti ma kërkën
po kur gromësiva squfur kundërmon ...!
vijon ............
(Kopjoi nga orgjinali nga une i biri i Autorit, Petraq J. PALI. ketu ne Virxhinia /USA ruhet autoresia dhe burimi nga U muar dhjetor 2010).